loader image
September 16, 2024

Korriku, korrja dhe Kadareja

Kadareja nuk ishte shembulli i mirë i intelektualit dhe më vjen keq kur njerëzit ngutshëm duan t’ia ngrisin përmendoren e lavdisë, pa e analizuar se çfarë shembulli po përçojnë te brezat e tanishëm dhe tek ata në ardhje. Kjo nuk do të thotë se nuk kishte vlerë si shkrimtar, assesi, por për ta kuptuar si tërësi duhet analizuar në tërësi jetën dhe veprën e tij, ngaqë ngutja për të lavdëruar skajshëm, apo për të poshtëruar skajshëm, na ka kushtuar shumë si popull.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup

Në fillim të muajit korrik, pikërisht në kohën kur bujqit bëheshin gati t’ia nisnin korrjes së grurit, lexojmë se paska ndërruar jetë shkrimtari me përmasa vendore dhe botërore, Ismail Kadare. Papandehur, njeriu kur dëgjon se ndonjë njeri ka ndërruar jetë, ndjen dhimbje, fillimisht për një arsye të nënvetëdijshme se i vdekuri ka mund të ishte vetë lexuesi i lajmit, pastaj ndjen dhimbje për dashurinë që kishte për të derisa ishte gjallë, për kontributin e tij në shoqëri dhe për të bëmat e tij, ngaqë kur dëgjojmë për vdekjen, nuk mund të mos e kujtojmë fjalën korrje, sepse vdekja në sytë e çdonjërit është edhe korrje e asaj që ke mbjellur për atë botë përmes fjalëve, sjelljeve dhe veprave. Po ashtu, korrja përkon edhe me këtë botë, ngaqë kur pushon së rrahuri një zemër, pushojnë edhe të mbjellat (veprat) e tij në këtë botë. Tanimë, njerëzit ose përfitojnë nga veprat e të vdekurit ose shohin dëm nga veprat e tij. Edhe kjo është një lloj korrjeje! Kësodore, pena e Kadaresë do të pushojë së mbjelli fjalë në arën e librave. Ai nuk do ta lëvrojë më gjuhën përmes së cilës synonte më të mirën e më të bukurën, kuptohet sipas tij. Kadareja është futur në fazën e korrjes, edhe atë pikërisht në kohën kur bujqit bëheshin gati t’ia nisnin korrjes së grurit.

