Në këtë numër të revistës SHENJA do të publikojmë Elaboratin e hartuar në janar të vitit 1929 nga atasheu ushtarak jugosllav në Tiranë, ku ai bën një përshkrim të hollësishëm për krerët dhe bajraktarët e krahinave më të ndryshme të shtetit shqiptar, kryesisht të krahinave veriore, për udhëheqësit më të të lartë politikë e shtetërorë shqiptarë, si dhe përpjekjet jugosllave (serbe) për përfitimin e tyre, të cilat përpjekje bëheshin, kryesisht, përmes shpërndarjes së një shume të majme të parasë.
Shkruan: Qerim LITA, Shkup
Nënshkrimi i “Paktit për miqësi” (Tiranë, 27 nëntor 1926) dhe menjëherë më pas edhe “Pakti Aleanca e Mbrojtjes” (22 mars 1927) midis Shqipërisë dhe Italisë, i acaroi marrëdhëniet politike midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS-së). Në fakt, përkeqësimi i tyre u duk që në momentin kur Ahmet Zogu refuzoi që t’i dorëzojë refugjatët politikë, të cilët ishin strehuar në Shqipëri. Autoritetet e atëhershme qeveritare të Beogradit, të pakënaqur me sjelljen e Zogut, menjëherë ndërmorën veprime për rrëzimin e tij. Për këtë qëllim, ata së shpejti organizuan disa bajraktarë, të cilët provokuan Kryengritjen e Dukagjinit, e cila në nëntor të vitit 1926 u shtri pothuajse deri në Shkodër.
Faktet e dokumentuara dëshmojnë se pretendimet territoriale të qeverisë së Mbretërisë së SKS-së (më vonë jugosllave) ndaj Shqipërisë nuk do të shuhen asnjëherë, derisa ajo ekzistoi si e tillë. Për këtë qëllim përfaqësuesit e saj diplomatikë e ushtarakë ishin të porositur që të mos lejojnë një Shqipëri stabile e funksionale. Madje, për mbajtjen e një situate të tillë, qeveria jugosllave shpenzonte rreth 130.000 fr. ari në muaj, mjete të cilat ua shpërndante personave të ndryshëm, kryesisht kundërshtarë të qeverisë së Ahmet Zogut. Këto mjete shpërndaheshin në qytetin e Shkodrës, i cili gjatë viteve të njëzeta të shekullit të kaluar qe shndërruar në qendër operative të shërbimit informativ jugosllav. Ndër krerët më të njohur që merrnin paga të rregullta mujore duhet veçuar Tahir Shtyllën, i cili merrte nga 30 napolona në muaj, pastaj bajraktari i Mirditës, Marka Gjoni, më vonë trashëgimtari i tij, Gjon Marka Gjoni, të cilët me vite të tëra pranonin nga 100 napolona në muaj si “shpërblim nderimi” e shumë të tjerë.“Të pranosh para nga një shtet i huaj në Shqipërinë e atëhershme nuk konsiderohej të jesh i paguar i atij shteti, në kuptimin negativ apo tradhtar, thuhet në një dokument të hartuar në vitin 1952 nga UDB-ja jugosllave, përkundrazi, ajo ishte shenja e miqësisë ndaj atij shteti dhe mirënjohje për atë që i pranon. Në këtë pikëpamje nevojitej kujdes i veçantë. Një bajraktar fisnor me ndikim detyrimisht duhej të marrë kuotë më të madhe se ai me më pak ndikim, që ky i dyti në momentin e dhënë ishte shumë më tepër i dobishëm për shërbimin. T’i japësh rrogë mujore prej 100 napolona bajraktarit të Mirditës për botëkuptimin e atëhershëm shqiptar ishte në rregull, mirëpo do të bëhej gabim i madh nëse e njëjta shumë do t’i jepej edhe bajraktarit fushor. Kështu do të dëmtohej autoriteti jo vetëm i bajraktarit mirditor, por edhe i fisit të tij, pa marrë parasysh se a dihet kjo apo jo”.
