loader image
April 18, 2024

Cenimi i funksioneve të familjes shqiptare

Tradicionalisht, e drejta i ka njohur katër funksionet bazike të familjes: funksioni i riprodhimit njerëzor, funksioni ekonomik, funksioni i rritjes dhe edukimit të fëmijëve, funksioni shoqërues i familjes dhe funksioni mbrojtës i familjes. Këto funksione kanë pësuar ndryshime të herëpashershme, por trendët e fundit pothuajse janë duke i tjetërsuar në tërësi.

Abdullah KLINAKU, Prishtinë

Familja është celula bazë e shoqërisë, thuhet zakonisht në literaturën sociologjike e juridike. Është struktura organizative më e vjetër, e formësuar bashkë me njeriun e parë dhe e ndërtuar me raporte unike midis anëtarëve. Familjen e konsideron të shenjtë edhe sistemi i ynë i vlerave, duke iu referuar parimit hyjnor se për besimtarët është detyrim ta ruajnë veten dhe familjen e tyre. Madje, kombi ynë, në përgjithësi, gjatë historisë e në veçanti prej vitit 1912 e deri tani, familjen e ka pasur folenë kryesore të idealit kombëtar dhe të vlerave fetare. Familja shqiptare në Shqipëri është përballur me regjimin më të egër komunist, ndërsa familja shqiptare në Kosovë ra nën pushtimin gjenocidial serbo-sllav që prej vitit 1912. Megjithatë, familja shqiptare gjatë gjithë kësaj kohe e ka ruajtur qenësinë kombëtare, dashurinë ndaj atdheut, Besimin në Zotin e Madhërishëm, kujtesën historike, respektin ndërkulturor, bashkëjetesën fetare, besën, bujarinë dhe motivin për t’u organizuar për liri kundër regjimit komunist në Tiranë dhe kundër okupimit serb në Prishtinë.

Ndryshimet e mëdha globale që kanë prekur pothuajse çdo fushë të shoqërisë, si proces i natyrshëm social dhe evolutiv, e kanë prekur edhe familjen. Këto ndryshime kanë ndikuar në formën e organizimit të familjes, ku nga familja e madhe çdo ditë e më shumë po shkojmë drejt familjes atomike. Ato kanë ndikuar në rendin familjar dhe në raportet midis anëtarëve të familjes. Madje, kanë ndikuar edhe në gjykimin, perceptimin dhe vlerësimin e rolit, përbërjes dhe funksioneve të familjes. Imune ndaj këtyre rrjedhave dhe ndryshimeve globale që ka pësuar familja nuk është as shoqëria shqiptare.

Rreziqet që po e cenojnë familjen

Familjen e cenojnë një tërësi rreziqesh të natyrave të ndryshme, siç është ndikimi i madh dhe i sforcuar i rrymave liberale që manifestohen në mendimin politik, në diskursin publik e në hartimin e legjislacionit që prek familjen. Kalimi i shoqërisë nga përgjegjësia kolektive në të drejtën e sforcuar individuale, përvetësimi i papërzgjedhur i vlerave moderne e materialiste, emigracioni, gjendja ekonomike dhe mungesa e edukimit përmbajtjesor fetar, kanë ndikuar që të preken dhe cenohen funksionet bazike të familjes. Tradicionalisht, e drejta i ka njohur katër funksionet bazike të familjes: funksioni i riprodhimit njerëzor, funksioni ekonomik, funksioni i rritjes dhe edukimit të fëmijëve, funksioni shoqërues i familjes dhe funksioni mbrojtës i familjes. Këto funksione kanë pësuar ndryshime të herëpashershme, por trendët e fundit pothuajse janë duke i tjetërsuar në tërësi.

Mendimi politik, rrjedhimisht hartimi i legjislacionit dhe diskursi publik, pothuajse kanë rënë në tërësi nën ndikimin e liberalizmit kulturor. Disa me të drejtë e quajnë edhe pushtim kulturor. Nën këtë ndikim janë lansuar projekte ligjore, të cilat janë në kundërshtim me funksionet bazë të familjes, me funksionin e riprodhimit, rritjes dhe edukimit të fëmijëve dhe funksionin shoqërues e mbrojtës të familjes. Në Kosovë, kjo agjendë manifestohet në kuadër të dy projekteve ligjore, draft-kodit civil dhe draft-ligjit për shëndetin riprodhues. Përmes draft-kodit civil është provuar të legjitimohet martesa njëgjinore nën emërtimin juridik “bashkësi e regjistruar civile”, si dhe është tentuar që të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ky draft-kod të jenë të njëjta si për çiftet e gjinive të ndryshme në martesë, ashtu edhe për çiftet njëgjinore në bashkësinë e regjistruar civile. Për fat të mirë, falë angazhimit të qytetarëve, organizatave joqeveritare, bashkësive fetare, disa partive politike dhe deputetëve në Kuvendin e Kosovës ky draft-kod nuk kaloi dhe u rikthye për ndryshim në qeveri. Ndërkaq, draft-ligji për shëndetin riprodhues, përmes të cilit synohet të legjitimohet e drejta e femrës së pamartuar mbi 18 vjet të mbetet shtatzënë përmes fekondimit artificial mjekësor, të vendosë vet për sterilizim, të legjitimohet koncepti i nënës surrogate, si dhe aspekte të tjera të kësaj natyre, për fat të keq ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Gjatë përpunimit, plotësimit dhe ndryshimit në komisionet funksionale në Kuvendin e Kosovës është punuar të kufizohen dhe të evitohen disa prej këtyre tendencave, por mbetet shumë sfidues parandalimi i miratimit të këtij draft-ligji.