S’do mend se Kadareja ishte shkrimtar i vlerësuar në vend dhe jashtë vendit. Kishte një mënyrë të veçantë të shkrimit. Kur e lexoje, lehtësisht e kuptoje dhe shkrimin e tij nuk e shoqëronte bezdisja. Pas mbarimit të leximit të romaneve të tij, nuk mund të mos ndjeheshe më i ngritur në mendim dhe sidomos në njohjen e gjuhës shqipe, ngaqë ishte një lëvrues dhe kultivues i mirë i kësaj gjuhe. Nuk e fshehte aq shumë mendimin në emër të metaforës, sa të humbiste krejtësisht në mbajtjen e një qëndrimi dhe në shprehjen e asaj që mëtonte ta shprehte përmes shkrimit. Normalisht, përdore metaforën, alegorinë, simbolikën, lojën e fjalëve, analogjinë, pse jo edhe cinizmin, elemente këto të nevojshme për një vepër të arrirë letrare, por në fund mund ta kuptoje se cila ishte “shigjeta” e tij dhe ku ishte “caku” i tij. Ishte një kartë identiteti jashtë kufijve tanë. Prej shumë syresh që njiheshin botërisht, Kadareja ishte njëri prej tyre, saqë kur njoftoheshe me dikë të huaj, që merrte erë prej leximit, mund t’ia përmendësh Kadarenë dhe natyrisht ishte një përparësi, sepse në njëfarë mënyrë tjetrit i tregoje se i përkas një populli të gdhendur përmes lapsit të mprehtë, sinonim ky i emancipimit të një populli, pa u futur në hollësi se çfarë shkruante, ku dhe kë godiste. Ishte kandidat serioz për marrjen e çmimit Nobel, një çmim ky tepër i rëndësishëm. Kishte çmime të shumta që i jepeshin prej institucioneve të rëndësishme. Ishte i përkthyer në mbi katërdhjetë gjuhë të botës. Këto dhe shumë gjëra tjera nuk mund të mos e bëjnë të rëndësishëm si shkrimtar dhe kontribues në fushën e letërisë. Megjithatë, kjo nuk ishte vetëm ana e tij e vetme! Ai ishte edhe intelektual. Jepte mendime të ndryshme për çështje të ndryshme. Ai ishte edhe qytetar i thjeshtë, për të cilin thuhej se për sa u përket sjelljeve me njerëzit linte për të dëshiruar. Penën e tij jo gjithherë e përdori për ta ngritur një ngjarje, përmes së cilës do të përfitonin njerëzit, sidomos populli që i përkiste. Kishte një urrejtje të thellë për osmanët, edhe pse osmanë nuk ishin vetëm turqit, urrejtje kjo e thellë që më së paku i ngjante një shkrimtari të madh, aq më pak ndaj një perandorie, e cila qëmoti kishte perënduar, perandori që ishin pjesë e trashëgimisë së saj edhe shqiptarët dhe sidomos pas shpërbërjes së saj, me trashëgimtarët kryesorë të saj, turqit, me të cilët nuk kishim probleme, as konteste, qoftë si shtet e qoftë si shoqëri, madje as që kufizoheshim me Turqinë, për dekada me radhë e dëshmuar si aleat serioz i shqiptarëve, sidomos i Shqipërisë. Kur e paraqiste pushtuesin, ai i jepte ngjyrim turk dhe islam, madje nuk i ndante fare këto të dyjat, paçka se kishte dekada të tëra që ne hiqnim të zitë e ullirit prej Serbisë, Greqisë, Maqedonisë e prej regjimeve shqiptare, por të cilët ishin me orientim kah Moska staliniste, kah Italia musoliniste dhe kah Kina maoceduniste. Merrej me një njeri tepër periferik, siç ishte Haxhi Qamili, madje në cilësi të artit kishte ngritur tezë, të cilën me kalimin e kohës dëshironte ta shiste si tezë shkencore. Për të nuk ishte me rëndësi se çfarë po ndodhte, por ajo që kishte ndodhur, për të cilën aq shumë ishte shpifur e sajuar, pastaj po përmes sajimeve tjera, njeriu me sy zhbirues vështirë se mund të vinte deri te një e vërtetë historike, ngaqë historia ishte bërë gërshërë në duart e njerëzve, të cilët për hir të propagandës ishin në gjendje të vrisnin sa më shumë njerëz e të mos flasim se çfarë ishin në gjendje të vepronin me faktet historike. Lloji i tij të lë përshtypje se po të jetonte në kohën e Perandorisë Osmane, do ta villte vrer kundër Perandorisë Bizantine, cilësi kjo e dobët për cilindo intelektual