Shenja e parë e sendërtimit të lirisë është pagjumësia. Përmbushja e dëshirave në ëndrra bën të mundur vijimin e gjumit, por nëse dëshira për liri bëhet e fuqishme, ajo e mban zgjuar njeriun. Pallati i Ëndrrave shërben edhe si barometër për matjen e gjumit: kur ai sinjalizon shenjat e para të pagjumësisë masive në një krahinë, kjo do të thotë se atje mund të ndodhë një kryengritje, prandaj shteti menjëherë merr masa parandaluese (“Vepra letrare 9”, f. 209). Këtu kemi të bëjmë me pavetëdijen kolektive, e cila, po t’i referohemi Karl Jungut, përbëhet nga simbole e imazhe universale, të përcjella që nga etapat e jetesës primitive të njerëzimit dhe që shfaqen në ëndrrat e individëve, të përziera me pjesën e pavetëdijes së gjeneruar nga përvoja personale e ëndërrparësit.
Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë
Sendërgjimi i lirisë
Përpara Pallatit të Ëndrrave ishte Jëlldëz Saraj, enti shtetëror që merrej me vrojtimin dhe interpretimin e yjeve për të parashikuar të ardhmen. Ai u zgjerua dhe u shndërrua në Tabir Saraj, i cili merret me interpretimin e ëndrrave. Funksionarët e Pallatit të Ëndrrave mburren se ky është më racional, më “total” dhe më “demokratik” po të krahasohet me entin e mëparshëm. Pallati i Ëndrrave nuk merret vetëm me ëndrra të vetmuara të njerëzve të pushtetshëm, por synon të grumbullojë ëndrrat e të gjithë shtetasve, për të përzgjedhur prej tyre ëndrrën sinjalizuese që Allahu hedh herë pas here, për të paralajmëruar fatkeqësitë që mund ta kërcënojnë shtetin. “Asnjë pasion, apo mendim i mbrapshtë, rrebesh apo katastrofë, rebelim apo krim nuk është e mundur të mos lëshojë hijen e vet shumë kohë më parë se të shfaqet ai vetë në botë. Ndaj porosia e padishahut sovran është që asnjë ëndërr, e parë qoftë në kufijtë më të largët të shtetit, qoftë në ditën më të kurrfartë, qoftë edhe nga robi më i humbur i allahut, të mos mbetet jashtë shoshitjes së Tabir Sarajit” (I. Kadare, “Vepra letrare 9”, Tiranë, 1989, f. 189).
Nëpërmjet synimit për të grumbulluar ëndrrat e secilit, Pallati i Ëndrrave është dispozitivi që ndërlidh shtetin me secilin shtetas, në një mënyrë më të thellë e njëherazi të mistershme. Siç e thotë Kurt Qyprilliu, “institucioni i vetëm në shtetin tonë me të cilin pjesa e errët e ndërgjegjes së gjithë shtetasve krijon një kontakt të drejtpërdrejtë me shtetin. Turmat e pafundme vërtet nuk qeverisin, por kanë një mekanizëm me anë të të cilit ndikojnë në të gjithë punët, aventurat dhe krimet e shtetit” (po aty, f. 223). Problemi që ka çdo regjim politik është pikërisht si të kuptojë në kohë e t’u përgjigjet nevojave e pritshmërive të qytetarëve. Në regjimin liberal-demokratik, i cili ndër më përfshirësit në histori, qytetarët janë të lirë të arsyetojnë kërkesat e tyre në sferën publike; të organizohen në parti e shoqata për të mundësuar bashkërisht realizimin e kërkesave; të votojnë për përfaqësuesit që do t’i ngrenë kërkesat në parlament dhe për qeverinë që do t’i realizojë ato, përmes mekanizmave ligjore dhe kufijve ekzistues që imponon kushtetuta. Ndryshe nga demokracia liberale, Pallati i Ëndrrave “komunikon” drejtpërdrejt me pavetëdijen e shtetasve, pra me dëshirat që e motivojnë ëndrrën. Sipas psikanalizës, ëndrrat shërbejnë si ekrane kur shfaqen të shtrembëruara dhe të plotësuara pasionet më të fshehura të njeriut, madje dhe ato impulse psikike që janë moralisht të ndaluara dhe që vetëdija i frenon të shfaqen në jetën e përditshme kur ai është zgjuar. Me fjalët e Zigmund Frojdit, “nga interpretimi i ëndrrave, si nga një dritare e hapur, mund të hedhim një sy në thellësitë e fshehta të psikikës tonë… Interpretimi i ëndrrave është rruga mbretërore për të njohur gjërat e pavetëdijshme të jetës shpirtërore” (“Interpretimi i Ëndrrave”, Tiranë, 2010, f. 191, 487). Këtë bën dhe Pallati i Ëndrrave: ky ent gjigand “psikanalitik” duhet të grumbullojë ëndrrat e shtetasve, të përzgjedhë ëndrrat me domethënie politike dhe t’i interpretojë saktë ato, në mënyrë që të zbulojë rreziqet ndaj shtetit, përpara se të sendërtohen. Pallati i Ëndrrave është “rruga mbretërore” sesi ëndrra e shtetasit më të humbur mund të përfundojë, bashkë me “të vërtetën” e zhvokshur prej saj, në prehrin e sovranit.
