loader image
December 3, 2024

Identiteti kombëtar shqiptar: dje, sot dhe nesër!

Shpallja e pavarësisë në vitin 1912 dhe, një vjet më vonë, Konferenca e Londrës, në të njëjtën kohë përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare, por edhe ngjarjet më fatkëqija kombëtare. Nga njëra anë, shqiptarët për herë të parë në epokën moderne arritën të krijojnë një shtet të vetin të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa nga ana tjetër Konferenca e Londrës nënkuptonte sanksionimin e copëtimit të tokave shqiptare, gjë që për nacionalizmin shqiptar dhe për një nacionalist përbën një tragjedi të madhe. Copëtimi i tokës, e cila përfytyrohet si “atdheu historik” dhe toka e të parëve për çdo nacionalist në botë, paraqet një tragjedi kombëtare. 

Murat ALIU, Prilep 

Kur flasim për identitetin, veçmas atë kombëtar, si një nga format më specifike të identitetit kolektiv, duhet thënë që ekzistojnë dy qasje të kundërta mes tyre, që shpjegojnë formimin e tij: qasja esencialiste dhe konstruktiviste. Sipas qasjes esencialiste, identiteti është një kategori ontologjike, e natyrshme dhe ahistorike. Parë në kuadrin e teorive nacionaliste, esencialistët ose primordialistët argumentojnë se kombet janë bashkësi të natyrshme, a priori edhe të lashta sa edhe vetë familja. Duke qenë kështu, edhe identiteti kombëtar (etnik) është i natyrshëm, formimi i të cilit nuk është i kushtëzuar nga rrethana dhe kontekste specifike. Nga ana tjetër, konstruktivistët argumentojnë se identitetet kolektive, në përgjithësi, e në veçanti identiteti kombëtar është një konstrukt historik, kulturor, madje edhe politik, i cili lindi si rrjedhim i disa rrethanave dhe procese që kanë ndodhur në epokën moderne. Ideja qendrore e kësaj qasjeje është se identiteti është një kategori shoqërore dhe gjithçka që është shoqërore nënkupton që me kohë zhvillohet, ndryshon, por edhe mund të zhduket.

Studiuesit dhe teoricienët që mbështetin qasjen konstruktiviste e argumentojnë lidhshmërinë ndërmjet kombit, rrjedhimisht identitetit kombëtar dhe politikës. Madje, një pjesë e madhe e tyre (Hobsbawm, Breuilly, Balibar, Gellner) kombin dhe identitetin kombëtar e shohin si një shpikje e elitave politike dhe kulturore për qëllime politike dhe ideologjike. Ndërkaq, shteti – përmes aparateve të tij ideologjike – kryesisht institucioneve kulturore dhe arsimore, paraqitet si një entitet jetik për formimin dhe (ri)prodhimin e përditshëm të kombit dhe identitetit kombëtar. Kështu, filozofi francez Etienne Balibar argumenton se ajo që e dallon kombin si një bashkësi imagjinare nga format tjera të bashkësive është roli i institucioneve shtetërore në formimin e tij. Për Hobsbawm-in, kombet dhe nacionalizmi janë produkt i një inxhinieringu social dhe në këtë kontekst është, siç e quan ai, një “traditë e shpikur”. Ndërkaq, shteti paraqitet si agjenti kryesor në shpiken e këtyre traditave.