dhe shkrimtar. Jorastësisht, ai filloi të fliste keq për komunizmin vetëm pasi të tjerët e kishin shporrur atë regjim të pashpirt. Ai në vitet e ‘70-ta ishte edhe deputet, pikërisht në kohën kur shkrimtarët dhe intelektualët e tjerë numëronin ditët e trishtuara në nëntokën e burgut të Burrelit, që njihej si burgu i ferrit. Shprehur simbolikisht, Kadareja i rrihte qentë, por vetëm pasi të ngordhnin, njëherësh duke e paraqitur si heroizëm të rrallë këtë vepër, kështu që atë mund ta hante cilido qen, por ajo nuk i bënte përshtypje. Rëndësi kishin përrallat kur ujqërit u ishin vërsulur keq disa njerëzve që njëherë e një kohë jetonin nëpër këto treva! Me pak fjalë, nuk ishte shembulli i mirë i intelektualit dhe më vjen keq kur njerëzit ngutshëm duan t’ia ngrisin përmendoren e lavdisë, pa e analizuar se çfarë shembulli po përçojnë te brezat e tanishëm dhe tek ata në ardhje. Kjo nuk do të thotë se nuk kishte vlerë si shkrimtar, assesi, por për ta kuptuar si tërësi duhet analizuar në tërësi jetën dhe veprën e tij, ngaqë ngutja për të lavdëruar skajshëm, apo për të poshtëruar skajshëm, na ka kushtuar shumë si popull. Shpërputhja mes teorive dhe praktikave na është përplasur keq në fytyrë dhe kjo pastaj na ka gjetur jo rrallëherë të hutuar karshi gjendjeve të ndryshme. Ishte mëdyshje se Islamin e urrente për shkak të Turqisë apo Turqinë për shkak të Islamit, por kur e merr parasysh thirrjen e tij të hapur se shqiptarët duhet të kthehen në Krishterim, pastaj debatin e tij shumë të pakulturuar me Qosjen se shqiptarët i përkisnin vetëm perëndimit (“klubit të krishterë”, këtu pandehte), mund të vlerësojmë se ai edhe Turqinë e urrente për shkak të Islamit, madje as për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni nuk kishte ndonjë simpati, as për luftën e këtushme, ngaqë për mendësinë e tij këta shqiptarë shquheshin edhe për myslimanë, pjesë kjo e identitetit që i mbrojti edhe nga asimilimi, që sllavët aq joshës dinin të bënin përmes fesë ortodokse, siç vepruan me shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme. Megjithatë, kur bëhej fjalë për çështje pozitive të fesë në kuptimin kombëtar, atij nuk i interesonte, ngaqë pulsi diku tjetër i rrihte dhe qëmtimin e fakteve dhe të imagjinatave e përdorte në shërbim të egos, pse jo edhe të misionit të tij. Madje, vetë ai shkruante se komunizmi ishte shumë i keq, por një të mirë e kishte me ndalimin prore të feve, sepse ia ndaloi hovin fesë islame, kurse tani me hapjen ndaj botës perëndimore (botë perëndimore ai gjithmonë e pandehte Krishterimin, gjegjësisht fenë katolike, sepse bota perëndimore në kuptimin e integrimit politik, ekonomik e vleror, kurrë nuk binte ndesh me asnjë komb dhe kulturë tjetër), mundësia do të jetë ndryshe për dalje në pah. Madje, edhe emrat si personazhe të romaneve të tij, që kishin rëndësi dhe respekt në fenë islame, siç ishte fjala vjen, emri Abdullah, ai duke e ditur këtë fakt, panevojshëm dhe fyeshëm e shoqëronte me fjalë përçmuese, gjoja se çfarë emri i tmerrshëm, ani pse një lexues i tij shqiptar mund ta kishte emrin Abdullah. Habitshëm, vetë ai e thotë një thënie tepër të mirë se njeriu mund të harrojë se çfarë i keni thënë, por kurrë nuk do të harrojë se si e keni bërë të ndjeheni. Si nuk i shkonte në mend se nëpër libra të tij një pjesë bukur të madhe të lexuesve mund ta ketë bërë të ndjehen keq, sepse ta lidhësh fenë e shumicës së shqiptarëve me të keqen e shqiptarëve, nuk ka më rëndë. Jo pak herë kishte harruar se shkrimtari e intelektuali duhet të jetë kritik ndaj dukurive, regjimeve, ndaj veprave letrare, pse jo edhe ndaj njerëzve të caktuar, por në asnjë mënyrë nuk i përligjet ksenofobia dhe fobitë tjera.

