loader image
December 12, 2024

Havzi Nela, arratisja e detyruar

Mësuesi Nela, në harkun kohor (1968-1986), kaloi nëpër kampburgje të ndryshme, si: në Tiranë (1967), Elbasan (1968), Vlorë (fundi i vitit 1968 – 26 shtator 1970), Spaç (1970-1975), Rrëshen (1975), Burrel (1976-1979), Ballsh (1980-1983), Qafë-Bari (1983-1986), si dhe u internua në Arrën të Kukësit (13 tetor 1987 deri më 12 qershor 1988). Pas largimit nga vendi i internimit, ai do arrestohej dhe do të dënohej me vdekje nga Gjykata Popullore e rrethit Kukës. Vendimin e kësaj gjykate e la në fuqi edhe Gjykata e Lartë dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor. U ekzekutua me varje në litar në Kukës, më 10 gusht 1988, ora 3:30.

Shkruan: Florin ZYBERAJ, Tiranë

Havzi Nela është pjesë e një grupi të madh personalitetesh shqiptare, të cilët sipas mundësive dhe rrethanave shprehën kundërshtimet e tyre ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Për veprimtarinë e tij janë botuar vepra, kujtime, studime e botime publicistike. Nela ishte mësues në profesion: deri më 1953 punoi mësues në Klos të Matit, ndërsa në janar të vitit 1956 u emërua mësues në fshatin Lojme të Kukësit. Në fund të vitit 1958 e mbaroi arsimin e mesëm në gjimnazin e rezervave të arsimit në Tiranë. Më pas punoi mësues në shkollën 7-vjeçare në Shishtavec të Kukësit, ndërsa e vazhdoi shkollën e lartë me korrespondencë. Më 1963 u transferua nga Shishtaveci në Surroj, por kundërshtoi dhe e transferuan si arsimtar në Krumë, ku punoi vetëm 5 muaj. Pas Krumës, punoi si mësues në Topojan të Kukësit, deri në paraditen e 26 prillit 1967.

Arratisja

Në një mbledhje në Shishtavec të Kukësit, 20 prill 1967, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e PPSH-së, mësues e banorë të atyre zonave, në fjalën e tij, Havzi Nela shprehu mendime ndryshe mbi reformat e ndërmarra nga PPSH-ja, si: hyrja në kooperativa bujqësore, prishja e objekteve të kultit, si dhe ndryshimi i veshjes tradicionale. Ai nxori në pah shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, qoftë në detyrimin për t’u futur në kooperativa, si dhe për të ndryshuar veshjet e për t’i përshtatur ato sipas shijeve të Partisë. Edhe për besimin fetar ai u shpreh se “xhamitë nuk kanë përse prishen se nuk i bëjnë keq askujt”. Duke iu referuar këtyre reformave, Nela u shpreh se “populli asht i sёmurё, tri gjylpana menjiherё nuk e shёrojnё, por e shkatёrrojnё”.

Me fjalën e tij në atë mbledhje, Nela u bë zëri i shumë njerëzve që nuk flisnin dot kundër regjimit, zëri i njerëzve të përvuajtur, tё manipuluar dhe tё nënshtruar. Reagimi i tij, sigurisht, nuk u prit mirë. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Kukësit i kishte mbledhur qëllimisht mësuesit që të ndihmonin dhe të ushtronin ndikimin e tyre tek masa popullore që ajo t’i përqafonte sa më shpejt reformat e ndërmarra nga qeveria komuniste dhe jo t’i kundërshtonte.

Më 24 prill 1967 u zhvillua një mbledhje e dytë në këshillin pedagogjik në Topojan, ku punonte si mësues Havzi Nela. Në këtë mbledhje u kërkua që ai të bënte një autokritikë dhe të kthehej në vijën e Partisë. Ai u demaskua si “armik”, por nuk bëri autokritikë, duke u qëndruar besnik deri në fund pikëpamjeve të tij të shprehura në mbledhjen e Shishavecit.

Nga trysnia e ushtruar mbi të në mbledhjen e Topojanit, si dhe kërcënimet për ta internuar në Bulqizë, Havzi Nela, së bashku me bashkëshorten e tij, morën rrugën e arratisjes nga Shqipëria për në Kosovë (Jugosllavi). Kalimet e kufirit në këtë periudhë ishin shumë të vështira, për të mos thënë të pamundura. Nela e njihte mirë zonën dhe kishte njohuri të sakta për pikën kufitare, ku mund të kalonte pa u diktuar nga rojet e kufirit. Pavarësisht kësaj, rreziku i diktimit ishte shumë i madh. Të shkoje drejt kufirit do të thoshe të shkoje drejt vdekjes së sigurt.