Qeverisja e Perandorisë Osmane në veprën e Ismail Kadaresë shërben si një shabllon për totalitarizmat e shek. XX. Armiqtë e fshehur të këtyre regjimeve janë qytetarët e tyre, të cilët kur janë zgjuar durojnë, hiqen sikur janë të kënaqur, madje disa prej tyre përqafojnë më entuziazëm shtypjen e përditshme të vetes. Mirëpo, në gjumë, liria përjetohet në ëndrra, në më të shumtën e herës e sendërgjuar dhe e pakuptueshme për ëndërrparësit. Në kohërat e errëta, kur dhuna është e kudondodhur, por për të nuk mund të flitet hapur, ëndrra mbetet si zona kur e vërteta mund të shfaqet, qoftë në trajtën e makthit. Në vitin 1933, kur nazistët kanë marrë pushtetin në Gjermani, gazetarja Sharlotë Beradt [Charlotte Berandt] sheh vazhdimisht në ëndrra sikur po e ndjekin paraushtarakët SA. Ajo mendon se edhe të tjerë mund të shohin makthe, për shkak të kolonizimit të pavetëdijeve të tyre nga regjimi, prandaj do të pyesë me kujdes të tjerët për ëndrrat që shohin, duke arritur të grumbullojë rreth 300 të tilla. Te ato dallohet qartë terrori dhe humbja e personalitetit: disa ëndërrojnë sikur u është ndaluar të ëndërrojnë, kurse një tjetër sheh makthe sikur nuk flet dot kur është vetëm dhe arrin të flasë në kor bashkë me njerëz të tjerë (shih te S. Sliwinski, “Dreaming in Dark Times”, Minneapolis, 2017, kap. 6).
Meqenëse ëndrra mbetet zona e fundit ku liria mund t’i shfaqet shtetasit, edhe pse ky mund të mos të jetë i vetëdijshëm për këtë, Pallati i Ëndrrave ka detyrën t’i deshifrojë ëndrrat, të zbulojë mundësinë e sendërtimit të lirisë brenda sendërgjimit të saj. Prandaj shtetasit nxiten që t’ia dorëzojnë ëndrrat e tyre shtetit, me premtimin e rremë se ai fatlum që ka parë ëndrrën sinjalizuese të rrezikut do të shpërblehet bujarisht. Ëndërrparësi ia dorëzon ëndrrën shtetit duke marrë në sy mundësinë që shteti, d.m.th. sovrani, do t’ia zbulojë pjesën më të errët të shpirtit, të cilën as vetë ëndërrparësi nuk e njeh plotësisht. Idealisht, shpirti i tij duhet t’i përkasë tërësisht shtetit, siç e thotë edhe fjala “shtetas”. Në burgjet e Shqipërisë komuniste, ku trupi i të dënuarit është në dorën e shtetit, censurohet edhe ëndërrimi. Aqif Selimi tregon se në vitin 1946, ndërsa ishte i burgosur sheh një ëndërr të çuditshme. Atij i shfaqet Mehdi Frashëri, ish-kryeministër dhe i mërguar politik, që e fton të arratiset, sepse do të vijnë avionë anglezë për ta marrë. Pas kësaj ftese ata hanë llokume. Selimi ia tregon këtë ëndërr shokut të qelisë, i cili e kallëzon te rojet. Selimin e marrin dhe e torturojnë për gati dy vite që tapranojë akuzën se është agjent i Anglisë dhe i Amerikës. Dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet në 20 vite burg (https://kujto.al/aqif-selimi-30-vjet-burg-se-pa-nje-enderr/).
