Figura e Zogut mbetet ambivalente. Ai shihet si një lider pragmatik që krijoi themelet e shtetit modern shqiptar, duke ndërtuar institucione dhe duke promovuar arsimimin, por edhe si një autokrat dhe si politikan që sakrifikoi pavarësinë kombëtare për ta ruajtur pushtetin personal. Në debatin e historiografisë bashkëkohore, ai shihet më tepër si produkt i rrethanave, një udhëheqës që duhej të manovronte në një kontekst gjeopolitik të vështirë dhe me një shoqëri ende të ndarë mes traditës dhe modernitetit. Me rëndësi mbetet që tashmë qasjet nuk janë uniforme dhe demonizuese mbi figurën e Zogut. Përkundrazi, ekziston tashmë një diverisfikim në historiografinë shqiptare që shkon përtej njëanshmërive brutale.
Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Historiografia shqiptare gjatë kohë ka vuajtur nga qasja njëdimensionale dhe nga interpretimi ideologjik i periudhave të caktuara historike. Historiografia shqiptare, në të shumtën e rasteve, është shfytyruar ose me glorifikime enorme të figurave dhe ngjarjeve të caktuara historike ose me asgjësime brutale, pa më të voglin sens për etalonin e objektivitetit. Historiografia e periudhës komuniste mbetet një ndër eklipset më të tmerrshme në interpretimin e trajektores së historisë shqiptare, një errëtim brutal, që nga historia ka krijuar një karikaturë ideologjike, një shfytyrim, nga i cili edhe sot lëngon historiografia shqiptare. Ideoligjizimi i historisë ka krijuar një pështjellim të madh, që si një hije kërcënuese qëndron edhe sot e kësaj dite mbi interpretimin e shumë ngjarjeve dhe figurave historike. Sidoqoftë, brenda kohës, pas rënies së komunizmit, historiografia shqiptare filloi të marrë frymë dhe filluan publikimet e shumë librave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët tashmë po krijonin një momentum të ri në historiografinë shqiptare, një ridimensionim të historisë, që vinte përmes burimeve të shumta historike dhe përmes një diversifikimi të qasjes dhe interpretimit të historisë. Realisht, filloi një fazë tjetër e shkrimit të historisë shqiptare, me një pluralitet burimesh dhe publikimesh që po zhbënin uniformitetin e shkrimit të historisë për funksione ideologjike.
Për më tepër duhet bërë dallimi mes shkrimit të historisë dhe historiografisë si një tërësi konceptesh, metodash dhe sintetizimesh kritike që krijojnë gamën e gjerë të shkrimit dhe interpretimit të historisë. Sipas studiuesve, historiografia nuk është shkrimi i historisë, por interpretimet e ndryshueshme të saj, është historia e historisë, studimi i mënyrës se si është shkruar historia dhe i pyetjeve që historianët ia kanë bërë së kaluarës. Historiografia nënkupton analizimin jo vetëm të ngjarjeve të së kaluarës, por edhe të mënyrës se si historianë të caktuar kanë ndërtuar rrëfime për ato ngjarje, duke pasqyruar kontekstet, qëllimet dhe paragjykimet e tyre. Historiografia është shkrimi i historisë, veçanërisht shkrimi i historisë i bazuar mbi shqyrtimin kritik të burimeve, përzgjedhjen e elementeve nga materialet autentike dhe sintetizimin e tyre në një rrëfim që mund t’u rezistojë metodave kritike.
Pikërisht, kjo parantezë mbi atë se çfarë nënkupton shkrimi i historisë dhe çfarë historiografia, na lejon që më ngeshëm ta analizojmë figurën e Ahmet Zogut, e cila në historiografinë shqiptare shfaqet kontradiktore dhe me shumë dritëhije. Në fakt, figura e Ahmet Zogut, mbase si asnjë figurë tjetër në historinë shqiptare, është analizuar, gjykuar dhe, në shumë raste, paragjykuar në format më kontradiktore të mundshme. Rrënjët e kësaj kontradikte në qasjen ndaj figurës së Ahmet Zogut, mbretit të shqiptarëve, mbi të gjitha kanë të bëjnë me demonizimin që vjen nga historia e periudhës së komunizmit, e cila e përbalti dhe e ekskomunikoi tërësisht njësoj siç bëri edhe me shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë shqiptare. Por, pas periudhës së errët komuniste, gradualisht, figura e Ahmet Zogut filloi të eksplorohet nga qasje të tjera më objektive, duke krijuar kështu një fushëpamje tjetër për periudhën kur ai ishte protagonist i politikës shqiptare, por edhe për periudhën kur ai tashmë e kishte shpallur veten mbret të Shqipërisë në vitin 1928.
