loader image
October 14, 2024

(Intervistë) Agron Tufa: UDB-ja – themeluese dhe inspiruese për Sigurimin

“E shkuara diktatoriale komuniste është një traumë tejet e rëndë dhe tejet e gjatë, që ka pësuar shoqëria shqiptare (për këtë mjaftojnë konstatimet që përmendëm më sipër), por që, për fat të keq, kurrë nuk i jemi qasur si një traume të shumëfishtë sociale e kulturore, etnopsikike apo psikopatologjike dhe që, akoma më keq, vazhdojmë të mos e kundrojmë as si traumë të drejtpërdrejtë, që preku thellë rreth dyqind e pesëdhjetë mijë qytetarë, me familjet e tyre (pushkatim, burg, internim, dëbim), por as si një mënyrë traumatike edhe të pjesës tjetër të shoqërisë. Do ta quaja një traumë shoqërore me dy komponentë: trauma e viktimës dhe trauma e xhelatit. Kjo ka çuar dhe në ndarjen e kujtesës sonë në kujtesë të xhelatit dhe kujtesë të viktimës.”, thotë Agron Tufa.

Intervistoi: Ismail SINANI
Foto: Rromir IMAMI

Agron Tufa (1967), me origjinë nga Dibra, i takon brezit të shkrimtarëve shqiptarë të njohur si avangardistë, por ai është njëherazi edhe studiues i letërsisë dhe i artit, në përgjithësi, ndërsa emri i tij është i lidhur edhe me përkthimet e shumta cilësore në gjuhën shqipe të disa autorëve të mëdhenj botërorë.
Ka përfunduar studimet themelore për letërsi në Universitetin e Tiranës, ka vazhduar studimet për filozofinë e artit në Moskë, ndërsa sot është doktor i shkencave filologjike. Disa vite ka qenë ligjërues i disa lëndëve në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa në periudhën 2011-2019 ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kur – pas një përplasjeje me njerëz të ish nomenklaturës komuniste – u largua nga Shqipëria, për të kërkuar azil politik në Zvicër.
Ndonëse identiteti i tij i parë është letërsia (është autor ose bashkautor i mbi 20 veprave letrare dhe përkthyes i dhjetëra të tjerave, si dhe i disa studimeve mbi letërsinë dhe artin në përgjithësi) dhe diskutimi mbi letërsinë me të do të ishte sigurisht me shumë interes, megjithatë në këtë numër të revistës “Shenja” e kemi në cilësinë njeriut që për shumë është marrë në mënyrë të përqendruar me studimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe pasojave që i ka lënë ai regjim në jetën politike, ekonomike, kulturore, sociale e psikologjike te shqiptarët.

REVISTA SHENJA: Meqë keni qenë për një kohë të gjatë drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, a mund të na shpjegoni se çfarë ka qenë, në syrin tuaj, komunizmi në Shqipërinë veçmas, por edhe në krahasim me ish-Jugosllavinë dhe vendet e tjera komuniste dhe cili ka qenë roli i Sigurimit shqiptar dhe i UDB-së në funksion të atyre sistemeve, në veçanti, por edhe të simbiozës së tyre, në përgjithësi?
A. TUFA: Si dukuria më jetëgjatë ideologjike e politike e shekullit XX, komunizmi, si para, por veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, dominoi tablonë historike të mbushur me tragjedi. U propagandua si utopi ideale, si mision, si religjion i ri (ku Proletariati do përmbushë rolin mesianik), si projekt revolucionar për shndërrimin e botës në një kopsht Edeni, por, siç thotë Injac Silone, “Revolucionet, ashtu si pemët, njihen për nga frutat e tyre”. Kjo u pa që në fillimet e pushtetit të sovjetëve, me triumfin e Revolucionit Bolshevik të tetorit 1917, ku të vetmet fruta qenë propaganda, gjenocidi, hollodomori (vdekja e programuar nga uria), vrasjet masive, pushkatimet, deklasimet, burgjet dhe internimet (gulagët). Transformimi i shoqërisë nën dinamikën e terrorit me kombinimin e këtyre elementëve çoi pashmangshëm në shpërfytyrimin e saj. Kjo i ngjau dhe shoqërisë shqiptare. Ndodh si në një tregim të shkrimtarit disident rus Vasilij Grosman, kur e pyet personazhin e kthyer nga gulagu: “A ka mbetur vallë njeri, njësoj siç ishte më parë?”. Njerëzit në fund të këtij zinxhiri të gjatë dhune dhe terrori nuk mund të mbeten siç kanë qenë më parë, qofshin ata brenda gulagëve, qofshin jashtë tyre. Më e keqja është se kurrë nuk mund të bëhen më ata që ishin. Kjo i ka ndodhur dhe shoqërisë shqiptare nga vjeshta e vitit 1943, me prishjen e “Marrëveshjes së Mukjes” dhe me vënien në zbatim të skenarit të terrorit.
Ata që e kanë lexuar librin kapital të Stéphane Courtois (dhe pesë bashkautorët e tjerë) “Libri i zi i komunizmit” – që është një album i shpejtë apokaliptik i bilancit të dokumentuar të diktaturave komuniste me mbi 100 milionë viktima, mund të bëjnë lehtë krahasimet se deri në çfarë shkalle janë zbatuar në Shqipëri modelet, skemat dhe metodat e importuara të terrorit bolshevik. Kuptohet, jo pa zhvillimin “krijues” të zellit kriminal të komunistëve shqiptarë. Enver Hoxha vazhdonte, që në vitet e para të luftës dhe pasluftës, të përmbushte me bindje të verbër skllavi gjithçka që i diktonte agjenda e emisarëve të PKJ-së, sikundërse e ka pranuar dhe vetë në memuaret e tij.
Ashpërsinë dhe mizorinë e komunizmit shqiptar, nëse kërkojmë një krahasim, e gjejmë vetëm në të ashtuquajturën “Koha e terrorit të madh” (1933-1938), periudha më e rëndë e represionit dhe spastrimeve staliniste. Komunizmi shqiptar, që zgjati rreth 47 vjet të pushtetit absolut, ka nisur si histori e përgjakshme vrasjesh dhe ka vazhduar përmes logjikës së një terrori të pandërprerë përndjekjesh, pa lënë asnjë ndërkohë “zbutjeje” të luftës së klasave dhe spastrimeve të brendshme të rivalëve për pushtet në radhët e Partisë. Kjo e shpjegon dhe faktin pse gjatë gjithë historisë së pushtetit komunist në Shqipëri nuk qe e mundur të shfaqej dukuria, qoftë dhe e përkohshme, publike, e disidencës politike apo kulturore, siç e ndeshim në ish-BRSS, ish-Jugosllavi, Poloni, Çeki, Hungari etj., nëse përjashtojmë rastin tejet episodik të “Grupit të deputetëve” të Musine Kokalarit e Shefqet Bejës në shtator 1947. Pushkatimet dhe dënimet kapitale të grupimeve politike nuk lejonin as të krijohej premisa e një kundërvënieje, duke u shpallur “armiq të popullit”. Në letërsi, disidentët tanë potencialë, nuk kishin as mundësinë më të vogël të botonin ndonjë vepër, që mandej të ushtronin ndikimin e tyre publik mbi ndërgjegjen e lexuesit, siç kanë qenë veprat e Sollzhenicinit, Çesllav Milloshit apo Milan Kunderës. Ata u pushkatuan ose u dënuan rëndë, njëlloj si kundërshtarët e hapur. Pavarësisht se pas rënies së diktaturës ne kemi një repertor veprash që janë shkruar gjatë viteve të regjimit komunist, nuk duhet harruar që ato ose janë kapur në dorëshkrim dhe kanë shërbyer për dënimin e autorëve të tyre, ose kanë mbetur të fshehura dhe kanë dalë në dritë pas vitit 1991. Roli i rrjetit të ish-Sigurimit me mijëra bashkëpunëtorët e tyre e kishte nën kontroll jetën politike e publike shqiptare, sipas një raporti infiltrimi 1 me 3 ose 1 me 5. Pas periudhës së parë të dhunshme të Pasluftës së Dytë Botërore me eliminimin e shtresës së tregtarëve, pronarëve të tokave, shpronësimet në përgjithësi, arrestimet dhe likuidimet e inteligjencies së përgatitur në universitetet e botës; pas ndërprerjes radikale të komunikimit me vlerat artistike, morale e edukative të traditës sonë të para vitit 1944 (ndalimi i librave dhe autorëve me ndikim të madh); pas fushatës së tërbuar antifetare, masakrimit të klerit, shkatërrimit të kishave dhe xhamive, deri në rekordin historik të ndalimit të besimit me nen të posaçëm në Kushtetutën e re të vitit 1976, – procesi i shfytyrimit të shoqërisë nga çdo vlerë dhe identitet njerëzor, mund të konsiderohet thuajse i plotë. Komunizmi shqiptar me propagandën e dhunshme dhe terrorin e pandërprerë ia kishte dalë të inauguronte zombin e vet në seri, njeriun e ri socialist, një qenie ishullore, e bindur dhe artificiale, e shkëputur nga tradita, identiteti dhe historia. Ky alienim e nënshtrim, i kontrolluar dhe i survejuar çdo ditë, në çdo veprimtari e vend pune, flet për dorëzimin e plotë të shoqërisë, për mundjen e saj, për heqjen dorë nga çdo lloj rezistence, për bankrotin dhe falimentimin, për zombifikimin brenda një universi të pashpresë e në dukje, të përjetshëm, paralelisht me varfërimin dhe reduktimin e horizontit jetësor vetëm për mbijetesë. Një gjendje të ngjashme nuk e ndeshim në asnjë realitet të ish-shoqërive komuniste. Diktatori dhe kasta e tij i kishin përsosur instrumentet e kontrollit të plotë mbi këdo e gjithkënd, një realitet oruellian, ku garancinë më të madhe e jepte Sigurimi.
Dhe dihet se, pavarësisht propagandës për vigjilencë, komunistëve shqiptarë nuk kishte kush t’ua rrezikonte pushtetin. Të paktën UDB-ja jugosllave, që propagandohej si rreziku më i madh, nuk ishte veçse një aleate e vjetër, ose thënë më saktë – Sigurimi shqiptar dhe UDB-ja jugosllave ishin një ndërmarrje e përbashkët. Në thelb, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në MPB ishte strukturë e krijuar në vitin 1946 nga jugosllavët, emërtesë në shqip e përkthyer nga UDB-ja. DSSH u formua pas Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (kjo funksionoi në vitet 1944-1946, si imitim i OZN-as jugosllave). Sigurimi, dihet tashmë, ishte një polici politike, e cila merrej me kundërshtarët politikë të regjimit. Detyrat e saj i ushtronin punëtorët operativë (oficerë) të cilët drejtonin rrjetin sekret dhe dosjet e personave që raportonin në mënyrë të fshehtë. Po ashtu, organizonte edhe hetimin e çështjeve politike që përfundonin në gjykatë.

