Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, me sloganin joshës “Kosova Republikë”, e tronditën autonominë e Kosovës. Të vrarët e të plagosurit në demonstratë i shërbyen Beogradit për të kërkuar dorëheqjen e Mahmut Bakallit dhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës. Kësisoj, u mënjanuan politikanët më të zotë kosovarë, të cilët ishin sinonim i zhvillimit të autonomisë së Kosovës.
Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Kur lideri i shtetit serb (Jugosllavisë), kroati Josip Broz Tito, vdiq më 1980, autonomia e Kosovës, e fituar më 1968, ishte në kulmin e saj.
Në Kosovë kishte gjithsej 20 komunistë shqiptarë në kohën kur komunistët e morën pushtetin në Tiranë më 17.11.1944 dhe më 8-10.07.1945 e organizuan në Prizren një Kuvend, i cili do të vendoste që Kosova të shkëputej nga Shqipëria dhe t’i bashkohej Serbisë, përkatësisht Jugosllavisë.
Deri më 1968, këta komunistë ishin lënë në margjina, pasi Kosovën me popullatë 90 për qind shqiptare e udhëhiqnin komunistët serbë. Por, kur Tito ia dha Kosovës autonominë më 1968, dhe për herë të parë në historinë e saj ajo u bë me kushtetutë, komunistët me etni shqiptare morën frenat e pushtetit në Kosovë. Megjithatë 20 familje komuniste ishin tepër pak për ta ushtruar pushtetin në Kosovë, andaj – për dallim nga ata të Shqipërisë që vazhduan ta luftojnë nacionalizmin shqiptar deri në grahmën e tyre të fundit – komunistët kosovarë u detyruan që të bashkëpunojnë me familjet nacionaliste.
Ekzistonin 5 forca politike në Shqipëri (me territor të zgjeruar duke përfshirë Kosovën, viset shqiptare në Maqedoni si dhe viset shqiptare në Mal të Zi) në kohën kur u zhvillua lufta civile gjatë viteve 1943 -1944:
1. Balli Kombëtar, i udhëhequr nga Mit’hat Frashëri (1880-1949), organizatë me orientim republikan dhe pro anglo-amerikan e koncentruar kryesisht në Jug të Shqipërisë. Në Kosovë kjo organizatë kishte vetëm dy eksponentë, djemtë e profesorit Ahmet Gashi, që jepnin mësim në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.
2. Partia Komuniste e Shqipërisë, e udhëhequr formalisht nga Enver Hoxha (1908-1985), por e udhëhequr de fakto nga Miladin Popoviqi (1910-1945) e Dushan Mugosha (1914-1973), forcë politike e ekstremit të majtë, me orientim republikan e prosovjetike, e koncentruar kryesisht në Jug të Shqipërisë.
3. Legaliteti, i udhëhequr nga Abaz Kupi (1892-1976), forcë politike e djathtë, konservatore dhe monarkiste, pro anglo-amerikane, e koncentruar në Shqipërinë e Mesme.
4. Blloku Kombëtar Independent, i udhëhequr nga Ismail Verlaci dhe eksponentë të tjerë politikë, kryesisht nga komuniteti katolik, forcë politike e djathtë, e koncentruar në Shqipërinë e Veriut, e përbërë kryesisht nga personalitete që kishin bashkëpunuar me italianët.
5. Lidhja e Dytë e Prizrenit e udhëhequr nga Rexhep Mitrovica (1888-1967), më pas nga Bedri Pejani (1885-1946) dhe, në fund, nga Xhafer Deva (1904-1978), ishte forcë politike e djathtë, e koncentruar në Kosovë dhe trevat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Kjo forcë politike e shihte të arsyeshme bashkëpunimin me gjermanët, por kur u pa se Gjermania e humbi Luftën e Dytë Botërore, atëherë udhëheqësia e saj (Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Dr. Rexhep Krasniqi, Dr. Xhelal Mitrovica, Tahir Zajmi) u larguan nga Kosova. Anëtarësia e mbetur në Kosovë e themeloi Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, e zgjodhi për kryetar Prof. Ymer Berishën (1912-1946) dhe e shpalli orientimin e saj proanglez. Në vitet në vijim Prof. Ymer Berisha u vra bashkë me shumë eksponentë të tjerë politikë të kësaj organizate, ndërsa shumica e aktivistëve të tjerë u dënuan me shumë vite burg.