Figura e Zogut në optikën e studiuesve të huaj
Nuk ka dilema që figura e Ahmet Zogut mbetet një nyje e pazgjidhur në ndërgjegjen historike shqiptare. Figura e tij mishëron kontradiktat e një kohe kur shteti shqiptar përpiqej të dilte nga mjegulla e shekujve dhe të shfaqej në hartën e kombeve moderne.
Zogu është parë shpesh me sy kritik, si një lider i lindur nga bejlerët, që u ngjit në pushtet përmes manovrave politike, aleancave të brishta dhe një pragmatizmi të ftohtë. Por, po aq sa është kritikuar, ai ka edhe një tjetër fytyrë, atë të njeriut që kërkoi me çdo kusht të vendoste rregull në një vend të përçarë, të mbërthyer nga zakone fisnore, ku shteti ishte më shumë ide sesa realitet.
Mes shumë autorëve që kanë shkruar për mbretin Zog është edhe profesori i historisë së Ballkanit dhe drejtori i departamentit të historisë në Universitetin e Indiana-s, Bernd J. Fischer. Në librin e tij “Ahmet Zogu, mbreti shqiptar mes dy luftërave”, ai e analizon gjerësisht periudhën e udhëheqjes së shtetit shqiptar nga Ahmet Zogu, duke na dhënë kështu një qasje origjinale dhe të paanshme mbi figurën e tij.
Bernd J. Fischer e vendos figurën e Ahmet Zogut në kornizat e realitetit të ndërlikuar ballkanik dhe europian të periudhës mes dy luftërave botërore. Ai e portretizon Zogun si një udhëheqës pragmatist, i cili arriti ta konsolidojë shtetin shqiptar, pavarësisht rrethanave të brishta politike dhe presionit të fuqive të huaja.
Autori thekson se fuqia e Zogut nuk ishte produkt vetëm i ambicieve personale, por edhe i nevojës së Shqipërisë për një stabilitet të brendshëm. “Zogu mishëronte një kompromis midis traditës së autoritetit tribal dhe kërkesave të shtetit modern”, thekson Fischer-i.
Në aspektin politik, Fischer-i vë në dukje shkathtësinë e Zogut për të manovruar midis Italisë, Jugosllavisë dhe fuqive të tjera. “Politika e tij e jashtme ishte më tepër një art i mbijetesës sesa një strategji e qartë kombëtare”, thekson ai. Sipas tij, ky pozicion i dyfishtë solli përfitime financiare dhe ushtarake, por njëkohësisht e bëri Shqipërinë të varur nga Italia fashiste.
Në planin e brendshëm, Fischer-i vë në dukje përpjekjet e Zogut për modernizimin institucional, duke ngritur një administratë më funksionale dhe duke konsoliduar monarkinë. Megjithatë, sipas autorit, sundimi i tij kishte karakter autoritar. “Mbretërimi i Zogut shënoi një përzierje të reformave modernizuese dhe kontrollit të hekurt politik”, thekson Fischer-i.
Ndërkohë, libri “Shqipëria, ngritja e një mbretërie” i Joseph Swire është një nga veprat e para të huaja që paraqet një përshkrim të gjerë të Shqipërisë së periudhës ndërmjet dy luftërave botërore dhe veçanërisht të figurës së Ahmet Zogut. Si gazetar britanik që e vizitoi disa herë Shqipërinë, Swire ofron një vështrim me tone pozitive mbi përpjekjet e mbretit për ta stabilizuar shtetin shqiptar.
Swire e paraqet Shqipërinë si një vend të copëzuar. Sipas tij, “në fillim të viteve 1920-të, Shqipëria ishte më shumë një mozaik krahinash autonome sesa një shtet funksional”. Në këtë kontekst, ngritja e figurës së Ahmet Zogut shihet nga Swire si përpjekje për të imponuar një qendër të fortë politike. “Kur Zogu u shpall mbret, Shqipëria hyri në hartën politike të Europës jo më si një republikë e dobët, por si një monarki që kërkonte barazi me fqinjët”, shkruan Swire.
Ndërkohë, marrëdhënien me Italinë Swire e interpreton nga një këndvështrim krejtësisht tjetër. Sipas tij, Italia e shihte Shqipërinë si kopshtin e saj përtej Adriatikut. Ai e sheh këtë marrëdhënie të Ahmet Zogut me Italinë më shumë si një domosdoshmëri politike sesa si një zgjedhje e lirë.
Swire e paraqet Ahmet Zogun si njeri të ftohtë, të kujdesshëm dhe të rezervuar, por njëkohësisht me aftësi të jashtëzakonshme për të komanduar dhe imponuar respektin. “Ai nuk ishte hero romantik, por një realist i lindur, dhe në këtë qëndronte forca e tij”, shkruan Swire.
