Sulmi i armatosur i muajit janar i forcave ushtarako-policore serbe kundër familjes Jashari, qe vetëm një paralajmërim i asaj që do të ndodhë më vonë, përkatësisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ku siç dihet, kjo familje për tre ditë rresht, nën udhëheqjen e Adem dhe Hamzë Jasharit, arriti t’u bëjë ballë sulmeve të kombinuara ushtarako policore e paramilitare serbe të përmasave të mëdha, me ç’rast u përdor i gjithë arsenali ushtarak, duke filluar nga “armët e lehta, murtajat, tanket, helikopterët e deri te raketat”. Kjo rezistencë e familjes Jashari, e paparë ndonjëherë, me të drejtë është quajtur nga historiografia bashkëkohore shqiptare në përgjithësi, e nga ajo e Kosovës në veçanti, si “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Qerim LITA, Shkup
Sulmi i pari i janarit i forcave serbe ndaj familjes Jashari
Në mbarim të vitit 1997 dhe fillim të vitit 1998, situata politike dhe e sigurisë në Kosovë sa vinte e përkeqësohej. Makineria propaganduese serbe në mënyrë të veçantë u përqendrua në një luftë speciale kundër rajonit të Drenicës, duke bërë përpjekje maksimale për ta bindur faktorin ndërkombëtar se ajo zonë e Kosovës “kontrollohej” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (më tej UÇK) dhe se pushteti serb ishte “i pafuqishëm” për ta vendosur kontrollin dhe prandaj “po pësuakan qytetarët dhe kalimtarët e nacionalitetit serb”. Gazeta serbe “Telegraf” shkruante se “për shkak të gjendjes së tensionuar dhe drojës nga aksionet e UÇK-së në rrugën Mitrovicë – Skenderaj” policia serbe nuk patrullonte me vetura, por me transportierë. Edhe gazetat e tjera serbe, në pjesën e parë të muajit janar 1998, shkruanin me të madhe për gjoja “terrorin që po ushtrohet” ndaj serbëve që udhëtonin nëpër atë regjion. Një fushatë e tillë e shtypit serb, sipas Qendrës për Informim të Kosovës (më tej QIK), ishte në funksion të luftës propagandistike “për ta shpallur UÇK-në organizatë terroriste”. Sipas saj, në funksion të kësaj propagande ishte edhe paralajmërimi i vjtjes së serbëve në Beograd për t’u ankuar te Sllobodan Millosheviqi dhe për të kërkuar nga ai “intervenimin e forcave serbe”. “Shkuarjeve në Beograd, tash si edhe para dhjetë vjetësh, shkruante QIK, do t’u prijë Bogdan Kecmani, një nga figurat e të ashtuquajturit revolucion antiburokratik, që solli Millosheviqin në pushtet dhe që realizoi agresionin serb kundër statusit e mëvetësisë së Kosovës… Ai revolucion u parapriu aksioneve të armatosura kundër Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës”.
Rrjedhimisht, në orët e hershme të mëngjesit të datës 21 janar 1998, forca të shumta ushtarako-policore serbe kryen një sulm masiv kundër familjes së Shaban Murat Jasharit në fshatin Prekaz të Skenderajt. Gjatë këtij aksioni u plagosën vajzat Ilirianë Rifat Jashari (27 vjeçare) dhe Selvete Hamzë Jashari (21 vjeçare), ndërsa u vra Hysen Nezir Manxholli, i cili ishte nisur për të shkuar në punë në ndërmarrjen “Produkt”, ku punonte si roje. Sulmi i armatosur i forcave serbe kundër familjes Jashari u përcoll me vëmendje nga shtypi i atëhershëm në Maqedoni, si në gjuhën shqipe, po ashtu edhe në atë maqedonase. E përditshmja në gjuhën shqipe “Flaka”, më 23 janar 1998, në mënyrë ekskluzive e botoi artikullin me titull “Forcat policore serbe në Prekaz të Skenderajt sulmuan shtëpinë e familjes Jashari”, ku, duke u mbështetur në deklaratat e dhëna nga anëtarët e familjes Jashari, por edhe mbi bazën e pamjeve të shëmtuara dhe dëshmive të shumta që kishin mbetur në oborr e përreth, si dhe fjalëve të dëshmitarëve të tjerë, gazeta shprehte bindjen e saj se ky ishte një sulm masiv dhe i përgatitur kundër kësaj familjeje. “Është e qartë se sulmi i sotëm i forcave serbe kundër familjes së Shaban Jasharit u bë me qëllim të likuidimit të kësaj familjeje ose të pjesës së saj më të madhe…”, thuhej ndër të tjerave në artikull. Po kjo gazetë, më 29 janar 1998, në faqen e dytë të saj e botoi vështrimin e titullar “Rasti i Prekazit – megjithatë, sulm policor”, në të cilin, veç tjerash thuhej:
“…Kjo familje është në shënjestër të sulmeve serbe që nga dhjetori i vitit 1991, ku në një incident të provokuar nga forcat serbe, ishin plagosur disa policë e disa fshatarë të Prekazit, ndërsa rreth 20 fshatarë ishin keqtrajtuar. Në kuadër të ndjekjes së vazhdueshme të anëtarëve të kësaj familje, në korrik të vitit të kaluar, Adem Jashari u dënua me 20 vjet burg për vepër terroriste, përkatësisht për disa sulme kundër policëve serbë. Me një fjalë sulmi i të mërkurës, ishte sulm i forcave serbe ndaj një familje të njohur për bujari në anën e Drenicës…”.