Ideja e kombit dhe identitetit kombëtar shqiptar

Ideja për kombin dhe identitetin e përbashkët kombëtar të shqiptarëve lindi aty dikur rreth gjysmës së dytë të shekullit XIX, periudhë kjo kur në Ballkan u paraqitën nacionalizmat dhe lëvizjet kombëtare të pothuajse të gjithë popujve ballkanikë. Si kudo tjetër në Europë, ideja e kombit shqiptar u artikulua nga elitat kulturore dhe politike të kohës, të cilët – të ndikuar nga idetë iluministe dhe, rrjedhimisht, nacionaliste në Europën Perëndimore dhe nga idetë e intelektualëve të vendeve tjera të Europës Lindore – filluan ta artikulojnë dhe programojnë nacionalizmin shqiptar. Ndër faktorët kryesorë që provokuan lindjen e lëvizjes nacionaliste shqiptare ishin nacionalizmat e shteteve fqinje ballkanike, të cilët në programet e tyre kishin vendosur si qëllim copëtimin ose pushtimin e tokave shqiptare. Kështu, pasi përgjatë shekullit XIX  grekët, serbët, malaziasit dhe bullgarët kishin krijuar shtetet e tyre kombëtare, shqiptarët filluan ta ndjenjë rrezikun që u afrohej tokave të tyre nga nacionalizmat dhe politikat ekspansioniste të tyre dhe kështu filluan ta artikulojnë idenë e një kombi dhe identiteti të përbashkët shqiptar si një mekanizëm mbrojtës.

Si e përfytyronin kombin (shqiptar) rilindësit?

Për shumicën e rilindësve shqiptarë (Pashko Vasa, Sami Frashëri, Naimi Frashëri etj.), kombi paraqitet si një entitet i natyrshëm, pasi sipas tyre bota vetvetiu ishte e ndarë në kombe të ndryshme. Kështu, Sami Frashëri shkruante se njerëzit, për nga natyra, janë të ndarë në kombe. “Kombet’ e dhenut janë të shumë. Gjith’ ata njerës, që gjendenë me një vënt, e flasinë një gjuhë, dhe që kanë një palë zakone e një farë të rojturi, thuhenë një komp” (cit, nga Sulstarova). Nga këtu duke qartë se një pjesë e rilindësve ishin të frymëzuar nga romantizmi gjerman përkarshi idesë së kombit. Kjo qasje dhe ky ndikim i romantizmit gjerman vërehet sidomos tek Naimi, sipas të cilit njerëzimi, për nga vetë natyra, është i ndarë në kombe, duke marrë për bazë karakteristikat fizike dhe biologjike.

Kur vijmë tek çështja se si e përfytyronin rilindësit kombin shqiptar, pa dyshim që atë e përfytyronin si një tërësi në vetvete dhe të pandashëm. Kështu, për shembull, kur Samiu shkruante për kufijtë e Shqipërisë, vepronte në bazë të dy kritereve, etnikë dhe historikë, por duke ia nënshtruar të dytin të parit. Kjo nënkuptonte se pavarësisht nga lidhjet historike që kombi shqiptar mund të kishte zotëruar një territor të caktuar, ai territor nuk mund të konsiderohej si pjesë e atdheut nëse nuk banohej nga shqiptarët. Sipas kësaj, kufijtë e Shqipërisë shkojnë deri aty ku jetojnë shqiptarët si një bashkësi e veçantë etnike. Për me tepër, qasja e Sami Frashërit kundrejt kombit shqiptar ishte një qasje holistike. Për të shqiptarët ishin një trup i vetëm i pandashëm.

Kur kërkonin krijimin e shtetit shqiptar, rilindësit shqiptarë gjithmonë niseshin nga parimi i përputhjes së njësisë politike me njësinë etnike. Pra, një shtet shqiptar, i cili do t’i përfshijë të gjithë shqiptarët në kufijtë e tij. Një nga brengat kryesore të Pashko Vasës dhe Sami Frashërit ishte parandalimi i copëtimit të tokave shqiptare. Që të dy, në veprat e tyre, bënin thirrje të parandalohet copëtimi i tokave shqiptare. “Qëllimi i vetëm i Shqipëtarëve është të ruajmë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajmë gjuhën’ e kombërin’ e tyre…”, shkruante Samiu (cit. nga Feraj). Edhe Faik Konica bashkimin e tokave shqiptare e shihte si të domosdoshëm për mbarëvajtjen e tij dhe formimin e tij si komb.

