loader image
October 14, 2024

Kongresi arsimor i Elbasanit

Kongresi arsimor i Elbasanit mori përmasa kombëtare, së pari, se në të morën pjesë përfaqësues nga pothuaj gjithë trevat shqiptare, personalitete shquara të lëvizjes kombëtare në përgjithësi dhe asaj arsimore në veçanti, delegatë të zgjedhur nga Elbasanit, Korça, Berati, Durrësi, Tirana, Gjirokastra, Përmeti, Pogradeci, Leskoviku, Dibra, Shkupi, Manastiri, Ohri, Struga, Filati, Janina, Selaniku etj.

Uran BUTKA, Tiranë

Për të kumtuar për zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar duhet të njihemi me themelet dhe organizimin strukturor të arsimit dhe të shkollës shqiptare ndër vite. Kongresi i parë arsimor Kombëtar i mbajtur nga 2-9 shtator 1909, i njohur si “Kongresi i Elbasanit” ose “Kongresi i shkollave Shqipe”, përbën një ngjarje me rëndësi në historinë e arsimit, shkollës shqipe dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Ky kongres u thirr me nismën e Mid’hat Frashërit, si kryetar i Klubit Kulturor të Selanikut dhe u organizua nga Klubi Kulturor i Elbasanit. Mid’hat Frashëri dhe atdhetarët e intelektualët shqiptarë shfrytëzuan menjëhërë liritë dhe mundësitë që jepte Konstitucioni i shpallur në korrik 1908. Ata vunë gjithë forcat intelektuale e atdhetare, si dhe pasuritë e tyre për hapjen e shkollave dhe klubeve kulturore shqiptare për ndërgjegjësimin kombëtar, gjuhën shqipe dhe diturinë, pa të cilat nuk mund te fitohej liria dhe pavarësia. Më pas, kur Turqit e Rinj i mbyllën shkollat dhe klubet, këto e kishin bërë punën e tyre, i kishin hedhur rrënjët për përhapjen e shqiptarizmit, gjuhës dhe arsimit shqiptar.
Kongresi arsimor i Elbasanit mori përmasa kombëtare, së pari, se në të morën pjesë përfaqësues nga pothuaj gjithë trevat shqiptare, personalitete shquara të lëvizjes kombëtare në përgjithësi dhe asaj arsimore në veçanti, delegatë të zgjedhur nga Elbasanit, Korça, Berati, Durrësi, Tirana, Gjirokastra, Përmeti, Pogradeci, Leskoviku, Dibra, Shkupi, Manastiri, Ohri, Struga, Filati, Janina, Selaniku etj. Ndërkaq Shkodra, në emër të shoqërive, klubeve dhe arsimit shqip të zonës së Veriut deklaroi se do të ishte dakord me çdo vendim që do të merrte Kongresi i Elbasanit. Të 35 delegatët u përzgjodhën nga 28 klube e shoqëri patriotike, që vepronin asokohe në mbarë trevat shqiptare. Një delegat mund të përfaqësonte nga një deri disa klube e degë të tyre. Kështu, për shembull, Mid’hat Frashëri përfaqësonte 6 klube, bile edhe atë të Shkupit, ose elbasanasi Ahmet Dakli ishte zgjedhur nga Struga, Gjergj Qiriazi nga Manastiri dhe Dibra etj.
Së dyti, ky kongres mori përmasa mbarëkombëtare nisur nga vendimet e tij, të cilat kishin të bënin me hapjen, masivizimin dhe organizmin e shkollave shqipe, shoqërive dhe klubeve patriotike në mbarë trevat e vendit. Ndër pikat më të rëndësishme të vendimeve të Kongresit përmendim vijimin e të shkruarit të shqipes me gërma latine, sipas vendimit të Kongresit të Manastirit, kundërshtimi i alfabetit arab, unifikimi i një gjuhe të njësuar dhe për herë të parë u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve, ku të merrej për bazë dialekti i Elbasanit. Kongresi vendosi gjithashtu që shkollat shqipe të organizoheshin me programe shkollore e tekste dhe të përcaktoheshin lëndët mësimore, në to të përdorej vetëm gjuha shqipe dhe të përpiqeshin që materialet mësimore dhe të shprehurit t’i përmbaheshin atdheut dhe diturisë. Pika të veçanta i kushtoheshin financimit e mbështetjes ekonomike të shkollave shqipe. Për këtë rolin organizues do ta kryenin klubet e shoqëritë patriotike, që me anë të donacioneve do të krijonin një fond të veçantë e do të kujdeseshin për mirëpërdorimin e tij. U vendos që të zgjidhej një administrator i përgjithshëm dhe të krijoheshin dy qendra administrimi të arsimit: shoqëria “Përparimi” në Korçë për sigurimin e buxhetit për shkollat dhe shtypjen e librave dhe klubi “Bashkimi” në Manastir për këqyrjen dhe administrimin e tyre.
Në bazë të një informacioni nga Kërçova në këtë kongres kishin marrë pjesë Jusuf Turabiu me Rexhep Faskun. Këta të dy së pari kishin shkuar në konakun e Hafiz Ali Korçës, ku ishin njohur hollësisht mbi këtë kongres, e më pastaj kishin udhëtuar për në Elbasan. Po kështu në këtë kongres kishin ardhur patriotë edhe nga Struga, Manastiri, Resnja, Tetova, Dibra, Shkupi e gjithë hapësira shqiptare.
Kongresi i Elbasanit ia ndërpreu rrugën shkollimit të huaj të ndërtuar mbi baza fetare dhe e hapi rrugën e shkollimit laik e kombëtar, i caktoi rregullat e drejtimit të shkollës me drejtor e pleqësi dhe i bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine. Me një fjalë, në këtë kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë kombëtare.
Dashuria ndaj alfabetit e shkollës dita-ditës po shtohej dhe, në bazë të kronikave të kohës, kudo shohim një aktivitet të vrullshëm për përhapjen e shkollave në gjuhën amtare, si në Kosovë, Manastir, Dibër, Ohër, Kërçovë, Gostivar, Shkup, Veles, Kumanovë, Strugë, Mirditë dhe në gjithë hapësirën etnike shqiptare.
Kongresi i Elbasanit është themeli i arsimit shqiptar.