Shenja e parë e sendërtimit të lirisë është pagjumësia. Përmbushja e dëshirave në ëndrra bën të mundur vijimin e gjumit, por nëse dëshira për liri bëhet e fuqishme, ajo e mban zgjuar njeriun. Pallati i Ëndrrave shërben edhe si barometër për matjen e gjumit: kur ai sinjalizon shenjat e para të pagjumësisë masive në një krahinë, kjo do të thotë se atje mund të ndodhë një kryengritje, prandaj shteti menjëherë merr masa parandaluese (“Vepra letrare 9”, f. 209). Këtu kemi të bëjmë me pavetëdijen kolektive, e cila, po t’i referohemi Karl Jungut, përbëhet nga simbole e imazhe universale, të përcjella që nga etapat e jetesës primitive të njerëzimit dhe që shfaqen në ëndrrat e individëve, të përziera me pjesën e pavetëdijes së gjeneruar nga përvoja personale e ëndërrparësit. Sipas Jungut, ëndrrat “e ruajnë gjumin… por ato shpërthejnë kur funksioni i tyre e kërkon, që do të thotë se, kur përmbajtjet kompensuese janë shumë të forta, ato janë në gjendje t’i kundërvihen gjumit. Një përmbajtje kompensuese është veçanërisht intensive, kur ka rëndësi jetike për orientimin e vetëdijshëm” (“Ëndrrat”, Tiranë, 2003, f. 49). Kur mungesa e lirisë ndjehet fuqishëm nga individi dhe nga të tjerë përreth tij, atëherë dëshirës për liri nuk i mjafton kompensimi në ëndrra, sepse ajo kërkon të jetësohet edhe në realitet, përmes mendimeve dhe veprimeve të vetëdijshme e qëllimore. Në një rast të tillë, Jungu thotë se vetë “ëndrra do të kishte vlerën e një ideje udhëzuese apo të një pikësynimi”, se ajo do të kishte funksion parashikues, ngaqë është “një parandjenjë në pavetëdije mbi arritjet e ardhshme të vetëdijes” (po aty, f. 52). Prandaj Pallati i Ëndrrave është vigjilent për të kapur pagjumësinë e popujve, për të zbuluar kohën kur sasia e gjumit të një populli pakësohet dukshëm në krahasim me periudhat normale. Më pak gjumë, më pak ëndrra, më shumë vetëdije të trazuara nga ide të rrezikshme dhe nga ëndërrime me sytë hapur.
Rruga e ëndrrave
Si funksionon Pallati i Ëndrrave? Cila është rruga që përshkuan një ëndërr, nga ëndërrparësi e deri te bashëndrra që i paraqitet sulltanit çdo te premte? Nëpër të gjitha qytetet e perandorisë janë 1,900 seksione bazë të kopisterive, secili prej të cilëve ka nënseksionet e veta në qyteza e fshatra. Në seksione dhe nënseksione, mijëra kopistë regjistrojnë çdo mëngjes ëndrrat e atyre që u paraqiten. Aty ndodh seleksionimi i parë, sepse jo të gjitha ëndrrat e grumbulluara dërgohen te Pallati i Ëndrrave. Ato që arrijnë në Pallat me karrocat e posaçme të ëndërrçuesve, regjistrohen në Recepsion, ku pajisen me një kod identifikimi. Më pas çohen te sektori i Seleksionimit, ku qërohen ëndrrat e pavlefshme: ato me motive private; ato që burojnë drejtpërdrejt nga “mishi i njeriut”, p.sh. nga uria ose mbingopja, të ftohtët ose të nxehtit, sëmundjet etj.; ëndrrat e stisura. Edhe psikanalizës, për të depërtuar te pavetëdija e pacientit, i duhet të anashkalojë ëndrrat me motive “të cekëta”, prej ndijimeve, patologjive trupore ose ngacmimeve të jashtme gjatë gjumit. Megjithatë, detyra e seleksionuesve në Pallatin e Ëndrrave nuk duhet menduar si një punë e lehtë, sepse “mundet që një ëndërr të duket me karakter thjesht intim ose e nxitur nga shkaqe banale, si uria apo reumatizmi, kur ajo ka në të vërtetë një lidhje të drejtpërdrejtë me çështjet e shtetit” (“Vepra letrare 9”, f. 194).