Një çështje tjetër që e trajtuan rilindësit shqiptarë ishte krijimi i një identiteti të përbashkët shqiptar, pavarësisht ndasive dhe divergjencave në nivel të identiteteve fetare, krahinore e të tjera. Shqiptarizma përfytyrohej si një mbiindetitet për të gjithë shqiptarët. Një ombrellë e madhe që do t’i përfshinte të gjithë shqiptarët pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Kështu Sami Frashëri u bënte thirrje shqiptarëve të mos shikojnë “bes’ e fe, myslimanë, katolikë, orthodhoksë”, sepse gjithë shqiptarët, “sa jan’ e tek janë, janë vëllezër” (cit. nga Feraj). Sipas Samiut, shqiptari kishte qenë i tillë edhe para se të bëhet i krishterë edhe mysliman. Ndërkaq Naimi shkruante se “Fet’e besëte t’i kemi, por të ndarë të mos jemi” (cit. nga Sulstarova). Këto thirrje në asnjë mënyrë nuk duhet interpretuar si thirrje për heqje dorë nga përkatësia fetare, por si një thirrje që identiteti kombëtarë të jetë para dhe mbi të gjitha identitetet tjera.

Copëtimi i Shqipërisë nënkuptonte edhe “copëzim” i trungut kombëtar

Shpallja e pavarësisë në vitin 1912 dhe, një vjet më vonë, Konferenca e Londrës, në të njëjtën kohë përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare, por edhe ngjarjet më fatkëqija kombëtare. Nga njëra anë, shqiptarët për herë të parë në epokën moderne arritën të krijojnë një shtet të vetin të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa nga ana tjetër Konferenca e Londrës nënkuptonte sanksionimin e copëtimit të tokave shqiptare, gjë që për nacionalizmin shqiptar dhe për një nacionalist përbën një tragjedi të madhe. Copëtimi i tokës, e cila përfytyrohet si “atdheu historik” dhe toka e të parëve për çdo nacionalist në botë, paraqet një tragjedi kombëtare.

Pas Konferencës së Londrës dhe pas pushtimit të tokave shqiptare nga Serbia dhe Greqia, jo që do të shuhej shpresa dhe përpjekja për krijimin e një shtetit shqiptar sipas parimit të përputhshmërisë së njësisë politike me atë entike, por dita-ditës kjo shpresë do të zbehej dhe ky objektiv dita-dita do të duket më i pamundur, kjo për dy arsye kryesore. Së pari, rrethanat gjeopolitike të kohës ishin të tilla, që me fuqinë që posedonin shqiptarët një gjë e tillë dukej e pamundur. Shqipëria e pas-pavarësisë ishte aq e dobët në të gjitha aspektet, saqë dukej e pamundur një luftë me Serbinë e, më vonë, me Jugosllavinë dhe Greqinë. Së dyti, në mesin e vetë shqiptarëve ekzistonin divergjenca mbi baza ideologjike dhe politike, të cilët e dobësonin idenë dhe vizionin nacionalist shqiptar. Ahmet Zogu edhe pse dikur e shpalli veten mbret i shqiptarëve, nuk është se historia e mban mend për një përpjekje serioze të tij për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Madje, historia dëshmon që regjimi i Zogut i luftoi ashpër të gjithë ata patriotë e veprimtarë, të cilët kërkonin bashkimin e shqiptarëve nën çatinë e një shtetit të përbashkët shqiptar.