Dokumente

THIRRJE E KLUBIT TË SELANIKUT
DREJTUAR KLUBEVE DHE SHOQËRIVE SHQIPTARE

Duke marrë në vërejtje që për nevojat tona, tani që kemi lirinë, duhet të përpiqemi më shumë e me tepër forcë dhe punonjësi nga ç’kemi bërë gjer më sot dhe, duke ditur se më e fortë e nevojave tona është përparimi e të përhapurit e gjuhës, burim i çdo diturie, marrim nderin t’ju lajmërojmë se:
1. Për të përhapurit e gjuhës, domethënë, për themelimin e shkollave, është nevoja që shqiptarët të përpiqen vetë dhe pa humbur fare kohë.
2. Për të bërë gjë me rrënjë dhe me rregull, është nevoja që gjithë shqiptarët të bashkojnë fuqinë e tyre për këtë qëllim me anë të Klubeve.
Duke shikuar këto nevoja, e pamë të udhës që të bëhet një mbledhje (kongres) prej gjithë klubeve dhe shoqërive. Çdo klub duhet të dërgojë një a më tepër delegatë, që të marrin pjesë në këtë kongres. U pa e udhës që të shënohet për këtë mbledhje qyteti i Elbasanit, më 1 të majit 1909.
Delegatët duhet të jenë të dërguar nga klubet, shoqëritë a nga qytetet dhe të jenë marrë vesh më parë me klubin, qytetin dhe shoqërinë që i dërgon, duke gjykuar gjer’e gjatë punët, që do të sillen përpara kongresit dhe që janë këto:
1. Themelimi i shkollave shqip: numri dhe vendi i tyre.
2. Themelimi i një shkolle për mësonjës (école normale).
3. Si do të mbahen shkollat? Ku do të gjenden të hollat? Sa do të ndihin klubet? Qysh do të mblidhen të hollat prej klubeve.
4. Programi i shkollave; ç’mësime do të mësohen dhe me sa rreshta do të jenë shkollat?
5. Bydçe e shkollave dhe të zgjedhurit e mësonjësve.
6. Të zgjedhurit një këqyrtari për gjithë shkollat.
7. Të bërët një qendre për të rregulluar dhe për të shikuar punët e shkollave.
8. Ç’rrugë do të zihet për të bërë shkolla shqip nga ana e qeverisë dhe për të kthyer shkollat, që sot janë në greqisht.
9. Lidhja e klubeve me njëri-tjetrin dhe zgjedhja e një programi të përgjithshëm.

