loader image
December 14, 2024

Dezinformimi dhe perceptimi për luftën në Ukrainë

Teoria e përcaktimit të agjendës thotë se media përcakton se për cilat zhvillime publiku duhet të mendojë, mënyrën se si e sheh apo e ndjenë (qëndrimi) një ngjarje dhe përveçse media mund ndikojë në theksimin e temave të caktuara në agjendën publike ajo gjithashtu ndikon se si publiku i lidh këto tema me njëra tjetrën.

Festim RIZANAJ, Prizren

Media zë vendin kryesor në jetën e njeriut sot. Për ngjarjet dhe zhvillimet që ndodhin dhe që nuk jemi protagonistë të saj, ne informohemi nëpërmjet mediave. Kështu media luan rol në atë se si ne informohemi dhe si i perceptojmë zhvillimet dhe ngjarjet bazuar në kontekstin e informacioneve që marrim. Duke pasur parasysh fuqinë që ka media nëpërmjet rolit që luan, shumë grupe të caktuara për interesa të ndryshme (politike etj.) shpërndajnë përmbajtje të dyshimta mediale, duke manipuluar opinionin e gjerë për ngjarje dhe zhvillime të caktuara. Kjo ka bërë që lexuesi/shikuesi/dëgjuesi i lajmeve dhe informacioneve të detyrohet që ato t’i verifikojë para se t’i marrë si të mirëqena.

Dezinformimi

Dezinformimi dhe lajmet e rreme mbeten një nga sfidat kryesore me të cilat po përballet gazetaria dhe bota e informacionit sot. Lajmet dhe informacionet për ngjarjet që çojnë peshë po sfidohen nga lajmet e rreme dhe dezinformatat, që po shpërndahen shumë më shpejt në ekosistemin informativ. Lufta në Ukrainë është një nga ngjarjet që ballafaqohet me mjegullën informative që krijohet nga lajmet e rreme.

Në një raport të përgatitur nga platforma për verifikim të lajmeve hibrid.info dhe Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë paraqitur numri, lloji dhe formati i lajmeve të rreme dhe mënyrave të tjera të dezinformimit në Kosovë dhe më gjerë në lidhje me luftën në Ukrainë. Në rastin e Kosovës, të dhënat janë siguruar nga platformat hibrid.info dhe kallxo.com (të cilat janë anëtare të “International Fact Checking Network IFCN) gjatë periudhës 24 shkurt – 11 mars (numri i trajtimeve 38). Autorët e raportit, Shkëlzen Osmani (themeluesi i hibrid.info) dhe Alban Zeneli (Prof. Ass.), arrijnë në përfundim se mediat ose kanalet që kanë shpërndarë më së shumti informata të pasakta dhe dezinformuese kanë qenë mediat online, ku hyjnë të gjitha llojet e mediave që janë të pranishme në hapësirën digjitale.

Bazuar në raport, shumica e artikujve të publikuara në mediat e Kosovës, që janë vlerësuar si dezinformata, kanë materiale të përgatitura nga mediat e huaja, të cilat janë të përkthyera në gjuhën shqipe. Shumica e përmbajtjeve mediatike kanë qenë të përbëra nga teksti/videoja ose teksti/fotografia, kurse më pak raste ka pasur vetëm fotografi ose vetëm video, kryesisht të publikuara në profile, faqe ose grupe në media sociale. Shpërndarja e këtyre artikujve është bërë në mediat sociale, duke u dominuar nga Facebook-u, si platforma më e përdorur në Kosovë.

Raporti nxjerrë në pah se konteksti i lajmeve të publikuara për audiencën kosovare dhe shqipfolëse në përgjithësi ka qenë: 1) një pjesë e madhe e artikujve/postimeve kanë pretenduar të paraqesin ngjarje ose veprime në Ukrainë që kanë ndodhur gjatë luftimeve atje dhe 2) ka pasur raste kur janë ndërlidhur ngjarjet në Ukrainë me zhvillimet në rajon e Kosovë: përmendja e Kosovës në deklarata nga ana e Presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe tërheqja e paraleles ndërmjet pushtimit e rajoneve të Donetsk e Luhansk, me intervenimin ushtarak të NATO-s në vitin 1999.