Mendimi nacionalist shqiptar goditjen më të fuqishme sigurisht e mori nga enverizmi dhe komunistët shqiptarë. Komunizmi, si një ideologji internacionale me parimet universale të veta, në esencë paraqet antitezën e nacionalizmit. Jo që nacionalizmi nuk mund të mishërohet në një ideologji të majtë, siç është komunizmi, por në rastin e Shqipërisë komuniste nuk kishte vend për mendimin pannacionalist shqiptar. Sikundër argumenton Hysamedin Feraj në librin e tij Skicë e mendimit politik shqiptar, Enver Hoxha ndiqte një politikë pacifiste me popujt ballkanikë, rrjedhimisht me Jugosllavinë dhe Greqinë, fakt ky që i përjashtonte dhe pamundësonte kërkesat territoriale ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë. Ndërkaq, gjuha e përdorur nacionaliste, kohë pas kohe, nga regjimi enverist përkarshi çështjes shqiptare në Jugosllavi nuk përbënte asgjë më shumë se sa një gjuhë populiste dhe folklorike boshe, që kishte për qëllim eksploatimin e ndjenjave nacionaliste të shqiptarëve për qëllime politike dhe ideologjike të vetë regjimit komunist.

Pse është i nevojshëm një program nacionalist panshqiptar?

Shqiptarët, edhe pas rënies së komunizmit në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar nuk arritën të krijojnë një program nacionalist të përbashkët, sipas së cilit do të vepronin në epokën e pluralizmit politik. Madje, divergjencat dhe ndasitë e trashëguara prej më parë u thelluan akoma më shumë. Arsyet ishin të ndryshme dhe të shumta, por edhe kësaj here u shpërfaq arsyetimi ose diskursi i njëjtë, sipas së cilit bashkimi kombëtar ishte i pamundur për shkak të rrethanave dhe konjukturave gjeopolitike të pafavorshme. Edhe pse qëllimi i lëvizjeve çlirimtare në Kosovë dhe Maqedoni ishte bashkimi me Shqipërinë, për të njëjtat arsye u hoq dorë nga ky qëllim dhe kështu sërish për të satën herë “u tradhtua” kjo kauzë e kahmotshme e rilindësve dhe nacionalizmit shqiptar. Pas viteve të ‘90-ta, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk u krijua pothuajse asnjë (përjashto këtu Lëvizjen Vetëvendosje) lëvizje serioze politike që e kishte në qendër të programit të vet politikë këtë qëllim ose objektiv.

Pas rënies së komunizmit, veçmas pas luftës në Kosovë dhe Maqedoni, ideja e bashkimit kombëtar u zëvendësua me idenë e “bashkimit në Bashkimin Europian”. “Do të bashkohemi në Europë” ishte parulla e preferuar e mainstream partive politike dhe diskursit politik në botën shqiptare. Kjo është një moto e shpikur, që shpërfaq mungesën e vullnetit politik, por mbi të gjitha është një mungesë vizioni për pozitën e shqiptarëve në njëqindvjetëshin e ardhshëm. Ideja e bashkimit në BE në vetvete ngërthen shumë të panjohura dhe nuk duket si një alternativë serioze për zgjidhjen e “Çështjes shqiptare” në Ballkan. Për më tepër, kjo parullë shkencërisht dhe empirikisht duket si e paqëndrueshme dhe paverifikueshme. Së pari kjo ide ia ngarkon BE-së një kuptim absolut; BE-ja shihet si një entitet i përhershëm dhe tejhistorik, perceptim ky që është i paqëndrueshëm empirikisht dhe shkencërisht. Së këndejmi, duhet bërë pyetja çka nëse një ditë Bashkimi Europian dështon dhe shpërbëhet? Pra, a kanë shqiptarët një plan dhe vizion alternativ në këtë drejtim? Së dyti, nuk është e vërtetë që Bashkimi Europian i rrënon kufijtë shtetërorë në mënyrë absolute. Shtetet në BE aderojnë si shtete të pavarura dhe sovrane. Ndasitë ose divergjencat mes shqiptarëve do të ngelin edhe nëse integrohen në BE. Vetë emërtimi me emra të përveçëm, pra si shqiptarë të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, nënkupton një entitet të ndarë mes veti. Së treti, historia dhe të dhënat empirike dëshmojnë se BE-ja nuk i ka eliminuar ndasitë brenda anëtarëve që etnikisht ndajnë të njëjtën origjinë por që jetojnë në dy shtete të ndryshme. Edhe Gjermania dhe Austria janë pjesë e BE-së, por edhe përkundër kësaj, gjermanët dhe austriakët, si kombe me prejardhje të njëjtë entike, i ruajnë dallimet e tyre në të gjitha nivelet. Pa dyshim që anëtarësimi në BE i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë mund të jetë njëra ndër ngjarjet më pozitive që mund t’u ndodhin shqiptarëve në këto 100 vitet e fundit. Dhe, padyshim që integrimi në BE duhet të jetë njëri nga synimet qendrore të politikës shqiptare. Por, integrimi s’ka pse ta pengojnë unifikimin dhe artikulimin e një programi nacionalist panshqiptar. Integrimi në BE nuk duhet të paraqesë një antitezë të idesë panshqiptare, por një proces dhe ide që do të shkojë paralelisht me të parën.