E pashë të arsyeshme t’i referohem dokumentit të mësipërm, nga shkaku se dukuri të tilla të shëmtuara janë shprehur dhe vazhdojnë të shprehen edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ende i kemi të freskëta ndodhitë e dhjetorit të vitit 2000, kur ra qeveria e Lubço Georgievskit, pasi paraprakisht partia Alternativa Demokratike e Vasil Tupurkovskit, e cila numëronte gjithsej 14 deputetë, u tërhoq nga shumica parlamentare. Në ato rrethana, Lubço Georgievski dhe partia e tij, VMRO DPMNE, për të siguruar shumicë të re, krahas Partisë Demokratike Shqiptare të Arbër Xhaferit dhe Partisë Liberale të Stojan Andovit, me të cilat kishin arritur marrëveshje politike për bashkëqeverisjeje, qenë detyruar të zhvillojnë “negociata të fshehta” edhe me disa deputetë të partive opozitare, në radhë të parë me një krah të deputetëve të AD-së, por edhe me një numër të konsiderueshëm të deputetëve të Partisë për Prosperitet Demokratik të Abdyrrahman Halitit, duke u premtuar atyre privilegje të shumta, me kusht që gjatë votimit të qeverisë së re ata të votojnë pro ose së paku të jenë të përmbajtur. Më vonë, nga goja e vetë këtyre protagonistëve u përfol se një pjesë bukur e mirë e tyre, si kundërshpërblim për “besnikërinë” ndaj fjalës së dhënë, qeveria u “dhuroi banesa luksoze”, por edhe “para kesh”. I njëjti skenar u përsërit vetëm para disa ditëve, kur opinioni i këtushëm dhe më gjerë u njoftua për “zhdukjen” misterioze të një deputeti, i cili paraprakisht me vullnetin e tij e kishte deponuar nënshkrimin për rrëzimin e qeverisë. Po ky deputet, pasi e kreu në përpikëri detyrën e dhënë nga padroni i tij, pa fije turpi deklaroi para opinionit të gjerë shqiptarë dhe jo vetëm se tërë atë veprim të vetin e kishte bërë në emër të “kauzës kombëtare dhe fetare”, si dhe në emër të “integrimit sa më parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian”.
Nisur nga kjo, e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës SHENJA ta publikojmë Elaboratin e hartuar në janar të vitit 1929 nga atasheu ushtarak jugosllav në Tiranë, ku ai bënte një përshkrim të hollësishëm për krerët dhe bajraktarët e krahinave më të ndryshme të shtetit shqiptar, kryesisht të krahinave veriore, për udhëheqësit më të lartë politikë e shtetëror shqiptar, si dhe përpjekjet jugosllave (serbe) për përfitimin e tyre, të cilat përpjekje bëheshin, kryesisht, përmes shpërndarjes së një shume së majme të parasë. Origjinali i dokumentit gjendet në Arkivin e Institutit Ushtarak Jugosllav në Beograd, ndërsa një kopje e tij ruhet edhe në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
* * *
“Rreptësisht e Besueshme”
Proc. Num.1 Tiranë 1 janar 1929
KRYESHEFIT TË SHTABIT TË PËRGJITHSHËM
PASQYRË E SITUATËS SË FISEVE DHE BAJRAQEVE NË MBRETËRINË SHQIPTARE DHE TË DHËNA PËR NJERËZIT ME NDIKIM DHE TË POLITIKANËVE NË SHQIPËRI
Vendbanimet e Shqipërisë Mbretërore, në përgjithësi, u takojnë fiseve gegë dhe toskë.
Fisi gegë shtrihet në pjesën veriore të Shqipërisë, deri te ndarja e lumenjve Arzena dhe Ishme, ndërsa toskët në pjesën jugore të Shqipërisë.
Kushtet natyrore, ndikimet etnike dhe, para së gjithash, marrëdhëniet socio-ekonomike kanë ndikuar me shekuj që këto dy fise të kenë jetë të ndryshme në krijimin e vendbanimeve.
Përveç kësaj, Shqipëria e Veriut gjithmonë ka qenë edhe çelësi për qeverisjen e shtetit shqiptar, sepse fiset i kanë ruajtur traditat e veta, udhëheqësit e tyre dhe ndjenjat për t’iu përgjigjur thirrjeve – edhe me armë – të udhëheqësve të vet dhe figurave më me ndikim të fisit të tyre. Fuqitë e ndryshme ndërkombëtare, që kanë qëndruar ose edhe sot kanë pretendime ndaj Shqipërisë, kanë ndikuar në përcaktimin politik te disa udhëheqës, e me këtë edhe në orientimin e tërësishëm të disa fiseve dhe bajraqeve. Në këtë mënyrë, me dekada është krijuar një korrupsion në kuptimin e plotë të fjalës, që do të ngelë si stimul më i rëndësishëm dhe më kryesori për veprimtari dhe orientim të disa fiseve. Dëshira dhe simpatia ideale ngel vetëm në fjalë nëse nuk stimulohet me ari. Krejt kjo përfundon “me vëzhgim pasiv deri te kushtet e volitshme, derisa nuk arrin ari nga njëra ose ana tjetër”.
Malësorët, të mprehtë dhe të rëndësishëm, janë të lidhur për udhëheqësit e tyre; udhëheqësit, psikologë të shkathtë dhe të lidhur pas pushtetit dhe PARASË, – e dinë vlerën e tyre si elementë në politikën e popullit në këtë pjesë të Ballkanit – dhe asnjëherë nuk dëshirojnë të mashtrohen që pa çmim ta bashkëngjisin fuqinë e tyre.