Ëndrrat që kalojnë Seleksionimin dërgohen te Interpretimi, sektori ku secila prej tyre u nënshtrohet me radhë disa interpretuesve, të cilët përpiqen të zbërthejnë kuptimin e saj përmes simboleve që gjenden në të. Interpretimi është thelbi i Pallatit të Ëndrrave dhe këtu ndodhet elita e nëpunësve të entit. Ebu Qerimi, personazhi qendror i romanit (në ribotime shfaqet me emrin Mark Alem), emërohet qysh në fillim në Interpretim dhe në ditën e parë të punës i duhet të analizojë një dosje me ëndrra që ia vënë mbi tryezë. Ai e kupton se puna është shumë e vështirë, sepse dhe ëndrrat më të shkurtra përmbajnë simbole polisemike dhe është detyra e interpretuesit t’i përcaktojë lidhjet midis tyre, për të arritur te “e vërteta”. Themeluesi i psikanalizës, Frojdi, shkruan se “ëndrra është fjalëpake, e varfër dhe lakonike në krahasim me vëllimin dhe pasurinë e mendimeve. Kur ëndrrën e shkruajmë, ajo zë gjithsej gjysmë faqe, ndërsa analiza, në të cilën zhvillohen mendimet që fshihen në këtë ëndërr, kërkon ndonjëherë gjashtë, tetë dhe dymbëdhjetë faqe letre” (“Interpretimi i ëndrrave”, f. 260). Interpretuesit i ndajnë ëndrrat në kategori të caktuara dhe ato që përmbajnë kumte të rëndësishme politike i dërgohen sektorit të Bashëndrrës, ku punojnë interpretuesit më të zotë që zgjedhin krye-ëndrrën që i paraqitet sulltanit. Një bashëndërr “me sinjalizimin e rëndësishëm që jep, i vlen nganjëherë sovranit më shumë se armata të tëra ushtarësh, apo se gjithë turma e diplomatëve të tij” (“Vepra letrare 9”, f. 202). Përveç zgjedhjes së bashëndrrës, bashëndërrorët hartojnë raporte të fshehta që u dërgohen enteve shtetërore lidhur me psikozat e popujve të shumtë të perandorisë dhe të elitave të tyre (po aty, f. 274).
Ëndrrat e pavlefshme dhe ato të interpretuara, këto të fundit të radhitura në dosjet përkatëse, përfundojnë në Arkiv. Interpretuesit zbresin shpeshherë në Arkiv për t’u konsultuar me interpretimet e mëparshme nga shkoqitës të shquar. Sikurse shkruan dhe Jungu, “një ëndërr e pakuptueshme, e marrë veçmas, vështirë se mund të interpretohet me siguri… Një shkallë relative sigurie arrihet vetëm në interpretimin e një serie ëndrrash, ku ëndrrat e mëvonshme ndreqin gabimet që kemi bërë duke trajtuar ato të mëparshmet” (“Ëndrrat”, f. 113). Arkivi shërben dhe për të verifikuar punën e nëpunësve të Pallatit të Ëndrrave. Nëse një shtetas pretendon se një ngjarje të ndodhur e ka paraparë në një ëndërr që e ka dorëzuar në Pallat, por ky i fundit nuk ka dhënë sinjalizimin parashikues, atëherë zbritet në Arkiv dhe gjendet ëndrra sipas numrit të regjistrimit të saj në Recepsion. Nëse pas një analizimi të ri vlerësohet se ngjarja mund të ishte parashikuar nga ajo, atëherë kërkohen për t’u ndëshkuar seleksionuesit që e kanë nxjerrë të pavlefshme, apo interpretuesit që nuk e kanë zbërthyer drejt sinjalin e fshehur në të (“Vepra letrare 9”, f. 212). Në Arkiv ka një vend të fshehtë, ku mbahen “arkeoëndrrat”, ëndrrat fillestare të themeluesve të shtetit osman. Arkeoëndrrat mbahen si të shenjta, sepse janë gurët e themelit të shtetit (po aty, f. 290). Me siguri në këtë pjesë të Arkivit ruhet dhe ëndrra që emiri Osman pa ndërsa flinte në shtëpinë e një njeriu të shenjtë: “Ai pa se si një hënë doli nga kraharori i njeriut të shenjtë dhe u fundos në kraharorin e vet. Më pas një pemë mbiu nga kërthiza e vet dhe hija e saj mbështolli botën…”. Kur Osmani u zgjua, ia tregoi ëndrrën njeriut të shenjtë dhe ky ia shpjegoi kuptimin se Allahu i kishte dhuruar Osmanit dhe pasardhësve të tij fronin perandorak (Caroline Finkel, “Osman’s Dream: The History of the Ottoman Empire”, Nju Jork, 2005, f. 2).
