loader image
March 11, 2025

Dallimi mes një luftëtari dhe një heroi

Për regjimin komunist të Shqipërisë, çështja e Kosovës nuk ekzistonte, Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë dhe ashtu do të mbetej. Ata që luftonin për çështjen e Kosovës në Jugosllavi i përndiqte regjimi komunist i Titos. Ata që luftonin për çështjen e Kosovës në Shqipëri i përndiqte regjimi komunist i Enverit. Nëse Adem Demaçi do të kishte vepruar në Shqipëri për çështjen e Kosovës, gjasat janë që ai të përfundonte, ashtu si në Jugosllavi, në burg.

Çelo HOXHA, Tiranë

Ademi Demaçi (1935-2018) është një nga simbolet e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtetit kolonial serb në Kosovë. Ai sakrifikoi pjesën më aktive të jetës së tij, por, për fatin e tij të mirë dhe gjithë shqiptarëve, ia doli ta shihte Kosovën të lirë, të pavarur dhe mëvete.

Jeta e Adem Demaçit është jeta e një luftëtari, i cili punoi me vetëdije dhe përkushtim për kauzën e lirisë. Ai arriti të dilte gjallë nga burgjet e tmerrshme të regjimit komunist jugosllav dhe Kosova e komuniteti ndërkombëtar u treguan mirënjohës duke e nderuar me çmime të ndryshme për sakrificën. Megjithatë, shpërblimi më i madh për sakrificën e tij ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, ngjarje që e ai e jetoi. Shumë të tjerë, në të dyja anët e kufirit, nuk e patën këtë fat.

Adem Demaçi vuajti 28 vjet burg. Ai u burgos disa herë. Kjo e dëshmon vendosmërinë dhe përkushtimin e tij. Një karakter më i butë mund të ishte përkulur pas burgut të parë, të dytë ose të tretë. Sidoqoftë, si gjithë të gjallët, edhe ai nuk ishte pa të meta. Në gjykimin e tij, e meta e Adem Demaçit është simpatia e tij për Enver Hoxhën, kriminelin më të madh në historinë e Shqipërisë, një cilësi që nuk duhet anashkaluar, që ndjekësit e tij të mos e imitojnë.

Adem Demaçin kam pasur fatin ta shikoj nga afër, pa folur me të, në fillim të viteve 2000 besoj, në Sarandë. Më thanë që jetonte në Sarandë një pjesë të vitit (nuk e di sa e vërtetë ishte). Duke folur me respekt për të, me personat që isha i shoqëruar e torrëm gjatë faktin që një person i tillë, të cilin e shikonim si një legjendë të gjallë, të ishte adhurues i Enver Hoxhës. Hoxha është përgjegjës për marrjen e pushtetit me dhunë, vendosjen e Shqipërisë nën kontrollin e Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, shkatërrimin ekonomik të saj, shkatërrimin e marrëdhënieve me pronën, sipërmarrjen private, izolimin e Shqipërisë, defaktorizimin e saj një faktor gjeostrategjik në Ballkan, duke dëmtuar kështu, mes të tjerash, edhe kauzën e Kosovës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në të dyja anët e kufirit shpresonin që çështja e Kosovës të zgjidhej bazuar në parimin e vetvendosjes së popujve, që aleatët premtuan se do ta zbatonin pas lufte. Kjo u bë shkak edhe për nisjen e luftës civile (1943-1944) mes komunistëve të PKSH-së, të drejtuar nga malazezi Milladin Popoviq, dhe nacionalistëve të Ballit Kombëtar, të drejtuar nga firmëtari i pavarësisë së Shqipërisë, Mid’hat Frashëri.

Me nxitjen e misoneve ushtarake britanike që ndodheshin në Shqipëri, Balli Kombëtar dhe PKSH-ja ranë dakord t’i bashkonin forcat në një front të vetëm për t’i dëmtuar sa më shumë forcat ushtarake gjermane që ndodhedhin në Shqipëri dhe atyre që do ta kalonin përmes saj gjatë tërheqjes nga Greqia. Për këtë mbajtën një konferencë në Mukje, afër Tiranës, më 1-2 gusht 1943. Pika më e nxehtë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ishte çështja e Kosovës dhe fati i saj pas lufte. Pas debatesh të shumta, më në fund u arrit në një marrëveshje, në të cilën, me propozim dhe ndikim të Ballit, palët zotoheshin të luftonin “për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botnisht e të garantuem nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipni etnike”. Karta e Atlantikut ishte një deklaratë e përbashkët e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe (14 gusht 1941), e cila prezantonte një projeksion për botën pas lufte, ku deklarohej shprehimisht se “[SHBA dhe Britania] nuk dëshironin ndryshime territoriale, të cilat nuk përputheshin me dëshirën e vullnetshme të popujve përkatës”. Kjo fjali e deklaratës la hapur mundësinë që popujt mund të shpreheshin për çështjet e tyre territoriale pas lufte. Pikërisht këtë mundësi e shfrytëzoi Balli Kombëtar për ta futur në dokumentin e Mukjes çështjen e vetëvendosjes së Kosovës, me bindje që populli i saj do të shprehej, kur të pyetej, për bashkimin me Shqipërinë. Përfaqësuesit e PKSH-së e kundërshtuan me forcë çështjen e Kosovës, për shkak të aleatëve të tyre jugosllavë, por asokohe Balli ishte më i fuqishëm dhe propozimi i tij u fut në marrëveshje. PKSH-ja, e drejtuar nga jugosllavi Milladin Popoviq, sigurisht nuk mund ta pranonte, andaj me urdhër të tij marrëveshja u prish; kështu nisi zyrtarisht lufta civile.