Bashkëpunimi i komunistëve kosovarë me familjet nacionaliste
Siç e theksova më lart, për shkak të konstelacioneve në federatën jugosllave dhe forcimit të ndikimit të Perëndimit mbi të, më 1968 Kosova e fitoi autonominë e saj. 20 familje komuniste ishin numër i pamjaftueshëm për të drejtuar pushtetin në një krahinë prej 1 milion e gjysmë banoresh. Bashkëpunimi i komunistëve kosovarë me familjet nacionaliste ishte fatlum për Kosovën. Dy rastet me të spikatura ishin ai i nipit të Tahir Zajmit, Prof. Dr. Gazmend Zajmi, që u bë rektor i Universitetit të Prishtinës dhe zgjedhja drejtor në Kombinatin “Trepça” e Kemajl Dacës, i bir Ahmet Dacës, kryetarit të Bashkisë së Novi Pazarit më 1943-1944, kur Novi Pazari ishte pjesë e Shqipërisë së Madhe. Ahmet Daca është pushkatuar nga partizanët në Novi Pazar më 21.02.1945 së bashku me rreth 1.500 shqiptarë e boshnjakë. Natyrisht, në Shqipërinë e Enver Hoxhës kjo gjë nuk mund të ndodhte. Aty bijtë e të vrarëve nga partizanët ose të atyre që ishin në emigracion politik lëre që nuk mund të zgjidheshin rektorë e drejtorë, por as në universitet nuk i lejonin të studionin. Por, ky ishte realiteti Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
Zhvillimi i hovshëm i Kosovës, përkundër inferioritetit gjuhësor të realizuar me standardin gjuhësor të vitit 1972, e kishte bërë xheloz diktatorin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Në Kosovë, shoku Enver kishte krijuar çerdhe militantësh të manipuluar me propagandën e tij dhe po priste momentin për t’i sakrifikuar ata më qëllim të rrënimit të autonomisë së Kosovës, që për të ishte një pasqyrë ku shihej shëmtia e regjimit të tij. Dhe, momenti erdhi. Tito vdiq më 4 maj 1980, ndërsa nacionalistët serbë po e forconin pozitën e tyre në federatën jugosllave.
Nuk është publikuar ndonjë material që dokumenton bashkëpunimin direkt ose të tërthortë mes Enver Hoxhës e Beogradit, por me hapjen e arkivave të kohës ndoshta edhe mund të gjendet ndonjë dokument. Megjithatë, një gjë është e qartë – se kishte koketim mes tyre. Veprimet që ndërmerrnin në terren u korrespondonin interesave të njëri-tjetrit. Qëllimi final ishte zhbërja e autonomisë së Kosovës, e arritur në vitin 1968.
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, me sloganin joshës “Kosova Republikë”, e tronditën autonominë e Kosovës. Të vrarët e të plagosurit në demonstratë i shërbyen Beogradit për të kërkuar dorëheqjen e Mahmut Bakallit dhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës. Kësisoj, u mënjanuan politikanët më të zotë kosovarë, të cilët ishin sinonim i zhvillimit të autonomisë së Kosovës. Në anën tjetër, pjesa më energjike e popullsisë kosovare, rinia intelektuale, u fut nëpër burgje me dënime drakonike. Fotografitë e Stalinit e të Enver Hoxhës, që u gjendeshin nëpër strehat e grupeve marksiste–leniniste kosovare, të cytura nga Tirana zyrtare, e tmerronin opinionin liberal e demokratik, qoftë brenda Jugosllavisë, qoftë në Perëndim. Pra, derisa Beogradi e rrënonte autonominë e Kosovës në mënyrë direkte, Tirana zyrtare e ndihmonte atë duke i ofruar justifikime dhe duke e paketuar me stalinizëm synimin e natyrshëm të Kosovës për forcim të subjektivitetit.
Pas mënjanimit të Mahmut Bakallit nga skena politike, pushtetin politik në Kosovë e mori Azem Vllasi, i cili shpresonte se forcat nacionaliste serbe, tashmë të konsoliduara me liderin e artikuluar karizmatik, Sllobodan Milosheviq, do të mund t’i frenonte përmes aleancës me politikanët sllovenë, kroatë e boshnjakë. Azem Vllasi zhvilloi një politikë kundërshtuese ndaj Milosheviqit, por e meta e kësaj politike ishte se ajo ishte defansive në pritje të përkrahjes slloveno-kroato-boshnjake.
Pavarësisht manovrimeve të zhdërvjellëta të Vllasit, përkrahja e pritur nga sllovenët, kroatët e boshnjakët nuk i erdhi dhe kësisoj Azem Vllasi përfundoi në burg më 1989. Kjo ndodhi menjëherë pasi që Millosheviqi ua premtoi këtë turmës prej 1 milion serbëve të tubuar në Beograd. Pas burgosjes së Vllasit, garnitura e tij politike u çmontua tërësisht njësoj si ajo e Bakallit 8 vite më parë. Autonomia tashmë u zhvesh dhe shfuqizimi i saj formal nuk ishte ndonjë problem. Parlamenti autonom i Kosovës, i mësuar me lidershipin karizmatik të Vllasit, pas burgosjes së tij, u dorëzua në mënyrë qyqare. Nga 180 deputetë, vetëm 10 morën guximin të kundërshtojnë heqjen e autonomisë.
Përbërja e radhës e Parlamentit të Kosovës, duke e parë konkretisht suprimimin një nga një të institucioneve krahinore si policia, mbrojtja territoriale, plaçkitja e pasurisë së Kosovës etj., ishte më përfaqësuese e interesit të Kosovës, por tashmë ishte shumë vonë. Serbia tashmë e kishte arritur qëllimin, që autonomia e Kosovës të zhbëhej para se në Europën lindore e në Ballkan të frynin erërat demokratike.