Se si disponimi i brendshëm aktual politik në Shqipërinë e Veriut – për shkak të lidhjeve të vjetra me Serbinë Mbretërore dhe ish-Austro-Hungarinë dhe vullnetin tonë të qartë për pavarësinë e Shqipërisë dhe centralizimi e pushtimi qorras i Italisë – shkon në favorin tonë, prandaj besoj se gjasat tona në pikëpamjen e orientimit politik të Shqipërisë së Veriut – Itali – Serbi janë më të mëdha dhe nëse punohet me mençuri dhe në mënyrë sistematike, atëherë do të jenë të vetmet.
Kuptohet se regjimi mbretëror – italian-shqiptar (ose më mirë thënë Ahmed-Musolini) e di mirë gjendjen e këtyre marrëdhënieve dhe bën çmos që autoritetin e disa krerëve dhe shefave, nëse nuk mund ta zhduk atëherë bile ta dobësojë.
Meqenëse regjimi është i fuqishëm, i paskrupullt dhe ndërmerr masa shumë të rrepta, ndikimi i tij po vërehet edhe te më të pavarurit dhe më të pakënaqurit – dhe të gjithë shefat e mbajnë kryen ulur dhe kështu duke heshtur e ruajnë jetën e tyre.
Sado që regjimi të jetë i ashpër dhe i fuqishëm, përsëri dëshira për pavarësi dhe “UDHËHEQJEN E FJALËS SË VET” nuk do të zhduket te ky malësor luftarak. Ai e pret ditën e tij, ai e di se nuk do të jetë i vetmuar, sepse në mënyrë të shkëlqyeshme i kupton qëndrimet politike të vendeve të huaja. Në anën tjetër, ky moment na mundëson që përsëri t’i përforcojmë lidhjet tona të vjetra dhe të ardhmen e këtyre fiseve ta ndajmë me të ardhmen tonë në këtë pjesë të Adriatikut…
Të gjitha lidhjet e vjetra të krijuara, të gjitha simpatitë, ende nuk janë shuar, të gjitha ndihmat, në formë të ndihmës mujore, nga ana jonë nuk janë ndalur, por – marr liri dhe përgjegjësi të plotë për këto të dhëna të them – e tërë puna jonë shtetërore në Shqipëri është tërësisht burokratike, pa kuptim dhe pa orientim, pa i njohur rrethanat, si dhe pa vullnet. Ka edhe përjashtime, por ato janë të vetmuara, të përkohshme dhe, sipas hapësirës, edhe këto paraqesin vetëm AMBICIE PERSONALE.
Përfaqësia Mbretërore (jugosllave – Q.L.) në Shqipëri, në emër të ndihmave, u lëshon shuma prej mbi 130.000 fr. ari në muaj (kredi të lidhura me emër) personave me vlerë dhe pa vlerë dhe në të shumtën e rasteve kjo shumë rritet, si edhe emrat që për shkak simpatisë personale shumëzohen.
Një qëllim i caktuar, metodë e kuptueshme, lidhja dhe organizimi solid janë të panjohura. Për këto Shpeshherë vetëm flitet, për shkak të arritjes së popullaritetit – dhe me këtë ngel gjithçka, sepse veprimtaria në këtë drejtim njeh SUKSES DHE MOSUKSES, ndërsa burokracia politiko-partiake dëshiron vetëm të ketë një paraqitje të mirë te regjimi, duke i anashkaluar shumë tepër ndërmarrjet e vlefshme dhe dobiprurëse – të cilat mund të mos kenë sukses, edhe për shkak të arsyeve personale dhe arsyeve të tjera më të forta dhe më të dobëta.
Para se të mundohem ta paraqes gjendjen te fiset e Shqipërisë së Veriut, e shoh veten të lirë të them se së pari duhet bërë përzgjedhjen e njerëzve, të cilët do të punojnë për ne në Shqipëri. Sipas burimeve të mia, gjatë një viti qëndrim këtu në Shqipëri (krahas punës në shërbimin informativ) kam krijuar bindjen se shqiptari së pari kërkon një njeri të fuqishëm dhe intelektual që të punojë me të, përndryshe është i palënduar, apatik dhe gjithçka lejon, madje edhe premton; nuk mund të krijohet besim për veprimtari serioze dhe gjithçka përfundon deri te pranimi i parave.
Së dyti, shqiptari dëshiron një njeri i cili deri në imtësi e kupton atë, njeri i cili nuk është burokrat, njeri i cili është psikolog i mirë, thënë shkurt njeri i cili për gjithçka është më i ngritur se ai dhe i cili imponohet për nga fuqia e karakterit, dëshirës, punës dhe inteligjencës.
Së treti, shqiptari e adhuron figurën e njohur, të cilën ai e njeh dhe i cili i njeh të gjitha detajet e tyre (shqiptare).
Sipas mendimit tim, figurat që kanë emër në Shqipëri, që i njohin krerët dhe kanë besim të plotë janë:
z. Luba Neshiq, z. Millan Jovanoviç dhe z. Bogolub Jeftiç, zyrtarë të lartë diplomatikë (për Malësinë – Dukagjinin dhe Mirditën), z. Stojan Dajiq, ish-deputet i popullit dhe gjen. Kataniq (për Dibrën, Lumën dhe Krasniqen).
