loader image
November 21, 2024

Kosova përballë Hagës dhe solidariteti i humbur

Haga, pos tjerash, hodhi në pah edhe një të vërtetë të dhimbshme – realpolitika vepron si fakt, ideali mbetet si dëshirë. Kjo tregon se bota ty nuk të njeh në tërë subjektivitetin tënd dhe nuk ka respekt për të. Nuk beson në atë që beson ti dhe nuk e përjeton njësoj ngjarjen, lëvizjen, fatkeqësinë dhe gjenocidin. Prandaj, lufta për çlirim është tjetër, ndërsa lufta për ta legjitimuar atë në nivel ndërkombëtar është tjetër. 

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Padia dhe procesi gjyqësor ndaj ish anëtarëve të Shtabit Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ishte një momentum problematik e ironik, njëkohësisht. Problematik, ngase në mënyrën se si ndodhi dhe në definimin e krimeve nga ana etnike e vë në pikëpyetje “pastërtinë” e përpjekjes për liri të shqiptarëve të Kosovës e, rrjedhimisht, edhe projektin e shtetit të Kosovës. Ironik, ngase duke amnistuar kriminelët dhe eprorët e tyre të aparatit shtetëror serb, gjykohet forca mbrojtëse e kryengritëse që lindi si reagim kundër represionit ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve ‘90. Duke vënë në pikëpyetje misionin çlirimtar e fisnik të UÇK-së, kjo gjykatë është njollë serioze e jomeritore për shtetin dhe tërë ekzistencën shqiptare në Ballkan.

Momentumi kur po gjykohen krerët e UÇK-së po ashtu është problematik dhe i disfavorshëm për arealin shqiptar. Agresioni rus në Ukrainë e ka tensionuar tejmase përplasjen e botës euro-amerikane me botën ruse e proruse. Në këtë kontekst, Kosova qysh në thelb të çështjes nuk ka se si të jetë neutrale. Nga njëra anë, rreziku rus nuk pritet të jetë i kufizuar vetëm në Ukrainë, ndërsa nga ana tjetër gjykohet themeli i luftës për liri. Serbia qëndron pa bërë ndonjë distancim nga e kaluara gjenocidale e edhe pa bërë ndonjë distancim nga Rusia. Kosova rikthehet në skenë si subjekt i ndikimit e interesit të madh rus e i rrezikut nga shteti serb. Kësaj situate nuk i ndihmon aspak amnistia dhe tolerimi euro-amerikan ndaj Serbisë. Shto kësaj faktin se si po bëhet thirrje të formohen një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që do të përbënte themelin e pranisë permanente e legale serbe brenda territorit të Kosovës (lexo cenimin e sovranitetit e integritetit të shtetit). Prandaj procesi aktual në Hagë nuk mund të kuptohet ndryshe, pos në kontekst të të gjitha këtyre zhvillimeve. Gjykimi i krimeve të luftës do të duhej të bëhej në parim. Por, që kjo të bëhet, do të duhej të respektoheshin principet themelore humane, morale e juridike. Nuk mund të ketë gjykim krimesh në premisa etnike, ashtu siç nuk mund të ketë gjykim krimesh duke amnistuar aparatin shtetëror që ka bërë spastrim etnik e gjenocid, teksa heton e gjykon krimet e pretenduara se u bënë nga një forcë luftarake vullnetare e etnisë që ishte viktimë e atij spastrimi etnik e gjenocidi, e që sot e kësaj dite lëngon nga humbjet dhe dhimbjet e luftës.

Haga, pos tjerash, hodhi në pah edhe një të vërtetë të dhimbshme – realpolitika vepron si fakt, ideali mbetet si dëshirë. Kjo tregon se bota ty nuk të njeh në tërë subjektivitetin tënd dhe nuk ka respekt për të. Nuk beson në atë që beson ti dhe nuk e përjeton njësoj ngjarjen, lëvizjen, fatkeqësinë dhe gjenocidin. Prandaj, lufta për çlirim është tjetër, ndërsa lufta për ta legjitimuar atë në nivel ndërkombëtar është tjetër.

