loader image
January 25, 2026

Demokracia komuniste!

Në këto dekada të pluralizmit kaotik, u ndryshua vetëm forma e qeverisjes, por thelbi mbeti i njëjtë. Vazhduan të jenë faktorë vendimtarë figura përfaqësuese që në xhepa mbanin librezat e të gjitha partive politike demokratike, përfshirë edhe atë të asaj komuniste. Nëse pleqtë ishin plakur ose kishin ikur nga kjo botë, misionin e tyre e vazhdonin bijtë besnikë të idealeve të Partisë.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Sistemi që i shkaktoi botës mbi 100 milionë viktima të pafajshme brenda shekullit XX vazhdon të kundërmojë erë të keqe edhe në këto tri dekada të pluralizmit kaotik (që në diskursin publik quhet demokratik)! Në rrethana normale, në tri dekada rritet një brez krejtësisht i ri dhe ato vite janë të mjaftueshme për një riformatim rrënjësor të mendësisë shoqërore, por në shoqëritë tona ballkanike, e veçanërisht në atë shqiptare, kjo gjë ende nuk po mund të shihet qartësisht. Përpara nesh qëndron një mjegull e dendur, në të cilën më qartë përvijohet hija e së shkuarës sesa drita e së ardhmes!

Por pyetja që shtrojmë është se çfarë elite politike dhe intelektuale u prodhua nga sistemi (post)komunist jugosllav, veçanërisht në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë (së Veriut) dhe sa ishte ajo elitë në gjendje të përballej me sfidat turbulente?!

Elita e gjymtë intelektuale 

Në kohën kur kishte rënë Muri i Berlinit (nëntor 1989) dhe disa intelektualë kishin marrë barrën e organizmit të ri politik ndër shqiptarët e Maqedonisë, në fillim të viteve të 90-ta, duke krijuar parti të reja me prefiksin “demokratik”, shumica e intelektualëve ende po i mbanin ndër sirtarë librezat e Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), me shpresën e kotë se ajo një ditë prapë do të ngrihej. Idealizimi i skajshëm i doktrinës komuniste me dekada të tëra kishte bërë që këtë ideologji ta imagjinonin si një zog feniksi që do të ringjallej nga hiri i vetë. Frika e instaluar në kokat e tyre të thinjura dhe mendimi se vetëm një kastë e huaj sundimtarësh ishte e aftë të merret me zgjidhjen e problemeve tona, e kishte neutralizuar vrullin liridashës të shumicës së shqiptarëve për të kërkuar më me ngulm ndryshime rrënjësore të pozitës sonë.

Në pozitat kyçe politike-shoqërore të sistemit të ri nuk erdhën në shprehje njerëz të rinj, me ide të reja dhe që i kishin rezistuar pushtetit komunist jugosllav edhe nëpër burgjet e rënda, por në të shumtën e rasteve erdhën njerëz me biografi të dyshimta, njerëz me dosje të trasha informatorësh nëpër shërbimet policore – udbeske, të cilët nuk mund të bënin asgjë më shumë nga ajo që u servohej nga kasta mbisunduese e popullit bartës të sovranitetit të shtetit. Kështu filloi të prodhohej një “elitë” e gjymtë intelektuale shqiptare, e cila shumë vështirë ia prishte rehatinë partisë politike në pushtet, derisa shumica e shqiptarëve përpëliteshin mes dilemës së përfaqësimit institucional dhe atij jashtinstitucional.

Në të vërtetë, një elitë e tillë post(komuniste), e brishtë në përmbajtje dhe oportuniste në veprime, ishte e paaftë dhe e pavullnetshme në realizimin e pritshmërive të komunitetit të dytë më të madh në shtet, i margjinalizuar dhe i nënçmuar për katër dekada të sistemit komunist. Një elitë e tillë e paformuar sa duhet intelektualisht, elitë me qasje klienteliste në veprime, nuk pati mundësi reale të ballafaqohej me zhvillimet dramatike që sollën realitetin e ri postkomunist në vend, që ende diktohej nga pionierët e Beogradit.

Një elitë e tillë intelektuale – politike dhe ekonomike – u zhvesh nga mundësia e qasjes së drejtpërdrejtë në ndarjen e trashëgimisë pasurore të ish-sistemi komunist. Oligarkët kryesorë në vend u bënë bijtë dhe kumbarët e LSDM-së (ish-LKJ-së), duke vjedhur të gjitha fabrikat e mëdha dhe ngritur biznese të reja, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë proces privatizimi ishte gati zero. Kështu, komunistët e demokracisë maqedonase bënë edhe një mëkat tjetër të madh kundrejt shqiptarëve, duke i privuar nga e drejta e ndarjes së të mirave ekonomike nga ish-sistemi i përbashkët, ku shqiptarët kishin dhënë më së shumti kontribute. Në këtë mënyrë, ata pamundësuan një zhvillim normal të shqiptarëve, të cilët edhe në sistemin e ri mbetën hamallë dhe të paaftë ekonomikisht për të ecur më me vendosmëri në epokën e re zhvillimore. Po të mos ishte mërgata shqiptare, rëndom e nxitur të dalë jashtë nga shtypja dhe presioni sistematik i pushtetit (post)komunist, vendbanimet shqiptare do të rrezikonin të ngjanin të gjitha në Shutkë e Sredorekë!

