loader image
March 11, 2025

Demaçi: Zëri i Kosovës për pavarësi

Figura të tilla politike që motivuan një komb është shumë e vështirë të gjenden në histori. Kosova ka nxjerrë emra të rëndësishëm gjatë historisë që nga Beteja e Kosovës. Adem Demaçi dhe të tjerët i treguan botës se zëri dhe kërkesat e shqiptarëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavi për liri ishin pjesë e të drejtave të njeriut dhe kërkesa të drejta. Gjithashtu, Demaçi dhe figura të shquara në Europën Lindore motivuan brezat e rinj për ta luftuar agresorin dhe për t’i ndryshuar regjimet dhe kjo ndodhi në dekadën e fundit të shekullit të 20-të. Prandaj Adem Demaçi ishte dhe mbetet pjesë e personaliteteve të tjera të shquara europiane për demokracinë në shekullin e 20-të.

Selim IBRAIMI, Uashington

Në Springfield të SHBA-së, një qytet 25 minuta afër Uashington DC, para disa viteve më ndodhi ta vizitoj mikun dhe kolegun Shaqir Salihu, një gazetar veteran i “Zërit të Amerikës” tashmë në pension. Mikpritja e tij ishte më shumë nga sa prisja. Pas një diskutimi të gjatë për gjendjen tonë në Ballkan, ai m’u drejtua: “Selim, sonte do të flesh në një dhomë të veçantë”. “Të tregoj se në këtë dhomë shumë vite më parë ka fjetur Adem Demaçi”. Për mua ishte një befasi dhe ndoshta i privilegjuar të pushoja në atë dhomë të veçantë ku Adem Demaçi kishte qëndruar për disa ditë.

Adem Demaçi që me ka bërë përshtypje në fëmijëri, andaj do të veçoj disa raste nga vitet e 80-ta se si vlerësohej ai nga njerëzit e rëndomtë. Kur isha fëmijë, emri i Demaçit përmendej në odat dhe bisedat e zakonshme shqiptare. Më bënte përshtypje figura e tij e qëndrimit me vite në burgjet e asaj kohe. Kështu, fillimisht si adoleshent, arrita të mësoja dhe kuptoja më shumë për të dhe për demonstratat që kishin ndodhur në Kosovë në vitin 1981, më vonë me suprimimin e autonomisë në vitin 1989 dhe krizën jugosllave që përpiqej ta zbuste Ante Markoviqi. Më tej, në fillim të viteve të ‘80-ta të shekullit të kaluar, më kujtohet mirë kur babai im, së bashku me një mik, në shtëpinë tonë flisnin për një figurë të madhe, i cili quhej Adem Demaçi. Të dy e krahasonin me Nelson Mandelën. Miku i babait tim ndonjëherë në fundjavë tregonte tregime të ndryshme për rezistencën kosovare ndër vite, duke i përfshirë këtu edhe shqiptarët e Maqedonisë në kontributin e tyre për shtetin e Kosovës. Gjithashtu, si adoleshent më vinte në mendje se po flisnin për një libër që quhej “Gjarpinjt e gjakut “(1958) të Adem Demaçit, që kishte bërë qysh moti jehonë jashtë Kosovës. Prej këtij momenti e deri kur ai u lirua nga burgu dhe filloi të inkuadrohet në jetën publike, duke u bërë drejtues në javoren “Zëri”, e deri hyrjen e tij në politikë, që përfundoi duke e mbështetur UÇK-në, Adem Demaçin e mbaj mend si figurë qendrore në politikën kosovare me qëndrime të paluhatura ndaj kërkesës për pavarësi të Kosovës nga Serbia.

Adem Demaçi si nacionalist dhe internacionalist

Adem Demaçi u lind në Podujevë në vitin 1936. I nderuar nga Parlamenti Europian në vitin 1991 me çmimin “Saharov” për luftën ndaj të drejtave të njeriut, Demaçi i tejkaloi përmasat kombëtare. Kur jemi te vendi dhe roli i tij në Kosovë, atë e shohim me qëndrime të forta ndaj Konferencës së Rambujesë (1999) dhe më pas. Ai, si personalitet në luftën shekullore të popullit të Kosovës për pavarësi dhe liri nga Serbia, u njoh që në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar, kur u burgos në rini.

