loader image
October 5, 2024

Kalërimi i “xhandarit” ballkanik!

Tolerancat e pakuptueshme të SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë, kësaj të fundit ia shtojnë apetitet për kërkesa të reja që janë në raport me shtetet e tjera më të vogla ballkanike, të cilat Serbia synon t’i rikthejë në orbitën e vetë. I tillë është ripozicionimi në krah të Serbisë i politikës dhe kishës malazeze, të tilla janë përpjekjet e vazhdueshme të ndikimit në politikën maqedonase përmes fuqizimit të lëvizjeve të tipit Levica ose VMRO-së proserbe, të tilla janë qasjet tejet liberale me pretendimet serbe ndaj Shqipërisë për dalje në Adriatik, etj.

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Popujt më të vegjël të Ballkanit, gjatë historisë së tij mijëravjeçare, kanë qenë cak i vazhdueshëm i hegjemonisë serbe me protektoratin rus. Krimet dhe barbarizmat e kryera veçanërisht ndaj shqiptarëve “heretikë” e katolikë në Mesjetë nga ortodoksia serbe (Car Dushani), u reprizuan në përfundim të sundimit pesëshekullor osman në këto troje, tani ndaj shqiptarëve të besimit islam (1877/1878), me shfarosjen e tyre nga Sanxhaku i Nishit. Në luftërat ballkanike (1912-1913) ndodhi kasaphane e paparë në sytë e botës. Lumenj gjaku rridhnin nga të gjitha anët, ku civilë të pafajshëm myslimanë vriteshin e digjeshin pa mëshirë. Synimet e Serbisë për spastrimin etnik të trevave shqiptare (dhe jo vetëm shqiptare) me shumicë myslimane vazhduan edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, në mes të dy luftërave botërore, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në fund të shekullit XX me luftërat në Bosnjë e Kosovë. Në të gjitha këto faqe të zeza të historisë, Serbia, si një xhandar i poshtër ballkanik, e pati vulën e krimit dhe gjenocidit, prapa së cilës qëndronte fuqia e madhe ruse.

Dhe, është shumë e çuditshme se si po i lejohet.

Zullumet ruso-serbe ndaj popujve joortodoksë

Në të vërtetë, shtrirja e ndikimit rus në Ballkan gjatë historisë, u bë kryesisht përmes mbështetjes së parezervë ndaj dy shteteve ortodokse sllave – Bullgarisë dhe Serbisë, të cilat u zgjeruan disa fish më tepër pas largimit të Perandorisë Osmane. Preteksti i ndërhyrjes ruse në Ballkan ishte pikërisht zgjerimi dhe forcimi i botës krishtere-ortodokse dhe eliminimi i popujve të besimeve të tjera jo të krishtera.

Nëse mbetemi edhe pak me vëmendje te krimet e Serbisë ndaj popujve fqinj, do të shohim qartë se të gjitha veprimet e tyre etnocidale janë dokumentuar në mënyrë të saktë, madje edhe nga vetë pjesëmarrësit okularë në ato ekspedita. Kujtojmë këtu dëshmitë e shkruara për luftërat ballkanike nga Leon Trocki – një komunist i njohur ukrainas me origjinë hebraike, ose të oficerit socialdemokrat serb, Dimitrije Tucoviq, i cili duke shkruar rreth masakrave ndaj shqiptarëve gjatë pushtimit serb të Kosovës (1912), pa ngurrim dëshmon se: “Ne kemi kryer tentativë vrasjeje me paramendim të një kombi të tërë”!

Në të gjitha luftërat e përmendura gjenocidale serbe, bota perëndimore ka qenë në dijeni të plotë. Është e çuditshme se si ajo nuk reagoi gati se asnjëherë për parandalimin e atyre krimeve!? Është e çuditshme se si asnjëherë nuk u kërkua përgjegjësi nga Serbia për dëmet e shkaktuara ndaj popujve të pafajshëm!?

Në rrethana të këtilla, e përkëdhelur edhe nga Lindja edhe nga Perëndimi, Serbia asnjëherë nuk e pa të udhës madje t’u kërkojë falje viktimave. Në këtë pikëpamje, rasti i Serbisë paraqet një rast “sui generis”. Gjermania dhe aleatët e saj e paguan shtrenjtë nëpër konferenca dhe gjyqe ndërkombëtare ndërhyrjen e paligjshme kundër popujve dhe shteteve tjera të pavarura gjatë dy luftërave botërore. Ndërkaq, Serbia jo që u dënua, por ajo u miklua vazhdimisht nga të dyja blloqet botërore dhe tani asaj po i bëhen edhe favore.

