loader image
June 1, 2025

Hipokrizia ndërkombëtare dhe Holokausti

Mbrojtja e SHBA-së për Izraelin, pa e gjykuar kurrë moralisht ose ligjërisht sjelljen e tij, e ka çuar gjendjen në atë farë pike që presidenti amerikan deklaron publikisht se zgjidhja për Gazën është zhvendosja e kontrolluar e palestinezëve prej saj dhe vendosja e tyre në vende të tjera arabe, si Egjipti, Jordania, etj. Dhe, shoqëria amerikane, bahskë me gjithë institucionet, nuk reagojnë ndaj kësaj deklarate që propozon kryerjen e spastrimit etnik të Gazës.

Çelo Hoxha

Narrativi perëndimor i Luftës së Dytë Botërore ka arritur ta identifikojë krimin nazist me persekutimin e hebrenjve të Europës, duke e tkurrur gjithë atë luftë ndërkombëtare në një konflikt lokal të koduar me një koncept gjuhësor unik: holokaust. Kjo fjalë, e cila ka hyrë në të folmen e përditshme në shumë gjuhë të botës, u nxor nga konteksti historik dhe u përdor me kuptimin e vrasjes në masë të hebrejeve nga nazistët. Origjina e kësaj fjale vjen nga greqishtja, holokauston, në kuptimin e sakrificës me djegie në zjarr për nder të Zotit (Britanica).

Në enciklopedinë Britanica, për Holokaustin, në kuptimin e sotëm, e gjejmë këtë përkufizim: “Historia njerëzore ka pak tragjedi që rivalizojnë manjitudën dhe falimentimin moral të Holokaustit, vrasja sistematike me sponsorizim shtetëror e gjashtë milionë burrave, grave dhe fëmijëve hebrenj dhe miliona të tjerëve nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.”

Në realitet, Holokausti është një term i identifikuar vetëm me viktimat hebreje dhe jo viktimat e grupeve të tjera identitare të shkaktuara nga nazistët.

Pas Luftës së Dytë Botërore, njerëzit që i vendosnin në dyshim shifrat zyrtare të Holokaustit u identifikuan si mohues të Holokaustit dhe në internet gjenden lista me emrat e tyre. Mohues të Holokaustit konsiderohen vetëm ata persona që e vënë në dyshim vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve. Nuk ka asnjë rast që dikush të jetë konsideruar mohues Holokausti, sepse ka vënë në dyshim numrin e viktimave të nazizmit për grupimet identitare të tjera.

Mbrojtja e narrativit të Holokaustit, në shumë raste, është garantuar me ligj, është përdorur për të mbrojtur jo vetëm kujtimin e hebrenjve të vrarë nga nazizmi, por dhe hebrenjtë e gjallë nga urrejtja. Në këtë rast përdoren termat semitizëm dhe antisemitizëm.

Në Gjermani, Kodi Penal ka nene të caktuara kundër nxitjes së urrejtjes dhe mohimit të Holokaustit, duke i trajtuar pikërisht aktet atisemite. Në Francë, ligji ndalon ligjërimin dhe veprimet antisemite, me ligje specifike kundër mohimit të Holokaustit dhe krimeve të urrejtjes. Në SHBA, ligji federal i përkufizon krimet e urrejtjes bazuar në racë, besim fetar, dhe etni, ndërsa disa shtete të veçanta përdorin përkufizim specifik për atisemitizmin për t’i orientuar forcat e rendit. Në Mbretërinë e Bashkuar ligji e njeh antisemitizmin si një faktor rëndues në dënimet e krimeve të urrejtjes.

Mbrojtja ligjore e narrativit të Holokaustit është ekzagjeruar aq shumë, saqë e ka humbur kuptimin fillestar të saj. Nëse fillimisht kjo narrativë nisi me synimin për ta mbrojtur shoqërinë nga harresa e këtij krimi monstruoz, në ditët e sotme mbrojtja e asaj narrative nuk i shërben më atij qëllimi. Ndëshkimi i mohuesve të Holokaustit nuk shërben për mbrojtjen e një standardi moral të shoqërisë, por për mbrojtjen e një entiteti etnik dhe shtetëror të caktuar. Rastet i ngjarjeve të ngjashme me Holokasutin nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë nga vendet që kanë ligje ndëshkuese për mohimin e Holokaustit ose të antisemitizmit.

Që prej Holokaustit, hebrenjtë nuk janë i vetmi grupi etnik ose fetar që i janë nënshtruar dhunës shtetërore, me qëllim shkatërrimin e tyre si grupim etnik dhe fetar, por ndaj fatit të tyre nuk është treguar e njëjta ndjeshmëri. Vendet kryesore perëndimore, të cilat i kemi përmendur më sipër për mbrojtjen ligjore që i bëjnë Holokaustit dhe semitizmit, në rastin e Holokaustit që ndodh aktualisht ndaj popullit palestinez janë rreshtuar hapur në mbështetje të entitetit persekutor, përgjegjës për Holokaustin, që është shteti i Izraelit.