REVISTA SHENJA: Duke dalë nga një sistem gjysmëshekullor komunist, shqiptarët sikur vazhdojnë t’i vuajnë pasojat e monizmit. Pse u ndodh kjo shqiptarëve? Përse nuk po arrijnë të shkëputen nga kjo fushë elektromagnetike?
A. TUFA: Së pari (për një pohim të shpejtë e të përgjithshëm), në Shqipëri ka qenë i madh dhe i konsoliduar roli i Partisë së Punës së Shqipërisë, e formuar në vitin 1941, e cila në 10 qershor të vitit 1991 ndryshoi emër dhe u quajt Partia Socialiste. Thuajse gjysma e shqiptarëve nuk mund të shkëputen, ngase trashëgimia komuniste është përtërirë e ricikluar nëpërmjet Partisë Socialiste. Të huajt gjithnjë e harrojnë këtë rol dhe e marrin të mirëqenë sikur në vitin 1991 pushoi çdo gjë. Në shumicën e këtyre viteve, Shqipëria është qeverisur nga Partia Socialiste, e cila u ka dhënë vend në poste drejtuesve ish-persekutorëve dhe tani, masivisht, trashëgimtarëve të tyre. Kjo shtresë, që kontrollon absolutisht drejtimin e institucioneve, nuk do që të studiohen krimet e komunizmit, nuk do që reflektimi mbi këto krime të përbëjë premisa për ndarjen me të shkuarën traumatike dhe sidomos nuk do që të vihet theksi edukativ mbi shembujt e dinjitetit dhe qëndresës antikomuniste, e sigurisht jo mbi viktimat që u martirizuan.
Së dyti (për një pohim më të thelluar), e shkuara diktatoriale komuniste është një traumë tejet e rëndë dhe tejet e gjatë, që ka pësuar shoqëria shqiptare (për këtë mjaftojnë konstatimet që përmendëm më sipër), por që, për fat të keq, kurrë nuk i jemi qasur si një traume të shumëfishtë sociale e kulturore, etnopsikike apo psikopatologjike dhe që, akoma më keq, vazhdojmë të mos e kundrojmë as si traumë të drejtpërdrejtë, që preku thellë rreth dyqind e pesëdhjetë mijë qytetarë, me familjet e tyre (pushkatim, burg, internim, dëbim), por as si një mënyrë traumatike edhe të pjesës tjetër të shoqërisë. Do ta quaja një traumë shoqërore me dy komponentë: trauma e viktimës dhe trauma e xhelatit. Kjo ka çuar dhe në ndarjen e kujtesës sonë në kujtesë të xhelatit dhe kujtesë të viktimës. Pastaj kjo traumë shungulluese trashëgohet edhe tek brezi tjetër i bijve, sikundër se e përcjell “jehonën” edhe tek brezat që nuk kanë lindur në diktaturë, e cila e qet kryet në ligjërimin publik e politik, gjuha e nervozizmit, e urrejtjes dhe e mllefit.
Së treti, një aspekt tjetër më i tmerrshëm i kësaj traume gjithëpopullore ka të bëjë me faktin e trishtë se pushtetin politik që do të shërbente si garanci për kapërcimin e traumës në liri, e kanë ushtruar më së shumti (ushtrojnë) po ata xhelatë që e kanë shkaktuar këtë traumë. Kjo, më e pakta, t’i pret krahët: aktivizon vetvetiu kanalet e frikës së djeshme, minon çdo lloj besimi dhe shprese për të ardhmen, censuron një mënyrë sjelljeje sa më larg konfrontimeve me pushtetin, liderët e politikës, biznesmenët, administratën etj. Prandaj dekomunistizimi i shoqërisë duhet të kishte qenë që në fillim i pashkëputur nga detraumatizimi i saj. Për mendimin tim, ikja masive, braktisja e atdheut (e theksuar dhimbshëm në qeveritë socialiste), po aq sa dhe mospjesëmarrja (abstenimi) në zgjedhje, janë protesta të pagoja, që në thelb nuk duan të “dhunohen e përndiqen” ashtu si gjyshërit dhe baballarët nga e njëjta kastë apo trashëgimtarët e tyre, pavarësisht se ligjësitë e traumës nuk varen nga ndërrimi i kategorisë së vendit e, deri diku, të kohës.
Ushtrimi i terrorit komunist afro gjysmëshekullor ka prodhuar, gjegjësisht, edhe kundërshtarët, “antikomunistët”, duke përvijuar, pas rënies së komunizmit, një çarje të madhe të papajtueshme. Meqë termi “socialist” në Shqipëri është një shaka e ligë dhe se, nën këtë emërtim artificial, nënkuptohen te ne vetëm kastat, klanet dhe qarqet familjare e farefisnore, besnike dhe nostalgjike të komunizmit dhe Enver Hoxhës, – pjesa tjetër, ish-të përndjekurit, njerëzit relativisht të lirë nga formimi kulturor, fetar e akademik, përbëjnë pjesën tjetër kundërvënëse të Çarjes shoqërore, “antisocialiste”, ose thënë disi vagullt – “demokrate”. Paradoksalisht ngjet një fenomen me rekrutimin e militantëve partiakë të çdonjërës çarje shoqërore (të majtë, të djathtë): ata e shohin liderin e tyre si një hyjni, një shëmbëllim alla Enver, një perëndi që vran e kthjell, të cilit i duhet bindur. Kjo “vetëvrasje” e të drejtës demokratike bëhet duke dorëzuar vullnetin dhe lirinë tënde (të kritikës dhe ideve), në altarin e një udhëheqësi sa më të fortë, sa më absolut. Kështu, për tridhjetë e tre vite shoqëria postkomuniste shqiptare asgjë më të mirë nuk mundi të prodhojë në elitën politike sesa një vazhdimësi të diktaturës së djeshme moniste, në një diktaturë dyjare, dypartiake, ordinere e eklektike, me gjithë babëzinë dhe horrorin e paskrupullt të kimerës së korrupsionit.
Së katërti, e gjendur befasisht e lirë, shoqëria shqiptare u kap në një gjendje rraskapitjeje e falimentimi vlerash shpirtërore dhe intelektuale. Ajo që do të duhej t’i jepte oksigjenin jetik një shoqërie të traumatizuar, të asfiksuar nga terrori politik, propaganda dhe izolacioni – inteligjencia pra, – ishte, kryesisht, pjesa e përkëdhelur dhe e indoktrinuar e gjeneratës së viteve tetëdhjetë, e cila qe formatuar dhe, në fakt, zotëronte pozicionet kyçe në institucionet burokratike të administratës së regjimit. Ky etalon inteligjencie mbushi radhët e dy partive më të mëdha politike në luftën për pushtet. Vetë formimi i tyre e bënte të pamundur kapjen e thelbit tragjik, që i kishte ndodhur shoqërisë, qoftë për arsyen banalisht të thjeshtë se ata nuk ia kishin idenë përmasave të traumës shoqërore (dhe rrathëve të saj interferentë); së këndejmi, as që ishin të vetëdijshëm për çfarëdo qasjeje të këtillë. E kam fjalën këtu për elitën politike të Partisë Demokratike, që ndërtoi, qysh në fillim, një keqkuptim me thelbin e misionit politik e shoqëror të trajtimit të së shkuarës komuniste. Nga elita politike e Partisë Socialiste (thuajse e pandryshuar), askush nuk priste asgjë, përpos dëshirës së etur për rikthimin me çdo kusht të pushtetit të etërve, qoftë dhe me gjak, siç ndodhi njëmend me dhunën e revolucionit vandal të vitit 1997. Gjatë pushtetit të saj katërvjeçar, Partia Demokratike besoi se mund ta ndalte rrjedhën e trashëgimisë komuniste me akte administrative dhe ligje, me vëmendje politikash favorizuese sociale dhe dëmshpërblime për ish-të përndjekurit politikë. Duhet thënë se në këtë etapë, hodhi njëmend disa hapa të rëndësishëm, që kulmojnë me ligjin e parë të “lustracionit politik” të vitit 1995, që solli dhe arrestimin e 35 zyrtarëve më të lartë të ish-Komitetit Qendror dhe i dënoi për “krime kundër njerëzimit”, që nga ish-presidenti Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, deri tek prokurori gjakatar Aranit Çela. Madje edhe pas riardhjes në pushtet në vitin 2005 Partia Demokratike iu rikthye sërish një Platforme më të gjerë të Lustracionit (2008), e cila dështoi, siç do të dështonin edhe përpjekjet e tjera të mëvonshme, pas humbjes së pushtetit më 2013.
Por, ligjet dhe aktet administrative të së djathtës, shpesh të zbatuara me gjysmë zemre, nuk shkuan shumë larg. Pa një platformë të kthjellët politike, të harmonizuar me studimin, analizën, edukimin dhe qasjen kulturore e shkencore ndaj traumës; pa u shndërruar kjo e shkuar e llahtarshme në kurrikula shkollore, në ruajtjen e topografisë së vendeve të ekzekutimeve, të vuajtjeve, me rrjetin e burgjeve e kamp-burgjeve të shumta, të kampeve të internimit, për t’i shndërruar ato në muze të panumërt të krimit komunist, tok me të mbijetuarit e tyre; pa zhbunkerizimin e institucioneve qendrore staliniste të universiteteve (katedrat) dhe Akademisë së Shkencave (që vazhduan e vazhdojnë të kenë monopolin mbi perceptimin historik, shtetëror e shoqëror, njëlloj siç kanë qenë në diktaturë); pa e ndaluar marshin e figurave të inkriminuara në karrierën e politikës së lartë (mjafton për ilustrim trajektorja marramendëse e karrierës së Gramoz Ruçit) dhe, në fund fare, pa vënë asnjëherë asnjë vrasës para drejtësisë, për krimet e kryera, – të gjitha masat e ndërmarra, tok me ligjet e përkohshme, qenë të destinuara të jenë jetëshkurtra. Ato nuk e ndalën rrjedhën e trashëgimisë politike të komunizmit dhe, aq më pak, nuk synuan dekomunistizimin e shoqërisë. Gjithaq pështjellues ka qenë ngurrimi i së djathtës për të zhbërë e shpartalluar krimin e rëndë e të shëmtuar të Reformës Agrare (1946) me moskthimin e plotë të pronës pronarëve të shpronësuar, lënia e tregut të lirë pa planifikim e mbikëqyrje dhe, po kështu, hapja e papërgjegjshme ndaj privatizimit të pasurive dhe aseteve ekonomiko-industriale, të trashëguara nga diktatura. Të vetmit përfitues qenë, në shumicën dërrmuese, dinastitë e ish-zyrtarëve partiakë komunistë, ish-instruktorë të Komiteteve të Partisë, ish-oficerë të Sigurimit, etj., për faktin e thjeshtë se ishin e vetmja shtresë që kishte një kapital financiar fillestar për investime, ndërkohë që qindra mijëra burra e gra braktisnin Shqipërinë. Kjo do të përbënte një bazë të fuqishme, tashmë ekonomike, në përtëritjen e nëntokës politike komuniste deri në revolucionin vandal të vitit 1997, që shënon dhe fillimin e ripërtëritjes së madhe e kompakte të trashëgimisë komuniste.
Pse ndodhën të gjitha këto gabime dhe, më e keqja, pse u përsëritën më vonë? Pse dështoi projekti i dekomunistizimit? Qasja mendjelehtë dhe naive e së djathtës ndaj traumës dhe shkaktarëve të traumës shoqërore është më kryesorja. Diviza e liderit demokrat asokohe, në lidhje me të shkuarën, ka qenë, siç e mbajmë mend, “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!” Nuk jam nga ata që e shohin këtë shprehje si mungesë zelli të liderit demokrat për t’u përballur me krimet e komunizmit, por vetëm si një dëshirë e hamendësuar, tejet naive, një ëndërrim human donkishotesk për të “harruar” të keqen dhe për të themeluar një “unitet kombëtar” në kushtet e një shoqërie që pandehej e lirë. Viti 1997 e tregoi se sa fatale ishte kjo shpresë. Por ndoshta vetë liria, koncepti i lirisë, pesha kuptimore e saj, nuk do të duhej t’i vinte shoqërisë më të shtypur të kampit komunist si një dhuratë “e papritur” me inskenime demonstratash studentore. Liria duhej fituar me gjak, ashtu siç u grabit para 45 vitesh, sidomos kur ke parasysh se asnjë vampiri të nginjur me gjak nuk i hyri ferrë në këmbë: ata vdiqën jo nga drejtësia, por nga pleqëria, madje dhe me të shtëna përnderuese topash. Jubiletë e këtyre vampirëve festohen sot ditën për diell dhe figura e tyre glorifikohet. Një liri e fituar pa gjak ka peshë të lehtë dhe është mashtrimtare. Në Shqipëri duhej flaka purifikuse e një përmbysjeje rrënjësore, paralel me drejtësinë dhe gjyqet për gjenocidin e pashembullt e të shumëfishtë brendakombëtar, para se të ndërmerrej mandej qasja e trajtimit të rrathëve traumatikë të shoqërisë.

