loader image
July 26, 2024

Fuqia e intelektualit shqiptar është e stërmadhuar

Sot gjërat kanë ndryshuar. Fama për ndikimin e intelektualëve në proceset shoqërore është e stërmadhuar. Debatet televizive janë shndërruar në zbavitje dhe lojë për publikun. Me disa përjashtime, debatuesit më shumë u ngjajnë gladiatorëve në rërën e koloseumeve romake sesa mendimtarëve në tempujt e dijes.  

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Dejvid Mekdonald, ka publikuar disa artikuj në temën “Përgjegjësia intelektuale”. Ai ishte i shqetësuar me çështjen e fajësisë për luftën. Një pjesë të madhe të fajit për gjithë atë që ndodhi e gjen edhe te intelektualët gjermanë, që përkrahën Adolf Hitlerin, tek ata japonezë që lejuan qeverinë të vihet në vijën e luftës shkatërruese, tek ata amerikanë që nuk ndaluan Hiroshimën dhe Nagasakin…

Njëri nga viktimat e ideologjisë naziste ishte edhe shkencëtari që shpiku teorinë revolucionare të relativitetit, Albert Ajnshtajn. Një thënie e tij e njohur sikur i bën fajtorë edhe intelektualët për periudhën më të zymtë në historinë e njerëzimit, të nxitur nga ideologjia shfarosëse e partisë së nazistëve. “Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë keq, por për shkak të atyre që shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë.”, ka thënë Ajnshtajni.

Pas shumë viteve debat është ardhur në përfundimin se edhe intelektuali ka një përgjegjësi të madhe në rrjedhat shoqërore. Njëjtë si Hitleri, edhe diktatorët pas tij nuk do të ishin ngjitur në majat e fuqisë së pushtetit pa mbështetjen e intelektualëve.

Përgjegjësia e intelektualëve

Si intelektual definohet çdonjëri që vë në përdorim intelektin e tij për të punuar, studiuar ose për t’u dhënë përgjigje pyetjeve rreth të cilave ndeshen ide të ndryshme. Intelektualët janë njerëzit të përfshirë thellë në ide, libra dhe në jetën e mendjes. Ata mund të gjenden si profesorë, avokatë, doktorë, shkencëtarë, gazetarë ose edhe politikanë. Intelektualët kulturorë janë ata që bëjnë ekspertiza në kulturë dhe art, ekspertiza që u mundësojnë atyre njëfarë autoriteti kulturor, të cilin do ta shfrytëzonin për të folur, shkruar dhe krijuar opinion për fenomene të ndryshme të kësaj materie. Ky është definicioni modern për rolin dhe punën e intelektualit.

Ka shumë definicione dhe shumë mospajtime kur vjen çështja te roli dhe përgjegjësia e një intelektuali. Vaclav Haveli është intelektuali që në vitin 1989 e rrëzoi rrëgjimin komunist të Çekosllovakisë me mjete paqësore. Protestat e tij u quajtën “Revolucioni i Mëndafshtë”, kjo për shkak të natyrës jo të dhunshme. Pas rënies së sistemit njëpartiak, Haveli u bë presidenti i parë i zgjedhur me vota i Çekosllovakisë, kurse pas vitit 1992 dhe ndarjes paqësore në dy shtete, ai u zgjodh president i parë i Republikës Çeke. Roli i tij në kalimin nga sistemi monist në demokraci vlerësohet të ketë qenë i madh, ndërkohë që mënyra paqësore e këtij revolucioni i atribuohet prapavijës së tij prej intelektuali, poeti dhe shkrimtari. “Intelektuali duhet të shqetësojë vazhdimisht, të dëshmojë për mjerimin e botës, të jetë provokues duke qenë i pavarur, të rebelohet kundër të gjitha presioneve dhe manipulimeve të fshehura e të hapura, të jetë dyshuesi kryesor i sistemeve… dhe për këtë intelektuali nuk mund të përshtatet në çdo rol që mund t’i caktohet… dhe në thelb nuk përket askund: ai shquhet si një ngacmues kudo që të jetë”.

Përgjegjësia e tij është ta thotë të vërtetën dhe ta zhveshë gënjeshtrën. Për dallim nga politikanët, që shpesh e thonë atë që dëshiron të dëgjojë shumica, intelektuali është i obliguar ta thotë edhe të vërtetën e hidhur për opinionin publik. Themeluesi i psikanalizës, Sigmund Freud, thotë se njerëzit priren të besojnë “të vërtetat” që konfirmojnë besimet dhe qëndrimet e tyre dhe të refuzojnë çdo informacion real që bie ndesh me realitetin e tyre të ndërtuar. Frojdi e karakterizon situatën e parë si “parimi i kënaqësisë”, që nënkupton përmbushjen e dëshirave dhe redukton tensionet, ndërsa e dyta është “parimi i realitetit”, i cili nuk përballet me realitetin e vërtetë, me të gjithë elementët e tij të padëshiruar. Në këtë raport roli i intelektualit është më shumë se i nevojshëm, sidomos kur kemi të bëjmë me botën moderne të internetit dhe digjitalizimit, i cili ka përhapur edhe dukurinë e lajmeve të rreme.

