“E kur u thuhet mos bani ligësi në tokë, ata thonë: “Ne vetëm po mbrojmë paqen.” (Kurani, 2:11)
“O njerëz, ju kemi kriju prej nji mashkulli e nji femre dhe ju kemi ba popuj e fise, që të njiheni me njëri-tjetrin. Ma fisniku mes jush te Zoti është ai që është ma i përkushtuar.” (Kurani, 49:13)
Edison ÇERAJ, Tiranë
Shpeshherë, asgja nuk e mjegullon arsyen dhe të drejtën ma shumë sesa nji mit apo besëtytni, veçanërisht kur miti merret si nji fakt i padiskutueshëm dhe akoma ma veçanërisht në kohën kur mund të shumëfishohet/përsëritet në forma të ndryshme nëpërmjet damarëve të korkolepsur të botës virtuale.
Miti mpin edhe lirinë. Miti është privim. Miti i marrë kësisoj të ban të huaj në të tashmen dhe ta shuan buzëqeshjen. Nuk mundet me qenë i lirë nji popull që adhuron nji të shkuar apo nji të ardhme “ideale”, e cila është ba e tillë vetëm përmes disa rrëfimeve, ku shumë syresh janë kundërthanëse.
“Populli i zgjedhur” dhe “toka e premtuar” janë dy mite me të cilët hebrenjtë e kanë brumosë thellësisht karakterin e tyre. Në mënyra të ndryshme, këtë kanë ba edhe qeveritë izraelite për të ndërmarrë hapa konkretë drejt “zgjidhjes përfundimtare” në lidhje me palestinezët/arabët, të cilët shihen si uzurpues të “tokës së premtuar”, e premtuar para mijëra vitesh!
Këto dy mite janë rranjosë aq shumë te hebrenjtë (jo vetëm tek ata), saqë jo rastësisht Kafka thotë se “hebrenjtë lindin të plakur”, me gjasë ngaqë ngarkohen me këto mite qysh në djep, dhe kjo përban nji peshë të panatyrshme.
(Rrjedhojë e mitit është ba prej kohësh edhe besëtytnia kaq e përhapur se “çifutët kanë botën në dorë”.)
Merret me mend lehtë se sa shumë gjana mund të justifikohen kur beson se je i zgjedhur prej Zotit, i privilegjuar dhe ipso facto të tjerët janë ma poshtë, deri dhe shërbëtorë, e si të tillë mundesh me u sjellë si të duash me ta nëse ta lyp nevoja.
“…besimi i të qenit një popull i zgjedhur zbulon konturet e një politike që shpjegon shumëçka rreth veprimeve të Izraelit.” (Gideon Levy) Domethanë, të jesh i zgjedhur pa asnji meritë vetjake, vetëm pse lind hebre (apo në nji racë/kombësi tjetër), gja që nuk varet nga njeriu! Kështu, kur beson se je i zgjedhur, mund t’i lejosh vetes shumëçka, edhe me uzurpu nji tokë që, dikur, para mijëra vitesh, paska qenë e banuar nga paraardhësit e tu!
Pikërisht kjo ka ndodhë prej dekadash e po ndodh sot në Gaza, ku në emër të këtyre dy miteve po përligjet çdo gja. Fjala gjenocid është pak për me përcaktu këtë që po ndodh. Edhe kur nji pjesë palestinezësh, që për mrekulli janë ende gjallë, vendosin me e lanë vendin e tyre e rreshtohen nëpër karvanët e ekzilit, edhe në këtë rast po i bombardojnë.
“Mizoria vjen nga i dobëti.” (Seneka)
Askush nuk i ka mbrojtë hebrenjtë ma shumë se muslimanët. Askund nuk janë zhvillu ma shumë kulturalisht e materialisht sesa në vendet muslimane: mjafton me kujtu Andaluzinë dhe Perandorinë Osmane.
Ngushëllimi i vetëm që kemi është mos me heshtë, e me i thanë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë. Ndoshta nji ditë mund ta qetësojmë disi ndërgjegjen duke i thanë vetes se vetëm fjalën kisha dhe e përdora…
Në fakt, e vërteta e hidhur është se kjo që po ndodh atje tregon ma shumë për ne se për palestinezët: jemi ne ata që jemi ba për keqardhje, për me u vajtu, jo ata, sepse i kemi braktisë. Çfarë po ndodh me ndjeshmërinë tonë? Pothuajse të gjitha qeveritë nëpër botë shndërrohen në memece kur bahet fjalë për masakrat izraelite mbi të pafajshmit, sepse kanë vendosë me u rreshtu me të fortin, jo me atë që ka të drejtë. Kështu do jetë gjithmonë kur zgjedhim “sigurinë” në vend të lirisë. Ma saktë, kjo është me zgjedhë me jetu me frikë.
Meritojmë nji keqardhje të thellë.