Pa dyshim se njëri ndër intelektualët që ishte bartës i ndërgjegjes politike dhe morale të shqiptarëve të Kosovës gjatë kësaj periudhe ishte Adem Demaçi. Si autor, veprimtar dhe politikan, ai artikulonte dhe shprehte haptazi aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, edhe atëherë kur do ta paguante shtrenjtë çmimin e orienimit të tij politik.
Blerim HALILI, Prishtinë
Veprimtarët dhe intelektualët shqiptarë në Kosovë, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në fund të viteve ’90-të, fillimisht ata që vepronin në ilegalitet dhe, më pas, me fillimin e proceseve demokratike dhe me rënien e lidhjes komuniste, edhe ata që vepronin me platforma politike legale, përbënin botën dhe infrastrukturën politike dhe kulturore të projektit shqiptar në Ballkan. Ata, duke u identifikuar me kauzat e mëdha politike ose me narrativat vlerore të shumicës dërrmuese të popullit shqiptar në Kosovë, bartnin mbi supe vazhdimësinë e projektit shqiptar dhe shtrirjen dinamike të tij në kontekstin e rrjedhave të kohës.
Bota e intelektualëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX
Portreti intelektual dhe vleror i këtyre intelektualëve dhe veprimtarëve ishte i ndikuar nga mjedisi i përplasjeve etnike dhe politike të gjysmës së dytë të shekullit XX në Ballkan, përkatësisht në federatën jugosllave dhe pothuajse gjithçka që përbënte jetën dhe veprën e tyre identifikohej dhe thellohej pikërisht në ato probleme. Ata nuk ishin thjesht heronj të shqiptarizmit së gjysmës së dytë të shekullit XX, edhe për shkakun se referencat e tyre politike e vlerore shpesh ishin universale dhe humane, por edhe heronj të një rendi vlerash demokratike dhe liberale, që besonin në drejtësi, barazi dhe në principet humane. Prandaj, opusi ideor i tyre shtrihej në një gamë çështjesh që kishin të bënin me të drejtat e njeriut, të drejtën e popujve për vetëvendosje, lirinë, barazinë, zhvillimin, demokracinë dhe integrimin euro-atlantik. Projekti shqiptar në Kosovë kështu po ruante e zhvillonte traditën politike dhe po e etablonte programin politik në kushte të vështira socio-politike, në kushte pa shtet, nën pushtim dhe në përgjigje ndaj ksenofobisë, diskriminimit, pabarazisë dhe dhunës. Në përplasje me dhunën dhe terrorin sistematik, në ditët vendimtare, projekti shqiptar, ndonëse do të merrte nuanca dhe orientime konceptuale të ndryshme, do të ishte jo vetëm aktiv, por edhe vendimtar në vendosjen e fatit të mëtejshëm të çështjes kosovare. Për këtë plejadë shkrimtarësh dhe veprimtarësh, të jesh shkrimtar ose edhe politikan nuk nënkuptonte vetëm një profesion të rëndomtë; ajo nënkuptonte identifikim jetësor, madje edhe daljen në ballë, në krye të detyrës morale, me kauza të mëdha nacionale e vlerore, me aspirata për liri dhe vetëvendosje.
Karakteristikat e personalitetit të Demaçit
Pa dyshim se njëri ndër intelektualët që ishte bartës i ndërgjegjes politike dhe morale të shqiptarëve të Kosovës gjatë kësaj periudhe ishte Adem Demaçi. Si autor, veprimtar dhe politikan, ai artikulonte dhe shprehte haptazi aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, edhe atëherë kur do ta paguante shtrenjtë çmimin e orienimit të tij politik. Jeta dhe vepra e tij mund të kundrohen nga së paku katër segmente ose perspektiva: Adem Demaçi si studiues dhe autor i veprave letrare, Adem Demaçi si themelues dhe aktivist i ilegales (LRBSH), Adem Demaçi si politikan dhe Adem Demaçi si personalitet popullor e simbol i mobilizimit dhe rezistencës kolektive.