Me marrjen e pushtetit nga PKSH-ja, e cila vepronte si një entitet nënkontraktor i PKJ-së, çështja e Kosovës doli nga agjenda e politikës së shtetit shqiptar deri në rënien e komunizmit gjysmë shekulli më vonë.

Më 1 dhjetor 1945, gazetarja Jenny Nicholson, e Sunday Dispatch, i bëri këto dy pyetje Enver Hoxhës: 1) “A kujtoni [mendoni] se mbetet për t’ardhmen me u rregullue ndonji çashtje kufiri?” dhe 2) “Janë të kënaqshme konditat e popullatës shqiptare në Kosovë?”

Përgjigja e Hoxhës ishte:

Popujt e Jugosllavisë, jo vetëm që na kanë ndihmuar po na nderojnë dhe na duan. Edhe ne gjithashtu i nderojmë dhe i duam se miqt e mirë njihen në kohë të vështira… Në lidhje me minoritetin shqiptar në Jugosllavi, pushteti i atjeshëm (i Titos) i ka dhënë të gjitha liritë demokratike dhe nacionale. Reforma agrare u këtheu tokën bujqve shqiptarë, që reforma e vjetër e Kralit ua kish grabitur. Ai ka sot aty njerëzit e tij në pushtet. Besimi dhe shkollat janë të lira. Nga qeveria jugosllave na vijnë përherë kërkesa për mësonjës shqiptarë. Ne kemi dërguar dhe do të dërgojmë edhe të tjerë. S’kemi veçse të urojmë dhe të tjerëve një miqsi të tillë si kjo që ekziston midis të dy shteteve t’onë indipendentë dhe sovranë.”

Për regjimin komunist të Shqipërisë, çështja e Kosovës nuk ekzistonte, Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë dhe ashtu do të mbetej. Ata që luftonin për çështjen e Kosovës në Jugosllavi i përndiqte regjimi komunist i Titos. Ata që luftonin për çështjen e Kosovës në Shqipëri i përndiqte regjimi komunist i Enverit. Nëse Adem Demaçi do të kishte vepruar në Shqipëri për çështjen e Kosovës, gjasat janë që ai të përfundonte, ashtu si në Jugosllavi, në burg.

Pas prishjes me Jugosllavinë më 1949, ndodhi një ndryshim i cili ua prezantoi shqiptarëve të Kosovës një realitet të rremë, se gjoja regjimi komunist i Tiranës e mbronte çështjen e Kosovës, sepse tashmë propaganda e Tiranës fliste kundër Titos, kundër qëndrimit të tij armiqësor ndaj Kosovës, i denonconte krimet e tij në shtypin zyrtar e kështu me radhë. Adem Demaçi dhe shumë të tjerë ranë viktimë e kësaj propagande, se në realitet Tirana nuk ndërmerrte asnjë hap konkret në mbrojtje të Kosovës. Më 24 shkurt 1990, ndërsa ishte ende në burg, Adem Demaçi dha një intervistë për gazetën jugosllave Vercenji List dhe u shpreh kështu për Enver Hoxhën: “Nga vendi më i prapambetur në Europë, nga një shembull për të keq, për gjithsejtë 40 vjet ai (Enveri) arriti të krijojë një shtet që sot mund të krenohet me vetveten. Prandaj, unë e respektoj atë si birin më të madh të popullit shqiptar dhe si një udhëheqës gjenial që, natyrisht i ka pasur edhe gabimet e veta, por asnjë gabim strategjik.”

Për krahasim, një i burgosur në Shqipëri, i cili e njihte mirë regjimin e Tiranës, bëri këtë deklaratë të fundit, para ekzekutimi, më 31 janar 1979:

“Zoti prokuror! Unë dua t’ju them se ju si shtet nuk jeni në rregull. Mblidheni mendjen. Shqipëria është e ndarë në dy pjesë. Pjesa më e madhe ndodhet jashtë Shqipërisë nën Jugosllavi, kurse ju këtu po vrisni njëri-tjetrin. Unë e kam urrryer këtë regjim që në fillim se është një regjim që ka ardhur në fuqi me gjak dhe prandaj nuk e dua. Kam qenë armik i këtij pushteti, i kësaj partie dhe jam armik i kësaj partie se ka ardhur në fuqi me gjak dhe me gjak e ka mbajtur, por dhe me gjak do mbarojë.”

Autori i deklaratës fjalëve është Ahmet Hoxha (1940-1979), i lindur në Kolonjë, Gjirokastër, i burgosur 18 qershor 1958 – 31 janar 1979 (deri ditën që u ekzekutua), të cilit nuk i është bërë asnjë nderim nga shtetit shqiptar. Dhe, ka shumë të tillë, heronj që ekzistojnë në histori, por i mungojnë kujtesës kombëtare, ngaqë nuk i ka nderuar kush, kurrë.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X