Me të drejtë mund të thuhet se, përgjatë periudhës së Holokaustit, ishin shqiptarët dhe arabët e Palestinës, që më së shumti u kishin ofruar ndihmë hebrenjve të përndjekur. Megjithatë, nuk ishte menduar ndonjëherë se shqiptari do ta përkrahte pushtuesin në krime të llahtarshme dhe do ta arsyetojë uzurpimin e shtëpisë me dhunë ndaj nikoqirit shpirtgjerë. Erdhi koha kur populli që mishërohej me të përvuajturit, trishtueshëm të nxjerrë liderë që qëndrojnë zëshëm dhe me krenari përkrah gjakatarëve. Madje, jo vetëm liderë, por edhe institute, intelektualë e gazetarë, ndonëse në heshje, këtë kataklizmë e ndihmuan edhe disa hoxhallarë.
Shkruan: Iljasa SALIHU, Shkup
Pasi në vitin 1948 Palestinën, e pushtuar nga britanikët, sërish e pushtuan izraelitët, madje duke e krijuar dhe shpallur shtetin e tyre në tokë të huaj, në vendin e atyre që zemërgjerësisht i kishin pritur të dëbuarit nga vendet europiane, sakaq këtë vend e tkurrën dhe vrullshëm iu turrën, duke dëbuar, vrarë e burgosur palestinezët në vatrat e tyre, tani duan edhe atë pak copë të vendit, Gazën, ta marrin prore që, mes tjerash, të harrohet e tëra, Palestina, banorët e së cilës i vranë, burgosun dhe përzunë, shumica e të cilëve sot (mbi)jetojnë dhe presin vdekjen në Gazë. Kësisoj, pasi e pushtuan Palestinën, tani duan ta pushtojnë edhe Gazën, që ka një sipërfaqe prej 360 kilometra katrorë, pak më pak se qyteti i Kumanovës, por që në këtë vend të larë me gjak jetojnë dy milionë banorë, që i bie sikurse tërë banorët e Maqedonisë së Veriut të jetojnë në një qytet pak më të vogël se Kumanova. Mbase për të qenë tragjedi e shkuar tragjedisë, këta dy milionë banorë po luftojnë dhe rezistojnë kundër pjesës më të zhvilluar të botës, përfshirë këtu edhe 21 shtetet arabe, që gjithsej kanë 364 milionë banorë, të cilët tërthorazi kanë gisht në tërë këtë plojë palestineze. Dukuria e këtij pushtimi dhe e kësaj gjëme ngjan me atë të cilit ia vjedh bukën dhe pastaj nga ajo bukë ia jep një pjesë të saj dhe vjedhësi pret që ai, si i uritur dhe si i vjedhur, ta falënderojë vjedhësin për bukën e dhënë!
Kësodore, pasi prej krej skajeve të Palestinës i ngujuan palestinezët në Gazë, filluan sërish t’i sulmojnë dhe t’i bllokojnë në mënyrë që edhe këtë vend t’ia bëjnë ferr dhe terr, prej të cilit sa më parë duhet larguar, ngaqë për pushtuesit Gaza shihet si llogori dhe beteja e fundit, kurse për të pushtuarit shihet përmbysja përfundimtare e këtij rendi ekzistues botëror me gjithë këta faraonë të kësaj kohe. S’do mend se këtë yrysh në masë edhe më të madhe e morën me rastin e ardhjes në pushtet të Trampit, plani i të cilit është krijimi i ferrit, fillimisht në Gazë dhe, pasi t’i japë rezultatet e duhura ky ferr, të shkohet me hapin tjetër të radhës, duke e krijuar rivierën e Lindjes së Mesme në Gazë, ndonëse duke harruar i shkreti se këtë popull të pashoq për nga trimëria dhe rezistenca, kurrën e kurrës nuk mund ta çrrënjosë dikush. Madje, presidenti i tanishëm, duke marrë cilësi të Zotit, po harron se thjesht është një nevojtar dhe një vdekatar si të gjitha krijesat në tokë, të cilat në çdo gjë kanë kufizime dhe afatizime. Ky dhe gjithkush duhet ta mësojnë faktin se populli palestinez për një rrogë më të mirë nuk e lëshon atdheun, as për një jetë më të mirë prindërit nuk i lënë vetëm, madje as për shpëtimin e jetës së tyre këta nuk largohen, ngaqë tashmë është vështirë të gjesh njeri që nuk ka lindur në valën e luftës dhe të pushtimit, e po ashtu që nuk është rritur në një atmosferë armësh dhe sërish jetën dhe vdekjen aty të mos e kenë bërë! Shumica e atyre që kanë lindur në vitin 1948 në Palestinë, ashtu sikurse paraardhësit e tyre, tashmë i kanë varret aty dhe nuk jetojnë më. Ata nuk i kanë trimëritë në këngë dhe në sallone dasmash, as arsyetimet në xhep për atë se si nuk ia vlen të jetohet në vendlindje. Madje, vetë krahasimi i këtij populli me ndonjë popull tjetër është nënçmim më vete.