Pritni, ju lutemi, të falurat me nder
Kryetari: Mid’hat

VENDIMET E KONGRESIT T’ ELBASANIT

Delegatët e dërguar nga ana e klubeve dhe shoqërive, që gjenden brenda dhe jashtë Shqipërisë, u mblodhën më 20 gjer më 27 të gushtit 1909 dhe vendosën:
1. Të fillohet dhe të nisë puna këtë vjeshtë n’Elbasan një mësonjëtore për mësonjës, me gjashtë rreshta, për mbajtjen e së cilës janë të detyruar të gjithë klubet dhe shoqëritë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, sikundër dhe të gjithë njerëzit, që dëshirojnë përparimin e kombit shqiptar. Kur të gjitha rreshtat e mësonjëtoreve do të jenë të plotë, duhen 1000 lira për mbajtjen e mësonjëtores, po sot për sot 700 lira janë mjaft. Kongresi i Elbasanit vendosi disa pika, pas të cilave do të qeveriset kjo mësonjëtore, të cilat janë botuar në një vivllë të veçantë.
2.Vendosi që të fillohet një shoqëri qendrore në Korçë, me emrin “Përparimi”, e cila do të njihet prej Mbledhjes së Kombit si vetë-normale dhe juridike. Kjo shoqëri do të jetë arka e përgjithshme, ku do të mblidhen të gjitha të hollat, që do të dërgojnë klubet, shoqëritë dhe çdo mirëdashës i kombit shqiptar. Kjo shoqëri do të përkujdeset pikë së pari që të mbahet mësonjtorja për mësonjës n’Elbasan dhe do t’u ndihë me sa mundet, të gjithë mësonjëtoreve shqip, të cilat nuk mundin të mbahen plotësisht prej atyre, që i kanë çelur dhe do të ndihë që të shtypen libra mësimi të vyera e të nevojshme, pasi këto do të vëzhgohen prej një komisioni të vendosur prej kësaj shoqërie.
3. Kongresi vendosi që shoqëria “Përparimi” të kërkojë ndihma nga qeveria për mësonjëtoret, që mban shoqëria.
4. Shoqëria e mësonjëtoreve shqipe në Korçë do të përpiqet të hapë dhe të mbajë, pas shkollës normale, edhe të tjera mësonjëtore nëpër vende, ku shqiptarët janë më të varfër dhe më të dobët.
5.Shqipëtarët kudo do të përpiqen me sa mundet të fusin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, që janë në Shqipëri.
6. Kongresi vendosi që të gjithë klubet dhe shoqëritë shqiptare të bashkohen dhe të kenë si qëllim të bashkët të punojnë për mirësinë e kombit shqiptar, për të përparuar në dituni dhe në mjeshtëri; të gjithë klubet, të gjitha shoqëritë dhe të gjithë mëmëdhetarët e mirë, t’i ndihin shoqërisë “Përparimi” në Korçë, me sa t’u mundet, për të mbajtur mësonjëtoret shqip.
7. Kongresi vendosi që të gjitha shoqëritë dhe klubet shqiptare të njohin një klub qëndror.
8. Kongresi i jep klubit qëndror ngarkimin të kërkojë që gjuha shqipe të jetë gjuha e mëmave në mësonjëtoret e para dhe të dyta të qeverisë që gjinden në Shqipëri.
9. Për këto dy vjet u zgjodh për klub qëndror klubi i Manastirit.
10. Shqiptarët me anën e mbledhjeve të vilajeteve do të kërkojnë themelimin e ndonjë mësonjëtoreje bujqësie, në vëndet që duhet.
11. Kongresi zgjodhi një komision prej zotërinjve: Dervish bej, Mid’hat bej, Teki bej, Ahmet Dakli, Kristo Dako, Selman Blloshmi, Jorgji Qiriazi, Haçi bej dhe Irfan bej, për të shkuar në Korçë, që të zgjedhin Pleqësinë e shoqërisë “Përparimi”.
12. Në qoftë se ndonjë klub, shoqëri apo mësonjëtore shqip ka një ndalim nga ndonjë anë me qëllim, d.m.th. ndonjë ndalim në të përhapurit të diturisë dhe të mjeshtërisë me anë të gjuhës shqipe, ahere të gjithë klubet dhe shoqëritë shqip që gjenden në këtë lidhje, do të përpiqen bashkarisht si një trup me një vullnet e me çdo farë mënyre të ligjshme të mbrojë të drejtat e tyre dhe të largojë çdo ndalim.
13. Kongresi i Elbasanit vendosi që pas tre vjetëve, më 20 të Gushtit 1912, të bëhet përsëri një kongres në Elbasan, ku do të kqyrojnë dhe do të bisedojnë nevojat e Shqipërisë.
14. Kongresi ngarkoi klubet dhe shoqëritë shqiptare të Elbasanit, që të përkujdesen për programin si dhe mbledhjen e atij kongresi
Shënim: Kongresi bëri një rregullore të plotë për të qeverisurit e kësaj shoqënie; kjo rregullore është botuar në një libër veçanërisht.