REVISTA SHENJA: Te shqiptarët, qofshin ata në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut, disi vërehet mungesa e një klase politike disidente ose antikomuniste, që do ta përmbyste regjimin komunist dhe do të vendoste demokraci të mirëfilltë në vendet tona. Përse po na ndodh kjo, ndërkohë që gjithandej e kemi gojën përplot “demokraci”?
A. TUFA: Në Shqipëri nuk mund të kishte klasë disidente, sepse çdo kundërshtar vritej, siç e kam cekur më parë, ose në rastin më të mirë, burgosej. Të mos i ngatërrojmë dy kategori parimisht të ndryshme: kundërshtarët dhe disidentët. Ndryshe nga kundërshtari, që është i paravendosur që në fillim si kundërshtar i vizionit politik e botëkuptimor, disidenti (politik apo kulturor), ndan në fillim të njëjtin vizion doktrinor me pushtetin, por gjatë rrugëtimit të përvojës vetëdijësohet për perspektivën e gabuar dhe i kundërvihet rrethit të vlerave që kishte përqafuar në krye të herës. Sidoqoftë, komunizmi shqiptar i trajtoi të dy këto kategori si armiq dhe i dënoi si të tillë pa mëshirë.
Mos harroni se në Shqipëri kanë vuajtur dënime me 25, 30, 36 vjet heqje lirie. Se në burgjet komuniste ndodhte dukuria e ridënimeve. Në asnjë vend të Lindjes komuniste nuk gjen shembuj të tillë. E majta (komuniste), pas plojës sistematike 47-vjeçare, ka qenë gjithnjë e fuqishme, jo vetëm materialisht, por edhe në burime njerëzore. Ky është edhe konkluzioni i goditjes 50-vjeçare që komunizmi i dha të djathtës në disa breza. Në Kosovë e Maqedoni të Veriut, elita politike ka qenë shumë më tepër e përqendruar në rezistencën për mbrojtjen e identitetit shqiptar, në kushtet e shtypjes nacionale, kundërvënies ndaj projekteve të adeptëve nacionalistë serbë për deshqiptarizimin dhe prishjen e ekuilibrave demografikë. Një traditë e hershme kjo, të cilën e gjejmë në dhjetëra manifeste politike për zhbimjen e shqiptarëve. Elaborate të tilla kanë nisur që nga viti 1846 me famëkeqen “Naçertanie” të ministrit të jashtëm serb Ilia Garashanin. Ndërkohë, pas një sërë marrëveshjesh shqiptarocide në jugosllavo-turke (1933-1938), ripërtërihet në Split (mars 1953) Marrëveshja Tito-Kypryli për shpërnguljen e pakicave turke të Jugosllavisë në Turqi dhe se, mbi 400.000 shqiptarë, kryesisht të Maqedonisë dhe Kosovës u dëbuan si turq, ku, sipas marrëveshjes, pronat e tyre të patundshme i trashëgonte shteti. Mandej dihet se shteti jugosllav, rëndom, i popullonte këto vende me kolonë serbë, kroatë, boshnjakë: asnjë minoritar turk i ish-Jugosllavisë nuk u dëbua. Tek shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë ideologjia komuniste vinte në rend të dytë, pas problemit ekzistencial etnik. Për këtë arsye shqiptarët e këtyre trojeve të atdheut e shihnin Shqipërinë me platonizëm, ashtu siç ua donte ëndërrimi. Për fat të keq nuk ishte ashtu… Si parti e parë antikomuniste (e para në krejt botën shqiptare në Ballkan) ka qenë, e shpallur qysh në program e saj politik, LDK, e themeluar nga Dr. Ibrahim Rrugova.