Kameleonët e demokracisë 

Ndërkohë, në fund të dekadës së parë “demokratike”, revolta u rrit aq shumë, saqë shumica e vendbanimeve shqiptare rrëzë maleve të Karadakut dhe Sharrit pa hezitim iu përgjigj thirrjes për luftë të armatosur kundër padrejtësive shekullore. Dhe, megjithëse vetëm brenda disa muajve kryengritja u amortizua, ajo në letër la fryte të begatshme brenda kornizës së Marrëveshjes së Ohrit, që duhej të operacionalizoheshin brenda një periudhe të përcaktuar kohore. Por, ama, ajo “elitë” intelektuale me bagazh ideologjik komunist, e cila në dekadën e parë demokratike e paralizoi frymën rezistente të shqiptarëve, shumë shpejt u katapultua edhe brenda strukturave të reja politike që dolën nga lufta, duke sabotuar çdo arritje kombëtare të shqiptarëve përmes grykës së pushkës!

Marrja e përgjegjësive udhëheqëse e një brezi shqiptarësh që jomjaftueshëm ishin kalitur për beteja reale politike, ndërsa pjesa e “kokëfortëve” përpunoheshin lehtë nga ana e organeve shtetërore përmes metodave të tyre të njohura, rezultoi me defekte të panumërta në sistemin e ri të (bashkë)qeverisjes kaotike.

Në rrethana të tilla, u sabotua përdorimi i gjuhës shqipe nëpër institucione, meqë shumë funksionarë shqiptarë më lehtë (nën)shkruanin maqedonisht sesa shqip; u diskreditua parimi i përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, meqë (me disa përjashtime) prej te ministrat e deri te pastruesit u emëruan e u punësuan kryesisht njerëz të dëgjueshëm dhe pa merita e rezultate të theksuara profesionale; u sabotua edhe zhvillimi ekonomik i vendbanimeve shqiptare, meqë nuk ishin të aftë ta heqin njollën e zezë që ua kishin vënë të tjerët  si “krizni regioni” (rajone të krizës), me çka u stagnua zhvillimi ekonomik dhe u stimulua ikja masive e shqiptarëve jashtë vendit, etj. etj.

Në këto dekada të pluralizmit kaotik, u ndryshua vetëm forma e qeverisjes, por thelbi mbeti i njëjtë. Vazhduan të jenë faktorë vendimtarë figura përfaqësuese që në xhepa mbanin librezat e të gjitha partive politike demokratike, përfshirë edhe atë të asaj komuniste. Nëse pleqtë ishin plakur ose kishin ikur nga kjo botë, misionin e tyre e vazhdonin bijtë besnikë të idealeve të Partisë. Kështu u krijua një kastë shoqërore-intelektuale me defekte serioze të etikës publike, që e kishte të vështirë ta ngrejë zërin kundër padrejtësive të shumta ndaj shqiptarëve; u formuan intelektualë që ishin dhe janë në gjendje të shesin moralin dhe familjen e tyre për interesa të ngushta të politikës ditore; intelektualë hipokritë që tradhtojnë pa fije turpi edhe kur kanë obligime të qarta ndaj një kauze të caktuar; intelektualë që formalisht morën grada të larta arsimore-shkencore, por mbetën njerëz pa identitet dhe pa kredibilitet moral personal; intelektualë që nuk janë vetvetja dhe që nuk skuqen fare edhe kur të gënjejnë drejt në sy; intelektualë që nuk mund të marrin asnjë vendim të rëndësishëm, për të cilin pandehin se kryetari i Partisë nuk do të pajtohej…

Derisa gjatë komunizmit intelektuali shqiptar ishte i margjinalizuar, i survejuar dhe i detyruar të përshtatej me dogmën ideologjike, gjatë demokracisë së sotme “komuniste” ai u përshtatet rrethanave të kohës, duke trashëguar në gjene frikën, servilitetin dhe oportunizmin ndaj klasës sunduese. Shpirti i shitur i kameleonit të sotëm, dashurinë ndaj shokut Tito dhe Partisë Komuniste tani është deleguar te zotëri lideri i Partisë “Pluraliste”, duke vazhduar paturpësisht ambientimin me çdo rrethanë të mundshme.

Me një lloj elite të këtillë sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, dhe jo vetëm, janë në ballë të proceseve sfiduese me palët e tjera, janë pjesë e një gare të pabarabartë intelektuale e politike, e cila sa vjen e ashpërsohet! Ndryshimi i kursit zhvillimor të elitave tona kërkon një impenjim shumë më serioz dhe investim të madh në përmirësimin e kredibilitetit moral të gjeneratave të reja në të gjitha hallkat e zinxhirit edukativ, arsimor e institucional. Ato duhet të jenë në gjendje të marrin mbi supe barrën e përgjegjësive të reja shoqërore me dinjitet, vendosmëri dhe guxim të pashoq, duke u shkëputur nga tërësia e vlerave të modelit të vjetër të demokracisë komuniste.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X