Prelud në histori politekstore
Një libër tepër interesant dhe me shumë fakte për figurën e Ahmet Zogut është edhe libri “Me Mbretin Zog, në mërgim”, nga Gjenço Naçi, i botuar në vitin 2019. Ky libër, për më tepër, është një përmbledhje kujtimesh autentike që paraqesin jetën e Mbretit Zog gjatë mërgimit, nga perspektiva e sekretarit të tij, që i përjetoi ngjarjet personalisht. Libri përshkruan në detaje shumë situata, sidomos pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, duke krijuar kështu një pamje shumë më të qartë për ikjen e Zogut, por edhe të përpjekjeve të tij për ta njohur legjitimitetin dhe legalitetin e mbretërisë shqiptare, sidomos gjatë periudhës së komplikuar të Luftës së Dytë Botërore. Ky libër mbetet gjithashtu një pasuri për historiografinë shqiptare, për atë që nënkupton dimension politekstor për një figurë, siç është në këtë rast ajo e Ahmet Zogut. Me një vërtetësi mahnitëse Naçi arrin të na e sjellë gjithë rrugëtimin e mbretit Zog në mërgim, duke na ofruar kështu një burim tjetër historik për vlerësimin e figurës së Ahmet Zogut.
Një studim interesant mbi Ahmet Zogun është edhe ai i Manjola Xhaferrit “The Orientation of Ahmet Zogu’s Foreign Policy as King During the Years 1929–1939” i publikuar në “Interdisciplinary Journal of Research and Development”.
Sipas autores, në fillimet e politikës së jashtme të Zogut, Italia shfaqej si aleat kryesor, por marrëdhënia ishte e dyfishtë, sepse Italia nga njëra anë siguronte mbështetje ekonomike dhe ushtarake, ndërsa nga ana tjetër ushtronte presion për kontroll politik dhe ekonomik mbi Shqipërinë. Megjithatë, vë në dukje autorja, Zogu tentoi ta përdorte këtë mbështetje për forcimin e shtetit shqiptar dhe kapitalit vendas.
Një aspekt i rëndësishëm ishte edhe marrëdhënia me Jugosllavinë. Që nga shpallja e Mbretërisë më 1928, Beogradi reagoi ashpër kundër titullit “Mbret i të gjithë shqiptarëve”, pasi kjo shihej si sfidë ndaj kufijve ekzistues. Autorja Manjola Xhaferri vë në dukje se dokumentet diplomatike tregojnë se përfaqësuesit shqiptarë shpesh shprehën pakënaqësinë ndaj mohimit të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.
Në planin ndërkombëtar, thekson autorja, njohja e Mbretërisë nga fuqitë e mëdha solli një legjitimitet të plotë. Shtetet e Bashkuara e njohën Zogun menjëherë, duke e vlerësuar tranzicionin politik si “të kryer në mënyrë të rregullt”.
Gjithsesi, një nga pikat më të debatueshme të sundimit të Zogut është lidhja e tij me Italinë. Megjithatë, studiues shqiptarë e shohin këtë si një strategji mbijetese. Përballë rrezikut sllav dhe grek, vënë në dukje studiuesit shqiptarë, Zogu përdori Italinë si një mburojë, edhe pse kjo mburojë në fund e shndërroi Shqipërinë në një varësi të plotë. Në këtë drejtim shfaqet dimensioni i dyfishtë i politikës së Ahmet Zogut, një pragmatizëm i imponuar nga realiteti gjeopolitik, por edhe një kompromis që dëmtoi sovranitetin.
Figura e Zogut mbetet ambivalente. Ai shihet si një lider pragmatik që krijoi themelet e shtetit modern shqiptar, duke ndërtuar institucione dhe duke promovuar arsimimin, por edhe si një autokrat dhe si politikan që sakrifikoi pavarësinë kombëtare për ta ruajtur pushtetin personal. Në debatin e historiografisë bashkëkohore, ai shihet më tepër si produkt i rrethanave, një udhëheqës që duhej të manovronte në një kontekst gjeopolitik të vështirë dhe me një shoqëri ende të ndarë mes traditës dhe modernitetit. Mbetet shumë e rëndësishme që tashmë ka një qasje të diversifikuar mbi figurën e Ahmet Zogut, që realisht shkon përtej historiografisë së periudhës së komunizmit, e cila tërësisht ishte e bazuar në shkrimin dhe interpretimin ideologjik të historisë dhe që në kë rast kishte prodhuar një qasje demonizuese, jo vetëm për figurën e Ahmet Zogut, por edhe për shumë figura të tjera që nuk përkonin me konceptin ideologjik të historisë.