REVISTA SHENJA: Kur jemi këtu, meqë jeni edhe shkrimtar dhe studiues i letërsisë, cili ka qenë relacioni i Sigurimit me shkrimtarët dhe në përgjithësi me letërsinë në Shqipëri?
A. TUFA: Jo pak shkrimtarë i kanë shërbyer në mënyrë të hapur ose të fshehtë regjimit në përgjithësi apo Sigurimit në veçanti. Shqipëria në diktaturë ka pasur fare pak shkrimtarë të talentuar që mund të spikasnin. Shumica i takonin plotësimit organik që bënte regjimi. Në mënyrë të hapur shkrimtari i talentuar i shërben ideologjisë me veprën letrare të angazhuar në direktivat e Partisë, për t’iu përgjigjur flakë për flakë aktualitetit. Por, është shumë i madh numri i të rekrutuarve si bashkëpunëtorë të Sigurimit. Kishte dy mënyra se si shkrimtarët shfrytëzoheshin nga Sigurimi: e para, duke u rekrutuar si informator, bashkëpunëtor që duhej të spiunonte kolegët që i ishin caktuar në vëzhgim. Këta kanë dosjet me pseudonimet e veta. Mënyra e dytë është shfrytëzimi i shkrimtarëve për dënimin e një kolegu, të njohur apo të panjohur, në cilësinë e ekspertëve letrarë. Rëndom shfrytëzoheshin ata shkrimtarë që ose kishin pozita të brishta në biografi, ose kishin urrejtje të lindur klasore për poetin nga familjet e deklasura, kulake, siç e ilustron këtë shembull akt-ekspertiza e Diana Çulit mbi poezitë e poetit të pushkatuar Genc Leka. Këta tip bashkëpunëtorësh të hetuesive komuniste nuk kanë dosje personale, sepse janë thjesht “ekspertë” letrarë, “ekspertiza” e të cilëve bëhet shpesh vendimtare në dënimin e shkrimtarit të padëshirueshëm. Ka patur dhe shumë të tjerë që i ndeshim nëpër dosjet e shkrimtarëve të dënuar në cilësinë e dëshmitarëve, kuptohet, dëshmitarë për t’i rënduar ata.

REVISTA SHENJA: Pasi që një kohë të gjatë keni punuar në hulumtimin e krimeve dhe pasojave të komunizmit, a mund të na thoni cili ka qenë interferimi i UDB-së në Shqipëri, por edhe në trevat tjera shqiptare, kuptohet gjykuar sipas veprimeve të klasës apo klasave politike në këto vende?
A. TUFA: UDB-ja ka qenë themeluese dhe inspiruese për Sigurimin e Shtetit, por dëmi që ka sjellë regjimi komunist për Shqipërinë dhe hapësirat ku jetojnë shqiptarë ka qenë i madh. A e dini sa i madh është numri i kosovarëve dhe çamëve të dënuar nga regjimi komunist? Në vite burgu as ka të krahasuar. Në Shqipëri kosovarët kanë bërë deri 36 vjet burg. As regjimi jugosllav nuk ka dhënë dënime kaq të gjata. Çdokush që erdhi u pa keq, brenda frymës antikosovare që ka pasur regjimi, u burgos apo keqtrajtua. Pavarësisht se shumëkush që kishte ikur nga Kosova, Maqedonia apo dhe Mali i Zi kishte bindje komuniste, madje kishte lënë poste të rëndësishme partiake apo administrative në ish-Jugosllavi, ata provonin dënime të gjata poshtëruese nëpër burgje, me nofkën “bashkëpunëtor i UDB-së” dhe kjo bëhej në marrëveshje me UDB-në. Për ilustrim po përmend një ndër miqtë e tim eti në burgun e Spaçit, tetovarin Hashim Toplica, të dënuar tre herë, njëherë me 20 vjet, dy herët e tjera me nga 10 dhe 13 vite burg. Arrestohet e dënohet kur ishte 36 vjeç dhe del në moshën 74 vjeçare, pra 38 vjet burg! Po çfarë kishte bërë Hashim Toplica, ky i arratisur në “Shqipërinë nënë”? Ja me dy fjalë një portret i shpejtë: Me bursë të qeverisë së Mbretit Zog I, në vitet 1930-1938 ndjek gjimnazin e Tiranës. Në 28.4.1939 u kthye në vendlindje. Gjatë kësaj kohe ndjek gjyqin e Qemal Stafës në shkurt 1938 dhe merr pjesë në demonstratën e datës 6.4.1939 kundër Italisë fashiste. Bënte pjesë edhe në organizatën “Besa” të Kosovës me qendër në Tiranë. Më 1939-1940 ndjek Institutin e Lartë Filozofik në Zagreb. Më 1941-1942 ishte mësues në gjimnazin e Tetovës. Burgoset 3 muaj nga fashistët pasi mori pjesë në demonstratën e bukës në Elbasan, ku ishte gjendur atë ditë. Në vitin 1942 bëhet anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare e në shtator të atij viti i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më 1942-1944 ishte partizan në brigadën e 4-t të shqiptarëve të Maqedonisë. Vijon punën si mësues në vitet 1945-1948 në Tetovë. Në nëntor 1948 mban qëndrimin pro Byrosë Informative kundër Titos dhe vjen në Shqipëri. Nëse studiohet dosja e tij, nuk e kemi të vështirë të dallojmë vendimin, si të porositur nga UDB-ja: “Nën maskën e emigracionit politik, duke qenë agjent i UDB-së ka ushtruar aktivitet kundërshtar në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë”. Madje që në procesin e parë, Hashim Toplica këmbëngul i dëshpëruar në hetuesi: “Unë nuk jam armik, por shihni mirë se kjo do të jetë diçka e UDB-së, që ne të futemi në dyshim. Unë jam mik i Shqipërisë, jugosllavët më kanë vrarë vëllain, nuk kam si pajtohem me ta”. Ky element poshtërimi është përdorur thuajse gjithmonë në dënimin e shqiptarëve që shpesh u iknin përndjekjeve të UDB-së në ish-Jugosllavi.

