loader image
June 18, 2025

Fetari postmoderne: intelektuali shqiptar i RMV-së n’kohë të Covid-19

Sociologjia e religjionit mëson se krizat krijojnë turbulenca, ndërsa luhatjet e mëdha i shtyjnë njerëzit të kërkojnë një strehë, në veçanti në sferën e metafizikes, suprahumanes, qiellores. Sipas Meredith McGuire (2007), përvoja e krizës mund t’ia përforcojë besimin që një individ e ka. Historikja “Corona”, mes tjerash, ka prurë edhe një revitalizim të fetarisë (religjiozitetit), ndoshta edhe më të fuqishëm sesa në vitet 1990-të, kur ra komunizmi.

Ali PAJAZITI, Shkup

Të dhënat sociologjike flasin se shoqëria globale e epokës sonë është në një krizë të thellë. Sipas Baudrillard (2020), kursi i shoqërisë permisive dhe i komunikimeve të çastit ka shkaktuar një çekuilibër themelor, shock informatik, anomali, depresivitet, me një fjalë e ka prishur metabolizmin social. Pandemia, me të cilën njerëzimi u përball para disa vitesh, bart ngjyrimet e periudhës post-moderne, post-truth (pas të vërtetës), në të cilën jetojmë, por edhe vetë është një agjent i këtij konteksti. (D’cruz, 2021) Covid-19 ka krijuar lëkundje të fuqishme në botën fizike dhe mentale të njeriut, e ka nxitur njeriun të kërkojë strehë, të kërkojë anijen e shpëtimit nga drejtimi i gabuar të cilin e ka marrë, nga filozofia materialiste, hedoniste, utilitariste, që janë instaluar kokë e këmbë në civilizimin tonë. Sipas Kissell (2020), moraliteti, mortaliteti dhe metafizika janë pjesë e çdo storjeje për pandeminë e Koronavirusit, si “rrëfimi më i madh fetar i kohës sonë”, kur njerëzit sërish e kërkonin të vërtetën dhe kuptimin e jetës. Religjioziteti postmodern nënkupton një kontekst që e pranon shumëllojshmërinë e besimeve dhe praktikave, duke njohur se e vërteta është subjektive dhe në vazhdimësi në zhvillim. Në postmodernizëm, individët mund të zgjedhin të përziejnë dhe të kombinojnë elementë nga spiritualitete të ndryshme dhe feja shihet më shumë si një përvojë personale sesa si një tërësi e ngurtë rregullash.

Covid 19 dhe fetaria globale

Sociologjia e religjionit mëson se krizat krijojnë turbulenca, ndërsa luhatjet e mëdha i shtyjnë njerëzit të kërkojnë një strehë, në veçanti në sferën e metafizikes, suprahumanes, qiellores. Sipas Meredith McGuire (2007), përvoja e krizës mund t’ia përforcojë besimin që një individ e ka. Historikja “Corona”, mes tjerash, ka prurë edhe një revitalizim të fetarisë (religjiozitetit), ndoshta edhe më të fuqishëm sesa në vitet 1990-të, kur ra komunizmi, sepse tani nuk ra një ideologji, por një mit i kulminacionit të arritjeve njerëzore, “gjithfuqishmëria e shkencës”, si-religjioni i quajtur scientizëm (shkencizëm).

Ndër treguesit e fetarisë së ringjallur globalisht në vitin 2020 janë lutjet e organizuara për të prekurit nga Covid-19, për doktorët, kërkesa për lutje publike nga prefektët italianë, RSL (Religion and Spiritual Life) Facebook dhe RSL Instagram i studentëve të Shkollës për Teologji të Harvardit, që ofronin postime insipiruese në kohë pandemie, me qëllim të mbajtjes së njerëzve shpirtërisht të zgjuar. Në këtë drejtim mund të përmendet edhe Kur’ani i kënduar open air nga mjekët turq nëpër spitale, ezanet nga minaretë e qyteteve të Gjermanisë, të Kanadasë, shpallja e 15 marsit nga Trump-i si Ditë Nacionale e lutjes për të prekurit nga Covid-19 e të tjera.

