loader image
December 12, 2024

Ç’është Maqedonia dhe kush janë maqedonasit në sytë e shqiptarëve?

Për të qenë më të saktë, në thelb të çështjes maqedonase qëndron dilema se cili është identiteti etnik i popullatës sllave në Maqedoni. Në këtë pikë studiues dhe historianë të ndryshëm përgjigjen në mënyra të ndryshme. Përderisa për historianët dhe historiografinë maqedonase të institucionalizuar pas Luftë së Dytë Botërore, përkatësia etnike e popullatës sllave në Maqedoni gjatë shekullit XIX ka qenë maqedonase dhe së këndejmi e ndryshme nga ajo e popujve fqinjë sllave, një pjesë e studiuesve, veçmas të huaj, argumentojnë se popullata sllave në Maqedoni deri në Luftën e Dytë Botërore nuk kishte një vetëdije të qartë për identitetin ose përkatësinë kombëtare.

Murat ALIU, Prilep

Shikuar nën prizmin e çështjes maqedonase, ç’është Maqedonia dhe kush janë maqedonasit përbën një pyetje, përgjigjja e së cilës është tepër e komplikuar. Çështja maqedonase, pra, ç’është Maqedonia dhe kush janë maqedonasit ka qenë vërtet një preokupim i shumë studiuesve dhe historianëve e të cilët vështirë kanë arritur t’i japin një përgjigjje të qëndrueshme shkencore. Historiani Duncan Perry argumenton se çështja e maqedonase nuk është monolite, në vete ngërthen tre çështje të vendosura në kontekstin historik: së pari, cilët kufij rajonalë i përfshin Maqedonia, së dyti kujt, pra cilit shtet i përket kjo copë toke dhe, së fundmi, cila është përkatësia dhe identiteti etnik i popullatës që jeton në hapësirën gjeografike e quajtur Maqedoni? Duke marrë parasysh realitetin historik, del shumë e vështirë që këtyre pyetjeve t’u jepet një përgjigje objektive, kjo pasi që, së pari, rajoni i quajtur Maqedoni përgjatë historisë vazhdimisht ka ndryshuar kufijtë, së dyti ky territor në periudha të ndryshme historike është sunduar nga shtete ose perandori të ndryshme dhe, së treti, historikisht në këtë hapësirë kanë jetuar popuj me kultura dhe gjuhë të ndryshme.

Për të qenë më të saktë, në thelb të çështjes maqedonase qëndron dilema se cili është identiteti etnik i popullatës sllave në Maqedoni. Në këtë pikë studiues dhe historianë të ndryshëm përgjigjen në mënyra të ndryshme. Përderisa për historianët dhe historiografinë maqedonase të institucionalizuar pas Luftë së Dytë Botërore, përkatësia etnike e popullatës sllave në Maqedoni gjatë shekullit XIX ka qenë maqedonase dhe së këndejmi e ndryshme nga ajo e popujve fqinjë sllave, një pjesë e studiuesve, veçmas të huaj, argumentojnë se popullata sllave në Maqedoni deri në Luftën e Dytë Botërore nuk kishte një vetëdije të qartë për identitetin ose përkatësinë kombëtare. Duke qenë kështu, pra duke qenë se popullata sllave në rajonin e Maqedonisë përjetonte një krizë identitare dhe siç argumentojnë shumë studiues përbënte një “masë amorfe”, shtetet fqinjë të Maqedonisë, Bullgaria, Greqia dhe Serbia, e mohuan veçantinë e kombit maqedonas. Për ta nuk ekzistonte një komunitet etnik i quajtur maqedonas, i veçantë për nga kultura dhe karakteri. Për Bullgarinë, sllavët në rajonin e Maqedonisë ishin bullgarë, për Greqinë ishin grek sllavishtfolës dhe për Serbinë ishin serbë jugorë. Këto pretendime mbi origjinën etnike dhe kombësinë e popullatës sllave në Maqedoni vendet fqinje të Maqedonisë i mbështesin duke u bazuar në karakteristikat kulturore dhe gjuhësore. Përveç elementeve kulturorë dhe gjuhësorë, këto pretendimi të vendeve fqinjë mbështeteshin edhe në faktin që rajoni i quajtur Maqedoni në periudha të ndryshme të historisë ka qenë pjesë e perandorive ose shteteve të tyre. Në këtë pikë Bullgaria pretendimet e saja i mbështeste duke argumentuar që ky rajon gjendej brenda kufijve të perandorisë mesjetare bullgare dhe se qyteti i Ohrit ishte kryeqendra e perandorisë të Car Samoilit. Ndërkaq, pretendimet e Serbisë bazoheshin në faktin që rajoni i Maqedonisë ishte pjesë e shtetit mesjetar serb dhe se në periudhën e Car Dushanit qyteti i Shkupit ishte kryeqyteti i këtij shteti mesjetar serb.