REVISTA SHENJA: Kur jemi te UDB-ja, shpesh duket sikur ky shërbim inteligjent ka punuar ngushtë edhe me Sigurimin Shqiptar, pa çka se “zyrtarisht” Shqipëria ka qenë e pozicionuar si shtet antijugosllav. Duke qenë se jeni njeri që keni pasur mundësi të punoni edhe mbi dosjet e komunizmit, a mund të na thoni cili ka qenë bashkëpunimi mes UDB-së dhe Sigurimit Shqiptar dhe cili ka qenë reflektimi i këtij relacioni ndaj shqiptarëve që e kanë ëndërruar lirinë në Shqipërinë e Enver Hoxhës?
A. TUFA: Siç kam pohuar më lart, Sigurimi dhe UDB-ja përbënin një ndërmarrje të vetme. Janë jashtëzakonisht të shumta e të larmishme faktet trullosëse, se si Sigurimi shqiptar dhe UDB-ja jugosllave ia dorëzonin njëri-tjetrit të arratisurit politikë, duke bërë rregullisht shkëmbimin e tyre të ndërsjellë. Ideja se “zyrtarisht” Shqipëria ka qenë pozicionuar si shtet antijugosllav, ka qenë promovuar qëllimisht, për të krijuar një ide të rreme, mashtrimtare. Këtë ma kanë pohuar dhe shumë ish-të burgosur kosovarë, pjesëmarrës në demonstratat studentore të Universitetit të Prishtinës me 1981. Jo çdo gjë që shihet nga ana e jashtme është ashtu. Kthimi i të arratisurve ka qenë një formë e njohur bashkëpunimi. Kam lexuar dikur një kujtim të Zekeria Rexhës 1910-1972 (shkrimtar, politikan, poliglot, përkthyes i romanit “Zonja Bovari” të Floberit në gegnisht), kujtim që më ka lënë mbresë të thellë. Është mars 1958, kur përfaqësuesi i UDB-së e thërret për t’i propozuar dy mundësi dëbimi: në Francë ose në Shqipëri. “Zgjedh Shqipërinë.”, përgjigjet Zekeria Rexha. – Megjithatë, edhe pse nuk më lejohet ta them, – i thotë zyrtari i UDB-së në ministri, – po ju sugjeroj në konfidencë: zgjidhni më mirë Francën, vendin e studimeve tuaja universitare… “Zgjedh Shqipërinë.”, thotë Zekeria Rexha, “di vetë se çfarë zgjedh”. – Mirë, – ia pret zyrtari, – shko në Shqipëri, por një gjë mos e harro: në Berat do të internohesh… Kur vërtet e dëbuan, ndonëse përkohësisht, bash në Berat, ai ia shpreh habinë mikut të vet bashkëqytetar, gjuhëtarit Selman Riza (1909-1988): “Ose kjo që ngjau është një rastësi e pastër ose ajo që më tha oficeri i UDB-së nënkupton se vendimet për ne, edhe këtu, i marrka UDB-ja!”. Por, ironia e hidhur vazhdon: pak vite më vonë, më 1967, do të internohej edhe vetë Selman Riza, po në Berat.

REVISTA SHENJA: Kur jemi te dosjet, pasi që syrit të shkrimtarit nuk mund t’i ikin gjërat e dhimbshme dhe të rënda, a keni ndonjë kujtim që mund ta ndani me lexuesit tanë e që është metafora më e saktë e komunizmit shqiptar?
A. TUFA: Një episod: 10 korrik 1988, para dite. Prisja, me sytë kah rruga, në ballkonin e godinës së administratës, mos kalonte ndonjë kamion për në Peshkopi. Kisha përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme në vendlindjen time, në Kastriot të Dibrës. Kisha dorëzuar kërkesën me dosjen e dokumenteve për studimet e larta në Universitet, e cila vendosej nga Organizata bazë e Partisë. Prisja, por thuajse pa shpresë. Ditë më parë, një shok fëmijërie, kandidat për anëtar partie, më kishte paralajmëruar se në mbledhjen e fundit të Organizatës, kishte marrë pjesë edhe oficeri operativ i Sigurimit P.J. (të cilin vite më vonë e kam parë në detyrën e juristit të Parlamentit pluralist). Shoku më paralajmëroi të bëja kujdes të madh, sepse direktiva ishte dhënë për të më vëzhguar. “Merret me shkrime apo jo?”, kishte pyetur ai. “Po, shkruan”, i kishin pohuar. “Ju s’e dini çfarë shkruan, kështu?”. Nuk i qenë përgjigjur. “Do ta shohim se çfarë shkruan”, kishte thënë ai. Mandej sekretari U.D. kishte shtuar: “Ka paraqitur dosjen e kërkesës për studime të larta”. “Epo atë e keni në dorë ju të organizatës!”, e kishte mbyllur operativi.
Kuptohet që, duke pasur këtë dije, nuk prisja ndonjë qëllim të mirë nga njeriu që më përshëndeti dhe, po aq papritur, më vuri dorën në sup.
– Ç’kemi shoku Agron? Mora vesh se ke paraqitur dosjen me kërkesën për studime universitare, – këngëzoi U. D. – Jam i saktë?
– Po, – thashë me sytë nga rruga, – ka ndonjë gjë që nuk shkon?
– Oh, jo… Ç’është ajo fjalë? Madje as mos u bëj merak fare… të jesh i bindur, do të mendojë Partia për ty.
– Shpresoj, – thashë.
– Po, po, – këmbënguli ai, – ta garantoj që për ty do të mendojë Partia, – mandej prapë shtoi: – këtë e di mirë, mos ki merak, ë? Partia është zemërgjërë, Partia do të mendojë…
– Çfarë është ajo, që do të mendojë Partia, shoku U.? – e ndërpreva. – Se, meqë e ditke, po më thua se “partia jam unë”, apo jo?
– Jo, atë nuk e thashë, por s’është ndonjë sekret se ç’do të mendojë, – ndërroi prerazi ai tonin dhe qëndrimin: – Do ta dish? – tha ftohtë e duke më këqyrur me kokë disi pjerrtazi.
– Po mirë… meqë e hape vetë…
– Hëh! – nënqeshi një grimë, mandej sikur të recitonte tundi gishtin: – Partia, që ta dish ti, do të kujdeset të të çojë të ngrohësh furrikun e babës dhe vllaut tënd! Ja, kështu… E shtive mirë në vesh?
Fill pas kësaj, ktheu shpinën, i kënaqur e krenar, dhe u drejtua të zbriste shkallët e jashtme të godinës.
Ndjeva një prerje, një kositje gjunjësh, një shije metalike në qiellzë. Doja të reagoja, por e kapa me pak vonesë, kur ai sapo kishte nisur të zbresë shkallët.
– Shoku U! – thirra fort.
Ai u ndal, u kthye në profil dhe mbajti vesh, pa kthyer përgjigje.
– Sot në mëngjes mbarova së lexuari një novelë të A.P. Çehovit…. Dhe më mbeti në mendje një fjalë e urtë popullore, e cila i shkon fort përshtat këtij premtimit tënd…
Ai dëgjonte në shkallë, i kthyer në profil, tundte lehtë kokën dhe priste vazhdimin. I shihja vetëm torsin e lart.
– Fjala e urtë thotë: “Njeriu vendos, Zoti zhvendos!”
Sekretari mbeti dhe një copë herë në shkallë, gjithë në profil, duke tundur kokën. Si kokëqyp që është, mendova, e ka të vështirë ta bluajë shpejt domethënien. Por, pas një grimëkohe sekretari foli, tash me një ton energjik e nervoz, madje duke tundur sërish, tash gjithë nervozizëm, gishtin tregues në ajër:
– Ja pra, ja… pikërisht për këtë, merr vesh…? Për këtë partia do të kujdeset, që ti… ti, more maskara, të ngrohësh furrikun e lënë bosh nga baba dhe vllau yt, në Spaç, apo kudoqoftë…. në filifistun!
– Edhe unë po ta përsëris, që ta shtish mirë në vesh: “Njeriu vendos, Zoti zhvendos!” Në paç tru, vëre në peshore dhe mati forcat…
Të nesërmen e këtij kuvendimi dola nga shtëpia me një thes me libra dhe prita në stacion autobusin për Bulqizë. Mandej u bashkova dhe unë me tre vëllezërit, që ndërkohë punonin në minierën e kromit. Ishte e rrezikshme të punoje në minierë. Aty shkonin ata që rrugë tjetër mbijetese nuk u kishte mbetur. Por, për mua, pas mohimit të së drejtës për studime dhe lojës së trashë që kurdisnin gjysmëperënditë e partishme lokale, fshati u bë ku e ku më i rrezikshëm. Ndjehesha pak më i sigurt 1000 metër nën tokë.