Sot shumëkush këto ide dhe këtë diskurs mund ta interpretojë si anakronik, madje si primitiv. Pra, njerëz ose qarqe të caktuara, të ndikuara nga neo-liberalizmi dhe ideologji të tjera kosmopolite, mundë t argumentojnë që këto ide kanë ngelur jashtë kontekstit historik. Në këtë epokë të globalizimit masiv, hiperkapitalizmit dhe epokën e formimit të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, në të cilat integrohen shtetet e ndryshme të botës, këto ide mund të duken si anakronike dhe të panevojshme. Por, parë nga një këndvështrim tjetër ose parë kontekstet politike të vendeve europiane, duket shumë e vështirë të flasësh për një botë posnacionaliste. Veçmas në Ballkan duket që nacionalizmi edhe për një kohë të gjatë do të ngelë ideologjia qendrore, rreth së cilës do të vërtiten politikat e shteteve ballkanike. Pra, duket që në Ballkan nacionalizmi edhe për një kohë të gjatë do të jetë ideologjia kryesore e cila do t’i mobilizojë masat e gjëra.

Në fakt argumenti se programet nacionaliste, siç mund të jetë ai mbarëshqiptar janë arkaike dhe të panevojshme në epokën e globalizimit nga një këndvështrim tjetër, madje mund të interpretohen si paradoksal, kjo për shkakun se pikërisht në epokën e globalizimit dhe relativizimit të gjithçkasë është i nevojshëm përbashkimi rreth një ideje kombëtare. Globalizimi dhe ideologjitë e tjera ekstreme neoliberale paraqesin rrezik për ekzistencën e kombeve dhe identiteteve kombëtare. Në këtë epokë të “fluiditetit” dhe hegjemonisë së kulturave të mëdha, në botë do të mbijetojnë vetëm kombet demografikisht “të mëdha” dhe ekonomikisht të qëndrueshme. Sot shumë studime shkencore alarmojnë për rrezikun që në një të ardhme jo edhe aq shumë të largët mund të shuhen shumë gjuhë kombëtare, rrjedhimisht edhe kombe. Aspekti i sigurisë po paraqitet si një domosdoshmëri për kombet në këtë epokë të kërcënimeve të vazhdueshme dhe potencialeve për luftëra, të cilat mund të shpërthejnë për arsye të ndryshme. Pikërisht këto janë disa nga arsyet pse është e nevojshme ideja nacionaliste rreth së cilës do të bashkohen shqiptarët.

A është identiteti kombëtar një tërësi në vetvete?

Një përkufizim i zakonshëm për atë se ç’është identiteti do të ishte se ai shpjegon se “kush jemi dhe nga vijmë”. Identiteti është një kategori që diferencon njeriun ose vendos kufij përkarshi “tjetrit” ose të ndryshimit. Shprehur me fjalët e Amin Maalouf-it, identiteti është ajo që një njeri e bën të pangjashëm me të tjerët. Identiteti kombëtar si një nga format më specifike të identitetit kolektiv ka të bëjë me përkufizimin e një grupi të caktuar. Së këndejmi, identiteti kombëtar presupozon një gjendje mendore të anëtarëve të komunitetit imagjinarë, të cilët besojnë në idenë e një toke historike, mite, kujtesë kolektive, gjuhë etj., të përbashkët. Identiteti kombëtar paraqet një thirrje për një përbashkim rreth disa gjërave të përbashkëta të komunitetit imagjinar.