Deri në LDB qëndrimet e shteteve fqinjë të Maqedonisë ishin në drejtim të mosnjohjes së kombësisë maqedonase si një komunitet i veçantë nga bullgarët, serbët dhe greket. Deri në këtë periudhë ekzistenca e kombësisë maqedonase refuzohej në totalin e saj. Ndërkaq, pas LDB-së, pra pasi Maqedonia e fitoi pavarsinë e saj në kuadër të federatës jugosllave, shtetet në fjalë përvetësuan një strategji tjetër: kësaj herë, në vend të mohimit të tërësishëm të kombit/kombësisë maqedonase, ata filluan t’i mohojnë pjesët përbërëse të identitetit kombëtar. Kështu, për Bullgarinë gjuha maqedonase ishte vetëm një dialekt i bullgarishtes. Ndërkaq, Greqia refuzoi të njohë emrin zyrtar të shtetiti, pra emrin “Maqedoni” dhe disa simbole kombëtare të cilat nga Greqia llogariteshin si pjesë e trashëgimisë kulturore të Maqedonisë antike. Serbia, meqenëse gjendjej në një federatë të njëjtë me Maqedoninë, të paktën në nivel të diskursit politik dukej sikur nuk kishte ndonjë problem me ekzistencën e kombit dhe identitetit maqedonas. Por, kësaj here ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë lindi një konflikt tjetër: Kisha Ortodokse Serbe refuzoi ta njohë Kishën Ortodokse Maqedonase. Kjo nga maqedonasit u artikulua si një sulm ndaj identitetit kombëtar dhe shtetësisë maqedonase, pasi, siç dihet, në mesin e popujve ortodoksë të Ballkanit, kisha llogaritet institucioni kryesor i ruajtjes, kultivimit dhe zhvillimi të identitetit kombëtar. Për më tepër, kisha ortodokse në Ballkan shërben si një çerdhe e nacionalizmit.

Për bullgarët, grekët dhe serbët kombi maqedonas ishte një shpikje e komunistëve jugosllavë dhe serbë. Ai, sipas tyre, u krijua brenda natës si rezultat i rrethanave politike dhe gjeopolitike. Këto qëndrime shtetet fqinje vazhduan t’i ruajnë edhe pas pavarësisë së Maqedonisë. Ndërkaq, me nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës, në vitin 2018, ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, dhe me njohjen e pavarësisë së Kishës Ortodoksë Maqedonase nga ana e Kishës Ortodokse Serbe në vitin 2022, duket që të paktën në nivel të diskursit politik Maqedonia i ka përmbyllur mosmarrëvëshjet disadekadëshe me Greqinë dhe Serbinë. Por, kjo nuk nënkupton që në nivel të historiografisë dhe diskursit shkencor grekët dhe serbët e kanë mbyllur “çështjen maqedonase”. Ndërkaq, Bullgaria edhe sot e kësaj ditë vazhdon t’i ruajë qëndrimet e njëjta kundrejt “çështjes maqedonase”. Për Bullgarinë, maqedonasit e sotshëm janë shpikje e Titos dhe e komunistëve jugosllav, një komb artificial; gjuha maqedone është një dialekt i bullgarishtes dhe maqedonasit deri në LDB etnikisht dhe kulturalisht ishin bullgarë.