Delegatët e Kongresit të Elbasanit:
Elbasan: (klubi “Vllaznia”): Dervish bej, Qamil Feza
Elbasan: (klubi “Bashkimi”): Emin Haçi Ademi, Taqi Buda
Elbasan: (Shoqëria “Afërdita”): Josif Haçi Mima, Simon Shuteriqi
Berat: Qemal bej Elbasani, Kahreman Vrioni
Filat: Mid’hat Frashëri
Selanik: Mid’hat Frashëri, Osman effendi
Shkup: Mid’hat Frashëri, Osman effendi
Strugë: Abdullah Ahmet Dakli
Kozan: Abdurrahim efendi
Ohër: Hamdi bej, Irfan bej
Përmet: Haçi Bajram bej, Gjeki bej
Leskovik: Haçi Bajram bej, Gjeki bej
Manastir: Gjeorgji Qiriazi
Dibër: Gjeorgji Qiriazi
Misioni Amerikan: Cilka, Dako, Zonja S. Qiriazi
Skrapar: Abdullah bej
Janinë: Mid’hat Frashëri
Jeniçë: Mid’hat Frashëri
Karaferia: Mid’hat Frashëri, Osman efendi
Korçë: Orhan bej, Idhomene Kosturi
Gjirokastër: Andre Ikonomi, Thoma Papapano
Starovë: Selman, Sylejman efendi
Tiranë: Refik bej, Hafëz effendi
Peqin: Sabri efendi
Frashër: Mid’hat Frashëri
Gramsh: Tahla bej
Durrës: D. Kaçori, Jahja efendi, Mihal K. Sava
Qyprili: Dervish bej Elbasani

(Nxjerrë nga gazeta “Lirija” 1909)

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X