Kur themi “botë moderne”, mendojmë diçka të bukur dhe të përparuar. Por, në këtë botë ndodhën gjërat më të trishta në historinë e njerëzimit. Ndodhën dy luftëra të tmerrshme botërore. U krijuan kampe përqendrimi. U vranë miliona njerëz. Si kurrë më parë gjatë historisë. Në këtë botë, si kurrë më parë, shkatërrohet natyra, humb empatia, mbizotëron ankthi dhe frika.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Në botën e ankthshme, ku jeta orientohet nga materialja dhe utilitarja, ëndërrojmë gjithnjë e më shumë të jetojmë në një vend me pak zhurmë, ankth e rrëmujë urbane. Me shumë qetësi, paqe dhe gjelbërim. Me më shumë përqafime dhe empati. Ku arrijnë vetëm valët e dashurisë dhe meloditë e natyrës. Ku nuk merakosemi si t’i shfaqemi botës, por si t’i shijojmë bukuritë e saj.
Ëndërrojmë të jetojmë në botë më solidare, me respekt për “tjetrin”, mes njerëzve përdëllestarë që nuk kanë mirënjohje e certifikata për të arriturat jetësore, por shpirtin e kanë të mbushur me mëshirë, empati dhe dhimbje për të përvuajturit.
Ëndërrojmë gjithnjë e më shumë një botë që nuk udhëhiqet vetëm nga racionalja e materialja, por edhe nga shpirtërorja; ku nuk zhvishemi nga vetvetja; ku nuk e humbim identitetin në emër të disa ideve abstrakte, që agjitohen nga “mendjehapurit”, të cilët jetojnë në terrin e mosdijes.
Kjo botë e ëndërruar humbet gjithnjë e më shumë, bashkë me ndjenjën për familjen dhe komunitetin.
Familja si ishull qetësie
Në rini besojmë që kodet familjare janë vargonj për shpirtin plot vrulle. Me kalimin e viteve e kuptojmë që familja është ndër gjërat më të vlefshme që kemi. Familja është ishull qetësie në çaste zymtësie e pasigurie. Ajo nuk na lë të vetmuar. Na hap derën kur të gjithë na braktisin. Na pret krahëhapur kur të gjithë na damkosin. Në gjirin e saj nuk na flasin me kurtuazi. Aty të vërtetat më të trishta na thuhen në sy.
Familja nuk është vetëm institucion, siç thuhet, por edhe lidhje shpirtërore, dashuri, respekt, empati, mirëkuptim, solidaritet dhe shumëçka tjetër që nuk lidhet vetëm me materialen…
Në poemën “Shtëpia e Prindërve”, Khalil Gibran-i na thotë se kjo shtëpi është e vetmja ku mund të shkosh pa ftesë. Ku mund të hapësh derën dhe të hysh menjëherë brenda. Aty ka sy të dashur që presin të të shohin. Aty mund t’i kujtosh ditët e qeta dhe të lumtura të fëmijërisë. Aty prania dhe shikimi i prindërve është lumturi, kurse biseda me ata është shpërblim.
“O fëmijë, zbuloni vlerën e këtyre shtëpive para se të jetë tepër vonë. Janë me fat ata që kanë shtëpinë e prindërve të tyre për të shkuar”.
Bota e gjërave të trishta
Kur themi “botë moderne”, mendojmë diçka të bukur dhe të përparuar. Por, në këtë botë ndodhën gjërat më të trishta në historinë e njerëzimit. Ndodhën dy luftëra të tmerrshme botërore. U krijuan kampe përqendrimi. U vranë miliona njerëz. Si kurrë më parë gjatë historisë. Në këtë botë, si kurrë më parë, shkatërrohet natyra, humb empatia, mbizotëron ankthi dhe frika.
Në botën e ritmeve të shpejta njeriu e humb paqen me vetveten, me natyrën, me shoqërinë. Nuk e dallon të vërtetën nga gënjeshtra dhe as realitetin nga shajnia.
Shkrimtarë e mendimtarë, që krijuan kryevepra mbi ankthin ekzistencial, kanë parashikime të frikshme jo vetëm për atë që ndodh jashtë nesh, por edhe brenda nesh.
Ata paralajmërojnë se bota që përparon marramendshëm në aspektin teknik dhe teknologjik, shkon pas në planin shpirtëror e njerëzor; se në botën me krizë të shpirtit ndodh gjithçka dhe asgjë.
Shoqëria dhe njeriu njëdimensional
Në shoqëritë industriale njerëzit duhet të mendojnë, veprojnë, ëndërrojnë, ndiejnë dhe flasin njësoj.