Ajo që mund të thuhet nga qëndrimet dhe politikat e Bullgarisë, Serbise dhe Greqisë kundrejt asaj që quhet çëshja maqedonase është se që të tria shtetet, që nga fillimi e deri më sot, pak a shumë kanë pasur një perceptim dhe qëndrim zyrtar homogjen. Bullgaria, Greqia dhe Serbia kundrejt kësaj cështje kanë arritur të ndërtojnë një qëndrim dhe konsensus kombëtar konform interesave të tyre e kombëtare dhe shtetëore.

Po cili është percepcioni i shqiptarëve për maqedonasit dhe shtetin maqedonas?

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pas sanksionimit të copëtimit të tokave shqiptare në Konferencën e Londrës në vitin 1913, është e vështirë të flasësh për një komb shqiptar si një njësi e vetme politike. Së këndejmi, është vështirë të flasësh për një qëndrim ose perceptim homogjen e panshqiptar karshi një çështjeje ose fenomeni të caktuar. Kështu, shqiptarët – duke ngelur të ndarë në disa shtete të ndryshme – e kishin të pamundur të krijonin perceptime dhe qëndrime unike ose e kishin të pamundur ta krijonin “tjetrin” e përbashkët. Pas 1912-tës dhe veçmas pas Luftës së Dytë Botërore, përderisa për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë “tjetri” kryesor ishin sllavët, kyesisht serbët dhe maqedonasit, e njëjta gjë nuk mundë të thuhet që vlente edhe për shqiptarët e Shqipërisë londineze, kjo pasi, siç thotë edhe Vittgenstein-i, çdo emërtim krijon kufi dhe ndarje. Në këtë konteskt, ndarja e shqiptarëve në të Shqipërisë, të Kosovës ose të Maqedonisë në vetvete nënkuptonte kufij ndërmjet tyre dhe, rrjedhimisht, nënkuptonte edhe divergjenca në botëkuptime, preferenca, perceptime etj.

Parë në retrospektivë se cili ishte perceptimi i shqiptarëve ndaj maqedonasve dhe shtetit të Maqedonisë. krahasuar me Bullgarinë, Serbinë dhe Greqinë, nuk është që shqiptarët, si një tërrësi kombëtare, kanë pasur një marrëdhënie antagoniste dhe një obsesion kundrejt çështjes së identitetit kombëtar të maqedonasve para Luftës së Dytë Botërore, por as edhe pas saj. Arsyet mund të jenë të ndryshme. Njëra nga ato është se pas vitit 1912-të politika zyrtare shqiptare kurrë nuk ka pasur pretendime serioze territoriale ndaj Maqedonisë, siç kishin shtetet fqinjë të Maqedonisë. Së dyti, shqiptarët në baza etnike dhe kulturore përbëjnë një komunitet krejtësisht të ndryshëm nga maqedonasit dhe në këtë kuptim nuk kishin pse të mohonin identitetin kombëtar të maqedonasve. Sidoqoftë, në këtë pikë është e rëndësishme se shqiptarët nuk kanë pasur një perceptim homogjen dhe monolit për maqedonasit dhe, rrjedhimisht, për shtetin maqedonas. Kështu, përderisa për shqiptarët e Maqedonisë, së paku pas Lufttës së Dytë Botërore, ateherë kur shteti i sapokrijuar i Maqedonisë e vazhdoi traditën e Mbretërisë së SKS-së, që shiptarët t’i llogarisë si qytetarë të rendit të dytë, ndërsa maqedonasit përbënin “tjetrin” kryesor, e njëjta gjë nuk vlente edhe për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Divergjencat në perceptime dhe në nivele tjera brenda trungut shqiptar janë rrjedhojë e asaj që shqiptarët pas pavarësisë së Shqipërisë nuk arritën ta ndërtonin një gjuhë nacionaliste uniforme dhe mbarëkombëtare. Shqipëria, pas vitit 1912, veçmas pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, me arsyetimin se bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm është i pamundur, hoqi dorë pothuajse tërrësisht nga interesi për përkujdesjen ndaj shqipëtarëve të ngelur jashtë Shqipërisë londineze. Kjo traditë politike vazhdoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e komunistëve në pushtet në Shqipëri. Politika e Shqipërisë, nën udhëheqjen e komunistëve, ishte në drejtim të miqësisë me popujt ballkanikë dhe kjo politikë, që promovohej nga komunistët shqiptarë, binte ndesh me nacionalizmin dhe brengat e shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë, kjo pasi – siç dihet – edhe shqiptarët e Kosovës edhe ata të Maqedonisë ishin në një pozicion të diskriminuar në Maqedoni dhe Kosovë.