Sulmi i 5, 6 dhe 7 marsit 1998 i forcave serbe ndaj familjes Jashari
Sulmi i armatosur i muajit janar i forcave ushtarako-policore serbe kundër familjes Jashari qe vetëm një paralajmërim i asaj që do të ndodhte më vonë, përkatësisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ku, siç dihet, kjo familje për tre ditë rresht, nën udhëheqjen e Adem dhe Hamzë Jasharit, arriti t’u bëjë ballë sulmeve të kombinuara ushtarako policore e paramilitare serbe të përmasave të mëdha, me ç’rast u përdor i gjithë arsenali ushtarak, duke filluar nga “armët e lehta, murtajat, tanket, helikopterët e deri te raketat”. Kjo rezistencë e familjes Jashari, e paparë ndonjëherë, me të drejtë është quajtur nga historiografia bashkëkohore shqiptare në përgjithësi, e nga ajo e Kosovës në veçanti si “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Lidhur me këtë sulm ushtarako-policor serb, gazeta “Flaka”, më 6 mars, në faqen e parë njoftonte se “dje në orët e hershme të mëngjesit” filloi sulmi i forcave të armatosura serbe në Llaushë e në veçanti në fshatin Prekaz, i cili fshat, siç bëhej me dije “iu nënshtrua një bombardimi të egër nga topat, murtajat, tanket e policisë dhe të ushtrisë serbe” dhe sipas informacioneve të fundit nga dëshmitarët okularë, deri në orët e vona të mesditës në Prekaz, forcat pushtuese serbe gjuanin me topa, dhe se popullata shqiptare në këtë fshat po terrorizohej dhe masakrohej, mirëpo për shkak të gjendjes tejet dramatike deri në kohën e raportimit, ende nuk kishte “njoftime për numrin e vrarëve e të plagosurve”.
Në numrin e njëjtë gazeta e përcillte deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Sollana, i cili shprehte “brengosje të madhe” për shkak të eskalimit të krizës në Kosovë, dhe pasi e akuzote Sllobodan Millosheviqin për trazirat e fundit, e ftote atë që “të bëjë marrëveshje të re me popullin e Kosovës” dhe të lejojë mundësinë për “përtëritjen e shkallës së autonomisë që e kërkojnë njerëzit në Kosovë”. Sulmi ushtarako-policor serb në Prekaz të Poshtëm u dënua edhe nga ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, i cili – pas takimit me Millosheviqin në Beograd – deklaroi se “dhuna policore nuk do të japë rezultate për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, për të shtuar se problemi kosovar mund të zgjidhet “vetëm me mjete politike”. Për zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës u shpreh edhe kryeministri italian, Romano Prodi, i cili më 6 mars nga Kili, ku qëndronte për një vizitë zyrtare, “shumë i preokupuar” nga situata në Kosovë, bëri thirrje për “fillimin e menjëhershëm të bisedimeve” dhe “arritjen” e një zgjidhjeje për krizën. Në vazhdim, Prodi u tha gazetarëve se Italia “do të veprojë në mënyrë të tillë që të evitohet gjakderdhja e mëtejshme dhe situata në Kosovë të bëhet e pakontrollueshme”. Ndërkohë, Bundestagu Gjerman shprehu revoltën e vet për masakrat e kriminelëve serbë mbi shqiptarët, me ç’rast shefi i diplomacisë gjermane, Klaus Kinkel, deklaroi se “me këtë veprim, Millosheviqi e përjashtoi Serbinë përfundimisht nga Evropa”. Ai më tej përcolli kërkesën e Gjermanisë për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën do të shqyrtohej kriza në Kosovë, duke vlerësuar se “forcat serbe” kanë ndërmarrë ofensivë kundër shqiptarëve në Kosovë. “Konflikti kosovar e rrezikon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Këshilli i Sigurimit doemos duhet urgjentisht ta shqyrtojë këtë çështje”, tha ndër të tjerave shefi i diplomacisë gjermane.