Nëse këto figura do të paraqiteshin në Shkodër dhe Tiranë ose, në përgjithësi, në terren, kam bindje të plotë që ideja jonë për shtrirjen tonë në anën e djathtë të Shkumbinit – në rast konfliktit me Italinë, do të ishte një operacion i pastër dhe tërësisht i sigurt me popullin aleat.
Në anën tjetër, nëse vazhdohet puna e deritanishme – paratë do të shkojnë edhe më tutje në fjalë boshe dhe bërjen e kombinimit diplomatik, që sjellin kënaqësi momentale nëpërmjet shkresave zyrtare.
Cilët njerëz janë të paguar, si edhe cilat figura mendohet se janë “tanët” ose kundërshtarë dhe përse, nga përfaqësuesit tanë, nuk kam mundur të informohem, edhe pse ekzistojnë ato lista, sepse ato konsiderohen edhe fshehtësi tejet sekrete – arsyeja e vërtetë qëndron në atë, nuk mund të mos e potencoj, se ekziston frika se unë (ushtria – përvoja me kolonel Prediqin) të mos arrij të kontaktoj me ta – me këtë t’ua marr një pjesë të popullaritetit.
Siç dihet, në Shqipëri nuk ka parti politike. Deri vonë partitë dhe figurat partiake ndaheshin sipas simpative të tyre ndaj shteteve fqinje: parti pro-serbe, parti pro-italiane etj. Nga ardhja e Fan Nolit në qeveri u krijuan dy grupe të mëdha: grupi Fannolist dhe ai Ahmetist, të cilët me vete kishin njerëz nga partitë me ndikim pro-serbe dhe nga partitë me ndikim pro-italian. Në anën tjetër, me rikthimin e Ahmet beut në pushtet në Shqipëri, u përforcua fitorja e Ahmetistëve dhe partive pro-italiane; Fannolistët, serbofilët dhe të gjithë të tjerët u detyruan ose ta ulin kryet dhe të tërhiqen tërësisht nga jeta publike ose të emigrojnë. Ata të cilët ngelën në vend u bënë armiq tanë, si edhe Ahmet beu. Ata të cilët emigruan, në një shumicë më të madhe, u bënë të paguarit tanë (nuk do të thotë se edhe miq) – ose janë pranuar nga Italia për shkak të ruajtjes ose për shkak kërcënimit të Ahmetit.
Të gjithë miqtë e dikurshëm, që kanë ngelur te Ahmeti dhe u bënë rojet e tij, njëkohësisht janë bërë edhe italofilë të mëdhenj dhe armiq tanë dhe falë pasivitetit dhe neglizhencës, për ne janë të humbur.
Në të vërtetë, kjo “janë të humbur” nuk do të thotë që një ditë, kur rrethanat do të ndryshonin në favorin tonë, apo ne me forcë do të futeshim në Shqipëri, këta njerëz do ta lëshonin Shqipërinë, duke ikur prej nesh. Përkundrazi, këta me shumë kënaqësi do të na pritnin dhe do të na shërbenin jo vetëm neve, por edhe vetë dreqit të mallkuar, vetëm e vetëm që sa më mirë ta shfrytëzojnë situatën – duke u imponuar.
Të njëjtit njerëz, të cilët deri në vitin 1926 para përfaqësuesve dhe arkave tona e hiqnin thellë kësulën, posa e panë se dikush ofron edhe më shumë, në mënyrë heroike na e kthyen shpinën dhe në mënyrë të vazhdueshme e kthejnë kokën mënjanë, sepse edhe takimi dhe shikimi ynë tash i nevrikos.
Sistemi dhe metoda e politikës që e udhëheq Ahmet beu (italo-shqiptare), mënyra e zgjedhjes së legjislatives, përbërja e qeverisë etj. shkon në atë që të përjashtohet çdo lloj mundësie e ndikimit tonë dhe të mundësojë zhvillimin dhe jetën e vetëm një grupi, vetëm të një partie – Ahmet – Itali. Suksesi i Ahmetit dhe suksesi i Italisë janë të qartë dhe të sigurt. Më së paku do të gabohej nëse shteti dhe regjimi të thirreshin Italo-Shqipëri dhe italo-shqiptare.
Politikanët më me famë, nga shkaku se janë njerëz të sigurt të Ahmetit, tash edhe të Italisë, si si dhe për shkak se me dëshirën e tyre mbajnë poste të rëndësishme janë:
Abdyrrahman Sali Krosi, i besuari i Ahmet beut, i njohur si dora e djathtë e tij, për të gjitha krimet dhe engjëll i tij, truproje dhe këshilltar. Armik i përbetuar i yni dhe i të gjithë atyre që ende shpresojnë te ne.
Vangjel Vangjeli, kryetar i Parlamentit, i nënshtruar për toke ndaj Ahmetit, mik i ngushtë i Italisë. Neve nuk mund të na shohë me sy.