Nacionalizmi shqiptarë vazhdoi të mbetet divergjent edhe pas rënies së komunizmit në Jugosllavi dhe Shqipëri. Edhe pas viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, shqiptarët, për shkak të rrethanave subjektive ose objektive, sërisht nuk arritën të ndërtojnë një gjuhë nacionaliste homogjene për disa çështje kundrejt çështjeve dhe problemeve që i preokupinin ata. Së këndejmi, shqiptarët dallonin mes vete edhe në perceptimin ndaj maqedonasve dhe Maqedonisë. Sot, në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë është krijuar bindja se shqiptarët e Kosovës, e veçmas ata të Shqipërisë, kanë një qasje tejet liberale karshi maqedonasve dhe shtetit maqedonas. Thënë ndryshe, ekziston një bindje që Shqipëria nuk ka treguar kujdesin dhe solidarizimin e nevojshëm me shqiptarët e Maqedonisë, duke marrë parasysh politikat e shtetit maqedonas ndaj shqipëtarëve të Maqedonisë. A mund të jetë kjo një mungesë e aftësisë për të treguar empati me shqiptarët e Maqedonisë? Mbase mund edhe të vlerësohet edhe kështu.

Nga ana tjetër, duhet thënë se fakti i të jetuarit në shtete të ndryshme detyrimisht krijon ndasi dhe diferencime në nivele të ndryshme. Për më tepër, shteti është një subjekt i cili e ka fuqinë e krijimit të realitetit objektiv. Fundja, shtetet ndjekin dhe kanë interesa të vecanta, edhe pse mund të bëhet fjalë për dy shtete shqiptare. Parë nga ky këndvështrim, këto ndasi mbase deri në një nivel mund të jenë të arsyeshme. Por, sidoqoftë divergjencat në mesin e shqiptarëve kundrejt perceptimit të maqedonasve janë një fakt. Shqiptarët, të ndarë në disa shtete e, për më tepër, mungesa e kominikimit të ndërsjellë, krijoi (sub)kultura, botëkuptime, preferenca të ndryshme. Në këtë pikë është e nevojshme të parashtrohet pyetja se a mundë të shmangeshin këto, kushtimisht t’i quajmë, “gabime”? Mbase po. Sikur të mos ishin ndasitë në nivele ideologjike dhe nivele të tjera dhe sikur të ishim më vigjilent ë në krijimin e strategjive me inters kombëtarë, këto divergjenca, në mos të gjitha, pjesërisht do t’i kishim eliminuar.

Si e përjetojnë shqiptarët e Maqedonisë shtetin maqedonas

Perceptimi i shqiptarëve të Maqedonisë ndaj maqedonasve dhe shtetit maqedonas dallon dukshëm nga ai i shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Imazhi i Jugosllavisë në përgjithësi, e në veçanti i Maqedonisë, në sytë e shqiptarëve të Maqedonisë, që nga fillimi deri më sot gjithmonë ka qenë negativ, kjo ngase për shtetin maqedonas dhe ideologjinë zytrare shqiptarët ishin një mish i huaj, një element i padëshirueshëm, madje edhe i rrezikshëm për ekzistencën e kombit dhe shtetit maqedonas. Që nga fillimi e deri sot, Maqedonia për maqedonasit ishte nënë, ndërsa për shqiptarët njerkë. Origjina e kësaj qasjeje ndaj shqiptarëve gjendet në nacionalizmin maqedonas. Në përgjithësi, nacionalizmat në Ballkan, e në veçanti nacionalizmi maqedonas, është një lloj i nacionalizmit të cilin Anthony Smith e quan etnik. Një nga karakteristikat kryesore të nacionalizmit etnik është qasja përjashtuese dhe agresive kundrejt të ndryshimit. Madje, shpeshherë në Ballkan nacionalizmi është manifestuar edhe në formën e shovinizmit dhe racizmit.