Holokausti ndaj palestinezëve ka nisur më 1948, me krijimin e shtetit të Izraelit brenda territorit të Palestinës, ka vazhduar përgjatë tetë dekadave dhe është një proces aktiv ende sot. Dhuna e Izraelit ndaj palestinezëve nuk është përkufizuar në ligjërimin zyrtar si Holokaust, sepse establishmenti politik dominues (ai perëndimor) në botë ka qenë gjithmonë në krahun e palës dhunuese. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi lider i Perëndimit, është financuesi kryesor i shtetit të Izraelit. Pa ndihmën financiare dhe logjistike të SHBA-së, Izraeli nuk do të ishte kurrë në gjendje ta zhvillonte veprimtarinë e tij kriminale.

Dy vitet e fundit, duke filluar nga 7 tetori 2023, hipokrizia e shteteve perëndimore karshi krimit të gjenocidit, spastrimit etnik dhe aparteidit, është bërë lehtësisht e evidentueshme, për shkak të informacionit të shpejtë përmes rrjeteve sociale.

Më 7 tetor 2023, grupi palestinez i Hamasit, një grup rezistence ndaj shtypjes izraelite, hyri nga Gaza në territorin izraelit, vrau rreth 1200 izraelitë dhe plagosi rreth 5000 të tjerë. Shteti i Izraelit nisi menjëherë sulmet hakmarrëse ndaj Gazës dhe që atëherë deri më sot ka vrarë 47,540 palestinezë dhe ka plagosur 111,618 (shifra të shkurtit 2025).  Numri i viktimave të shkaktuara nga ushtria izraelite është rreth 40 herë më i lartë. Numri i fëmijëve të vrarë në Gaza (më shumë se 13,000) është më shumë se dhjetëfishi i gjithë qytetarëve të vrarë nga ushtarët e Hamasit më 7 tetor 2023. Në këto shifra nuk janë përfshirë mijëra palestinezë të vrarë në territore të tjera palestineze, si në Bregun Perëndimor.

Hakmarrja ka qenë përtej çdo kufiri, por nuk është numri i viktimave gjëja më ekstreme sa u përket veprimeve të shtetit të Izraelit dhe ushtrisë të tij. Ushtria e bombardoi gjithë infrastrukturën e pjesës veriore të Gazës, përfshirë banesa, spitale, shkolla, çerdhe, çdo godinë që ishte në këmbë, duke e kthyer Gazën në një gërmadhë dhe duke i shkaktuar popullsisë që u ka mbijetuar bombardimeve krizë të thellë humanitare. Përveç kësaj, Izraeli e kontrollon furnizimin e Gazës me energji elektrike, me ujë, karburant, etj. dhe i kufizon në varësi të situatave për të arritur qëllime politike, përmes përdorimit të mjeteve bazë të jetesës, gjë që i përmbush kushtet për t’u klasifikuar si gjenocid kundër një popullsie 2 milionë banorëshe.

Sigurisht, reagimi ndërkombëtar nuk ka qenë pro Izraelit në unison. Shumica e vendeve anëtare të OKB-së janë kundër politikës së aparteidit, gjenocidit dhe pastrimit etnik që e kryen Izraeli, por zakonisht rezolutat e OKB-së dështojnë për shkak se SHBA-ja, e cila është anëtare e Këshillit të Sigurisë, e ka të drejtën e vetos. Mbrojtja e SHBA-së për Izraelin, pa e gjykuar kurrë moralisht ose ligjërisht sjelljen e tij, e ka çuar gjendjen në atë farë pike që presidenti amerikan deklaron publikisht se zgjidhja për Gazën është zhvendosja e kontrolluar e palestinezëve prej saj dhe vendosja e tyre në vende të tjera arabe, si Egjipti, Jordania, etj. Dhe, shoqëria amerikane, bahskë me gjithë institucionet, nuk reagojnë ndaj kësaj deklarate që propozon kryerjen e spastrimit etnik të Gazës. Jo vetëm kaq, por ndërsa Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arresti për kryeministrin aktual të Izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe një ish-ministër të tij, SHBA-ja e pret atë në Shtëpinë e Bardhë. Shembulli i tyre është ndjekur dhe nga liderë të tjerë.

Duke mbajtur qëndrim të kundërt për krime identike (Holokaustin), Izraeli dhe aleatët e tij veçse e vënë në dyshim gjithë narrativin 80-vjeçar për Holokaustin, duke lënë hapësirë të interpretohet si një instrument politik për ta amnistuar moralisht Izraelin nga krimet që pas Holokaustit deri në ditët e sotme.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X