A mund të flasim sot për një identitet të përbashkët të shqiptarëve apo për disa identitete? Mbase do të ishte e padrejtë sikur kësaj pyetjeje t’i përgjigjeshim me jo. Pra, edhe sot ndoshta mund të flitet për një identitet kombëtar shqiptar, por për një identitet të zbehur, që dita-ditës rrezikon të copëzohet së paku në tri pjesë. Ky rrezik kryesisht vjen si rrjedhim i faktit që shqiptarët janë të ndarë në së paku tri shtete të ndryshme dhe, rrjedhimisht, secili e përfytyron dhe ndërton identitetin kombëtar në mënyrë të veçantë. Fakti i të jetuarit në disa shtete të ndryshme dhe, rrjedhimisht, i krjimit të realiteteve objektive të ndryshme përbën një pengesë për përfytyrimin e një identitetit kombëtar të vetëm.

Duke qenë kështu të ndarë, sot në mesin e shqiptarëve ka filluar procesi i formësimit dhe përfytyrimit të së paku tri identiteteve të ndryshëm mes vete. Shqiptarët e Shqipërisë po ndërtojnë një identitet më kozmopolit, që rrezikon të humbas pothuajse çdo element shqiptar. Në Kosovë, qysh moti, po përflitet për një identitet kosovar. Kosovocentristët po argumentojnë që shtetësia dhe simbolet e ndryshme shtetërore detyrimisht e imponojnë një identitet të veçantë dhe të ndryshëm nga ai shqiptarë. Sot një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të Kosovës identifikohen si kosovarë. Kjo tani për tani mbase mund të mos përbëjë ndonjë problem dhe shqetësim, por në një periudhë afatgjatë askush nuk garanton “betonizimin” e kombit kosovar dhe të kosovarizmit si një identitet i veçantë mes tyre. Ndërkaq duket shumë qartë se shqiptarët e Maqedonisë po ndërtojnë një identitet të tyre kombëtar, të ndryshëm nga ai i shqiptarëve të Kosovës, veçmas atij të shqiptarëve të Shqipërisë. Karakteristikë kryesore e identitetit të shqiptarëve të Maqedonisë është lidhja e afërt e tij me religjionin. Ky fakt përbën edhe arsyen kryesore të “auto-orientalizimit” brenda shqiptarëve. Sot ky shqiptar i Maqedonisë përbën “tjetrin” e brendshëm të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Sot, si edhe më parë, mungon një program dhe vizion i përbashkët nacionalist shqiptar. Parë preferencat dhe botëkuptimit politike të shqiptarëve në këto tri shtete, është e vështirë të thuhet se imagjinata e tyre është drejtuar drejt një projekti të përbashkët kombëtar. Është shumë e qartë që lidershipi në Shqipëri, Kosovë dhe, pjesërisht, në Maqedoni, ka qasje dhe vizione të kundërta rreth çështjes shqiptare në Ballkan dhe rreth së ardhmes së shqiptarëve. Këto divergjenca vërehen më së mirë në raportet ndërmjet dy kryeministrave të tanishëm shqiptarë, atij të Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, për këto divergjenca nuk flasin vetëm marrëdhëniet ndërmjet Edi Ramës dhe Albin Kurti, por edhe raportet e kryeministrave të mëhershëm të këtyre dy shteteve shqiptare. Këto marrëdhënie të acaruara, mungesa e një politike të jashtme të përbashkët dhe mungesa e politikave të përbashkëta në sferën kulturore nuk flasin për një ideal dhe vizion të përbashkët kombëtar.

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X