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Stejt Departamentit amerikan, në konferencën për shtyp deklaroi se “SHBA-të do të bisedojnë me ministrat e jashtëm të Grupit të kontaktit,…për të koordinuar masat e tyre dhe për t’iu përgjigjur ngjarjeve në rajon” dhe se SHBA-të propozojnë që nga ana e autoriteteve të pavarura të jashtme të kryhet “hetuesi mbi vdekjet e një numri të shqiptarëve të Kosovës që u vranë gjatë dhunës së javës që shkoi”, për të cilët “ka të dhëna të besueshme se ata janë ekzekutuar nga policia serbe derisa ata kanë qenë në arrest”. Lidhur me situatën e fundit në Kosovë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Olbrajt, pas bisedimeve të zhvilluara në Bon me ministrin e Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, kërkoi “aksion urgjent kundër Beogradit”. Ndërsa, shefi i diplomacisë turke, Ismail Xhem, i deklaroi agjencisë turke “Anadollu” se Turqia është “për një ndërprerje të menjëhershme të gjakderdhjes në Kosovë”.
Një ditë më vonë (7 mars), “Flaka” e botoi artikullin “Pamje ‘boshnjake’ në Drenicë” të dy reporterëve të saj nga terreni: Bekim Ajdini dhe Saubi Demiri, të cilët shkruanin se forcat ushtarako-policore serbe, pas një “pushimi” të shkurtër, “dje herët në mëngjes i rifilluan sulmet ushtarake në Drenicë” dhe se flitet për një numër të madh të viktimave dhe të plagosurve, por deri në momentin e fundit “askush nuk ka mundur ta konfirmojë saktësisht numrin e tyre”. Burimet serbe njoftonin për 20 shqiptarë të vrarë dhe 2 policë serbë, por ky numër, sipas disa burimeve të pakonfirmuara të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ishte mbi 50 vetë. Në vazhdim të artikullit, ata, duke u mbështetur në burimet shqiptare, shkruanin: “...Pas Prekazit të Ulët dy lagjet e të cilit – Jasharaj dhe Lushtaku në fakt u rrafshuan me tokë nga goditjet me granata artilerike, dje cak sulmi ishte Llausha… Të shtënat me armë të kalibrit të ndryshëm përveç në Prekazin e Ulët dje janë dëgjuar edhe në Açarevë, Vojnikë, Kopliç, Turiçevc, Runik, Brojë, Rezallë, Çikatovë, Polac, Marin e Rakinicë. Në fshatin Prekaz i Poshtëm, …më së keqi e kanë pësuar dy lagjet e Jasharajve dhe Lushtakajve. Ka droje se familja e Shaban Jasharajt, e cila nuk kishte pranuar ta braktiste shtëpinë, të jetë djegur tërësisht brenda saj…”.
Po kjo gazetë më 9 mars njoftonte se forcat serbe po mbanin nën një rrethim të ashpër fshatrat Prekaz i Poshtëm dhe Llaushë dhe se gjendja ishte veçanërisht dramatike në Prekaz të Poshtëm, ku “te të vrarët e të plagosurit” plot tre ditë nuk ka mundur të depërtojë “asnjë mjek, asnjë veprimtar humanitar e asnjë gazetar” dhe se dëshmitarët, të cilët një ditë më parë kishin mundur t’i afrohen fshatit, kanë pohuar se “në livadhe e në ara ka shumë trupa të vrarë nga forcat serbe gjatë ekspeditës së masakrimit të popullsisë së Prekazit të Ulët”.