Kosta Kota, tash kryetar i Qeverisë Mbretërore dhe Min. i Pun. të Brend.. Si rob i është nënshtruar Ahmetit dhe Italisë, me ndërmjetësimin e të cilëve ka ardhur deri te ky pozicion. Është i njohur si serbofob i hapur, ndërsa bullgarofil i madh; përderisa në Korçë fshatarëve u shkruante lutje, ishte edhe i paguari i Organ. Rev. Maqedonase.
Musa Juka, Min. i Bujqësisë, deri vonë i nënshkruari i përhershëm i listave të kredive tona të besueshme. Dikur i yni me zemër dhe trup, si u pagua nga Italia pak më shumë dhe mori ofertë për karrigen ministrore, kaloi në prehrin e tyre dhe sot është kundërshtari ynë, duke e harruar tërë atë çka ka qenë më parë.
Hiqmet Delvina, Min. i Drejtësisë – njeri pa kurrfarë vlere nëse nuk është Ministër. Ahmetofil – italofil.
XhaferYpi, Min. i Arsimit – shumë i besuar i Ahmetit.
Sali Vuçitërna, Min. i Ndërtimtarisë, shumë i shkolluar. Klerik (hoxhë – Q.L.) kosovar. Serbofob i madh dhe italofil. Krahas lojalitetit ndaj Ahmet beut për karrigen ministrore, duhet t’u falënderohet edhe italianëve, të cilët dëshirojnë ta kenë një ministër nga “viset ende të paçliruara”. Ky zotëri e shfrytëzon këtë pozitë duke zgjeruar propagandë te ne me dekretin e kryetarit të Italisë.
Krahas këtyre figurave me ndikim dhe autoritet, në Shqipëri ka edhe shumë të tjerë, por janë tërhequr dhe nuk zhvillojnë aktivitet.
Për anëtarët e Parlamentit nuk ka kuptim këtu të flitet, sepse të gjithë ata janë elementë të verbër në duart e Ahmet beut dhe italianëve. Ataku ose rikthimi më i thjeshtë përsëri do t’i kthente ata në zero dhe nëse ne u japim mjete dhe para, përsëri do të ishin tanët, sepse ata vetëm ashtu besojnë; do të punonin siç dëshirojmë dhe siç duam ne. Vetëm se nga ana jonë duhet të dihet se çka duam dhe si të veprohet. Nëse dëshirojmë të kemi interes edhe më tej në Shqipëri, nëse dëshirojmë të futemi në brendi dhe në zemër të regjimit, si edhe në rast të ndonjë ngjarjeje eventuale, a nuk do t’i kishim njerëzit tanë këtu (përveç atyre në emigracion)? Duhet që tani të bëjmë përgatitjen e njerëzve. Besoj se ata mund të gjenden madje më të mirët për nga kualiteti dhe karakteri. Vetëm se për këtë nevojitet një veprimtari e shkathtë, t’i mbështesim dhe përgatisim – por edhe të kemi një sjellje të mirë dhe korrekte me ta – duke mos kërkuar nga ata të jenë agjentë dhe të trajtohen si të tillë.
Myslimanët janë pak a shumë të kënaqur me Ahmet Beun, si myslimanë, por jo edhe të fuqishmit, sepse në mesin e tyre ka edhe shumë të krishterë.
Në anën tjetër, katolikët nuk janë përkrahësit e Ahmet Beut dhe, krahas asaj se ai është mysliman, është shumë karakteristike që katolikët, posaçërisht kleri i tyre, janë kundërshtarë të mëdhenj të Italisë.
Për punën tonë në Shqipërinë e Veriut kësaj dukurie fetare patjetër duhet t’i jepej një rëndësi e veçantë, edhe nga shkaku se klerikët janë njerëz të shenjtë, se ata duhet ta thonë fjalën e parë.
1. Shkalla e pavarësisë dhe aktivitetet e disa fiseve dhe bajraqeve
Pavarësia politike e bajraqeve dhe fiseve në Shqipërinë e Veriut, në mungesë të Prenk Bibë Dodës dhe Marka Gjonit, dhe krijimit të shtetit bashkëkohor (respektivisht për shkak të mjeteve me të cilët shteti dhe regjimi posedon), ka rënë në shkallë më të ulët. Partitë politike nuk ekzistojnë. Anëtarët e Parlamentit janë të zgjedhur nga kreu i shtetit dhe fiseve nuk u ngelë asnjë hapësirë për ta manifestuar politikën e vet të pavarur me mjete politike. Aktiviteti politik është në gjendje të njëjtë, sepse deputetët, të cilët u takojnë fiseve ose bajraqeve nuk munden dhe nuk guxojnë të udhëheqin politikën e fisit, por vetëm “politikën diktatoriale të Ahmet beut” (rasti me Kapiten Markun, deputetin nga Mirdita).