Adem Demaçi u arrestua për herë të parë në vitin 1958. Shumë miq dhe figura intelektuale kosovare ishin venë në anën e regjimit duke dhënë informata tek sigurimi në Prishtinë. Por, lufta e tij e drejtë, kokëfortësia dhe qëndrimi pothuajse tre dekada në burgjet serbe e bëri atë të njihet jo vetëm në hapësirën ballkanike. Si përfaqësues i të drejtave të njeriut, ai e ngriti zërin kudër dhunës dhe diskriminimit shtetërorë serb dhe më gjerë, ku të drejtat e njeriut po shkeleshin. Duhet thënë se trashëgimia e Adem Demaçit si zë i lirisë, në fillim të viteve të ‘90-ta do shtrihet përtej kufijve të Kosovës, duke kaluar në rrafshin global. Përkushtimi i palëkundur i Adem Demaçit për rezistencë paqësore e bën atë një simbol jo vetëm të popullit kosovar. Pas daljes nga burgu, Adem Demaçi u bë një figurë kryesore në ngjarjet kryesore të viteve të ‘90-ta, me ndikim në qarqet ndërkombëtare.

Adem Demaçi si politikan

Ndikimi i Adem Demaçit në politikën e brendshme të Kosovës nuk mund të injorohet, pasi veprimtaria e tij shtrihej përtej rolit si aktivist. Sipas gazetave të kohës, ai ishte një intelektual i respektuar, trashëgimia e të cilit i frymëzoi brezat e kosovarëve në luftën për liri. Ashtu siç theksuam më lart, veprimtaria e tij politike filloi në vitet e 50-ta, kur ai iu bashkua lëvizjes së fshehtë dhe protestoi kundër politikave represive të qeverisë serbo- jugosllave. Vëzhgues të jashtëm e kanë njohur Adem Demaçin si të burgosur për gati 28 vite ose si Nelson Mandela. Kështu Adem Demaçi u bë një figurë e respektuar gjatë kohës së qëndrimit në burg dhe më pas, duke e forcuar vendosmërinë e popullit kosovar për pavarësi nga Beogradi. Gjatë gjithë viteve të burgut Demaçi vlerësohet të ketë qëndruar i palëkundur në përkushtimin e tij ndaj çështjes kosovare. Tri dekada në burgjet serbe njëherit kanë shërbyer për ndërkombëtarizmin e problemit të Kosovës. Në burg i shkroi disa libra, që më vonë do ta motivonin rininë dhe popullin e Kosovës për pavarësi. Pavarësisht vështirësive që i kaloi në burg dhe jashtë, kur u lirua në vitet e ‘90- ta, Adem Demaçi kishte frymëzuar shumë veprimtarë të tjerë kosovarë brenda dhe jashtë në mërgim. Demaçi, siç përmendëm më lart, gjatë viteve të ‘90-ta u bë më i shquar në lëvizjen për pavarësi, duke u bërë në të shumtën e rasteve kundërshtar i lëvizjes paqësore të Ibrahim Rugovës. Veprimtaria e tij politike mori formë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-99, kur nga Sllovenia i bënte thirrje delegacionit shqiptar në Rambuje që ta refuzonte marrëveshjen. Zhvillimet e mëvonshme do të tregojë se ai kishte gabuar.

Pas vitit 1999 dhe kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, Demaçi nuk u përfshi aq shumë në politikë, meqenëse mbeti mbështetës i LVV-së të kryeministrit aktual Albin Kurti. Duhet nënvizuar se Adem Demaçi në hapësirën shqiptare, pas daljes nga burgu, vazhdoi të gëzonte respektin si lider i të drejtave kombëtare, por shumë pak pati ndikim në Maqedoni, Preshevë ose Mal të Zi. Mund të themi se ai më së shumti ishte përqendruar rreth Kosovës për të fituar pavarësinë. Pavarësisht idesë së tij për projektin “Ballkania”, si rrugë ndërmjetëse në mes serbëve dhe shqiptarëve, Adem Demaçi mbetet figura kryesore e rezistencës së Kosovës për liri dhe pavarësi me të drejta të plota si shtet i pavarur, që ai arriti ta shohë deri kur ai vdiq në vitin 2018.

Pas vdekjes së tij, në kohën që kalon Kosova, një figurë si ai do t’i shërbente pajtimit të brendshëm dhe njëkohësisht do të ishte një zë autoritativ përtej Kosovës. Figura të tilla politike, që motivuan një komb, është shumë e vështirë të gjenden në histori. Kosova ka nxjerrë emra të rëndësishëm gjatë historisë, që nga Beteja e Kosovës.

Adem Demaçi dhe të tjerët i treguan botës se zëri dhe kërkesat e shqiptarëve për liri në Kosovë dhe ish-Jugosllavi ishin pjesë e të drejtave të njeriut dhe kërkesa të drejta. Gjithashtu, Demaçi dhe figura të shquara në Europën Lindore i motivuan brezat e rinj për ta luftuar agresorin dhe për t’i ndryshuar regjimet. Dhe, kjo ndodhi në dekadën e fundit të shekullit të 20-të. Prandaj Adem Demaçi ishte dhe mbetet pjesë e personaliteteve të tjera të shquara europiane për demokracinë në shekullin e 20-të.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X