loader image
July 27, 2024

Ditari i një gazetari si dëshmi e historisë

Libri me titull “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” nga gazetari me përvojë, Fahri Musliu, cilësohet me karakteristika të një reference historike dhe profesionale për një periudhë të vështirë, por edhe të lavdishme, për Kosovën.

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren

Ditarët e gazetarëve shpesh dokumentojnë ngjarje dhe situata të rëndësishme që ata hasin në punën e tyre, si dhe reflektime personale mbi ato ngjarje dhe situata. Këto shënime mund të ofrojnë një perspektivë më të hollësishme të ngjarjeve sesa lajmet e thjeshta dhe mund të ndihmojnë në kuptimin e proceseve dhe faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në këto ngjarje.

Ditari i një gazetari mund të jetë një fakt historik nëse përmban shënime dhe reflektime të gazetarit në lidhje me ngjarje historike ose lajme të rëndësishme për ngjarjet që raportohen. Nëse gazetari ka mbajtur një ditar gjatë kohës se një ngjarjeje historike të rëndësishme, si për shembull një lufte, një revolucioni, një krize politike ose ngjarje te tilla, atëherë ditari mund të jete një burim i rëndësishëm i informacionit dhe perspektives se gazetarit për këtë ngjarje historike.

Për këto arsye, ditarët e gazetarëve kanë vlerë historike dhe kulturore, dhe mund të shërbejnë si burime të rëndësishme për studiuesit, historianët, dhe për publikun e gjerë që dëshiron të kuptojë më mirë ngjarjet dhe proceset.

Libri me titull “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” nga gazetari me përvojë, Fahri Musliu,  cilësohet me karakteristika të një reference historike dhe profesionale për një periudhë të vështirë por edhe të lavdishme për Kosovën.

Fahri Musliu, me qëndrimin në Beograd gjatë luftës në Kosovë, u bë dëshmitar i zhvillimeve dhe diskutimeve përkundër rrezikut dhe vështirësive. Njëkohësisht, ai informacionet e marra dhe diskutimet e zhvilluara rreth luftës së Kosovës nga struktura të ndryshme politike dhe shoqërore në Beograd i shpalosi në ditarin e tij. Në këtë ditar, autori ka prezantuar periudhën janar – qershor 1999, e cila shënon ngjarjet më të dhimbshme të popullit shqiptar të Kosovës, i cili po ballafaqohej torturat më të tmerrshme nga forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe.

Libri përbëhet në tri pjesë. Një pjesën e parë të librit, autori, përmes emocionit dhe informacionit, shpalos baticat dhe zbaticat e periudhës 24 mars – 20 qershor 1999. Si një kronist i vërtetë, ai i përshkruan rutinat ditore, në mes të takimeve, dhe bisedat me personalitete e protagonistë të zhvillimeve, si dhe kontaktet me familje. Emocioni nuk mungon, por edhe informacioni jo. Informacioni shpesh është bashkëdyzuar me emocion kur është njoftuar për ndonjë vrasje (siç është rasti Fehmi Aganit), aq më shumë që ishte sfidë edhe verifikimi i këtyre informacioneve. Shumë emra, personalitete, institucione dhe zhvillime, data, deklarata zënë vend në këtë pjesë të ditarit, e që për gazetarin janë burim kryesor i punës së tij. Janë aty takimet më Sonja Biserkon në qendrën mediale “Media Center” dhe bisedat për zhvillimet në Kosovë dhe qasjen e politikës së Beogradit, pastaj korrespondencat e shpeshta me Elez Biberajn e “Zërit të Amerikës”, duke shkëmbyer informacione, por edhe bisedat me gazetarë e personalitete të tjera, duke u interesuar për shokët, dashamirët dhe mbarë popullin shqiptar, që ishte bërë viktimë e krimeve të paskrupullta të forcave serbe në shenjë hakmarrje për bombardimet të NATO-s. Po ashtu, në këtë pjesë përfshihen edhe raportimet e gazetave të Beogradit për luftën në Kosovë dhe qasjen e tyre ndaj asaj që po ndodhte. Janë po ashtu edhe kërcënimet e vazhdueshme anonime nëpërmjet telefonit, që i drejtohen autorit nga persona anonimë. Pjesa e parë e librit përfshin edhe përshkrimet emocionale të autorit gjatë kontakteve të rralla nëpërmjet bisedave telefonike ose letrave me familjarët.