REVISTA SHENJA: Kohëve të fundit te shqiptarët në Maqedoni të Veriut dhe Kosovë ndjehet një përpjekje e përfaqësuesve të ilegales shqiptare në ish Jugosllavi, që të gjithë marksistë e leninistë e ithtarë të Enver Hoxhës, që të dëshmojnë se Shqipëria e Enverit, bashkë me ta, i ka shërbyer kombit shqiptar, në këtë rast Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në ish Jugosllavi, në përgjithësi? Cili është komenti juaj për këtë?
A. TUFA: Ky është kulmi i absurditetit. Enver Hoxha ka qenë një antikosovar i tërbuar dhe kundër çdo lloji të bashkimit kombëtar. Këtë e ka dëshmuar me fjalë e me vepra. Ai është i vetmi politikan në histori që kreu bashkimin doganor, unifikimin e monedhës dhe planet e përbashkëta me jugosllavët në vitin 1946. Askund, në asnjë kohë tjetër nuk ka ndodhur kjo. Ai luftoi fort për një Federatë Jugosllavo-Bullgaro-Shqiptare me kryeqytet Beogradin. Ishte aq antikosovar, saqë fryma e antikosovarizmit që ai ka mbjellë qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore e më pas, është ende e fortë sot në Shqipëri. Kam qenë i shokuar nga ky antikosovarizëm, kur nisa studimet në Fakultetin Filologjik, me 1991. Kërkoja arsyet se ku e mbështesnin këtë urrejtje ata studentë e studente, por shkaku mbetej i paqartë, pa prova, pa përvoja, derisa u gjenda para një ligjësie: bartësit e këtij antikosovarizmi apriori ishin bij e bija familjesh komuniste. Kurse enveristët e Kosovës dhe Maqedonisë nuk e njohin frymën antikosovare që ka mbjellë regjimi i E. Hoxhës. Antikosovarizmi në Shqipëri ka qenë dhe është real dhe nuk është mirë të fshihet apo të bëhet sikur nuk dihet. Përkundrazi, duhet dekonstruktuar kjo trashëgimi e zezë enveriste, që na fyen e na bën me turp. Punë tjetër se ky antikosovarizëm nuk ka arritur në veshët e enveristëve, të cilët nga rehatia e Zvicrës, Francës apo Gjermanisë, u lavdërohen atyre që janë rritur në kohën e tollonave. Por, atë e kam vënë re edhe tani vonë, sidomos gjatë sjelljes së poshtër, hileqare e aspak mikpritëse ndaj familjeve të pushuesve shqiptarë nga Kosova përgjatë plazheve të jugut. E. Hoxha ishte një internacionalist proletar, i cili kombin nuk e kishte parësor, por zgjidhjen e shihte te tezat e degraduara marksiste-leniniste. Të lexosh qëndrimet e E. Hoxhës për Kosovën, do të vëresh se ndryshojnë nga kongresi në kongres. Por, grupet nostalgjike nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, përgjithësisht injorantë, nuk e kanë njohur regjimin e E. Hoxhës. Janë thjesht viktima të propagandës së tij. Mos harrojmë, nëntoka politike enveriste në Shqipëri, që është ngjitur jo njëherë në pushtet, siç është ngjitur sot, i shfrytëzon këto gjendje të nostalgjisë derdimene të vëllezërve tanë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për t’i përdorur në perspektivën politike të pushtetit. Këtu veçse do të prek, por nuk do ta shtjelloj një dukuri. Në Zvicrën frankofone pati zbarkuar nëntoka enveriste me emisarët e saj të lartë politikë, përfshij bijtë e E. Hoxhës, me misionin e studimit dhe rekrutimit të udhëheqësve, komandantëve të mundshëm të njësive luftarake, fill pasi qe krijuar UÇK-ja institucionaliste, e lidhur me LDK-në. Formacionet e veta të UÇK-së mbi baza enveriste, dolën më vonë: ata ishin në kontroll të plotë të segmentit enverist në qeverinë socialiste të asaj kohe. Bash në këtë kohë ekzekutohen në qendër të Tiranës, njëri pas tjetrit, Azem Hajdari (1963 – 12 shtator 1998), asokohe kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes dhe 9 ditë më vonë, Ministri i Luftës, i formacioneve ushtarake të UÇK-së, gjeneral Ahmet Krasniqi (1948 – 21 shtator 1998). Logjikisht, dy vrasjet kanë lidhje me rezistencën e luftëtarëve të lirisë në Kosovë dhe se dora që i ka ujdisur ato është po ajo dorë që shtrëngohej heshtur midis UDB-së dhe Sigurimit të Enver Hoxhës. Është koha kur SHISH drejtohet nga njëri prej enveristëve më të përflaktë, Fatos Klosi.
Kam njohur njerëz në Zvicrën romande që krenohen se i kanë pritur e mbajtur me javë e madje me muaj në shtëpi këta emisarë enveristë (asokohe ministra të kabinetit Nano, historianë që dalin sot studiove, përfshij dhe djemtë e ish-diktatorit), të cilët rekrutonin figura të përshtatshme, sipas shijes, përkushtimit e besnikërisë enveriste. Ata krijuan madje edhe fondacionin e mbledhjes së ndihmave për formacionet e tyre me emërtimin “Vendlindja thërret”, shumë më vonë se “trepërqindëshi” i qeverisë Bukoshi. Ky lloj investimi i nëntokës politike enveriste se pse më çon ndërmend investimin e PKJ-së për krijimin dhe kontrollin e PKSH, si parti që do të vinte patjetër në pushtet. Nga kjo perspektivë e pushtetit të ardhshëm, që do të vinte pas çlirimit të Kosovës, janë nisur dhe enveristët, në bashkëpunim me enveristët kosovarë të LPK-së në terren, kur kanë zbarkuar më 1997 në vendin helvetik. Pas luftës së Kosovës, tashmë në paqe, dimë që janë bërë qindra ekzekutime, kurrë të zbardhura, të figurave të rëndësishme politike, intelektuale e kulturore, të gjithë veprimtarë vetëm të LDK-së. Pse vetëm nga kjo palë? Nuk mund të thuhet se për vrasjet e tyre ka dorë pushteti serb (!) Por, që kjo është krejt në stilin e njohur të eliminimeve tipike të kundërshtarit politik, siç bënin komunistët shqiptarë me Sigurimin, sipas skenarit të mjeshtërve të tyre të UDB-së, – këtë e kemi më se të qartë. Më vonë, ndoshta shumë gjëra kanë ndryshuar, ndoshta janë transformuar gjatë udhës, mbase kanë dalë edhe jashtë kontrollit të trashëgimtarëve politikë të enverizmit në pushtetin e Tiranës. Sidoqoftë, është detyrim dhe sfidë të zbardhet ky mister.

