loader image
March 11, 2025

Idili i një dashnie kuantike

“Hajde, ndihmo, i madhi Zot! ⁅…⁆ Në ato çaste njoha prapë nënën time. Ajo vazhdoi me zë të sigurtë: – Oj, gra! O, motra! Të gjithë jemi në dorë të Zotit! Edhe Maliqi është në dorë të Zotit! E di se biri i nënës nuk do të koritet me ata dushmanë. Do të bëhet ashtu si do të jetë dëshira e Zotit. Burrat i kanë punët e veta, por edhe ne gratë duhet t’i kryejmë punët tona. ⁅…⁆ Mërzia e pamasë, që deri pak më parë na ngulfaste të gjithëve, plasi si fluskë uji. Të gjithave sa ishin në mutfak u qeshi fytyra.” (Adem Demaçi – ‘Dashuria kuantike e filanit’)

 Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Janar, 2025.

Të hënën (dhe jo në një nga ato të hënat e zakonshme, por mu asaj të hëne të shkruar), përgjatë gjithë ditës, tringëllimat e telefonit nuk patën të sosur. “Urime, po nënshkruajnë marrëveshjen! Lufta u kry!” E kam dashtë thellë në ëndërrimet që më qenë kthyer si bukë e përditshme, një dekik si ky. Prisja, syetun, me gjithë trazimin dhe dufin e mbledhur në krahëror, një dekik si ky. Mu prej kësaj dashnie që mbrumej në palcë si amanet, në tjerrjen time zig-zage të pritjes stoike, shpresa nuk qe shkallmuar asnjëherë. Dhe jo prej ymydit qorr, se dro me u pasë mbështetë veç në takat timin, kisha me u dorëzu qyshkur, por mendimi se – ata – do thyheshin, disi m’i guduliste ëndërrallat. Sa i sodisja, ata më kujtonin një Kohë të pashkuar në mua. Lutja mbi buzët e djeguna të nënave, më dukej si frëngji prej ku rrokulliseshin forca e durimi i një kombi të tërë. Gjeja, gjithëherë, xixëllonja hyjnore në lotët e burrave dhe të grave që përvëlonin një botë të tërë ama me fisnikëri ndryshe. Ato dhe Ata asnjëherë nuk shkelnin mbi dhimbjen e tyre përmes mallkimesh. Sa e çuditshme! Me ç’durim e ç’forcë qenë gatu?! Si arrijnë luftën me e duru? Besa, kjo luftë, qysh n’fillesë, me gjithë konspiracionin dhe piskamën bajate të pseudo-intelektualëve, të cilët kërkonin vazhdimin e masakrave deri në asgjësimin e të fundit frymor që rrnonte (me a pa dashje, qëllimshëm apo n’gaflet) atyre anëve “përbrinjë terroristëve” ishte, në mos, përsëritja më e sertë e historisë së trishtimit. Kjo luftë qe përsëritje e një historie, e cila po shpalosej si nëmë mbi atë popull që edhe sot gjarpëron në puseta egosh të pangopura, ku gulçojnë marritë dhe dredhitë e tanakohëshme, të njëriut hilacak.

Nejse. Për t’ju kthyer të hënës: akoma frikem me e besu se çdo gjë ka mbaru! Ndoshta sepse njeriu pasi ka provuar pelinin e luftës, i trembet edhe ëmbëlsisë së mjaltit?! Ose, ndofta sepse kur njëherë ke njohur demonët e ushtrisë së dushmanit, zor është me i zënë besë atyre që vishen me petkun e jaranit?!

Ndoshta. Helbete, ndoshta.

… Demaçi tha: “Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë.

(1999. Shkëputur nga një bisedë telefonike ndërmjet Madeleine Albright dhe Adem Demaçit)

Gazanët, përherë, kurdoherë, më ndërmendnin vetën. Atë kohën e gazepit kur e gjithë fëmijëra ime, si në pasqyrë, shkruhej, lexohej e shtrembërohej mu para sysh, bashkë me pamundësinë për të bërë diçka më shumë sesa rezistencë. Me kundërshtu dhe mos me pranu pushtimin. As pushtetin e robnuesit, kolonizuesit, tëhuajësuesit. Kaq, atëherë dhe sot, mund të bëja, më kryet naltë. Anise, në fund, sërish, të tjerët, do loznin shah, me të timin fat. Por, mesele tjetër kjo.

Lajme nga Bota

“Policia ua zë rrugën protestuesve dhe i urdhëron të shpërndahen, përndryshe ka autorizimin t’i vrasë. Demaçi bën disa hapa para duke u shkëputë nga radha e parë e protestuesve. “Në paçi urdhër me vra, më vrani mua të parin”, u bërtet Demaçi policëve ndërsa vazhdon të ecë. Policia e hap rrugën dhe protestuesit çajnë përpara në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, kërkesat e protestuesve shpërfillen krejtësisht. (Shkëlzen Gashi, 2022.)

Në një analizë të publikuar më 22 janar të këtij viti, CNN World përmes shifrash dëfton shpërfytyrimin e Gazës mbas 15 muajve gjenocidial. Sipas të dhënave, mendohet se mbi 45.000 palestinezë janë vrarë përgjatë kësaj kohe ndërkaq 100.000 të tjerë janë plagosur. Afër 11.000 gazanë nuk dihet akoma në janë gjallë apo kanë mbetur pa frymë nën rrënoja.