“Pew Research” ka gjetur rritje të fetarisë te amerikanët, në përgjithësi, që është e krahasueshme me atë të marsit të vitit 2001, pas rrënimit të Kullave Binjake. Në rastin e sulmeve të 11 Shtatorit publiku amerikan u bë më fetar, sepse përballej me një gjendje që ia dëftonte vdekjen dhe esencën fragjile të jetës: nuk ka ateistë në istikame. (“There are no atheists in foxholes.”) Një studim i MIT, Universiteti Baylor dhe Duke tregon se amerikanët fetarë janë përballur më mirë me krizën ekonomike planetare të vitit 2008, së paku në aspekt të mirëqenies. Sipas hulumtimit të Gallup-it, të realizuar mes 28 marsit dhe 1 prillit 2020, është konstatuar se jeta mentale, dietale dhe stërvitore është përkeqësuar, kurse jeta fetare është avancuar te 19 për qind e të anketuarve, shifër kjo të cilën Newport (2020) e cilëson si rilindje fetare (religious renaissance). Sipas Global Attitudes Survey (2020), rritje fetarie është shënuar edhe në Itali (19 për qind), Spanjë (17 për qind), Kanada (16 për qind), Australi (15 për qind), Britani të Madhe (14 për qind), Francë (11 për qind), Kore të Jugut (11 për qind) etj.

Pandemia dhe feja në Maqedoninë e Veriut

Nga hulumtimet ndërkombëtare dhe vendore konstatohet se popullata e Maqedonisë së Veriut është një nga më religjiozet në botë. Në studimin që ne e kemi realizuar në vitin 1997, 78 për qind e studentëve janë shprehur se besonin te Zoti krijues i gjithësisë (te studentët shqiptarë kjo përqindje doli 98.4, kurse tek ata maqedonas 58.9). (Pajaziti, 2003: 95, 98) Një studim i vitit 2009 i realizuar me 480 studentë (95 për qind maqedonas ortodoksë) të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” është konstatuar se 81,3 për qind të të anketuarve janë përgjigjur se besojnë në Zot (39.5 për qind fetarë konform fesë të cilës i përkasin; 10.2 për qind jofetarë, 2.3 për qind kundërshtarë të fesë). (Ацески, 2009: 70) Të kësaj vije janë edhe të dhënat nga studimi i Amel Kurtishit, realizuar më 2010, me 333 të rinj nga qyteti i Shkupit, sipas të cilit për 93 për qind të myslimanëve dhe 74.9 për qind të të krishterëve “praktimi i fesë është një gjë shumë e rëndësishme” (për 85.3 për qind-shin “Zoti është krijues i gjthçkaje që ekziston”). (Куртиши, 2020: 97-98)

Hulumtimi i Brima Gallup-it i fundvitit 2016, i realizuar në 68 shtete me 66.541 persona, tregon se Maqedonia e Veriut është vendi i dytë për nga religjioziteti në Europë: 84 për qind e qytetarëve janë religjiozë (10 për qind afetarë dhe vetëm 1 për qind ateistë; 88 për qind besonin në Zot). Sipas një hulumtimi të realizuar vitin e kaluar nga IPIS, Religija.mk dhe “Konrad Adenauer Stiftung” me 1110 respondentë, 86 për qind të qytetarëve janë shprehur se janë fetarë ose deri diku fetarë (përqindja e njerëzve pa ndjesi fetare te të krishterët 16 për qind, kurse te myslimanët 4 për qind). (Божиновски-Николовски, 2020a:9)

Një sondazh i realizuar vitin 2020 me qytetarë të RMV-së, lidhur me ndikimin e Covid-19 në ndjesinë fetare të njerëzve, tregon se 40.7 për qind prej tyre kanë thënë se feja është fuqizuar në këtë kohë krize. Nga i njëjti hulumtim është konstatuar se besimtarët shqiptarë janë shprehur më optimistë lidhur me ardhmërinë e fesë në kohë pandemie. 57 për qind e shqiptarëve dhe 35.6 për qind e maqedonasve kanë pohuar se besimi fetar do të forcohet. Gjatë pandemisë janë organizuar edhe webinare lidhur me praktikimin e fesë, si ai KAS dhe i shefit të kabinetit të Kryepeshkopit të KOM-it (8 maj 2020), i BFI-së me kryetarët e bashkësive islame të diasporës shqiptare (të Zvicrës, Austrisë, Gjermanisë, Italisë, Suedisë, Danimarkës dhe Belgjikës, 28 prill 2021). Në kohë të Covid-19 teologët myslimanë kanë mbajtur ligjërata fetare nga distanca (përmes Zoom-it), ditore dhe të së premtes, madje është diskutuar edhe çështje e imamit nga distanca apo nga youtube (për teravi).