Në anën tjetër, pavarësia, sa u përket traditave të brendshme, besa dhe respekti për shtëpinë dhe shefin e së njëjtës, e cila me shekuj prodhon udhëheqës, është në shkallë të ndryshme. Ngjarjet e çerekut të shekullit XX, modernizimi dhe kushtet për jetesë gjithnjë e më të rënda, i kanë dobësuar shumë lidhjet dhe fuqinë e disa fiseve dhe bajraqeve, me çka edhe vetë peshën e pavarësisë – fuqisë dhe vendosmërisë së tyre.
Përderisa më herët si në aspektin territorial ashtu edhe jetësor (nga tradita dhe zakonet) ishin të njohur.
Malësia Veriore – Dukagjini i Madh – (Malësia e Shkodrës dhe Malësia e Gjakovës), në hapësirën veriore të Drinit, Mirdita – në mes të Drinit të Zi në perëndim Mati dhe Kruja, në lindje të Drinit të Zi, Luma dhe Dibra – e tërë kjo pjesë e Shqipërisë së Veriut sot numëron vetëm pesë fise, të cilët i kanë ruajtur lidhjet e tyre të brendshme dhe nga të cilët vetëm dy paraqesin ndonjë peshë të pavarësisë – Mati dhe Mirdita, ndërsa fiset e tjera të mëdha janë shkatërruar dhe një numër i madh (rreth 45) bajraqe të mëdha dhe të vogla janë pa kurrfarë vlere të pavarësisë.
Përderisa më herët me fjalën e Prenk Bibë Dodës dhe Marka Gjonit (si edhe të Esat Pashës) bëhej grumbullimi i pushkëve ndërmjet Matit dhe kufirit Verior, ndërsa Xhelal Zogu dhe Elez Isufi mundnin të grumbullonin përreth tyre tërë Matin dhe Dibrën, ndërsa Kryezinjtë dhe Currët, Lumën dhe Gjakovën – tash, në mungesë të kushteve të vjetra të ekzistencës, krijimin e shtetit modern dhe eliminimin e krerëve të vjetër dhe të fuqishëm, kushtet kanë ndryshuar shumë, por ende nuk janë zhdukur tërësisht.
Veprimtaria e shteteve të huaja në Shqipëri (në mënyrë speciale në Veri) ndikon ende në ruajtjen e bazës dhe traditës së vjetër. Diferenca dhe urrejtja shumë e madhe ndërmjet gegëve dhe toskëve (katolikëve dhe ortodoksëve) dhe dëshira e gegëve të jenë të pavarur dhe ta udhëheqin shtetin, qoftë të tërën apo personalisht të tyren, Shqipërinë e Veriut, bëjnë që pavarësia fisnore dhe provinciale ende të mund të konsiderohet në Veri. Ruajtja e lojalitetit ndaj parisë dhe krerëve të fuqishëm, si dhe shtëpive më me zë, por edhe fuqia e këtyre figurave në fis dhe provincë, bëjnë që kjo pavarësi të kihet parasysh dhe punohet të çrrënjoset, pasi është e dëmshme për rregullimin modern të shtetit.
Lufta është e pashmangshme nëse krerët e Shqipërisë së Veriut, përfaqësuesit gegë – katolikë të ngelin të vetmuar pa ndihmën e fqinjëve. Prandaj nuk është e rëndë të parashihet se do të bëhen pre nga sulmet e gegëve myslimanë, toskëve ortodoksë e myslimanë dhe Italisë.
Kjo luftë në dëm të Shqipërisë së Veriut e pamundëson aksionin politik në Shqipëri dhe i detyron krerët, që nëse nuk janë deklaruar pro regjimit, të ngelin të lirë vetëm në shtëpitë e tyre dhe rrethinës më të afërt, duke i ruajtur dëshirat dhe shpresat e veta dhe të fisit të tyre, në ndihmë morale dhe materiale nga fqinjët, në këtë rast nga ana jonë.
2. Ndikimi në ekzistencën shtetërore dhe lidhshmëria me situatën e tanishme në Shqipëri
Ruajtja tradicionale dhe permanente e fiseve më të mëdha e më të vogla në Veri dhe mundësia e grupimeve të tyre nën një udhëheqës dhe nën një ide të përbashkët, gjithmonë ka krijuar vështirësi të mëdha në udhëheqjen e tyre. Vështirësi të njëjta ekzistojnë edhe për regjimin aktual, andaj ruajtja e pushtetit, rendit dhe paqes në Shqipërinë e Veriut është parakusht për qeverisjen me tërë Shqipërinë e tanishme.