Havziu, së bashku me bashkëshorten, Lavdien, natën e vonë të 26 prillit 1967 arritën të kalonin kufirin dhe tek piramida Nela lë një letër, ku shkruhej:

Lamtumirë, Atdhe i dashun,

Po të la, po zemërplasun”.

E shkrova bash në brezin e butë, natën në errësi”

Në letrën e tij kuptohet largimi i detyruar për t’iu shmangur arrestimit për idetë e tij të shprehura kundër reformave të qeverisë komuniste. Në largimin e tij gjithashtu “ka një lloj dëshmie se vendi po kthehej në pezmatim të vazhdueshëm për banorët e tij dhe largimi prej tij mund të ishte një shpëtim, një lirim prej së keqes”. Njëkohësisht, ai po largohej me dhembjen që po i bëhej varr, sepse diktatura tashmë po lëshonte hijen ndëshkuese mbi banorët e vendit të vet: izolimin, ankthin, torturën e vazhdueshme shpirtërore dhe fizike, indoktrinimin, etj.

Pas kalimit të kufirit për në Kosovë (Jugosllavi), ai do të arrestohej nga Sigurimi Jugosllav dhe do të merrej në pyetje, sepse dyshohej se mos ishte agjent i Shqipërisë. Më 6 maj 1967 pala jugosllave e dorëzon tek autoritetet shqiptare, në postën kufitare në Morinë. Po në këtë datë do fillojë procesi hetimor dhe marrja e vazhdueshme në pyetje në datat, 6, 8, 9, 10, 11 e 20 maj 1967. Pas përfundimit të procesit hetimoro-gjyqësor, më 22 maj 1967 Havzi Nela u dënua me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij u dënua me 10 vjet heqje lirie. Havziu do dënohej përsëri pak më vonë.

Mësuesi Nela, në harkun kohor (1968-1986), kaloi nëpër kampburgje të ndryshme, si: në Tiranë (1967), Elbasan (1968), Vlorë (fundi i vitit 1968 – 26 shtator 1970), Spaç (1970-1975), Rrëshen (1975), Burrel (1976-1979), Ballsh (1980-1983), Qafë-Bari (1983-1986), si dhe u internua në Arrën të Kukësit (13 tetor 1987 deri më 12 qershor 1988).

Pas largimit nga vendi i internimit, ai do arrestohej dhe do të dënohej me vdekje nga Gjykata Popullore e rrethit Kukës. Vendimin e kësaj gjykate e la në fuqi edhe Gjykata e Lartë dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor. U ekzekutua me varje në litar në Kukës, më 10 gusht 1988, ora 3:30. Rreth orës 12:00 trupi u hoq nga vendi i ekzekutimit dhe u dërgua në magazinën e Degës së Brendshme, Kukës. Më 11 gusht, natën, trupi i tij u fut në gropën e një shtylle në fshatin Kolsh.

Përfundime

Vizioni i Havzi Nelës ishte shumë para të tjerëve, ndërsa kjo duket që në arrestimin e tij në vitin 1967. Kauza e tij ishte për liri, drejtësi e barazi. Ai nuk kishte kauzë personale, por të gjitha idetë që kishe, ishin në shërbim të të gjithë njerëzve pa dallim. Ishte për një shoqëri të emancipuar.

Bashkëkohësit e tij, nëpërmjet kujtimeve, sjellin disa thënie të Havzi Nelës mbi regjimin gjatë kohë së vuajtjes së dënimin. Poeti dhe mësuesi Nela shprehej se: “Shpejt gjithçka ka me marrë fund. Ne do mbyllim shumë gjana dhe do sillemi si njerëz, se përndryshe nuk e merr kurr vetin Shqipnija. A lahet gjaku me gjak? Nuk lahet se bahet nji pellg tjetër gjaku që s’e lan e s’mundet me e la kurrën e kurrës të parin. Sa për Enver Hoxhën, balta e zezë shumë shpejt ka me ia mbulue emnin, edhe në rast se ia përmend kush, ka me ia përmend me përbuzje. Punët janë për mirë. Ky regjim do të përmbyset shumë shpejt. Krejekrejt, po e ka rrëzue për tokë, ekonomia e dobët. Një skamje që me të trishtue. Shumë me keq se para vitit ‘67 kur kam hy në burg”.

Gjatë kohës që vuante dënimin, H. Nela shkroi vjershën më domethënëse për kohën “Fryma e Helsinkit”, që pak e dinin se çfarë bëhej jashtë kufijve të Shqipërisë.

Si përfundim mund të themi se mësuesi Havzi Nela qëndroi stoik në idetë e tij, nga fillimi deri në vdekje, duke mbetur një personalitet me ndërgjegje të qartë politike. Gjatë vuajtjes së dënimit nëpër kampburgje e në internim, shkroi vjersha fshehurazi dhe përdori artin e poezinë si instrument të qëndresës politike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X