Përveç sektorëve të mësipërm, ekziston dhe Tabiri Sekret, që merret me ëndrrat që shtetasit nuk i dërgojnë vetë, por që shteti arrin t’i shtjerë në dorë (“Vepra letrare 9”, f. 200). Nga ajo që pëshpërisin nëpunësit për këtë sektor të veçuar të Pallatit të ruajtur me roje, merret vesh se aty ka dhoma veçimi ku mbahen shtetasit që thirren për të dhënë shpjegime plotësuese për ëndrrat që kanë dërguar. Meqenëse shumica e ëndrrave nuk mbeten për një kohë të gjatë në kujtesën e njerëzve, Ebu Qerimi dyshon se synimi i vërtetë i veçimit, i hetimit (dhe ndoshta i torturimit) të shtetasve në Tabirin Sekret është që këta pikërisht të harronin ëndrrat e rrezikshme që kishin parë, “me një fjalë një larje trush” (“Vepra letrare 9”, f. 244-247). Ndërsa kura psikanalitike kërkon ta bëjë subjektin të vetëdijshëm për traumat e së kaluarës, në Tabirin Sekret punohet që harresa ta mposhtë kujtesën. Ebu Qerimi pikas se si një ëndërrparës, që kishte shumë ditë i mbyllur në Tabirin Sekret, del prej andej në një arkivol të zi. Me sa duket, “s’kishte mundur ta harronte dot plotësisht ëndrrën e vet”, mendon Ebu Qerimi, “ose ndoshta ishte e parashikuar që më parë që të gjithë të ftuarit e Tabir Sarajit të përfundonin kështu” (po aty, f. 254).
Sovrani i merr vendimet kryesore të shtetit sipas kuptimit të krye-ëndrrës: “një bashëndërr është e aftë të parandjellë ndryshime të rëndësishme në jetën e shtetit”, kështu që “te bashëndrra synojnë të gjithë…” (po aty, f. 274). Qyprillinjtë, për shkak të pikëpamjeve të tyre reformatore, më parë e kanë nënvlerësuar Pallatin e Ëndrrave, duke e menduar si të vjetër e tradicional, mirëpo tani që sulltani i ka dhënë atij një rol më të madh në qeverisje, po interesohen për këtë ent, i cili rivalizon me pushtetin që tarafi Qyprilli ka grumbulluar brenda strukturës së shtetit osman. Kohët e fundit thuhet se “kush ka në dorë Pallatin e Ëndrrave, ka çelësat e drejtimit të shtetit” (po aty, f. 273). Prandaj, ekziston gjithnjë rreziku që zgjedhja e bashëndrrës dhe interpretimi i saj të jenë sajesa të sulltanit apo të tarafeve të pushtetarëve për të goditur rivalët e tyre në aparatin shtetëror. I këtij mendimi është Veziri, kryetari i familjes Qyprilli: “Disa mendojnë se bota e anktheve, e ëndrrave… është ajo që drejton këtë botën tjetër këndej… Kurse unë mendoj se gjithçka e drejton kjo bota këndej. Edhe ëndrrat, edhe ankthet e deliret… është ajo që i zgjedh, për t’i ngjitur në sipërfaqe, si ajo kova që nxjerr ujë nga pusi i thellë” (po aty, f. 276).