Të nesërmen gazeta njoftonte për takimin e Grupit të Kontaktit në Londër për Kosovën, në të cilin nga ana e gjashtë vendeve anëtare: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Rusia dhe SHBA-të, ishte kumtuar se Sllobodan Millosheviq “doemos duhet t’i japë Kosovës “status të avancuar” në kuadër të federatës jugosllave. Kjo nënkuptonte edhe “shkallë dukshëm më të madhe të autonomisë”, duke përfshirë edhe administratë të rëndësishme të pavarur’…”. Përveç kësaj, Grupi i Kontaktit arriti pëlqim për masat kundër Jugosllavisë, të cilat ishin për sa më poshtë vijon:
“-të kërkohet rezolutë nga Këshilli i Sigurimit të KB-ve për aplikimin e embargos ndërkombëtare për armë, si plotësim i embargos së tashme europiane;
– ndalim i tregtisë së përgjithshme të prodhimeve që do të mund të shfrytëzoheshin për represion të brendshëm;
– mosdhënia e vizave përfaqësuesve të lartë jugosllavë, ministrave dhe personave përgjegjës për dhunën;
– ndalimi i ndihmës së jashtme qeveritare;
– ngrirja e aktivës së jashtme të Serbisë në afat prej dhjetë ditësh, nëse nuk ndërmerren masa për kapërcimin e situatës”.
Ndërkohë, me 13 mars, “Flaka” botoi reportazhin e huazuar nga gazeta “Albania”, të datës 11 mars, kushtuar 53 kufomave të masakruara të cilët po atë ditë ishin gjetur në hyrje të Skënderajt, në një objekt ndërtimor që mbante emrin “Servisi i Lahut”. Në të thuhej se 53 trupat e masakruar të shqiptarëve ishin viktima të ekspeditës terroriste të forcave serbe në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Poshtëm. Siç do të shohim në vazhdim, në mesin e këtyre 53 trupave, gjendej edhe trupi i Shaban Jasharit, i cili ishte masakruar me thikë, ku njëra dorë i ishte prerë dhe i ishin nxjerr të dy sytë, si dhe trupi i komandantit legjendar, Adem Jashari, në trupin e të cilit kishte vetëm “një vrimë plumbi në fyt”?! Në fillim të reportazhit thuhej se vetë pamja e trupave të vrarë “të rreshtuara ngjitas njëra-tjetrës në dy radhë tmerrësisht të gjatë” ishte e llahtarshme dhe njëkohësisht, përbënte dëshminë më të mirë “për aksionin terrorist me qëllim të masakrimit të popullsisë”, ku shihej qartë se dy trupa “ishin goditur nga granata, njëri në gjoks e tjetri në fyt”, ndërsa “disave u ishte marrë shpirti dalëngadalë me torturë”. Në mesin e të vrarëve ishin edhe tre fëmijët dhe bashkëshortja e Zenë Jasharit: Blerimi 5-vjeçar, Bujari-12 vjeçar, Abdullahu 15-vjeçar dhe Bahtija 43-vjeçare, të cilët për t’iu shmangur masakrimit ishin strehuar te axha i Zenës, Haliti, mirëpo “pikërisht ajo shtëpi kishte filluar të bombardohej”. Ja se si e kishte përjetuar këtë tragjedi familjare, Zenë Jashari:
“…Gruaja me tre fëmijët e tij kishin shkuar për t’u strehuar te axha Haliti. Mirëpo, pikërisht ajo shtëpi kishte filluar të bombardohej. Nga bombardimi ishin vra në vend gruaja dhe djali Abdullahu. Ndërsa dy fëmijët e vegjël policia i kishte marrë me vete dhe i kishte dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit. – Mendoja se janë gjallë, por u tmerrova kur i pashë trupat e tyre të vrarë që i solli policia – thotë ai. Trupat e dy fëmijëve kanë plotë shenja të goditjeve me shenja të forta. Blerimi ka shenja në anën e djathtë të kokës, ndërsa Bujari është qëlluar edhe me një plumb në tamth në anën e majtë.- Që dy ditë e dy netë qëndroj këtu. Nuk mund të ndahem nga trupat e vrarë të fëmijëve të mi – thotë Zena”.