Për rrjedhojë dhe mes shumësisë së krimeve në Gazë, atje mungon valuta zyrtare palestineze. Mungon qasja në portet detare. Mungon armëpushimi i përkohshëm. Atje, të paktën, nuk janë të kursyer nga shënjestra e tytave as për Ramazan dhe as për Bajram. Mungon e drejta për t’u ushqyer lirshëm, ngaqë pushteti dhe pushtuesi izraelit ka përpiluar listë ushqimore për të ngujuarit. Fjala vjen, makarona nuk mund të hanë, për arsye se pushteti dhe pushtuesi këtë e vlerëson si lëndë për armatosje. Në Gazë po ndodh gjenocid i paparë para syve të botës.Madje, kjo po rrjedh me aminin e botës së zhvilluar, në kuptimin teknologjik, por aspak moral dhe njerëzor. Pushteti dhe pushtuesi i tanishëm po i vret kryesisht fëmijët, ngaqë pushteti dhe pushtuesi pak pleq kanë lënë pa i vrarë, ndonëse arritja e pleqërisë në Palestinë është e rallë dhe si e tillë shumë e vlefshme! Vetëm në betejën e fundit i kanë vrarë mbi 50 mijë njerëz, kryesisht fëmijë dhe deri më tani 211 gazetarë, kurse në anën tjetër në gishta i ke gazetarët që mishërohen me kolegët e tyre, ngaqë kanë dhënë kokat dhe gishtat me qera nëpër qendra gjoja të lira dhe demokratike. Ky pushtet dhe ky pushtues po i bombardon spitalet, shkollat, kishat, xhamitë dhe stafin mjekësor në lëvizje. Sërish heshtje dhe prapë i zë pluhuri nga mosshfletimi i gjithë atyre konventave që flasin për të drejtat universale të njeriut. Megjithatë, në Gazë më së paku po vdesin njerëzit dhe më së shumti po dëshmohet kafshëria brenda qenies me pamje njeriu. Po ashtu, në Gazë po vizatohet vija e thellë mes të shiturve dhe të drejtëve, mes Faraonit dhe Musait, mes Hitlerit dhe hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, mes Millosheviqit dhe shqiptarëve. Gaza, më tepër se një varr i njerëzve, po shndërrohet në një varr masiv të vlerave që deri më tani na kanë lodhur. Por, kur qe rasti për të ardhur në shprehje, ato me vrik dhanë shpirt, ngaqë të pashpirtët i kishin themeluar dhe përuruar.
“Ra ky mort dhe u pamë”, është një shprehje popullore, përmes së cilës tregohet se miku i mirë njihet në ditë të vështira dhe, tjetra, “Shqiptari më parë e jep jetën sesa e thyen besën”. Edhe kjo është po ashtu shprehje nga thesari ynë popullor, përmes së cilës tregohet rëndësia e fjalës së dhënë dhe dalja në mbrojtje e shtypurve. Rrjedhimisht, për shkak të përndjekjeve të shumta nga pushtues të ndryshëm, shqiptarët – si rrallëkush – e kishin kultivuar ndjenjën e empatisë, madje kishin krijuar një intitucion të veçantë që quhej BESË. Për këtë institucion kaq të rëndësishëm në vitin 1874 në Stamboll Sami Frashëri kishte shkruar libër, në të cilin orvatej t’i paraqiste shqiptarët në një vështrim dhe në një dritë tjetër para osmanëve, duke njoftuar kështu për moralin, vlerat, zakonet e traditat e shqiptarëve, të cilët i mendonte si një element tejet të rëndësishëm të Perandorisë. S’do mend jo se ishim popull i pabesë, por se ishim popull i dëbuar dhe i privuar nga insitucionet shtetërore, besën e kishim ligj e shkuar ligjit, fjalë të dhënë, përmbushjen e së cilës e kishim të patjetërsueshme, qoftë edhe nëse bëhej fjalë për dhënien e jetës, pra më parë e jepnin jetën sesa e thyenin besën. Ngaqë kishim besë dhe besim, në kohën kur Hitleri përgjatë Luftës së Dytë Botërore i ndiqte këmba-dorës hebrenjtë, shqiptarët ishin ata që i strehuan, që i ndihmuan dhe që i ushqyen ikanakët nga dora gjakatare e Hitlerit, jo pse këta ishin hebrenj, por sepse para se gjithash ky popull i nënshtrohej