Po ashtu media/portale të vlerësuara si të dyshimta, nëpërmjet titujve të sajuar, kanë pretenduar se po përgatitet një pushtim ushtarak i Serbisë në Kosovë, pas atij rus në Ukrainë. Raporti ofron edhe të dhëna mbi përmbajtjen mediatike dezinformuese në shtete të ndryshme në lidhje me luftën në Ukrainë.

Autorët e raportit, në fund, dalin me rekomandime për redaksitë e lajmeve dhe publikun, ku ndër të tjera theksohet verifikimi i burimeve të informacionit dhe balancimi i informacioneve brenda lajmeve, duke i dhënë më shumë rëndësi saktësisë sesa shpejtësisë së publikimit të lajmeve. Po ashtu rekomandohet të analizohet konteksti i ngjarjeve para publikimit, për shkak se konteksti i materialeve të shpërndara në internet mund të jetë manipulues. Gjithashtu, rekomandohet që redaksitë e lajmeve të merren me verifikimin e tyre, në mënyrë që ta ruajnë kredibilitetin. Për shkak se shumica e lexuesve përtojnë ta lexojnë tekstin e lajmit dhe kryesisht fokusohen në titull, në raste të tilla rekomandohet që titujt të jenë sa më informues dhe jo sensacional.

Sa i përket publikut, autorët sugjerojnë që lajmet të lexohen/shikohen/dëgjohen në media kredibile dhe t’i mënjanojnë mediat që nuk u dihen pronarët, adresat, emrat e gazetarëve dhe redaktorëve. Meqenëse shumica e publikut sot informohet në mediat sociale dhe materialet mbi luftën në Ukrainë shpërndahen aty, atëherë duhet pasur kujdes me kohën që kalohet në këto platforma. Një nga format për t’u ikur dezinformatave është edhe qasja kritike ndaj tyre, në mënyrë që publiku të mos bëhet edhe shpërndarës i tyre.

Perceptimi

Teoria e përcaktimit të agjendës thotë se media përcakton se për cilat zhvillime publiku duhet të mendojë, pastaj e përcakton mënyrën se si e sheh ose e ndjen (qëndrimi) një ngjarje. Media mund ndikojë edhe në theksimin e temave të caktuara në agjendën publike dhe në atë se si i lidh publiku këto tema me njëra-tjetrën. Kështu, media ndikon tek njerëzit duke formësuar mendimet e tyre dhe ndikon në perceptimin për ngjarjet që ndodhin.

Dren Gërguri (Dr) dhe Arben Fetoshi (Prof.ass), kanë përgatitur një hulumtim me studentët e vitit të dytë bachelor nga Departamenti i Gazetarisë në UP në lidhje me rolin e mediave në perceptimin e publikut të Kosovës për luftën në Ukrainë. Të dhënat për këtë hulumtim janë grumbulluar nga anketimi (1 mijë e 312 qytetarë) i realizuar në shtatë rajonet e Kosovës (Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë) dhe nga monitorimi i edicioneve qendrore të lajmeve (270 edicione) në pesë televizione (RTK, KTV, RTV 21, Klan Kosova dhe T7) gjatë periudhës 1 shkurt – 31 mars 2022.