REVISTA SHENJA: Shpesh në media lexojmë se pasardhës të ish nomenklaturës komuniste përsëri janë në pozicione vendimmarrëse dhe krijues të politikave aktuale shqiptare, që mund të përbëjë problem më vete për të ardhmen e kombit. A ju duket kjo e rastësishme dhe si ka mundësi të na ndodhë kjo në një kohë, kur ne vazhdimisht flasim për eurointegrime?
A. TUFA: Asgjë nuk është e rastësishme. Komunizmi në Shqipëri ka qenë gjenetik, mbi baza gjaku, familjesh dhe klanesh. Nuk ka socialistë të rastësishëm, pa pasur origjinën e qartë komuniste. Prej dhjetë vitesh kemi një përtëritje të plotë gjenealogjike në pushtet të bijve dhe nipave (mbesave), jo vetëm në pushtetin politik e administrativ, por dhe në shërbimin diplomatik. Trashëgimia enveriste është rikthyer në të gjitha pushtetet, me gjithë arrogancën dhe babëzinë, sikur kushedi për çfarë mllefesh të pasosura kërkojnë të shpaguhen në kurriz të shqiptarëve. Trashëgimia politike e enverizmit (të mos krijohen keqkuptime me çfarë këmbëngul), nuk është më një trashëgimi që mëton triumfin doktrinar të tezave ideologjike marksist-leniniste të Enver Hoxhës. Ata nuk janë budallenj dhe e dinë mirë që ky është një mision i pamundshëm, nëse do ta artikulonin politikisht në publik një dëshirë të tillë. Përkundrazi, në ligjërimin e jashtëm publik ata janë gjithnjë të moderuar, politkorrektë, shpesh madje e shajnë Enver Hoxhën, sistemin e tij, diktaturën (përndryshe nuk funksionon propaganda), sidomos përballë strukturave politike euro-amerikane, por dihet, gjithashtu, që midis tyre, në gjirin e familjes, brenda shtëpive, e kanë një kthinë të fshehtë, një tabernakull me statujën e Enver Hoxhës. Trashëgimtarët e enverizmit i lidh jo aq shumë vizioni politik i Enverit, sesa krimet, vrasjet dhe gjaku, që gjenetikisht përbëjnë ndër breza shtyllën vertebrore të një sekti të fortë dhe të organizuar.

REVISTA SHENJA: Në mjedisin shqiptar sikur ndjehet që kancelaritë perëndimore e përligjin ose e miratojnë me heshtje sjelljen e neokomunistëve. Sipas jush, a është kjo për shkak të njëfarë bontoni diplomatik apo thjesht atyre nuk u bëhet vonë se çfarë po ndodh në “oborrin” tonë? Më konkretisht, si janë sjellë me ju “perëndimorët” kur ju u detyruat ta braktisni Shqipërinë?
A. TUFA: Kjo varet në kontekstin sa e njohin ata Shqipërinë dhe sa interes kanë në këtë drejtim. Nuk besoj se i kanë sytë aq shumë te Shqipëria. Një popull që nuk ndryshon veten nuk mund të ndryshohet nga të tjerët. Ka plot përfaqësues prej tyre që nuk ngurrojnë të korruptohen. Por, rëndësinë më të madhe për politikën shqiptare e ka roli i ambasadës së SHBA-së, e cila, aimé, për fatin e trishtë të ish-të persekutuarve, antikomunistëve dhe të popullit të djathtë shqiptar, shpesh ka qenë e padrejtë e lënduese. Përpos kësaj, që prej rifillimit të misionit diplomatik të ambasadës amerikane në Shqipëri, personeli i saj i gjerë e i shumtë, ka gëluar, për paradoks, nga shumë persona me të kaluar të errët të ish-Sigurimit, nga funksionarë partiakë të komunizmit dhe shumë ish-truproja, shoferë dhe vegla të regjimit komunist. Nuk dua të them me këtë, se këta ish-vegla të diktaturës kanë gjë të madhe në dorë për politikën e ambasadës, por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë ndikimi të tyre. Nëse, ta zëmë, burokracia e ambasadës do të kërkonte ndonjë opinion, fjala vjen, për mua, në zyrat e informacionit të mbushur me ish-vegla të Sigurimit apo bij e bija të tyre, atëherë përfytyrojeni vetë se çfarë raporti do të hartonin për mua këto segmente të trashëgimisë eneveriste, qoftë edhe për ndonjë problem të rendit të rëndomtë, siç është një vizë në pashaportë…
Personalisht u kam kërkuar ndihmë rreth 14 ambasadave më të rëndësishme perëndimore që të më mbronin nga fushata linçuese qeveritare, që organizohet e drejtohej nga ish-shefat e Sigurimit me pushtete të larta. Edhe sot çuditem si nuk u përgjigj askush, qoftë dhe për etikë…

REVISTA SHENJA: Nëse do të bënit një hierarki të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri, si do të dukej kjo në gjykimin tuaj?
A. TUFA: Krimi më i madh i komunizmit është shkatërrimi i shoqërisë shqiptare, duke nisur, kryesëpari, me shkatërrimin e familjes. Një shkatërrim i dhimbshëm e i pamëshirshëm etnopsikik dhe etnokulturor. U shkatërrua strumbullari i gjithë pajës së virtyteve morale e shpirtërore, për t’u katandisur ndër dhjetëvjeçarë në ca qenie të asfiksuara nga frika dhe ankthi në një botë pa Zot, me të vetmen përkujdesje për riprodhim, ushqim, papagallizëm, vigjilencë, mbijetesë fizike; një social-darvinizëm i reduktuar në nivel kafshësh. Ky krim ka pasoja në shumë vite. Janë rrathët e traumës, që përhapen dhe trashëgohen tek brezat e tjerë. Në periudhën e mëpasme, nuk u arrit shërimi i shoqërisë, u tentua përmirësimi, por shërimi nuk bëhet dot. Sifida më madhe, përfund çdo ploje e katastrofe shoqërore, është ribërja e njeriut.

REVISTA SHENJA: Kur e shikoni Shqipërinë e sotme, a mund të na thoni se cila është kauza e sotme e Sigurimit Shqiptar?
A. TUFA: Struktura e vjetër nuk ekziston më. Nuk është ky shqetësimi. Është struktura e lidhjeve gjenetike që ata kanë. Trupa e Sigurimit të Shtetit, pra ish-oficerët e tij, kanë arritur të mbajnë pozicione drejtuese në administratën e lartë të shtetit. Këto, e them me bindjen më të padyshimtë, janë puseta e krimbura të ndërgjegjes. Pikërisht pse janë të tillë, pikërisht pse krimi i lidh gjenetikisht me pushtetin e bijve të etërve, ish-sigurimsat janë një garanci e vyer e qeverisë së sotme për punët tinëzare, ndërmjetësit, hallkat e trafikut. Po ju jap një shembull të freskët: kush ishte ai personi ndërmjetës, që i dha 225 mijë dollarë shefit të FBI se New York-ut, Charles McGonigal? Në të gjitha informacionet brenda dhe jashtë Shqipërisë ai shenjohet si “Agron Neza, ish-agjent i shërbimit inteligjent”. Kështu? Por, në fakt, me këtë term quhen ata që punojnë në shërbimin inteligjient sot, ndërsa thelbi i “agjentit” Neza, është se ka qenë ish-oficer i Sigurimit të shtetit komunist. Madje ka ushtruar detyrën e hetuesit në Vlorë që në vitin 1985. Përse nuk e thonë troç? Ja pra se me çfarë merren dhe pse i ka të shtrenjtë këto antropoidë pushteti socialist. Konfrontimit im me qeverinë, kur drejtoja Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka qenë për shkak të ekzistencës së këtyre ish-sigurimsave në krye të institucioneve tona të rëndësishme, që duhet të jenë demokratike. Qenie e tyre, madje bash në drejtim, është e papajtueshme me standardet e institucioneve demokratike.
Tani është në pushtet ende brezi i tyre i fundit i kësaj shpezërie nate: i janë afruar pensionit, por kanë pasur kohë (dhe mirëkuptim të bollshëm politik) për t’u kujdesur të lënë fëmijët e tyre në këto poste. Dhe dihet: asnjë nga fëmijët e tyre nuk do që të studiohen krimet e babait apo gjyshit të tij. Ata do të bëjnë çmos që këto krime të ngelen të panjohura, me përligjjen se kanë bërë detyrën, ashtu ishte ligji, etj.