Më tej në reportazh thuhet se tronditës ishte edhe “momenti i identifikimit të vrarëve”, që ishte kryer më 10 mars 1998, sepse, siç bëhet me dije, “shumë anëtarë të familjeve, për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë” ende nuk e kishin bërë identifikimin e të vrarëve. “Abaz Jashari, 22 vjeçar, nuk mund ta përballonte dot tmerrin kur i pa trupat e babait e gjyshes së vrarë për të cilët shpresonte se ishin gjallë. Dhembja e tij ishte edhe më e madhe nga frika se mund t’i jetë vrarë edhe vëllai i tij në moshë të re, trupin e të cilit e kërkonte”, thuhej në reportazhin e përgatitur nga gazeta “Albania”, i cili mbante titullin “Pamje të llahtarshme të masakrës në Drenicë”.
Më tutje në reportazh thuhej se aktivistët e LDK-së dhe të KMDLNJ-së bënin përpjekje maksimale për identifikimin e trupave të vrarë, të vendosur në atë “morg të improvizuar” dhe se deri në momentin kur po përgatitej reportazhi, kishin arritur t’i identifikonin kufomat e 37 të vrarëve e të masakruarve, ndërsa, siç thuhej “katër kufoma” vështirë se mund të identifikoheshin “pasi ishin të karbonizuara”. Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se, identifikimi i kufomave bëhej edhe më i vështirë, edhe për faktin se, siç theksohet në reportazh, “banorët e Prekazit të Ulët” mbaheshin në një rrethim të fortë, prandaj të gjithë ishin të sigurt se “numri i shqiptarëve të vrarë” ishte më i madh se ai që ishte shpallur zyrtarisht, aq më tepër, kur “askush” deri në atë moment nuk e kishte kontrolluar “terrenin e Prekazit të Ulët e as shtëpitë që janë sulmuar”. Në vazhdim reportazhi shkruante se “për t’i humbur gjurmët e krimit” policia kishte bërë presion të madh gjatë tërë asaj dite kur po përgatitej reportazhi, ndaj aktivistëve të LDK-së dhe anëtarëve të familjeve “me qëllim që të kryhet” brenda asaj dite varrimi i të vrarëve dhe se përgjegjësit e policisë serbe në Skënderaj “janë kërcënuar disa herë gjatë ditës se do t’i varrosin vetë të vrarët, nëse këtë nuk e bëjnë familjet e tyre”. Mirëpo, siç theksohet në fund të këtij reportazhi, “varrimi do të jetë i vështirë” edhe për shkak të numrit të paktë të njerëzve që do të përgatisin ceremoninë e varrimit, ku nga disa familje nuk kishte ngelur askush në Prekaz ose në Skënderaj, pasi “ose janë vrarë, ose janë larguar në vende të tjera”.
Jo më pak i dhimbshëm është edhe reportazhi i përgatitur nga dy reporterët e “Flakës”, Bekim Ajdini dhe Saubi Demiri, në mesin e të dëbuarve me dhunë nga forcat policore serbe, të cilët ishin vendosur në Vushtrri. Me këtë rast po e japim të plotë rrëfimin e fëmijëve të Hajrie dhe Ferit Jasharit, mosha e të cilëve nuk shkonte më shumë se dhjetë vjeç:
“…Pas konsultimit me strukturat e Vushtrrisë vendosëm t’i vizitojmë disa familje që në ditën kritike e lëshuan Prekazin e Poshtëm dhe u nisën në rrugë të pafund për ta shpëtuar kokën. Para derës së një familje bujare ndeshemi me 4-5 fëmijë të moshës deri 10-vjeçe që me lojën mundohen t’i harrojnë traumat e përjetuara. Ishin këta fëmijët e Hajrije dhe Ferit Jasharit nga Prekazi i Poshtëm. Përjetimin tepër tronditës e rrëfen Fatimja, vajza e madhe. Kemi qenë të mbyllur në dhomë tri ditë dhe s’kemi pasur çka të hamë. Pas tri ditësh ka ardhur një autoblindë që neve nga frika na është dukur shumë e madhe sa s’mund të përshkruhet. Na kanë nxjerrë jashtë, ndërsa ne britnim, disa prej policëve filluan të flisnin shqip, ndërsa gruaja e kushëririt tim, Besa ua ktheu në gjuhën serbe. Na kanë detyruar të pimë cigare e ne s’guxonin tua kthenim. Njëri prej tyre me toki-voki ka biseduar me eprorët e tyre se si të veprojnë me ne. A t’i fusim të gjallë në gropë apo t’i therim, ose t’i dërgojmë në fabrikën e municionit në Skënderaj? Besa, e cila ishte më e gjindshme në këto momente e nxori para policisë një vajzë të vogël duke i thënë atij: gjuani së pari në këtë fëmijë e pastaj na vrisni të gjithëve. Polici pasi e bëri një kryq.. iu drejtua Besës: edhe unë kam fëmijë, duke na urdhëruar për gjysmë ore të ikim se përndryshe do të na vrisnin. Ne kemi shkuar duke u zvarritur një orë e gjysmë deri në Mikushnicë ku gjetëm një traktor ndërkaq Besa tërë kohës ka ecur zbathur…”.