Sektorët, proceset e diferencuara të punës me ëndrrat, serioziteti, përqendrimi dhe heshtja e përgjithshme e nëpunësve gjatë orarit të punës, si dhe hija e rëndë që ka Pallati i Ëndrrave, kanë për qëllim që të shmangin rastësinë dhe ndikimet në kërkimin për bashëndrrën dhe kumtin e saj. Një ngrehinë e madhe burokratike me qindra e mijëra nëpunës në qendër e seksione përpiqen të rrokin të parrokshmen, t’i japin shpjegim racional irracionales dhe të parashikojnë saktësisht se ç’fsheh e nesërmja (ndryshe nga metodat joshkencore si manualet shpjeguese të ëndrrave, vrojtimi i yjeve ose shikimi i filxhanit të kafesë, i kockave të shpendëve etj.). Kjo është dukja e jashtme e entit, sepse vështrimi i brendshëm në Pallatin e Ëndrrave, i cili na mundësohet nga punësimi i Ebu Qerimit, tregon se në interpretimin e ëndrrave mbretërojnë rastësia dhe ndërhyrjet e njerëzve të pushtetshëm që kërkojnë ta afrojnë fatin në anën e tyre apo ta trillojnë atë. “A ishte e mundur që e gjithë kjo të kishte një fillim kaq banal?” (po aty, f. 208), pyet Ebu Qerimi kur i shpjegojnë se si grumbullohen ëndrrat, ngaqë ai e kupton se sa të rrëshqitshme janë themelet mbi të cilat ngrihet Pallati i Ëndrrave.
Kërkimi për “ëndrrën sinjalizuese” të Allahut është i kotë e absurd. Ëndërrparësi mund të mos paraqitet fare në seksionin që mbulon krahinën e vet kur mendon shanset e pakta që ëndrra e tij të jetë bashëndrra. Edhe nëse paraqitet, ka gjasa që mund të mos ta mbajë mend të plotë dhe të trillojë gjatë tregimit. Kopisti që i regjistron ëndrrën mund të bëjë gabime gjatë shkrimit, ose mund ta klasifikojë si të pavlefshme nisur nga paragjykimi për ëndërrparësin. Kopistët e seksionieve kanë tendencën të vlerësojnë ëndrrat e njerëzve të shquar, me pushtet, me diploma e me grada, përkundër aspektit zyrtar gjithëpërfshirës që ka Pallati i Ëndrrave (po aty, f. 207-208). Prej ëndrrave që mbërrinin në qendër, vetëm një pjesë e vogël arrinte në Interpretim dhe aty gjithçka varej nga subjektivizmi i lidhjeve që interpretuesi bënte midis simboleve; Ebu Qerimi “kishte raste ku ishte i bindur se në këtë punë mund të bëheshin veç gabime dhe vetëm rastësisht dikush mund të qëllonte në shenjë” (po aty, f. 238). Sa për ndërhyrjet nga jashtë Pallatit, “jo rekomandimi, po mosrekomandimi është një nga kriteret bazë të Tabir Sarajit”, thotë zyrtari i lartë që e pret Ebu Qerimin e më pas ai shton: “Megjithatë, që sot t’i pranohesh në punë në këtë pallat” (po aty, f. 187).