Në kuptimin politik ishte edhe kundërthënës. Dikur e kritikonte ashpër Rugovën, kurse pas disa vjetësh, pa një sqarim paraprak apo kërkim falje, vrullshëm e lavdëronte atë, duke e futur në pezhishkën e hutisë lexuesin se vallë Rugova ishte i keq atëherë apo vetë Kadareja tani u trajtësua si i tillë! Ishte tepër gojëlëshuar edhe ndaj figurave, të cilët i nderonte në një ujdi afërsisht të plotë populli, siç ishte Rexhep Qosja, të cilin e pati quajtur të pabesë dhe psikopat dhe Adem Demaçin, të cilin e pati quajtur trutharë e njeri pa atdhe. Po ashtu, në kohën kur Shqipëria posa kishte nisur thyerjen e grilave, ata që iknin nga Shqipëria për në vendet perëndimore, Kadareja i pati quajtur jashtëqitje dhe zorrë e trashë e kombit, edhe pse pas disa muajsh vetë ai do të ikte nga Shqipëria, edhe atë pikërisht në kohën kur demokracia kishte nisur të trokiste në Shqipëri. Afërmendsh, është kundërthënëse të qëndrosh në Shqipëri në kohën e komunizmit, të mos prekesh fare, madje të ndihmohesh nga partia dhe me rënien e sistemit t’ia mbathësh nga Shqipëria dhe nga Franca të shesësh demokraci dhe të tregosh për të këqijat e komunizmit, ngaqë tanimë, me hapjen e vendit, tmerret dhe tragjeditë e komunizmit secili mund t’i shihte, aq më tepër të fliste ai që dikur fliste mirë për atë kohë, ndonëse e dinte të vërtetën, por nuk dëshironte t’u bashkangjitej të burgosurve, të cilët shprehjen e së vërtetës e paguan shtrenjtë dhe të cilët njëherësh ishin edhe lajmëtarët e parë të çlirimit nga ai regjim gjakatar. Sidomos, në kohëra të krizave, intelektualët i duhen popullit siç u duhet nëna fëmijëve. E kuptoj se edhe nga Franca mund të jepte kontribut, por jo aq sa nga Shqipëria, jo aq sa nga vendi i ngjarjes, sepse sado dashamirës të jetë miku në largësi, nuk mund të ndihmojë sa duhet dhe kur duhet. Për fat të keq, kjo teoria “edhe atje mund të jep kontribut” dhe “edhe këtu ku jam mund të jap kontribut” është keqpërdorur me të madhe, ngaqë kontributit të mirëfilltë patjetër se i paraprinë sakrifica. Për shembull, edhe Ismet Jashari mund të jepte kontribut nga Zvicra, me 10 për qind të rrogës që do ta ndante për luftën në Kosovë, por kurrë nuk do të ishte Ismeti që tani e njohim dhe nuk do të ishte Komandant Kumanova si kontribues i pashoq në luftën e Kosovës. Kësisoj, e tërë kjo përsiatje për Kadarenë ka për qëllim kryesor përçimin e porosive te të tjerët, assesi përçmimin, analizimin në tërësi të figurës së tij, kuptohet në saje të mundësive tona.

Kadareja tashmë është në fazën e korrjes; e lavdëruam apo e kritikuam, atij as dëm dhe as dobi nuk i bën qasja jonë, por ne e kemi hallin tonë, pse jo, dertin dhe dukurinë e llogaridhënies, duke e vënë në pah argumentin se një ditë secili do t’i nënshtrohet penës vlerësuese, duke pasur për qëllim paralajmërimin për secilin, sepse paralajmërimi të kujdesshmit i ndihmon dhe i kthjellë, si dhe mundohemi ta nxisim dhe ta ngjallim, përmes kësaj qasje, qasjen e intelektualëve dhe shkrimtarëve të gjallë, njëherësh duke ia prerë këmbët mitit, sepse është dëshmuar se lehtë krijojmë mite dhe pastaj pikë e pesë bëhemi kur duam t’i demitizojmë mitet.

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X