Por, CNN World ndër rreshta citon një tjetër burim që flet për gjenocidin në Gaza. Pra, sipas një studimi të publikuar së fundmi nga London School of Hygiene & Tropical Medicine (LSHTM), mendohet se janë rreth 70.000 palestinezë të vrarë nga dhuna e “ushtrisë paqësore” izraelite deri në tetor të vitit 2024. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në Palestinë ka deklaruar se vetëm në vitin e parë të luftës një e treta e atyre që u vranë nga ushtria izraelite në territorin palestinez ishin fëmijë.

Nga ana tjetër, CNN thekson se 60 për qind e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, kurse 9 në 10 persona janë detyruar me dhunë për t’u larguar nga vendbanimet e tyre. Ndërkohë, 1.9 milionë palestinezë ose rreth 90 për qind e popullsisë janë zhvendosur më shumë se 10 herë përgjatë këtyre muajve në zona të ndryshme brenda vendit, ani që raportet ndërkombëtare vazhdojnë ta thonë zëshëm se “nuk ka më asnjë zonë të sigurt në Gaza.” CNN nënvizon me kujdes të epërm faktin që 91 për qind e popullsisë palestineze po ballafaqohet me uri të skajshme, kurse sistemi shëndetësor vazhdon të jetë thuajse i rrënuar.

Të fortët e Kohës tonë vazhdojnë gjumin letargjik. Për ata asgjë s’ka rëndësi dhe as u bëhet vonë për masakrat që transmetohen në kohë reale biles. Të zaptuar nga korrupsioni mendor e shpirtnor, pronarët e qefinave kujtojnë sikur do ta jetojnë pafundësinë e papremtuar. As lodhen me numëru. As lodhen me mendu.

Ndërkohë, etja e pashuar për Liri e palestinezëve është kthyer në himn zemrash. Protestat e pafundme gjithandej dëftojnë për një qytetari, prej mirësisë së të cilës mbahet e gjallë akoma kjo Tokë. Ata, kundërshtarët e paepun të së keqës, tregojnë se Njeriu, prej Ademit e deri tek fundi, në qoftë njeri, s’ka për t’rreshtur së kërkuar, Liri.

Njeriu i arnuar me Dashninë për Mëmëdheun

– Hajërli qoftë, moj nënë! Por, nëse më dëgjon mua ti nuk vjen fare në gjykim….
– Përse, bir?!
– Paj, ndoshta mërzitesh e…
– Çfarë mërzie, – ngriti zërin nëna, – në konop me të qitë se nëna pesë pare nuk i jep!
Moma u mërdhez dhe u kall: “Mjaft! Vizita mbaroi!
– Hapi derën dhe, duke u përmbajtur me mundim, i tha nënës:- Hallo, shko!
Pasi doli nëna, Moma m’i nguli sytë e kaltërt e tha si vetëmevete: Tash e kam të qartë përse je ti i këtillë…
Përse? – bëra sikur po habitesha.
Si, përse! A e dëgjove se çfarë të tha?

(Adem Demaçi – ‘Dashuria kuantike e filanit’)

Adem Demaçi qe liruar nga burgu në prill të vitit 1990. Druaj se qysh atëherë prilli s’do ishte më i thyer për një brez të tanë, që ishin rritur e urtnuar mes dhimbjesh e përpjekjesh, për ta parë Kosovën e Lirë. Natyrisht, Liria për luftëtarin është amaneti i parë dhe i fundit, për të cilin frymohet dhe luftohet. Liria është Morali, Dija dhe Guximi; është Fjala që i zhvesh mëritë dhe Falja që paqton hasmëritë. Liria është melhemi i vetmisë në netët e gata brenda qelisë. Liria është magjeja me hallall’ prej nanës dhe vuajtja e pengu i babës. Liria është një zemër e arnuar me dashni për dheun ku është ngjizun e stolisun zemra! Liria është aq Liri sa të çliron nga urrejtja dhe mllefi; e t’i fal edhe një palë sy për ta veçuar qytetarin prej ushtarit.

Zatën, të kesh kaluar 28 vjet në kthina burgjesh do të thotë të kesh jetuar dy jetë, veçse pa plotni; të kesh meremetuar një jetë, por jo një shtëpi! 28 vite, të gjitha hedije, për vatan! 28 vite burg, që veç një Dashni kuantike i mban. 28 vjet mbyllur për një troshë Liri janë si klithmat e vdekjes në lindje kur nana i duron të gjitha, veç për fëmijë! Janë hesape që lidhen mes Shpirtit e Vetës, me e pa mirë Tëndin; edhe në i ikën jetës.

Demaçi, matanë mitizimeve, është sofra që shtrohet mes letërsisë, historisë, rezistencës, faljes e përpjekjes. Ademi rilexohet sot në përpjeket titanike të atyre që nuk rreshtin së kërkuari Lirinë, qoftë dhe në këmbim të jetës. Demaçi, i açikuari në sojin e vet, asnjëherë nuk mbetet intelektual n’gurbet. Ai, mishërimi i urtnakut kalem’patrembun, djali i nanës sojlie është Zani’ që la në burgje 28 dimna gjallnie, veç me e pa Kosovën, n’krahë Lirie.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X