Sa i përket monitorimit të televizioneve, del se nga 716 lajme të publikuara në lajmet qendrore, Klan Kosova kishte më shumë lajme gjatë periudhës së monitorimit. Qëkur kishte filluar lufta e deri në mesin e muajit mars vërehet një rritje e numrit të lajmeve, ndërkaq në fund të muajit bie numri i lajmeve. Në raport është analizuar edhe nëse lajmet për luftën në Ukrainë kanë qenë në 3 lajmet kryesore në lajmet qendrore. Në televizionet e monitoruara KTV-ja ka përfshirë më se shpeshti lajmet në top 3 lajmet e edicionit (34 herë). Në bazë të raportit në 44% të edicioneve të lajmeve, lajmet për luftën në Ukrainë ose efektet e saj në vendet e tjera kanë qenë në top 3 të lajmeve qendrore. 61 për qind e 716 lajmeve kanë qenë direkt të lidhura me luftën në Ukrainë, kurse pjesa tjetër në mënyrë indirekte, pra me efektin e luftës në ekonomi dhe rritjen e çmimeve. Burimet e huaja kanë qenë burimet kryesore të lajmeve, me ç’rast 28 për qind e lajmeve të publikuara e kanë burim agjencinë e lajmeve Associated Press (AP).

Sa i përket publikut, për luftën në Ukrainë kosovarët rëndom janë janë informuar nga televizioni. Pra, për kosovarët televizioni vijon të jetë burimi kryesor i informacioni, duke u pasuar nga mediat sociale dhe portalet, ndërsa në fund vijon radio me një interesim shumë të ulët. Për shkak se në të shtatë rajonet e Kosovës televizioni dominon në përdorim për t’u informuar, në krahasim me llojet e tjera të mediave, mund të konkludojmë se tradita e ndjekjes së edicioneve të lajmeve në televizion e dominon ekosistemin informativ.

Në vlerësimin e publikut raportimi në mediat kosovare për luftën në Ukrainë është vlerësuar në nivelin e duhur, duke nënkuptuar se ata janë informuar mirë në lidhje me atë se çka po ndodh. Sa i përket efektit të këtyre lajmeve te qytetarët, një pjesë e madhe e tyre kanë thënë se lajmet për luftën në Ukrainë i kanë kthyer ata në vitet e 90-ta dhe iu është kujtuar lufta në Kosovë. Për disa të tjerë lajmet për atë që po ndodh kanë krijuar panik dhe frikë te ta.

Në bazë të rezultateve të arritura në hulumtim në perceptimin e qytetarëve të Kosovës, është krijuar mendimi se ka rrezik për një luftë të re në Kosovë për shkak të situatës së pazgjidhur me Serbinë dhe tensioneve në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës. Nga informacionet e marra, sa i përket luftës në Ukrainë, shumica e kosovarëve besojnë se fajtor kryesorë për fillimin e luftës në Ukrainë është Rusia. Sipas tyre, pretendimet territoriale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe pengimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO janë dy arsyet që kanë ndikuar ne vendimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që ta fillojë sulmin ndaj Ukrainës.

Për fund

Nga raporti dhe hulumtimi i mësipërm arrijmë në përfundim se meqenëse dezinformatat në lidhje më luftën në Ukrainë janë shpërndarë në mediat sociale e, nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës e kanë zgjedhur televizionin si medium për t’u informuar rreth kësaj ngjarjeje, atëherë mundësia e dezinformimit të tyre është mënjanuar në masë të madhe. Megjithatë, lajmet dhe informacionet që janë lidhur me deklaratat e presidentit të Rusisë (tematikë e përdorur edhe në dezinformata) në lidhje me Kosovën si dhe gjendja jostabile në veriun e Kosovës ka krijuar një perceptim te qytetarët për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës. Nga ana tjetër, mediat – nëpërmjet informacioneve – kanë formësuar mendjen e qytetarëve të Kosovës në tri nivelet e teorisë së përcaktimit të agjendës (agenda setting): në cilat tema të fokusohen, qëndrimin ndaj tyre (fajtori i luftës Rusia), si dhe në çështjen se si t’i ndërlidhin temat ndërmjet vete (efektet e luftës në Ballkanin Perëndi

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X