kasaphanes. Mirëpo, kurrë nuk ishte menduar se do të vinte dita që Hitleri të imitohej me përpikëri nga viktimat e tij dhe kështu do të krijohej edhe një tollovi mes shqiptarëve, të cilët kurrë nuk kanë pushtuar, asnjëherë nuk kanë qenë përkrah krimit dhe janë shquar me besën dhe me mishërimin, ndërsa sot për interesa meskine, shumë syresh, madje pikërish jaka e bardhë e karrigeve të larta, dolën përkrah kriminelëve të luftës dhe pushtuesve të qartë. Madje, me të drejtë mund të thuhet se, përgjatë periudhës së Holokaustit, ishin shqiptarët dhe arabët e Palestinës, që më së shumti u kishin ofruar ndihmë hebrenjve të përndjekur. Megjithatë, nuk ishte menduar ndonjëherë se shqiptari do ta përkrahte pushtuesin në krime të llahtarshme dhe do ta arsyetojë uzurpimin e shtëpisë me dhunë ndaj nikoqirit shpirtgjerë. Erdhi koha kur populli që mishërohej me të përvuajturit, trishtueshëm të nxjerrë liderë që qëndrojnë zëshëm dhe me krenari përkrah gjakatarëve. Madje, jo vetëm liderë, por edhe institute, intelektualë e gazetarë, ndonëse në heshje, këtë kataklizmë e ndihmuan edhe disa hoxhallarë, që për të qenë mirë me politikanët, janë në gjendje t’i japin të drejtë edhe Faraonit për arsye se i paskësh mbajur me bukë disa nga skllevërit e tij. Për fat të mjerë, deri më sot as Kurti dhe as Rama nuk e kanë dënuar atë që po ndodh në Gazë. As mediat me shikueshmëri më të lartë në vend. As institutet, të cilat nuk përtojnë ta dënojnë sulmin e Hamasit dhe në prapavijë ta mbajnë flamurin e Izraelit, të cilët kurrë asnjë shkronjë dhe fjalë të vetme nuk e thanë për këtë gjenocid që po kryhet tashmë e disa dekada para syve dhe hundëve tona. E aktrojnë të verbërin pranë fëmijëve që po mbesin pa prindër, prindërit pa fëmijë, fëmijë që vdekja po u troket, në mos prej bombave, sigurt prej urisë, besimtarë të cilët për një ditë ua falin namazin e xhenazes mbi 100 njerëzve dhe të nesërmen bëhen vetë ata për t’ua falur namazin e xhenazës dikush tjetër. Gjymtyrët po u fluturojnë atyre që me çdo çmim kanë vendosur të qëndrojnë nëpër vatrat e tyre, kurse të ashtuquajturës shtresë e lartë kjo as nuk i bën përshtypje. Harruan shpejt të gjorët se hiç më larg se para njëzet vjetësh, edhe pse në përmasa më të vogla, tehut të ngjashëm vetë këta u ishin ekspozuar. Harruan se sa rëndë është të (mbi)jetohet nën pushtim dhe në kuadër të këtij pushtimi të dëbohesh, të vritesh e të burgosesh. Megjithatë, Rama e Kurti – si dy liderë shqiptarë me pushtet të plotë – heshtin. E për të qenë tmerri edhe më i tmerrshëm, në fillim të prillit Rama u ofroi përkrahje konkrete dhe të hapur gjakpirësve, edhe atë në emër të popullit, ndonëse e di ai se shumica dërrmuese e popullit është kundër asaj çfarë po bën pushtuesi dhe pushteti izraelit. Pikërisht ata që shquheshin për besë, e thyen dhembshëm besën ndaj atyre që njëmendësisht u duhet mbështetja, sepse sinqerisht dhe realisht ata janë në të drejtën e tyre.
Sidoqoftë, një ditë kjo plojë do të kalojë. Do të fitojë i drejti. Kryerësit dhe përkrahësit e këtij gjenocidi do ta marrin dënimin e merituar përmes ligjeve, kurse disa të tjerë do t’i gërryejë ndërgjegja deri në vdekje, pikërisht ata që moralisht dhe shtetërisht e përkrahën një krim lufte, që tashmë shumë ekspertë të OKB-së atë që po ndodh në Gazë e quajnë një gjenocid. Po ashtu, “Human Rights Watch”, “Amnesty International”, “Mjekët pa Kufij” janë mjaftueshëm të bindur se në Gazë kemi të bëjmë me krime lufte dhe se atje po ndodh një gjenocid.