Po çka do të bëhej në Kosovë nëse për ndonjë arsye ose tjetër nuk do të ndodhnin demonstratat e vitit 1981?
Tri mund të ishin arsyet që të mos ndodhnin demonstratat e 1981-shit: 1. Beogradi, 2. Tirana dhe 3. Prishtina.
1. Nëse Beogradi nuk do të ishte i interesuar që ta rrënonte autonominë e Kosovës, demonstratat e nxitura nga Tirana edhe mund të ndodhnin, por ato nuk do të kishin efekt pasi klasa politike e Kosovës do t’i neutralizonte ato shpejt. Thjesht, Tirana pa ndihmën e Beogradit nuk do të mund ta trazonte Kosovën. Mediet, tërësisht të kontrolluara nga pushteti, do t’i injoronin, organizatorët do të merrnin dënime të lehta dhe me kaq do të mbyllej kjo çështje.
2. Nëse Tirana nuk do të ishte i interesuar për trazira në Kosovë, nuk do të nxiste grupet marksiste-leniniste në Kosovë dhe çfarëdo pakënaqësie e ndonjë pjese të shoqërisë do të artikulohej jo me fotografitë e Stalinit. Rrjedhimisht, Beogradi, sado i interesuar për ta rrënuar autonominë e Kosovës, nuk do të gjente pretekst për të futur në valle njësitë e tjera federale kundër Kosovës. Pa ndihmën e shumicës së njësive federale, Serbisë nuk ia mundësonte kushtetuta e saj e as kushtetuta federative përzierjen në punë të brendshme të Kosovës.
3. Nëse klasa politike e Kosovës do të ishte më e zonja se sa që ishte në realitet për t’u përballur edhe me synimet armiqësore të Beogradit edhe me ato të Tiranës, do t’i mbyllte hesapet paq. Por, udhëheqësia politike e Kosovës e kishte ngrënë karremin herët që në fillet e autonomisë së saj. Më 1972 e kishte pranuar standardin e ri të gjuhës shqipe, që Shqipërisë së asaj kohe ia imponoi Enver Hoxha. Ky standard e vinte Kosovën në pozitë kulturalisht inferiore. Gabimi i dytë, akoma më trashanik, ishte importimi i teksteve shkollore të historisë e të letërsisë të hartuara në Tiranë nga shërbëtoret e shokut Enver Hoxha. Kjo bënte që nxënësit e studentët kosovarë të bëheshin brumë i përshtatshëm që Sigurimi dhe ambasadat e Shqipërisë nëpër Europë të rekrutonin grupe marksiste-leniniste që, në koketim me Beogradin, do ta shkatërronin autonominë e Kosovës.
Nëse, pra, për ndonjërën nga tri arsyet e mësipërme nuk do të ndodhte 1981-shi në Kosovë, atëherë autonomia e Kosovës do të zhvillohej në mënyrë të natyrshme. Trendi i shpërnguljes së serbëve të Kosovës drejt Serbisë, i nisur dhe zhvilluar viteve të ‘70-ta, do të vazhdonte me ritëm të përshpejtuar edhe viteve të ‘80-ta. Rrënimi i Murit të Berlinit do ta gjente Kosovën pothuaj fare pa serbë. Krahinat përreth Kosovës, Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku i Novi Pazarit, po ashtu do të zbrazeshin nga serbët. Universiteti i Prishtinës dhe Radio-Televizioni i Prishtinës do të ishin qendra gravituese edhe për krahinat përreth Kosovës të cekura më lart. Nacionalizmi serb, i gufuar viteve të ‘90-ta, nuk do të mund të mobilizohej pa e marrë shtysën iniciale me demonstratat e Kosovës të vitit 1981. Kësisoj, Jugosllavia do të shpërbëhej viteve të ‘90-ta pa luftëra të përgjakura. Kosova do ta fitonte pavarësinë e saj pa luftë e pa intervenim të NATO-s. Sot do të ishte anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Arsimi nuk do të zvetënohej siç u zvetënua viteve të ‘90-ta, madje këtë zvetënim po e vazhdon edhe sot. Kosova do të kishte sërish një diasporë, por jo kaq të madhe. Të paktën 1 milion banorë më tepër se ka sot do të jetonin në Kosovë. Zhvillimi normal i Kosovës gjatë viteve të ‘80-ta mund të bënte që komunizmi në Shqipëri të binte më herët, ndoshta që me vdekjen e Enver Hoxhës,
Kjo, pak a shumë, do të ishte Kosova pa demonstratat e vitit 1981. Natyrisht, ne nuk mund ta kthejmë prapa rrotën e historisë, por mund të mësojmë nga gabimet e së kaluarës. Ata që sot i shohim si heronj të 1981-shit në radhë të parë duhet t’i shohim si viktima, rrugën e të cilëve nuk duhet ndjekur.