Ndarja në taborë

Por, sot intelektualët zakonisht janë në shërbim të qendrave të fuqisë ekonomike dhe politike. Ndarja në taborë politikë, në liberalë apo konservatorë, në liberalistë dhe realistë, në demokratë e autokratë, në majtistë e djathtistë, në kapitalistë e socialistë… me ose pa vetëdije i rreshton prapa ideologjive të caktuara, të cilat janë shtyllë e subjekteve politike, shteteve ose unioneve të ndryshme. Në këtë antagonizëm global të ndasive ideologjike, secili tabor është i rreshtuar në të vërtetën e vet, pra në atë që Frojdi thotë se i shkakton kënaqësi, duke refuzuar çdo të vërtetë që mund t’i sjellë shqetësim.

Situata nuk ndryshon as në skenat politike të Shqipërisë, Kosovës ose të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka më kauza të mëdha, të përbashkëta, por ka më shumë se një kauzë që ka të njëjtin qëllim. Dhe, kjo nuk është keq. Jetojmë në demokraci, si 130 shtete të botës, ku mendimi ndryshe është vlerë e jo problem. Megjithatë, rrallë dëgjohet ndonjë zë i vetmuar i së vërtetës në opinionin shqiptar, sidomos kur bëhet fjalë për tema që i kemi shpallur “tabu”. Edhe kur paraqitet një i tillë, qendrat e politikës dhe biznesit e linçojnë pamëshirshëm, duke u dhënë leksione edhe të tjerëve, që në të ardhmen do të guxojnë ta thonë “të vërtetën tabu”. Intelektualët shqiptarë shpesh thirren publikisht ta thonë të vërtetën, por atë të vërtetë që dëshiron ta dëgjojë populli, dëshirë kjo e nxitur nga qendrat politike. Kallëpet e së vërtetës absolute ka kohë që janë betonuar në opinionin publik shqiptar. Intelektuali duhet vetëm ta vendos mendimin në shabllon ekzistuese dhe kështu të kontribuojë në forcimin narrativëve që na shkaktojnë kënaqësi.

Shpesh përmenden dokumente që ka prodhuar Akademia Serbe e Shkencave (SANU), të cilat kanë pasur për qëllim përhapjen e “të vërtetave” serbe, të mbushura me urrejtje ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve. Një model i keq, shumë i keq i rolit të intelektualëve që nuk duhet ndjekur. Nuk duhet ndjekur për shkak se pikërisht kjo Akademi ishte udhërrëfyese e tkurrjes së shtetit serb dhe armiqësimit të tij me gati tërë botën. Në këtë drejtim, kumtesa e fundit nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ishte një lloj kopje e mënyrës së operimit të Akademisë Serbe. Në opinion kishte arsyetime se “këso tekstesh SANU ka me mijëra, kështu që mirë ia ka bërë ASHAK-u”. Pasi jemi të prirë të kopjojmë, atëherë ka shumë shembuj më të mirë: ta zëmë akademinë e shkencave gjermane, amerikane, britanike ose të tjera, që ua kanë treguar rrugën e vërtetë politikanëve të tyre. Një kopje e keqe e planeve të SANU-t ishte edhe Plani i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë së Veriut në vitin 2001, që u ofronte shqiptarëve ndarje të shtetit. Kjo akademi edhe sot vazhdon të kundërshtojë çdo përpjekje për modernizim të shtetit në përputhje me vlerat evropiane.

Fuqia e intelektualit

Kur flasim për rolin dhe përgjegjësinë e intelektualit, ne kemi parasysh një njeri të lirë, me të ardhura vjetore të mira e të garantuara dhe me respekt në opinionin publik. Kështu ka qenë në shumicën e rasteve, kur populli u ka besuar intelektualëve pasi kanë qenë të vetmit që kanë pasur qasje te dija. Njerëzit e dijes kanë qenë feneri që ka shndritur në errësirën e madhe të padijes.

Por, sot gjërat kanë ndryshuar. Fama për ndikimin e intelektualëve në proceset shoqërore është e stërmadhuar. Debatet televizive janë shndërruar në zbavitje dhe lojë për publikun. Me disa përjashtime, debatuesit më shumë u ngjajnë gladiatorëve në rërën e koloseumeve romake sesa mendimtarëve në tempujt e dijes.

Intelektualët që përpiqen të ndërtojnë opinione publike, duke u bazuar kryesisht në argumente, nuk kanë edhe aq ndikim sot. Në kontekstin aktual kohor, kur çdokush është ekspert për çdo gjë, pasi ka qasje në internet, feneri i intelektualit duket minor në krahasim me reflektorët e spektakleve zbavitëse për opinionin.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X