Ndikimi i fiseve veriore në këto çështje shtetërore, në zhvillimin dhe rregullimin e shtetit, është i padukshëm dhe posaçërisht nuk ekziston në pikëpamje aktive dhe përcaktuese, mirëpo për këtë, në pikëpamje pasive, respektivisht në pikëpamje obliguese të regjimit, në ndërmarrjen e masave të ndryshme kundër fiseve dhe bajraqeve, që nuk janë mbështetës të regjimit – ndikimi është i dukshëm dhe i rëndësishëm, si edhe mjetet e regjimit, që edhe ato bashkësi, që ende janë kundërshtarë, t’i përfitojnë – me dëshirë apo forcë. Kjo na jep të konstatojmë se duhet t’i vëzhgojmë pa ndonjë mund të madh… Duhet të pranohet se në pikëpamjen e aksioneve të këtilla regjimi tregon një psikologji të lartë dhe se gradualisht arrin, falë asaj, se shefat dhe krerët e fuqishëm dalëngadalë po varfërohen, po e humbin autoritetin për shkak të varfërisë dhe frikës së përhershme për kokën e tyre, ndërsa “lokalistët” e tjerë, të ndihmuar me tërë mjetet nga Italia – Ahmedi, ngrihen lart. Rivaliteti i tyre dalëngadalë do të kalojë në mesin e rretheve më të afërta të përkrahësve të tyre (të paguarit).
3. Shkalla dhe mënyra e ndikimit, që mundtë arrihet te fiset dhe bajraqet nga jashtë
Për të qenë sa më konciz dhe sa më i kuptueshëm (mënyra) e ndikimit te fiset e Shqipërisë së Veriut nga jashtë, mendoj se duhet analizuar shkakun dhe arsyen edhe atë në këtë mënyrë:
a) Përse Shqipëria e Veriut është e pakënaqur me shtetin dhe regjimin e tanishëm – dhe çfarë ideje kanë krerët dhe popullsia në Shqipërinë e Veriut dhe në çfarë mënyre ata po e manifestojnë?
b) Çfarë ideologjie ka shteti dhe regjimi?
c) Çfarë mjetesh përdor regjimi që ta mbajë në duart e veta Shqipërinë e Veriut (Kanunin), për të vepruar dhe qeverisur në Shqipëri?
a) – Mentaliteti i Shqipërisë së Veriut, e posaçërisht i katolikëve gegë, është mjaft i njohur, prandaj nuk ka nevojë që këtu të potencohet. Dëshira për liri dhe pavarësi që nga viti 1443 (Skënderbeu) deri në mbarim të shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, ende nuk është shuar. Veprimtaria e fortë e ish-Austro-Hungarisë dhe e Mbretërisë Serbe në Shqipërinë e Veriut, Italisë dhe Greqisë në Shqipërinë e Jugut, urrejtja tradicionale ndërmjet gegëve dhe toskëve, janë shkaqet kryesore që fiset e Shqipërisë së Veriut ta ruajnë deri më sot dëshirën e jetesës së tyre provinciale (kanton) të pavarur ose të gjithë njerëzit e tyre të jenë në krye të shtetit të përgjithshëm.
Qendra e kësaj ideja është Mirdita. Fati ka dashur që pas shumë fazave dhe peripecive të ndryshme, për të cilat edhe të gjithë ne jemi dëshmitarë dhe bashkëpjesëmarrës, në krye të shtetit të porsaformuar të vijë një gegë, të cilin e sjellim ne, e i cili e sjell Italinë që kjo ta ruajë dhe mirëmbajë. Pjesa më e madhe e Shqipërisë Veriore, që nuk e përfshin Matin, nuk i do as matjanët, Musolinin e Ahmet beut, e as Italinë, e më së paku regjimin e tyre dhe ndarjen e drejtësisë dhe lirisë nga ana e tyre. Ky disponim nuk ka mundësi të konstatohet në pjesën jugore të qarkut të Ersekut, sepse për toskët nuk luan rol se kush qeverisë. Ata për këtë janë mësuar që nga pranimi i ortodoksëve nga grekët, me të cilët janë edhe të përzier.
Thënë shkurt, ideja e gegëve për të qenë të pavarur gjithmonë është ruajtur pandërprerë deri më sot dhe ata këtë ide (me vështirësi dhe rrezikshmëri) edhe sot e manifestojnë, duke insistuar në mospërzierjen në punë të brendshme të Shqipërisë, duke i krijuar vështirësi të ndryshme pushtetit administrativ, çrregullime, atentate dhe krim të herëpashershëm etj., si edhe në mbajtjen e lidhjeve me emigracionin te ne dhe në Vjenë.
Manifestimi i mënyrës së fundit të pakënaqësisë ka përfunduar me rreziqe të larta të jetës dhe mjeteve të nevojshme – në radhë të parë paratë.