Ndërhyrja e vetme e botës demokratike perëndimore kundër Serbisë u regjistrua në rastin e luftës së fundit në Kosovë, me ndërhyrjen ushtarake të Aleancës së NATO-s (1999). Por, loja e dyanshme u vërejt që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 10 vjet pas mbarimit të luftës, dhe tani po bëhen 24 vjet nga çlirimi i saj, kurse diplomacia europerëndimore ende tallet me të, në këmbim të njohjes nga Serbia!

Imitimi i neutralitetit të dikurshëm jugosllav

Serbia ka pasur rol dominues në arenën politike ballkanike deri në fund të shekullit XX. Me transformime të shpeshta të njësive shtetërore, herë si SKS e herë si Jugosllavi, në realitet ajo e kishte fjalën kryesore te shumica e popujve ballkanikë. Me pavarësimin e popujve të tjerë sllavë të jugut dhe me formimin e shteteve të tyre nacionale, zbehet roli i Serbisë në konstelacionet ballkanike dhe europiane, veçanërisht pas luftërave të fundit. Ndërkohë, çerekshekullin e fundit, Serbia e shfrytëzoi bukur mirë për një rikëndellje ekonomike, ndërsa politikisht nuk ndryshoi asgjë nga qasja e saj fashizoide ndaj fqinjëve dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Tani politika serbe synon sërish të kthehet në stadin e dikurshëm që e kishte me Jugosllavinë e Titos, duke mbajtur njëfarë mesi të artë neutraliteti dhe duke koketuar mjaft suksesshëm herë me lindjen e herë me perëndimin. Tani Serbia është një shtet i fuqishëm ekonomik dhe politik në zemër të Ballkanit, e trimëruar gjithnjë e më shumë nga projektet inovative të llojit të “Open Ballkan”. Kështu, e inkurajuar nga mbështetja e plotfuqishme që i vjen aktualisht nga Shqipëria socialiste, Serbia po pozicionohet egërsisht në tregun e hapur rajonal ekonomik, duke luajtur një politikë të dyfishtë, herë me Bashkimin Europian e herë me Rusinë. Neutraliteti i saj edhe në konfliktin luftarak mes Rusisë dhe Ukrainës, ishte një tregues i qartë për BE-në dhe SHBA-në se me çfarë dinake kanë të bëjnë, prandaj filluan lëkundjet e pozicioneve të tyre karshi Serbisë. Kjo u vërejt sidomos në bisedimet e fundit lidhur me zgjidhjen e përfundimtare të çështjes së Kosovës në nivel ndërkombëtar, ku Serbia nga pozita e shtetit agresor, po e luan rolin e viktimës dhe me këtë qasje anakronike lehtësisht po pranohet si e mirëqenë edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Tolerancat e tilla të pakuptueshme të SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë, kësaj të fundit ia shtojnë apetitet për kërkesa të reja, që janë në raport me shtetet e tjera më të vogla ballkanike, të cilat Serbia synon t’i rikthejë në orbitën e vetë. I tillë është ripozicionimi në krah të Serbisë i politikës dhe kishës malazeze, të tilla janë përpjekjet e vazhdueshme të ndikimit në politikën maqedonase përmes fuqizimit të lëvizjeve të tipit Levica apo VMRO-së proserbe, të tilla janë qasjet tejet liberale me pretendimet serbe ndaj Shqipërisë për dalje në Adriatik etj. Ndërsa, për ndikimet e dukshme në politikën e brendshme të Republikës Sërbska në Bosnjë e Hercegovinë, s’ka se çka të diskutohet.

Nëse qëllimi i SHBA-së dhe BE-së, për ta mbështetur pa rezervë Serbinë, në emër të largimit të saj nga ndikimi rus, është më i madh se sa e drejta pozitive ndërkombëtare, atëherë mund të vijë në shprehje edhe besueshmëria e shqiptarëve si njëri nga popujt më proeuropianë dhe më proamerikanë në botë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X