Tendencat e vazhdueshme për ta imponuar edukimin individual, ku e drejta individuale mbizotëron dukshëm mbi përgjegjësinë për bashkësinë, është duke ndikuar në prishjen e rendit familjar. Në konceptin e edukimit individual përgjegjësia për bashkësinë është e papërfillshme e po aq të papërfillshme bëhen edhe detyrimet dhe obligimet për familjen. Si rezultat i kësaj, shkurorëzimet, dhuna, keqtrajtimet, raportet e acaruara prind fëmijë, raportet e dhunshme burrë-grua, e deri te më e keqja, janë këto rreziqet që e kërcënojnë familjen shqiptare. Tendenca e mbizotërimit të dëshirës, të drejtës dhe edukimit individual është duke provuar t’i shkelë në mënyrën më flagrante të drejtat bazike të fëmijës. Prandaj, ekziston kërkesa e gruas  së pamartuar për shtatzëni përmes fekondimit artificial ose kërkesa e çifteve njëgjinore për t’u njohur e drejta e  adaptimit të fëmijëve, duke i mohuar ata nga familja tradicionale e natyrore. Thjesht, kjo është tendencë e përmbushjes së egos personale, duke nëpërkëmbur vlerat, funksionet dhe përgjegjësitë ndaj familjes dhe fëmijëve.

Përvetësimi i brishtë i vlerave liberale dhe moderne pa përzgjedhje dhe pa i ekuilibruar me vlerat tradicionale ka shkaktuar krizë të identitetit individual dhe familjar. E ka humbur kohezionin social dhe ka shkaktuar konfuzion për sistemin e duhur të vlerave. Diskursi publik, që provon t’i imponojë këto vlera, mediat sociale që i kanë futur në familje këto vlera dhe sistemi arsimor i padefinuar se mbi çfarë vlerash t’i edukojë fëmijët, kanë shkaktuar humbjen e ekuilibrit dhe stabilitetit të familjes. Në këtë kontekst është zbehur edhe ndërveprimi fëmijë prind. Njeriu në natyrë është qenie sociale, andaj ndërveprimi me ambientin e jashtëm dhe ndërveprimi me të tjerët është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm për ndërtimin e personalitetit. Ky ndërveprim fillon me procesin e atashimit me prindër, pastaj vjen ndërveprimi me ambientin e ngushtë social ose anëtarët e familjes dhe vazhdon me çdo ambient tjetër social. Procesi i atashimit me të dy prindërit ka një funksion përcaktues për zhvillimin e përgjithshëm dhe nëse ky proces zhvillimi nuk përmbushet, është e pritshme që në të ardhmen ky individ mund të ketë probleme ose vështirësi të ndryshme që lidhen me shëndetin mendor dhe emocional.

Emigrimi është një nga kërcënimet që po i cenon direkt funksionet e familjes. Nga familje të mëdha, të forta e të bashkuara, familja shqiptare po zvogëlohet dhe po mbeten të moshuarit ata të cilët po e mirëmbajnë atë. Kujdesi i pamjaftueshëm për moshat e shtyra dhe për personat me nevoja të veçanta, si rezultat i këtij emigrimi, është duke ndikuar në shkëputjen e vlerave të bashkëndjesisë dhe bashkësakrificës me njëri-tjetrin. Ana tjetër negative e emigrimit është largimi gradual nga identiteti dhe vlerat kombëtare e fetare, drejt asimilimit si rrezik permanent i familjeve shqiptare. Brenda pak vitesh familje të tëra në vendin tonë do të kenë shkëputje me të kaluarën si rezultat emigrimit të shumtë, natalitetit të ulët dhe shkëputjes midis gjeneratave.

Gjendja ekonomike, pa dyshim, se është faktori kryesor i emigrimit. Por, gjendja ekonomike, mungesa e mirëqenies, mungesa e shëndetësisë cilësore, arsimi e edukimi me sfida janë të lidhura ngushtë edhe me qëndrueshmërinë e familjes. Midis sjelljeve joetike e joligjore, si dhe gjendjes ekonomike, është një raport i ngushtë. Pra, sa më e ulët mirëqenia ekonomike, sociale e vlerore e familjes, aq më e madhe është kriza, raportet e këqija dhe sjelljet e dhunshme në familje. Ne duhet të mendojmë për strategji të reja, të cilat do të ndihmonin në mbrojtjen dhe mbështetjen e bërthamës së shoqërisë, që është familja, pra për mbështetjen e çifteve të reja dhe mbështetjen sociale dhe ekonomike për familjet që përballën me vështirësi të tilla socio-ekonomike. Është shumë e rëndësishme të potencohet me theks të veçantë mbështetja dhe kujdesi për familjet të cilat përballen me vështirësi ekonomike dhe kanë fëmije me çrregullime neurozhvillimore, trajtimi i të cilave ka kosto është shumë të lartë dhe në shumë raste është e papërballueshme për familjen.