Pjesa e dytë e librit përfshin raportime të përgatitura për “Zërin e Amerikës”. Me përvojën prej gazetari, autori raporton për situatën politike para fushatës së bombardimeve të NATO-s. Autori, në raportet e përgatitura për “Zërin e Amerikës”, shpalos zhvillimet në qarqet politike në qendrën në të cilën për shqiptarët e Kosovës janë marrë shume vendime dhe janë zhvilluar politika në dëm të tyre. Aty pasqyrohet situata politike në Serbi që nga fillimi i janarit deri më 24 mars të vitit 1999 dhe angazhimet e përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë të SHBA-së e të BE-së, por edhe Rusisë, për zgjidhjen e problemit të Kosovës me mjete politike e diplomatike, të cilat nuk dhanë sukses. Kjo pjesë, përveç që ofron fakte për diskutimet e vendimet e marra politike duke përbërë kështu dokumentim faktik, ajo ofron edhe shembull të profesionalizmit gazetaresk në kuptimin se si duhet raportuar në kohë lufte.

Shpesh gazetarët sigurojnë informacione ose fakte që publiku i gjerë nuk mund të ketë qasje në to, por edhe që nuk mund të publikohen në lajme ditore. Shpeshherë ditarët shfrytëzohen për të publikuar informacione që nuk ishin bërë publike më parë. Në këtë pjesë të tretë të ditarit, autori ka publikuar dokumente të rëndësishme politike e diplomatike të miratuara për luftën e Kosovës, pjesë nga deklaratat e panjohura të ndonjë politikani serb, si dhe letra të protestës kundër regjimit të Millosheviqit. Autori, në shtojcën e ditarit, ofron informacione të pazbuluara më parë rreth misionit të verifikuesve të OSBE-së, negociatat e fshehta para Rambujes, misionin e Ahtisarit, përmbajtjen e rezolutës 1244 etj. Krahas kësaj, është botuar një letër dërguar miqve shqiptarë nga ana e 20 organizatave joqeveritare serbe, e cila mban datën 16 prill 1999, si dhe një shkrim të autorit Dushan Janjiq, i cili shpreh dhimbjen e tij për vrasjen e akademikut Fehmi Agani, të cilin Janjiqi e quan “viktimë të urrejtjes etnike”.

Ky ditar është i një rëndësie të veçantë për shkak të përmbajtjes që ofron. Krahas vlerave të pakontestueshme dokumentare dhe historike, ditari pasqyron edhe një dramë psikologjike të autorit me familjarët dhe bashkudhëtarët e tij.

Fahri Musliu ka lindur më 1948 në fshatin Zaplluxhe të Opojës (Komuna e Sharrit). Me gazetari ka filluar të merret qysh më 1968, si bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja” dhe i Radio Prishtinës. Në vitin 1985 ka filluar punën si korrespondent i rregullt nga Beogradi i gazetës “Rilindja”. Bashkëpunoi edhe me shumë gazeta e revista tjera shqipe në Kosovë, si dhe me gazetat “Borba”, “Nasha Borba” e “Danas” të Beogradit dhe “Vjesnik” të Zagrebit.

Prej majit të vitit 1993–2005 ka punuar si korrespondent i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” nga Beogradi, kurse në qershor të vitit 2005 kalon në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) si korrespondent i rregullt nga Beogradi, ku punoi deri në pensionim më 2013. Gjatë kësaj kohe, nga 2008-2012, bashkëpunoi edhe me redaksinë shqipe të Radios BBC.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X