Nga 19-23 shkurti i këtij viti në Tiranë ka qëndruar Gjon Marka Gjoni. Ka ardhur që ta marrë rrogën e tij të nënkolonelit për disa muaj. Me mua duhej të bisedonte, por nuk pati mundësi. Më dërgoi porosi: nuk kam mjete që edhe ata pesë vetë t’i mirëmbaj, e as ta ngre zërin. Kundërshtarët e mi arrijnë më shumë të bëjnë (me para) sesa unë. Sqarim: ata pesë vetë janë “komitë”, të cilët Gjoni i mirëmban për shkak të terrorit dhe padëgjueshmërisë ndaj pushtetit. “Kundërshtarët e mi janë ata që pushteti u ndihmon kundër mua”. Gjatë këtij qëndrimi nuk ka pasur mundësi të takohet me Ahmetin (ka qenë i sëmurë) e as t’i marrë pagat. E ka lënë vetëm një njeri që t’ia marrë pagat – dhe ai me duart e zbrazëta, pas 2-3 ditësh është kthyer.
Nga Shkodra më dërgoi porosi se më nuk do të vijë në Tiranë, sepse nuk ka mundësi si t’i sjellë edhe përcjellësit e tij të rëndomtë, përkatësisht nuk mund më ta tregojë as krenarinë e tij duke ardhur me vetëm 10-12 përcjellës.
Kjo duket e pakuptueshme, por ashtu është mentaliteti i tyre. Ajo është logjika e tyre. Nëse juve nëpër rrugë nuk ju përcjell grup i armatosur ose xhandarë, jeni vetëm një njeri i thjeshtë, pa peshë dhe ndikim, e nëse nuk keni para – atëherë jeni askush – ndikimi dhe fuqia atëherë nuk ekziston.
b) Ideologjia e ruajtjes së regjimit – e kjo është Italo-Ahmet – është që ta vërtetojë pushtetin dhe fuqinë e vet, ta organizojë shtetin për qëllimet italiane dhe ato të zbatohen në Ballkan, njëkohësisht duke ia dhënë edhe kuptimin dhe ideologjinë shqiptare (lirimin e vëllezërve të robëruar etj.) dhe karakter ndërkombëtar (marrëveshje, këshilli i kombeve, huaja etj.).
c) Mjetet janë të ndryshme, të përgjithshme e të veçanta. Të përgjithshme: forcat e armatosura, ushtria dhe xhandarmëria. Politike: Qeveria, Parlamenti dhe administrata. Të veçanta: manovrime me presion ndaj pushtetit, tërheqje, shpërndarje të përfitimeve (dhënia e gradës oficer dhe oficer rezervë me dhe pa pagesë), përmbysja e autoritetit brenda marrëdhënieve të fisit, bajrakut në përgjithësi, deportimi i familjeve dhe vrasje.
Regjimi është i fuqishëm, i fortë, i paskrupullt, i korruptuar, i pasur, me mbështetje të skajshme nga Italia. Gjasat për luftë janë të pabarabarta, mirëpo lufta megjithatë po vazhdon dhe pikërisht nga puna e këtillë e regjimit është më së miri të ndikohet dhe zgjerohet.
Ngelin konkluzat se në cilën formë të ndikohet te fiset që të qëndrojnë në këtë luftë të pabarabartë dhe t’i tërheqin të tjerë në rrugën e tyre. Përgjigjja vetvetiu imponohet: të përcaktohen nevojat tona të sakta, të emërohet misioni i punës sonë, të zgjidhen njerëzit, të cilët do të punojnë për ne në baza dhe kufij të caktuar. Të grumbullohen udhëheqësit të orientuar pas nesh (përkatësisht fise, bajraqe, emigracioni). Të arrihet marrëveshje me ta, t’u ofrohet ndihmë optimale, morale dhe financiare (posaçërisht) dhe në këtë mënyrë t’i lidhim pas nesh, t’i orientojmë dhe t’i angazhojmë në punë për interesat tona dhe kundër interesave të Italisë dhe Shqipërisë – italo-ahmediane.
Vështirë se mund të gjendet mënyrë tjetër e ndikimit dhe ajo të pranohet. Unë mendoj se ne duhet me të mirë dhe me para (korrupsion) gradualisht t’i lidhim shumicën e tyre në zinxhirë që në momentin e duhur t’i nxjerrim para Italo-Ahmedit, në rast nevoje të nxitjes së çrregullimeve në Shqipëri ose në rast të konfliktit të përgjithshëm nga Italia dhe Shqipëria.
Shkalla e ndikimit tonë për momentin nuk është në nivelin e duhur krahasuar me ndikimin e Italisë. Italia e mban plotësisht tërë Shqipërinë: Mbretin, ushtrinë, kufijtë dhe komunikacionin; ajo shpenzon para të majme për gllabërimin e tërësishëm të Shqipërisë; ne ende u ndihmojmë disa njerëzve nëpër Shqipëri (në të vërtetë pa ndonjë kuptim të lartë) dhe udhëheqim, një luftë të pashpresë që ish … i
Me një fjalë, ndikimi mund të tregohet nëpërmjet një ideje të llogaritur, me një punë solide dhe energjike dhe me ndihma të konsiderueshme financiare, sistematikisht dhe saktësisht, që gjithsesi do të jetë më lirë se gjaku, që do të detyroheshim ta japim, nga Drini deri te Erseka – duke shikuar në pikëpamje të pastra ushtarake”.