Ndonëse një pjesë e elitës kishte depërtuar në jetën politike të kohës, shqiptarët në Jugosllavi më shumë ishin një komunitet vleror e social, i lidhur ngushtë me indin e vet identitar e kulturor sesa një shoqëri me rend politik të etabluar, ishin një komunitet i gjallë me shpirt kolektiv solidar dhe që besonte në disa ideale të përbashkëta, madje ishte i gatshëm që të bënte sakrifica jetësore për to. Ndoshta pikërisht këtu buron fuqia e idealit të shqiptarëve dhe forca për të besuar në një të ardhme me liri, drejtësi dhe barazi. Prandaj edhe tradita politike etablohet në copëza të shpërndara: statute organizatash, trashëgimi e besatim në familje e mes familjesh, shkresa, botime e pamfleta të individëve të ndëshkuar, qarkullim të librave të ndaluar, fjalime e biseda “të rrezikshme për Jugosllavinë”, gjë e cila në mënyrë simbolike do të mund të shprehej si etablim në tehun e shpatës. Në përpjekjet për organizim politik dhe, madje, për kryengritje të armatosur, mes shqiptarëve shquheshin individë nga profesione të ndryshme, si mësues, nxënës e studentë, bujq, intelektualë, zejtarë e politikanë, që vinin nga qyteti dhe nga fshati dhe ishin nga grupmosha të ndryshme. Adem Demaçi përfaqëson modelin e veprimtarit intelektual dhe politik në funksion të organizimit politik e ushtarak të shqiptarëve në Kosovë.
Në këtë kontekst, Adem Demaçi është shquar si një nga ata liderë që e përfaqësoi më së miri intelektualizmin e angazhuar, duke qenë i vetëdijshëm se veprimet e tij do të kishin pasoja të mëdha për jetën e tij. Ai pati një rol thelbësor në unifikimin e njerëzve nga grupe të ndryshme shoqërore dhe politike të shqiptarëve të Kosovës, duke u bërë një simbol i unitetit dhe i qëndresës kombëtare. Ashtu si shumë intelektualë të tjerë të kohës, ai ishte konsistent dhe nuk tërhiqej përballë presioneve të jashtme dhe brendshme, duke vazhduar të përçonte mesazhin e tij për të drejtat e shqiptarëve. Edhe fjalët e tij të shprehura gjatë seancave gjyqësore të zhvilluara kundër tij shprehnin më së miri orientimin e vendosur dhe njohjen e proceseve politike në rajon dhe botë. As në ato momente vendimtare për fatin e tij personal, ai nuk lëvizte nga pozicioni i tij; ai impononte lirinë intelektuale edhe në gjykatë, ku edhe sot procesverbali i seancave gjyqësore kundër tij mund të shërbejë si referencë për analiza politologjike, e jo thjesht si një histori ndëshkimi personal.
Duke përfaqësuar modelin e intelektualit në aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, ai karakterizohet me karizmën dhe ndikimin e madh që kishte tek të gjitha shtresat e shoqërisë. Me një gjuhë të artikuluar, me një të folur të argumentuar dhe bindës, me seriozitetin me të cilin shquhej në adresimet dhe punën e tij, ai arrinte me sukses të ishte zëri i një “populli të ndaluar” dhe t’i mblidhte rreth programit politik njerëzit nga sfera, profesione e vendbanime të ndryshme anekënd Kosovës dhe më gjerë. Ai ishte i drejtpërdrejtë dhe konciz në përçimin e mesazhit tek pala tjetër ose tek masa. Qëndresa dhe guximi ishim një tjetër karakteristikë me të cilën shquhej personaliteti i Demaçit. Ai ishte i vendosur, i durueshëm dhe insistues në të vërtetën e tij dhe të popullit të tij. Autoritet ai kishte nga e vërteta dhe jo pushtetin politik e ushtarak-policor të kohës. Kjo e çonte atë deri te një karakteristikë tjetër që do ta fitonte – ajo ishte sfida morale. Me 28 vite burgim, si dënim nga pushteti serbo-jugosllav, për bindjet dhe veprimtarinë e tij, ai bëhet forcë morale e popullit dhe çështjes kosovare dhe i jep shtysë të re dhe ndërgjegje të lartë.
Përfundim
Adem Demaçi la gjurmë të thella në mendimin dhe veprimin politik në Kosovë në periudhat vendimtare për fatin e popullit shqiptar. Ai u shndërrua në hero dhe model për aspiratat e kosovarëve për liri dhe barazi. Ai ishte personalitet aktiv i cili e identifikoi veten me kauzën politike të shqiptarëve. Për shkak të konsistencës dhe insistimit, por edhe për shkak të dënimit që mori për bindjet e tij, ai shndërrohet në model, sprovë morale dhe shtysë në ndërgjegje për të tjerët. Vlerësimi i veprës së Demaçit në instanca ndërkombëtare përbën një element shtesë në meritat e tij prej intelektuali e veprimtari (siç është çmimi Saharov, i cili iu dha nga Parlamenti Europian më 1991). Nga ana tjetër, studime të zgjeruara dhe krahasuese mbi idetë, orientimin politik e ideologjik, etablimin e programit të LRBSH-së dhe shtrirjes në terren, mendimet e tij pas përfundimit të luftës dhe dallimet e mospajtimet që kishte ai me qasjet ose individët e platformat tjera politike kosovare, do të duhej të mbushnin tablonë e botës teorike dhe vlerore të veprës së Demaçit dhe monografinë e jetës së tij.