REVISTA SHENJA: Sipas jush, si mund të dekomunistizohen shqiptarët në Ballkan? Si mund të dalim nga kjo situatë?
A. TUFA: Komunizmi nuk ka lënë pasoja shumë të rënda, në trojet shqiptare, në kuptimin e kulluar ideologjik, si dogmë filozofike, sesa ka lënë në Shqipërinë londineze si praktikë propagande dhe lidhjesh bashkëfajësuese në shtypjen e të tjerëve, “armiqve të klasës”. Në trojet shqiptare përvoja na ka çuar më shpesh të ndeshemi me elementët etnikë sesa me ata ideologjikë. Në Shqipëri e majta ka arritur të mbrojë fort trashëgiminë komuniste. Emra shkollash, rrugësh, institucionesh, etj., mbajnë emra komunistësh. Rropullitë ideologjike të diktaturës, ngjallen e jetojnë ende, gjoja si art, përmes botimeve, gjoja historike, përmes qindra filmave dhe dokumentarëve që transmetohen nga RTSH deri në televizionet lokale. Edhe kur bëjnë vepra muzeale të tipit “Bunkart”, kujdesen që në perceptimin e përgjithshëm, të dominojë lavdia e komunizmit shqiptar, pra, një lloj “eposi” me bëma, si etër të historisë nacionale. Ndotja toksike dhe infektimi është i vazhdueshëm. Kanali i nostalgjisë komuniste mbahet gjallë me lloj-lloj formash, përvjetorësh, dosierësh, dokumentarësh, retushimesh, revokimesh, kalendarësh festivë e jubilarë: ato deformojnë thelbin e të vërtetave, zbehin fytyrën kriminale të komunizmit dhe, pak e fije, ndikojnë pandërprerë në vetëdijen e nënvetëdijen masive, derisa, me degradimin e vazhdueshëm të realitetit politik e shoqëror, korrupsionin qeveritar, “narkoshtetin”, krijojnë idenë e padurueshme se perspektiva e një jete normale në atdhe është e pashpresë; se i vetmi shpëtim është braktisja nga sytë këmbët, ndërsa adeptët e përpunimit të opinionit masiv glorifikojnë nëpër rrjete elektronike narrativën kundërvënëse se gjoja, “në kohën e Enver Hoxhës, nuk mund të ndodhnin këto tmerre”, se “gjatë komunizmit kishte rregull, kishte ligj, kishte drejtësi, nuk guxoje të vidhje” etj., etj., derisa i veshin diktatorit edhe atribute patriotike.
Por nëse do të orvatesh t’i luftosh këto “recidivizma”, t’i trajtosh si shqetësime serioze, amullinë e të cilëve duhet ta spastrojnë ligje të veçanta, atëherë do dalë kundër gjithë e majta. Kështu më ka ngjarë sa herë jam përpjekur të hap fushata ndjeshmërie dhe të nxis iniciativa ligjore rreth aspekteve të rënda të trashëgimisë komuniste, siç ka qenë fushata për trajtimin dhe kufizimin, deri në ndalim të disa filmave artistikë e dokumentarë, tejet të rënduar me propagandë gjenocidiale, fyese e poshtëruese të ndjenjave kombëtare, ideologjike, fetare e kulturore. Kështu ka ngjarë dhe me sensibilizimin për ndriçimin e tragjedive të kampit mortor të Tepelenës. Po kështu, edhe me hapjen e debateve për shkrimtarët që kanë dënuar kolegët e tyre dhe nuk denjojnë të lypin një ndjesë. Fatkeqësisht, elita e djathtë politike në pikun e përndezjes së këtyre kauzave ka qenë gjithmonë një sehirtare shpërfillëse, aq sa shpesh më ka dëshpëruar “djathtizmi” i tyre. Unë dhe, pa dyshim, bashkëmendimtarë e kolegë të këtyre kauzave, kemi vepruar të vetmuar, të ekspozuar nga sulmet, fushatat linçuese e kërcënimet me vdekje. Kjo është e vërteta me gjithë habinë e vet lënduese.

REVISTA SHENJA: Më lejoni t’jua bëj edhe një pyetje puro politike: Ju keni qenë kundër “Open Ballkanit”, madje e keni quajtur “sallatë ruse”. A ka shkuar aq larg Edi Rama sa t’i shërbejë kësaj “sallate”, ndonëse tani përsëri iu kthye Procesit të Berlinit?
A. TUFA: Edi Rama përbën rast unikal, ndoshta, rastin më të koklavitur të Horrit të madh politik të Tranzicionit. Mbaj mend se aftësitë e tij, kur skartoi rivalitetin brenda falangës së vet politike, nënçmoheshin nga pala tjetër. Edi Rama u nënçmua me një lloj sigurie trularaskë nga vetë elita e ngushtë politike e të djathtës. Ky nënvlerësim ua hëngri atyre kokën, në mënyrë të merituar, ndonëse kjo fitore e Edi Ramës solli shpërfytyrimin e çdo standardi demokratik dhe, për pasojë, braktisjen masive të vendit. Edi Rama nuk mund të luante kurrë maskaradën demokratike me Bashkimin Europian, sepse do të dilte shpejt jashtë kësaj loje: ai nuk do të mund t’i fshihte plaçkitjet rrënimtare, narkotizimin dhe krimin e strukturuar shtetëror. Po ashtu, ai nuk mund ta ndërpriste kaq shpejt perspektivën tunduese për të plaçkitur dhe shumëfishuar, tok me një grusht sivëllezërish të ngjashëm, perandorinë e tij financiare. Ç’është e vërteta, ai ka qenë deri më tash, një maestro për mishërimin praktik të “kontratës së djallit” dhe ia ka dalë t’i korruptojë njerëzit e përshtatshëm, të lindur e të djegur për t’u korruptuar. Perspektivës së Shqipërisë në BE ai i është shmangur demagogjikisht, duke aktruar. Thënë troç: e ka sabotuar me vetëdije, duke ndërtuar, ndërkohë, një perspektivë tjetër, që deliri i tij i babëzisë për para dhe pushtet të mund të vazhdonte deri në pikën e fundit të mundësisë. Dhe pikërisht: hapja e një “tuneli” të fshehtë marrëdhëniesh, paralel dhe mënjanë me retorikën burokratike të BE. Një tunel që ta ndërlidhte me pushtete populiste e autoritare, me të kundërtën e BE-së, me perandorinë e ndërgjegjes së krimbur – Rusi-Serbi. Pak rëndësi ka nëse idenë e këtij tuneli aleancash e ka projektuar vetë Edi Rama apo i është ofruar i gatshëm ky vizion. Të ngjashmit e gjejnë shpejt gjuhën e interesit mes sosh. Për më tepër, kur ka dhe ndërmjetës të shkathët e me përvojë improvizuese, si, fjala vjen, Alexander Soros me ventuzat e tij. Të gjitha projektet e mëvonshme, gjoja politike, si “Open Balkan”, janë në thelb projekte të përbashkëta plaçkitëse të redaktuara nga oligarkia politike e Vladimir Putinit dhe Aleksandër Vuçiçit. Sigurisht që pasojat më të rënda të këtij projekti politik plaçkitës do t’i vuante ekonomikisht Shqipëria, mbase dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa politikisht kanë shpresuar t’i vuajë Kosova. Heqja dorë e Edi Ramës nga ky projekt, të cilin e mbrojti deri në fund me arrogancë, ka lidhje me afatin e tij të shpejtë të skadencës politike. Para tërmetit, të parët ikin minjtë. Ngjashëm po ndodh me godinën qeveritare të pushtetit të Edi Ramës.

REVISTA SHENJA: Krejt në fund, a jeni penduar që jeni larguar nga Shqipëria?
A. TUFA: Çdo njeri bëhet poet në lidhjet që ka me atdheun e vet. Po kur një poet e detyrojnë të ndahet nga atdheu? S’është çështje pendimi largimi im nga Shqipëria. Është thjesht çështje kohe.

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X