Spiritualiteti i intelektualëve shqiptarë të RMV-së n’kohë të Covid-19

Në këtë pjesë do të bëjmë analizë të intervistave të strukturuara, të realizuara online (e-mail dhe rrjetet sociale), me një grup reprezentativ të inteligjencisë shqiptare në RMV, me 32 shkollarë. Intervista është realizuar në muajin mars, një vit pas shpërthimit të Covid-19 në trojet tona. Të intervistuarit kanë qenë nga rajone të ndryshme të RM-së, nga Shkupi, deri në Kumanovë, Tetovë, Prilep, Dibër e Strugë etj. Mosha e respondetëve sillej nga 22 deri në 72, prej të cilëve nëntë femra. Profesionet e të intervistuarve ishin politolog, jurist, ekonomist, profesor universitar, sociolog, sociolog i religjionit, historian, gazetar, biolog, muzicient, diplomat, ekspert i teknologjive informatike, administratore, teolog, bibliotekist etj. Në këtë artikull kemi analizuar gjetjet nga pyetjet në vijim: Çfarë ka ndryshuar tek ju Covid 19 në raport me fenë?; A u është shtuar apo pakësuar besimi fetar gjatë Covid 19?; A keni filluar më tepër të luteni gjatë pandemisë apo s’ka ndryshuar asgjë fetarisht tek ju? Pse? (Shpjegoni)

Nga përgjigjet konstatojmë se pjesa dërrmuese e të intervistuarve (22 veta – 68.9 për qind) kanë pohuar se Covid-19 ka ndikuar te besimi i tyre fetar. Ligjëruesi universitar (38 vjeç) është shprehur se “besimi ka qenë një bazë e fortë për të kaluar çastet e vështira të karantinës. Po, ka bindje edhe më të thellë te Zoti, shpresojmë te ndihma e Tij.” (#2, historian) Një muzicient (43 vjeç) është përgjigjur si vijon: “Jam më fetar në këtë fazë për shkak të humbjes se personave të afërt, por edhe nga humbja e qetësisë të brendshme. Feja të sjell rehati, optimizëm dhe mundësi për meditim dhe vetë-reflektim, që është shumë e nevojshme më këtë periudhe për të gjitha familjet.” (#3); Sigurisht që është përforcuar besimi te i Madhi Zot, shkenca na doli e pabesë” (profesor i punës dhe politikave sociale, 66, #4) Covid-19 për mua nuk nënkupton diçka përtej madhështisë së Zotit, mahnitshmëria ndaj të cilit shfaqet thuajse në çdo mikro dhe makro situatë të Universit.” (#6, biolog, 24) “Mua personalisht pandemia më ka bërë të ndryshoj në shumë dimensione, ta dua më shumë jetën, të kem më shumë frikë nga vdekja, t’i dua më shumë të afërmit, të fal më shumë dashuri, të fal gabime, të mos kem urrejtje, të mos anoj shumë nga gjërat materiale.” (#7, sociologe, 35) Pandemia tek unë e ka ngritur dhe qartësuar fuqinë e Kur’anit, namazit, dhikrit të bërë deri më tani. Qartë shihej dallimi në rehatinë e atyre që kanë iman të fortë dhe frika nga Covid-i e atyre që s’i janë frikësuar Zotit deri sot.” (#7, filologe, 42) Mbështetja në Zot është pjesë e përditshmërisë sime dhe e njëjta vazhdon si gjatë ballafaqimit me Covid 19 po ashtu edhe më pas” (#9, nëpunës administrate, 35) “Mendoj se pandemia ka ngritur në pah reflektimin për jetën dhe vdekjen.” (#11, profesor, 44) “Është rritur ndërgjegjja dhe është shtuar besimi në fenë.” (#12, IT ekspert, 50) “…gjatë pandemisë lutjet kanë zënë një vend me peshë të madhe në jetën e gjithsecilit nga ne.” (#14, sociologe, 29) Njeriu këtu sheh pafuqinë e tij. Unë mendoj që besimi më është shtuar, sepse ka bërë që të reflektoj rreth pafuqisë së njeriut” (#15, politolog, 32) “Besimi është forcuar krahasuar me periudhën para pandemisë. Kjo është rezultat i rrethanave të panjohura që u shfaqën, pra frika nga pasojat e Covid-19.” (#17, ekonomist, 61) Gjatë pandemisë më është shtuar vetëdija për fragjilitetin e jetës. Një pakujdesi e vogël dhe ‘shkove’, prandaj më shpesh i jam lutur Zotit të më mbrojë nga të këqijat e mundshme.” (#18, politolog, 25) Një teolog dhe ligjërues në shkollë publike ka vënë theksin mbi përgjegjësinë globale: “Besimi as nuk është shtuar e aq më pak është pakësuar, mirëpo besoj se jemi bërë më të vetëdijshëm për dimensionet e tjera të besimit, e sidomos vetëdijesimi për përgjegjësinë globale që e bartim si qenie njerëzore, pavarësisht kombit, gjuhës, kulturës apo fesë.” (#19, 48) Botuesi 57-vjeçar (#24) ka kumtuar se lutjet për tejkalimin e kësaj situate pandemike janë shtuar”, kurse sipas sociologut 66-vjeçar ”…frekuenca e lutjeve ka qenë më e lartë”, #27). Për bibliotekisten 42 vjeçare, “instinkti i njeriut gjithmonë ka tendencë besimi më të theksuar në situata të pakëndshme ose të pakontrollueshme nga faktori njeri.” (#26)