Sado që Kosova gëzon një funksionalitet normal, një zhvillim relativ, stabiliteti e sovraniteti, siguria dhe paqja asnjëherë nuk duhet të merren si të mirëqena. Teksa vitet kalojnë, brishtësia e sigurisë del në pah dhe zgjimi ynë duket të jetë i vonuar. Megjithatë, Kosova ka një avantazh të madh që qëndron në anën euro-amerikane e që projektin e shtetit e ka të lidhur ngushtë pikërisht me agjendën e kësaj dysheje. Veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë instancë sigurie për praninë e zhvillimin shqiptar në Ballkan, por kjo assesi nuk justifikon mungesën e vigjilencës sonë, vizionit kombëtar dhe forcimin pa kusht e me këmbëngulje në planin e brendshëm, në industri, ekonomi, barazi sociale e sidomos në mbrojtje e diplomaci. Madje, edhe “aleancat e vogla” me shtete e organizma të tjerë ndërkombëtarë i shërbejnë qëllimit final për stabilitet e zhvillim të Kosovës.

Mundësia e kryeministrit Kurti për të bërë ndërlidhjen e politikave të mëdha me mbështetjen “popullore” ishte ideale dhe këtë e bëri deri diku, por mungesa e njerëzve si profili i tij afër Kurtit e bën mjaft problematike situatën. Pa u realizuar një solidaritet e ndërlidhje e pakusht ndërmjet politikës mbrojtëse e përparimtare të shtetit me qëllimin dhe idealin e njerëzve të rëndomtë, nuk ka se si të ketë zhvillim normal, madje as mbijetesë të status quo-së. Si të ketë legjitimitet e sukses një politikë shoqërore e shtetërore, qoftë ajo e mbrojtjes, e lirisë, e barazisë apo përparimit, kur nuk e ka besimin e subjektit që pretendon se e përfaqëson, kur nuk e ka gatishmërinë për sakrificë me punë, mund e durim, apo edhe me jetë të subjektit në fjalë, nëse shfaqet nevoja? Një politikë, ideal e mision pa subjektin, pa zellin e subjektit, pa emocionin dhe sakrificën e subjektit është e paqenë, është ëndërr e mirë e një politikani a burrështetasi vizionar. Por, roli edukativ në këtë rast është evident dhe mund ta kthejë gjendjen për së mbari.

Është alarm kombëtar nihilizmi dhe relativizimi që mbjell gama mediale në secilën temë. Ajo po privon popullin e Kosovës nga vetja e saj, nga vlerat e principet qytetare e morale që beson në përgjithësi. Ajo nuk udhëhiqet nga ndonjë ideal, nga ndonjë vlerë e përbashkët shoqërore, nga ndonjë ndjesi a dhembshuri për indin e kësaj shoqërie që pretendon se është këndellur nga lufta e fundit dhe shtiret si normale. Ajo udhëhiqet nga interesi komercial, nga paraja. Prandaj, sipas kësaj logjike, një temë nuk është e denjë të kursehet për të mos u trajtuar me relativizmin maksimal, madje as për t’u trajtuar dinjitetshëm. Nuk ka fushë, morale, nacionale, politike, fetare a tjetër që të mos i nënshtrohet një niveli të dobët e të frustruar të britmës televizive. Teksa të gjitha këto i shërbejnë pasurimit financiar, nuk mund të pritet as koordinim minimal mes aktorëve kryesorë në shoqëri për të ndërtuar një rend e një stabilitet të përgjithshëm. Një shoqëri pa ideal, pa qëllim madhor e pa solidaritet solid edhe mund të pasurohet financiarisht, mund të krijojë shumë korporata mediatike, e jo vetëm, por nuk mund të bëhet asnjëherë shoqëri, as komb, as shtet, madje njerëzit e saj mund të mos bëhen asnjëherë njerëz në kuptimin e plotë të fjalës, me tërë rezonimin filozofik, civilizues, moral e shpirtëror. Ajo mbetet në nivelin e mbijetesës së pakuptimtë e motivuar nga një prirje hedoniste që jeton pa ndonjë qëllim. E si mund t’i takojë e ardhmja një grupi njerëzish që heq dorë nga parakushti i të qenit shoqëri njerëzore, nga solidariteti dhe qëllimi e besimi kolektiv? Prandaj, urgjenca e kësaj problematike për t’u marrë seriozisht mund të jetë e vonuar dhe dëmi i saj mund të jetë i pakthyeshëm nëse njerëzit e rëndomtë dhe krerët e shtetit nuk binden për një funksionim më ndryshe të rendit shoqëror e politik, për një katarsis e një zgjim të ri, për hir të natyrës sonë njerëzore e për hir të përvojës e kujtesës kolektive që ende e ruan fotografinë e komunitetit të shtypur e të mbijetuar, me dëshmorë e martirë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X