Meqenëse është nip i Qyprillinjve, Ebu Qerimi punësohet drejtpërdrejt në Seleksionim, por pas pak kohe kalon më lart në Interpretim, gjithnjë me shtytjen e padukshme të Vezirit. Punësimi i Ebu Qerimit në Pallatin e Ëndrrave është përpjekje e vonuar e Vezirit për të pasur sy e veshë brenda entit misterioz që konkurron me Qyprillinjtë për vëmendjen e sovranit. Megjithatë, është pikërisht Ebu Qerimi që, pa e ditur, bëhet instrument i goditjes që Pallati dhe sovrani i japin Qyprillinjve. Ëndrra fatale, që do ta dënojë me vdekje Kurtin dhe rapsodët shqiptarë, i del dy herë para syve, në fillim në Seleksionim e më pas në Interpretim, dhe në të dyja herët ai i kalon si të vlefshme. Ëndrra është kjo: “Në shesh i braktisur, pranë këmbës së një ure; një lloj djerrine nga ato ku hedhin mbeturinat. Midis hedhurinave… një vegël muzikore, e paparë ndonjëherë, që binte vetvetiu midis asaj shkretie, dhe një dem, i egërsuar, siç duket, prej tingullit të asaj vegle, shkrofëtinte te këmba e urës” (po aty, f. 212-213). Interpretimi që i vjen ndërmend Ebu Qerimit është se një forcë brutale (demi), i nxitur nga muzika (dinakëri, propagandë) do të prishë urën e vjetër (po aty, f. 252). Nuk del e qartë nëse këtë interpretim Ebu Qerimi e shënon në dosjen përkatëse, por dimë se në të mungon zbërthimi i simbolit të urës. Atij nuk i shkon ndërmend lidhja e fjalës me Qyprillinjtë (nga turqishja köpru që do të thotë “urë”), në këtë mënyrë duke mos arritur ta paralajmërojë Vezirin. Sipas një fjalori psiakanalitik të simboleve të ëndrrave, te figura e demit shquhet potenca mashkullore ose fuqia që buron nga thellësia e vetes, kurse te simboli i urës ka të bëjë me një tranzicion në jetën e ëndërrparësit, që mund të jetë lindje (kalim nga mitra në jetë), kalim nga një moshë në një tjetër ose kalim nga jeta në vdekje (E. Ackroyd, “A Dictionary of Dream Symbols”, Londër, 1993, f. 101-102, 107-108). Kur Ebu Qerimi dëgjon rapsodët shqiptarë të ftuar nga Kurti në shtëpinë e Vezirit, ankimi i eposit i shkon thellë në shpirt dhe zgavra e lahutës i bëhet se është “zgavra e shpirtit të kombit që ai i përkiste” (“Vepra letrare 9”, f. 309). Lahuta i kujton ëndrrën dhe Ebu Qerimi e lidh me situatën e familjes së tij: duke u kthyer te burimi i thellë i fuqisë së prejardhjes së tyre kombëtare, Qyprillinjtë mund të rilindin si njerëz të lirë e ndoshta udhëheqës të kombit të tyre. Mirëpo, duket se po kjo ëndërr i është dorëzuar si sinjalizim sulltanit, policia e të cilit ia beh në shtëpinë e Vezirit, masakron lahutarët dhe e arreston Kurtin. Ëndrra parathotë goditjen e Qyprillinjve (ura) prej sovranit (demi) për të mos lejuar që kjo familje, që i ka dhënë funksionarë të lartë shtetit osman, të tundohet nga zanafilla e saj kombëtare (eposi shqiptar i kënduar me lahutë).
Ndërsa Kurti më vonë ekzekutohet, dy dajat e tjerë të Ebu Qerimit me gjasë vijojnë karrierat e tyre si funksionarë të bindur osmanë. Pas ca kohe, Ebu Qerimi ngrihet në detyrë, duke u bërë njëkohësisht shef i seksionit të Bashëndrrës dhe zëvendësdrejtor i parë i Pallatit të Ëndrrave. A i detyrohet përsëri ky gradim ndikimit të jashtëm të Qyprillinjve apo është shpërblim nga sulltani për ndihmesën e nipit të Qyprillinjve për vlerësimin dhe interpretimin e ëndrrës fatale? Për të punuar së qeni një funksionar i lartë osman, atij i duhet t’i shtypë përgjithmonë impulset që burojnë nga përkatësia e gjakut. Në faqet e fundit të veprës, Ebu Qerimi, pasi ka mbaruar së përpiluari një raport për sovranin mbi gjumin dhe ëndrrat në të gjithë perandorinë, vështron shenjat e ardhjes së pranverës e të rigjallërimit të natyrës, pushtohet nga melankolia prej ndjesisë së jetës së tij të paplotë dhe sytë i mbushen me lot.