Është e rëndësishme të vihet në dukje se për sulmin e forcave serbe në Prekaz dhe në disa fshatra tjera të Drenicës njoftoi edhe shtypi në gjuhën maqedonase. Kështu gazeta “Nova Makedonija”, më 6 mars, në faqen e parë e botoi artikullin “Përshkallëzim i situatës në Kosovë”, ku duke u thirrur në burimet lokale shqiptare thuhej se “në orët e para të mëngjesit, forcat serbe, hapën zjarr ndaj tre fshatrave në rajonin qendror të Drenicës” dhe se të njëjtat burime “pohojnë se të paktën 11 fshatra janë granatuar” duke përdorur artileri, raketahedhës dhe helikopter” dhe se janë vra dhjetëra njerëz dhe shumë të tjerë janë plagosur. Në vazhdim, artikulli përcjell deklaratën e zëdhënësit të QIK-ut, Enver Maloku, sipas të cilit sulmi në Prekaz e Llaushë ishte kryer nga “ushtarë të veshur me uniformë të policisë” dhe se shqiptarët e këtyre dy vendbanimeve kërkojnë strehim në mal. Edhe e përditshmja tjetër në gjuhën maqedonase, “Veçer”, shkruante se në orët e hershme të mëngjesit të datës 5 mars 1999, në rajonin e Drenicës, erdhi deri te “konflikti i armatosur” midis policisë dhe shqiptarët e armatosur të Kosovës dhe se të shtënat nuk janë ndalur deri në orën 9-të. Më tej gazeta, duke u mbështetur në burimet serbe bënte me dije se “qëllimi kryesor i konfliktit” ishte Prekazi i Poshtëm, përkatësisht familja e Adem Jasharit, dhe se në këtë operacion kishte marrë pjesë edhe ushtria jugosllave.
Lidhur me ditën e dytë të ekspeditës ushtarako-policore serbe në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Poshtëm, gazeta “Nova Makedonija”, duke iu referuar burimeve serbe, ndër të tjera shkruante: “Dje, forcat serbe të sigurisë e kanë filluar ofensivën me qëllim t’i mposhtin kryengritësit separatistë, pjesëtarë të shqiptarëve etnik në zonën e Drenicës, që sipas Beogradit konsiderohet si vatër e nacionalizmit shqiptar”. Në vazhdim gazeta njoftonte se, sipas të dhënave zyrtare, forcat serbe kishin vrarë së paku 20 shqiptarë dhe “dy pjesëtarë të forcave të sigurisë”, por numri i shqiptarëve të vrarë, sipas burimeve shqiptare, shkonte deri në 50 vetë. Krejt në fund të shkrimit përcillej reagimi i kryetarit të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, i cili siç thuhet e ka fajësuar udhëheqjen serbe se po zhvillon një fushatë të “pastrimit etnik” kundër shqiptarëve, duke bërë apel për intervenim ndërkombëtar: “Kosova duhet të vendoset urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare… Sulmi në rajonin e Drenicës është pjesë e fushatës serbe për pastrimin etnik të Kosovës”, u ka deklaruar ndër të tjerave Ibrahim Rugova gazetarëve në konferencën për shtyp të mbajtur më 6 mars 1998 në Prishtinë.
Më 10 mars 1998, “Nova Makedonija” njoftonte se pushtetarët serbë i “kanë dorëzuar trupat e të vrarëve” në rajonin e Drenicës dhe se në mesin e të vrarëve ishin edhe 14 gra dhe 12 fëmijë. “Disa nga trupat, thuhet në njoftim, ishin djegur aq shumë saqë nuk mund të njiheshin, dhe do të jetë rëndë të identifikohen”. Gjithnjë sipas këtij njoftimi, në protestat e zhvilluara një ditë më parë në qytetin e Pejës” demonstruesit mbanin fotografi të komandantit të vrarë të UÇK-së, Adem Jashari, dhe pankarta me mesazh duam luftë”. Në vazhdim, gazeta, duke iu referuar reporterëve të saj, shkruante se, më 9 mars, Drenicën, përkatësisht Prekazin e Ulët e kishin vizituar “diplomatë të huaj, pjesëtarë të 40-vendeve të akredituar në Beograd”, të cilët ishin shoqëruar nga pjesëtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe nga kryeshefi i resorit të Shërbimit për Sigurimin Shtetëror të Kosovës, David Gajiq.