Filozofi Herbert Marcuse (1898 – 1979), në librin Njeriu njëdimensional (1964), e përshkroi shoqërinë industriale si sistem kontrolli ku elitat politike, mediet e teknologjia e mbytin debatin dhe mendimin kritik. Njeriu njëdimensional duhet të jetojë në demokraci false. Nuk duhet ta kuptojë që i nënshtrohet sistemit konsumator.
Në këtë sistem, njeriu shihet si objekt dhe jo si subjekt. Trajtohet si mall dhe skllav. I kënaqet “robërisë së rehatshme, të butë, të arsyeshme dhe demokratike”. (H. Marcuse Njeriu njëdimensional, përktheu Gaqo Karakashi, Plejad, Tiranë, 2006).
Në këtë shoqëri mbizotëron edhe kultura njëdimensionale – kultura e argëtimit masiv. Të gjithë duhet t’i shikojnë të njëjtët filma, duhet t’i shijojnë të njëjtat mallra konsumi dhe të besojnë se “gjërat ecin mirë”.
Marcuse besonte që këtë sistem mund ta ndryshonin të margjinalizuarit me mendim kritik, të cilët nuk i besojnë gënjeshtrës së vazhdueshme.
Gjithçka e mundur, asgjë e vërtetë
Sipas Hannah Arendt-it, në “botën moderne”, turmat arrijnë në pikën kur besojnë në gjithçka dhe në asgjë; kur mendojnë se gjithçka është e mundur dhe asgjë nuk është e vërtetë.
“Gënjeshtra e vazhdueshme nuk ka për qëllim t’i bëjë njerëzit ta besojnë një gënjeshtër, por të sigurojë që askush të mos besojë asgjë. Populli që nuk di të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, nuk e dallon as të mirën nga e keqja. Një popull si ky, i privuar nga fuqia për të menduar dhe gjykuar, pa ditur dhe padashur i nënshtrohet plotësisht perandorisë së gënjeshtrës. Me këtë popull, ju mund të bëni çfarë të doni”, shkroi ajo.
Rezistenca e qenies
Mbi këtë gjendje na flasin edhe librat Përpara fundit dhe Rezistenca të Ernesto Sabatos.
Libri Përpara fundit është “testament shpirtëror” mbi vetminë e njeriut bashkëkohor dhe mbi botën e rrezikuar që e humb ndjenjën e njerëzores. Njeriu i robotizuar dhe i mbytur në errësirë rend drejt mijëvjeçarit të ri me pasigurinë e dikujt që e shikon humnerën. Sipas Sabatos, shpëtimin duhet ta kërkojmë te përqafimi me njëri-tjetrin dhe duke e rrezikuar veten për të tjerët, për bashkësinë, për botën… (E. Sabato, Përpara fundit, përktheu: Ajsela Koka, Tiranë, 2003).
Në librin Rezistenca, Sabato shkroi për efektet e globalizimit dhe për racionalitetin e pashpjegueshëm që e ka pushtuar botën moderne, ku njeriu orientohet drejt gjërave utilitare e sipërfaqësore dhe i harron vlerat thelbësore jetësore, që i japin kuptim ekzistencës njerëzore. [E. Sabato, Rezistenca, përktheu: Fatbardha Statovci, Pema, Prishtinë, 2022]
Sipas Sabatos, në botën moderne ka humbur respekti për pleqtë, turpi është bërë vlerë e humbur, gjykatat kanë degraduar, pushteti është larguar nga solidariteti, demokracia është shpërfytyruar, diversiteti luftohet, korrupsioni instalohet në vend se të luftohet. Në këtë botë, ku vlojnë kazanët e dëshpërimit dhe të ankthit, njeriu robotizohet me shpejtësi në megapolisin e çmendur. Jeta asfiksohet në vend se të ndriçohet. Bota është më shumë jashtë sesa brenda zemrave njerëzore. E keqja triumfon mbi aktin e vërtetë krijues – dashurinë. Humben e zhvlerësohen papiruset e përjetësisë. Humbet ndjenja ndaj tjetrit. Tokësorja synon të mbizotërojë hyjnoren dhe transcendentalen. Natyra dëmtohet pamëshirshëm…
Sipas Sabatos, në kohën kur njeriu bëhet qenie indiferente kundrejt shkatërrimit të paralajmëruar dhe të parashikuar, shpëtimin duhet ta kërkojmë te vlerat më të larta shpirtërore. Për këtë qëllim na duhet “rezistenca e qenies” kundër rrënimit moral dhe shpirtëror; kundër robërisë, nënshtrimit, ikjes nga liria, kolonizimit, mashtrimit, rrenës, rehatisë së rrejshme, jetës virtuale, gjërave kalimtare, frikës artificiale, klonizimit, robotizimit dhe kundër zhdukjes së larminë kulturore…