Veprimet që mund t’i ruajnë funksionet e familjes

Kërcënimet që i cenojnë funksionet e familjes janë të shumta dhe komplekse, por po ashtu të shumta dhe të integruara duhet të jenë edhe veprimet që duhet të ndërmerren për ruajtjen e familjes. Ruajtja e familjes është interes i çdo vendi, por ruajtja e familjes për shqiptarët është jetike. Vendet e ndryshme nëpër Europë, krahas kujdesit ekonomik, arsimor e shëndetësor për familjen, kanë nisur ta rrisin edhe kujdesin ndaj ideve liberale për familjen. Dëshmi për këtë është rritja e mbështetjes për partitë më konservatore, që në qendër të mendimit politik e kanë familjen.

Te ne, institucionet qendrore dhe vendore, mediat, intelektualët, partitë politike, bashkësitë fetare dhe sistemi arsimor duhet ta kenë të qartë se idetë liberale, që fshihen prapa të drejtave të njeriut nuk janë gjithmonë të mira për familjen dhe vendin. Në procesin e shtetformimit, krahas të drejtave, duhet të zhvillohet edhe përgjegjësia për t’i ruajtur vlerat natyrore, që ndërlidhen me të drejtat e patjetërsueshme. Të gjithë së bashku duhet të provojmë të ndërtojmë një qasje proaktive ndaj vlerave të cilat burojnë nga besimi në Zot, tradita e mirë dhe natyrshmëria njerëzore. Janë këto vlera që kultivojnë të drejta dhe përgjegjësi për ta formuar dhe ruajtur familjen e shëndoshë.

Institucionet qendrore, si kuvendi dhe qeveria, duhet të jenë të kujdesshme në hartimin e legjislacionit që e prek familjen. Për ne është e pakuptimtë tendenca e ligjësimit të martesave njëgjinore, sterilizimi ose fekondimi artificial për femrat e pamartuara mbi 18 vjeç, largimi i konceptit baba dhe nënë ose e drejta e çifteve njëgjinore për të adaptuar fëmijë. Është detyrim i yni, i të gjithëve pa përjashtim, që në hartimin e legjislacionit ta kemi kujdesin dhe vëmendjen kryesore ndaj familjes.

Përveç kësaj është i rëndësishëm të bëhet edhe kujdesi ekonomik dhe subvencionimi me shtesa për fëmijët, për gruan, për pensionistët dhe për personat me nevoja të veçanta. Rritja e shtesave për fëmijët deri në 18 vjeç, mbështetja më një pagë minimale për gruan e cila ka 3 fëmijë me shumë deri në 10 vite, rritja e pensioneve, mbështetja financiare dhe kujdesi shtëpiak përmes ndërmarrjeve sociale për personat me nevoja të veçanta dhe të moshuar, do të ishin disa nga masat urgjente, që do të duhej të merreshin nga institucionet vendore dhe qendrore.

Kjo nënkupton se duhet të bëhet hartimi me urgjencë i strategjisë tre deri në pesëvjeçare për kontrollin dhe parandalimin e emigrimit. Një strategji si kjo do të duhej t’i përfshijë detyrimet e institucioneve shtetërore, sistemin vleror që dëshirojmë ta promovojmë në ruajtjen e familjes, subvencionimin e ideve dhe projekteve ekonomike, si dhe vënien në kontakt të ngushtë midis institucioneve dhe mërgatës. Rëndësi e veçantë e një strategjie të tillë do të ishte edhe aspekti i vënies në funksion të mërgatës sonë, duke planifikuar regjistrimin e pasurisë pronësore dhe intelektuale të mërgatës sonë.

Aspekt tjetër i kujdesit ndaj familjes dhe funksioneve të saj do të ishte edhe formimi i Ministrisë për Familje, Mirëqenie Sociale dhe Diasporë, e cila do të kishte në përgjegjësi dhe kompetencë hartimin e politikave, legjislacionit dhe planeve financiare për mbështetjen e fuqishme të familjes. Formimi i ministrisë së familjes është praktikë e vendeve që synojnë ta ruajnë familjen. Si model dhe studim më i thelluar rreth kësaj do të mund të merret shteti gjerman dhe turk, ku kjo ministri është funksionale.

Familja është kauzë e rëndësishme. Madje, duke iu referuar historisë sonë,  të tashmes dhe të ardhmes, jemi të bindur se familja është themeli më i fuqishëm i kombit tonë dhe garanti i qëndrueshmërisë sonë kombëtare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X