Një ditë më vonë, “Nova Makedonija”, njoftonte për konferencën për shtyp të të dërguarit amerikan për Ballkanin, Robert Gellbart, të mbajtur një ditë më parë në Qendrën Amerikane në Prishtinë, ku veç tjerash ai ka deklaruar: “Nevojitet pranimi publik se janë vrarë civilë, nevojitet hetim ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes, nevojitet obduksion nga ana e ekipit ndërkombëtar të mjekëve”. Duke folur për mundësinë e hapjes së dialogut, Gellbart-i vuri në dukje se dialogu duhet të ketë dy anët e veta: “Duhet të fillojë dialogu që të mund të realizohen bisedimet e filluara për arsim. Nga ana tjetër, liderët kosovarë duhet ta pranojnë dialogun pa asnjë kusht dhe kjo do të jetë rruga e vetme e cila do të merr mbështetjen ndërkombëtare”.
Protestat e shqiptarëve në Maqedoni në mbrojtje të Kosovës
Menjëherë posa u hap lajmi për ekspeditën ushtarako-policore serbe në lagjen e Jasharajve në Prekaz të Ulët, në Tetovë, nën organizimin e Unionit të Pavarur të Studentëve pranë Universitetit të Tetovës, Partisë Republikane e Unitetit Kombëtar, Lidhjes së Gruas Shqiptare – Dega Tetovë dhe Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik në Maqedoni, nën moton “Kosovë, ne jemi me ty” u organizua një tubim i madh. Në këtë tubim, ku morën pjesë mbi 50-mijë qytetarë, folën: Shpresa Sinani, kryetare e Lidhjes së Gruas Shqiptare – Dega Tetovë; kryetari i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Tetovës, Fati Iseni, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë; Shaban Xheladini dhe kryetari i PRUK-it, Nevzat Halili. Duhet theksuar se në këtë protestë madhështore, siç njoftonte “Flaka”, morën pjesë “udhëheqësit e të gjitha partive politike shqiptare, kryetarë të komunave dhe të këshillave komunale me shumicë shqiptare”, nxënës studentë dhe qytetarë tjerë anembanë trojeve shqiptare në atë republikë. Në fund, u lexua apeli dërguar të gjitha instancave ndërkombëtare, me këtë përmbajtje:
“Nga ky tubim protestues Ju bëjmë apel të gjitha institucioneve ndërkombëtare që sa më shpejtë të marrin masa që me forcën dhe autoritetin e tyre ta ndalojnë dhunën dhe terrorin shtetëror serbo-policor ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur të Republikës së Kosovës sa nuk është bërë tepër vonë dhe nuk është përsëritur masakra e Bosnjës.
Apeli iu drejtohet:
- Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Gjenevë dhe Nju Jork,
- Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim Europian,
- Unionit Europian,
- Këshillit të Europës,
- Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup,
- Ambasadës së Gjermanisë,
- Ambasadës së Britanisë së Madhe,
- Ambasadës Ruse,
- Ambasadës së Shqipërisë në Shkup,
Nga tubimi i protestës së qetë e të gjithë subjekteve politike dhe jopolitike të shqiptarëve në Maqedoni”.