Arkivi i ëndrrave
Kur Ismail Kadareja në vitet 1980-të e shkruante novelën “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, ai nuk kishte nga ta dinte se disa dekada më parë kishte pasur një përpjekje reale për të grumbulluar në një arkiv të vetëm ëndrrat e njerëzimit dhe se kjo nuk kishte ndodhur në një shtet totalitar, por në shtetin që udhëhiqte Botën e Lirë. Psikologu Bert Kaplan dhe kolegët e tij të Komitetit për Regjistrimet Parësore të Kulturës dhe Personalitetit në vitet 1956-1963 ndërmorën një projekt për të mbledhur në një vend regjistrimet e deriatëhershme (plus ato të ardhshme) të ëndrrave, rrëfimeve jetësore, të intervistave, të testimeve Roschah etj., që kishin qenë pjesë e studimeve të veçanta të antropologëve, psikologëve dhe sociologëve, sidomos të studimeve që kishin të bënin kultura tradicionale që po zhdukeshin. Edhe më parë ka pasur mbledhje të ëndrrave, por ato i shërbenin një qëllimi, bie fjala regjistrimit të profecive, interpretimit të miteve të një populli ose vërtetimit të teorive psikanalitike. Risia e projektit të Kaplanit e bashkëpunëtorëve të tij ishte se grumbullimi i ëndrrave dhe i të dhënave të tjera “subjektive” prej kulturave të ndryshme ishte vetë qëllimi i projektit. Supozimi i tyre ishte se arkivi në të ardhmen do të përmbante një kampion përfaqësues të ëndrrave nga çdo kulturë dhe se ai do të ishte i riprodhueshëm, për të qenë i disponueshëm për studiuesit që do të eksploronin të fshehtat e shpirtit njerëzor. Kaplani dhe kolegët e tij besonin se ëndrrat ishin tregues të “përvojave projektive”, pra të mënyrave sesi anëtarët e një kulture ndërtonin kuptimet që bashkëndanin. Kështu lihej e hapur mundësia që arkiva e themeluar prej tyre të përdorej për të kontrolluar e menaxhuar mendimet dhe sjelljet e popujve.
Edhe pse projekti synonte të kishte një shtrirje botërore, shumica e të dhënave që u grumbulluan i përkisnin popujve amerindianë, që gjeografisht ishin pranë studiuesve, edhe pse mënyra e tyre e jetesës dukej e largët prej asaj moderne. Kaplani dhe ekipi i tij përdorën teknologjinë më të përparuar të kohës për ruajtjen e të dhënave, mikrokarta, e cila një faqe normale e fotografonte në një të njëzet e katërtën e origjinalit. Në fazën kulmore të projektit, kopje të arkivit të ëndrrave gjendeshin pranë rreth njëqind bibliotekave në mbarë botën, si dhe pranë disa enteve qeveritare e ushtarake, por aty nga mesi i viteve 1960-të projekti nuk mori më financime dhe u la mënjanë. Mikrokarta ua la vendin mikrofishës dhe mikrofilmit si mjetet më të përhapura të ruajtjes së të dhënave pamore, kështu që kalimi i kohës e bënte më të vështirë leximin e ëndrrave të ruajtura në këtë arkiv. Pak veta arritën ta përdornin atë dhe ai u harrua nëpër biblioteka. Ndërkohë, edhe teoritë e antropologjisë dhe të shkencave të tjera shoqërore ndryshuan dhe studiuesit nuk interesoheshin më për të grumbulluar e analizuar sasi të mëdha të regjistrimeve të ëndrrave (shih R. Lemov, “Database of Dreams: The Lost Quest to Catalog Humanity”, Londër, 2015).
Është ironike që arkiva e krijuar nga Kaplani për të shpëtuar të dhëna antropologjike nga harresa pati të njëjtin fat. Sot, teknologjia e informacionit ofron shanse shumë më të mëdha suksesi për ruajtjen dhe përdorimin masiv të teksteve dhe të dhënave të tjera. Grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave individuale nga agjencitë shtetërore, bankat, korporatat që zotërojnë rrjetet shoqërore virtuale etj., po i bën të realizueshme fantazinë e të kuptuarit dhe të manipulimit të dëshirave, të ndjenjave e të sjelljes njerëzore. Në vend të Pallatit hijerëndë të Ëndrrave, dëshirat tona ia dorëzojmë logaritmave të padukshme të aplikacioneve digjitale.