Nga ata që thonë se s’ka ndryshuar asgjë, i intervistuari #13 ka pohuar se “besimi në Zot mbetet i njëjtë, se pandemia ka ndikuar në kërkimin e shpjegimeve lidhur me shumë dilema të cilat shkenca s’ka arritur t’i zgjidhë.” (gazetare, 48) Mendim thuajse të njëjtë ka edhe #16. Këtë qëndrim kishte edhe ekonomisti 36-vjeçar (#21) i cili është shprehur se besimi fetar tek ai ka qenë konstant edhe gjatë kohës së pandemisë, ngjashëm si politologu 32 vjeçar (“Fetarisht nuk ka ndryshuar asgjë në aspektin personal. Praktikimi i riteve fetare ndjek vijën e njëjtë, si para pandemisë ashtu edhe pas.”, #25).

Hulumtimi vërteton edhe qëndrimet scientiste dhe agnostike në mesin e shkollarëve shqiptarë nga RMV: “Besoj në shkencë dhe mendoj se shpjegimet që i jep ajo për fshehtësitë e natyrës, shoqërisë dhe njeriut janë të mjaftueshme për të pasur një informim të duhur.” (#10, sociolog, 66) “Nuk ka ndryshuar asgjë. E përkufizoj veten si jo-religjioze.” (#5, studiuese, 37) Lutjet e mia për përmirësim të situatës nuk kanë kaluar përmes një mediumi siç është ai fetar.” (#1, diplomate, 50)

Përgjigjet ishin më të përqendruara te besimi (32), Zoti/Krijuesi (22), pastaj feja (18) lutjet (13) dhe ritualet (10). Kategori më fetare është ajo e moshës 20-35 (më së tepërmi e ka përmendur fjalën Zot, besim). Kjo grupmoshë prin edhe në lutje dhe rituale si akte specifike që kërkojnë një fazë përgatitore (prep-time) dhe kohë të caktuar për realizim. Termi frikë më së shumti ka qenë prezent te grupmosha 51+, që në ligjëratën e vet më së paku e ka përmendur emrin Zot/ Krijues (vetëm 33.3 për qind).

Përmbledhje

Gjatë kohës së pauzës fetare (Штрак, 2020), të survivalizmit (luftës për mbijetesë), kur Covid-19 trondiste shoqërinë tonë dhe globin, fryma dhe kultura fetare, mënyra e jetësimit të fesë ndryshoi goxha, u përjetua një “ringjallje fetare” (religious renewal): edhe kategoria e jobesimtarëve dhe besimtarëve pasivë filluan të shprehin një spiritualitet të fshehtë apo manifest; feja kolektive qe tkurrur, kurse besimi individual shënoi fuqizim. Nga intervistat e realizuara me pjesëtarë të shkollarisë shqiptare të RMV-së kemi konstatuar se gjatë periudhës njëvjeçare te inteligjencia shqiptare e RMV-së është evidente kurba e rritjes ose e fuqizimit të ndjenave fetare. Tek ata, dimensioni besimor dhe ai emocional janë më të shprehur krahasuar me atë adhurimor ose praktik të fesë. Fetaria individuale është më e theksuar në kohë të pandemisë. (“Mbyllësia ka bërë që raporti me fenë, Zotin të mbetet individual e spiritual e të mos kolektivizohet e politizohet.” #5) Brezi më ri i inteligjencës është më fetar sesa më i vjetri. Përkundër bindjeve stereotipe se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë “besimtarë të fortë”, madje edhe radikalë, se janë masë fetare uniforme, nga ky hulumtim konstatojmë se edhe brenda tyre ekziston një laramani e perceptimit të fesë, që shkon nga regjiocentrizmi deri në afetari.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X