Një ditë më vonë, përkatësisht më 6 mars, në sheshin kryesor të Shkupit, mbi 100-mijë shqiptarë mbajtën një protestë të qetë nën moton “Stop terrorizmit serb në Kosovë!”. Ky tubim protestues u organizua nga dy partitë më të mëdha shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik e Abdyrrahman Halitit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Arbër Xhaferit. Para protestuesve folën: Xh. Zharku, Demush Bajrami dhe Myqereme Rusi. Tubimi, i cili filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje për viktimat e terrorit serb në Prekaz të Ulët dhe në tërë Kosovën, kaloi në mënyrë të qetë dhe dinjitoze. Pranë sheshit, kishin dalë një grup fare i vogël të “komitëve” maqedonas duke brohoritur “Maqedoni”, “Maqedoni”, por siç njoftonte “Flaka”, ky grup ishte aq minor, saqë nuk pati “nevojë për kurrfarë ndërhyrje të policisë”. Nga ky tubim madhështor u lexua Memorandumi për Kosovën, të cilin në vazhdim po e paraqesim të plotë:
“Duke u ndodhur para një situate dramatike për Kosovën dhe popullin shqiptar, duke gjykuar historinë e regjimit serb që masakron barbarisht popullatën shqiptare të Kosovës, – duke shprehur indinjatën tonë të thellë kombëtare ndaj angazhimit joadekuat të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke e konsideruar lëvizjen politike për pavarësi të popullit shqiptar të Kosovës si pjesë të pandalshme të mbarë popullit shqiptar të dinjitetit dhe për të drejtat të patjetërsueshme për të jetuar i lirë dhe i barabartë me popujt e tjerë, – ne shqiptarët e Maqedonisë, të tubuar sot në Shkup, për t’i dhënë mbështetjen tonë të fuqishme, edhe njëherë i drejtohemi faktorit ndërkombëtarë që vendosmërisht dhe me urgjencën më të madhe që e lypin sot këto çaste:
– të angazhohet që të ndalojë menjëherë ekspeditat ndëshkimore gjenocide të regjimit kriminel serb ndaj popullatës shqiptare në Kosovë,
– të angazhohet që të parandalojnë provokimet e konfliktit luftarak të Serbisë ndaj Kosovës,
– të nxjerrë para Gjykatës së Hagës për krime ndaj popullatës së pambrojtur civile të Kosovës dhe për krime ndaj njerëzimit, përfaqësuesit e regjimit militar serb që urdhëruan masakrën e Drenicës dhe masakrat e tjera nëpër Kosovë,
– të angazhohet me vendosmëri dhe urgjencë për njohjen e kërkesave legjitime dhe demokratike të shqiptarëve për pavarësi të Kosovës, e vetmja zgjidhje që populli shqiptar në Kosovë mund t’i garantojë dinjitet të barabartë kombëtare në Europën e sotme dhe mund t’i sigurojë mbrojtje të qëndrueshme nga agresioni dhe gjenocidi serb.
Ne, shqiptarët në Maqedoni, të mbledhur sot në Shkup, manifestojmë solidaritetin tonë të fuqishëm kombëtar në mbrojtje të Kosovës dhe në mbështetje të kërkesave legjitime të lëvizjes kombëtare të Kosovës për pavarësi dhe deklarojmë se Kosovën do ta mbrojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë.
06.03.1998, Shkup”.
Duhet theksuar se tubimi madhështor që u mbajt më 6 mars1998 në sheshin e Shkupit i tronditi qarqet e atëhershme politike e shtetërore maqedonase. Thuajse pa përjashtim, partitë politike maqedonase, tubimin e 6 marsit, por edhe atë të një dite më parë të Tetovës, e dënuan si “protesta njënacionale” dhe si “reagime të pashembullta për ngjarjet në shtetin tjetër”.
Krejt në fund, më duhet të them se tubimi protestues i Shkupit ishte një fitore e madhe për shqiptarët në trojet e tyre etnike në Maqedoni, sepse dy partitë politike shqiptare, PPD-ja dhe PDSH-ja, pas shumë zënkave dhe përplasjeve, arritën ta tejkalojnë vetveten, duke e ftuar elektoratin e tyre që të gjithë së bashku, pa dallim përkatësie partiake, të dalin në tubimin protestues në mbrojtje të vëllezërve të tyre shqiptarë në Kosovë. Lidhur me këtë, ende më është i freskët momenti kur kryetari PDSH-së, z. Arbër Xhaferi, kërkoi që unë, në cilësinë e kryetarit të PDSH-së – Dega Karshiakë, të shkoj në Komunën e Studeniçanit dhe t’ia shtri dorën e pajtimit kryetarit të atëhershëm të komunës, Eshref Iseni, i cili vinte nga radhët e PPD-së. Natyrisht, këtë porosi, unë së bashku me bashkëveprimtarët e mi, por edhe Eshref Iseni me bashkëpartiakët e tij, e kryem me një ndershmëri dhe përgjegjësi të plotë kombëtare dhe, ashtu të bashkuar, arritëm të bëjmë mobilizimin e disa mijëra shqiptarëve të krahinës së Karshiakës për të marrë pjesë në atë tubim madhështor e historik në mbrojtje të Kosovës.