Për ideologjinë nacionaliste në përgjithësi, e në veçanti për modelin e nacionalizmit ballkanik, “tjetri”, pra i ndryshmi në nivel kulturor, etnik dhe fetar, gjuhësor etj., përfytyrohet si një element i cili e prish homogjenitetin kulturor të kulurës dominuese dhe, madje, përfytyrohet si kërcënim për ekzistencën e shtetit. Duke qenë kështu, “tjetri”, kjo “barishte” e egër dhe e dëmshme, nësë jo të shkulet, së paku duhet margjinalizuar dhe disiplinuar. Në këtë kuptim, shtetet-kombe në Ballkan, rrjedhimisht edhe Maqedonia, që nga 1944-ta, atëherë kur e fitoi pavarësinë e saj në kuadër të federatës jugosllave, kundrejt shqiptarëve ka vepruar me logjikën e asaj që Bauman-i e quan të “kopshtarit”. Detyra e kopshtarit është nëse jo të shkulë, së paku t’i disiplinojë dhe edukojë barishtet e egra dhe të panevojshme, të cilat e rrezikojnë pjesën tjetër të kopshtit, që llogaritet e mirë dhe e pëlqyeshme. Kështu, shqiptarët nga shteti maqedonas janë trajtuar si një barishte e egër, si element i cili me vetë faktin e të qenit i ndryshëm përbënte një rrezik për ekzistencën e shtetit dhe të kombit maqedonas. Për maqedonsit dhe mendimin nacionalist maqedonas shqiptarët janë një popull i huaj, i egër, të cilët synim të vetëm e kanë “grabitjen” e shtetit të cilin e kanë krijuar ato. Ky botëkuptim i bazuar në këtë lloj të nacionalizmit dhe në këtë mënyrë të konceptimit të diversitetit, në rrafshin politik, ekonomik dhe kulturor ka gjeneruar diskriminim të shqiptarëve dhe përjashtim të tyre të plotë nga jeta politike.

Sado që pas vitit 2001, me Marrëveshjen e Ohrit, shqiptarët e përmirësuan statusin e tyre në Maqedoni, qasja e shtetit maqedonas dhe e nacionalizmit maqedonas në esencë nuk është se ka ndryshuar shumë. Edhe sot e kësaj dite për nacionalizmin maqedonas shqiptarët janë një element i cili duhet toleruar. Së këndejmi, kjo qasje e shtetit dhe e nacionalizmit maqedonas ndaj shqiptarëve natyrshëm ka shkaktuar një reagim nga shqiptarët, i cili kryesisht manifestohet nëpërmjet mospasjes besim në institucionet dhe në shtetin e Maqedonisë. Kjo qasje në mesin e shqiptarëve ka krijuar ndjesinë e të qenurit të huaj në vendin e tyre. Së këndejmi, sot shqiptarët e Maqedonisë janë shumë larg të të ndjerit të këtij shteti si shteti i tyre. Simbolet shtetërore ose kombëtare të Maqedonisë nuk ngjallin pothuajse asnjë emocion ose ndjenjë të krenarisë për shqiptarët, kjo pasi të gjitha këto simbole nuk përmbajnë semantikisht asnjë element shqiptar. Ato janë simbole që shënjojnë hegjemoninë kombëtare maqedonase ndaj shtetit dhe publikes.

Nga ana tjetër, të gjitha ligjërimet mbi atë se Maqedonia përbën një shtet multikulturor dhe multietnik, të ndërtuar mbi parimin e barazisë, nuk janë gjë tjetër, përveç se ligjërata boshe dhe pa substancë. Pabarazia e maqedonasve dhe e shqiptarëve ndjehet në çdo pore të jetës publike, andaj edhe tani, pra 23 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duhet parashtruar pyetja: A janë fajtorë maqedonasit apo vetë shqiptarët për këtë gjendje të tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X