loader image
December 12, 2024

Borrell t’këndojmë, t’vajtojmë deshta me thanë!

Në Kosovë, e cila tashmë 15 vjet nuk shtet as i pavarur dhe as sovran, qytetarët e saj po dëgjojnë gjëra nga më të çuditshmet nga BE-ja në emër të sovranizmit serb! Duke shpërfillur Planin e Ahtisarit, sot, kur është Kushtetutë e Kosovës, Perëndimi po i sjell përvoja Kryeministri Kurti për të qetësuar serbët, dhe me Escobar-in qetësojnë shqiptarët se nuk do ketë Republika Srpska si në Bosnjë edhe pse këtë e dinë të gjithë! Pse?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

O Borrell, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s’asht për mue e tye.

Nuk ke se si ta fillosh ndryshe gjëmën që shkaktoi Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Josep Borrell, përveçse me fjalët e At Gjergj Fishtës, kur, pasi i propozon Kosovës të marrë njërën nga 36 përvojat perëndimore të pakicave me qëllim të zgjidhjes së diskriminimit të serbëve të Veriut, nuk i diskriminon vetëm qytetarët e ndershëm shqiptarë të këtij shteti 15-vjeçar! Dhe, duke harruar të gjithë tirolët në botë, që shqyrtoi Presidenti Ahtisari me ekipin e tij, dhe e perfeksionoi në detaje të drejtën e serbëve në shtetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane, sot SHBA-ja dhe BE-ja e shpërfillin këtë realitet, që është përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, dhe sot i thonë Kosovës “merr dhe zgjidh njërin nga rastet tiroliane që janë në botë sepse këtë e kërkon Serbia!”.

Meqë u rikthyen zërat për shkëmbim territoresh, sot kur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka më nevojë për aventura të këtij lloji, sepse shefi i diplomacisë europiane ia ofron Veriun e tërë, pavarësisht se ky kriminel serb po arreston policë kosovarë dhe i gjuan me bomba molotov ushtarët e KFOR-it! Dhe, nga ana tjetër, Borrell-i, derisa i thotë Albin Kurtit “mos arresto kriminelë serbë!”, ka një mesazh të qartë për kriminelët shqiptarë!

Por, jo vetëm kaq! Korit të borrellëve dhe eskobarëve iu bashkua dhe opozita kosovare, që gishtin e ka në këmbëzën e pushtetit, si edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qafën e të cilit vazhdon ta lëviz Beogradi dhe Kisha Serbe, duke hedhë lum akuzash mbi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që nuk po kalëron Planin e Ahtisarit me flamurin e Serbisë, me garancitë se nuk do të lejohet dhe një Republikë Srpska si në Bosnje në veri të Kosovës, sepse kështu e thotë Perëndimi! Ndonëse askush me mendje në kokë nuk e ka thënë se do të ketë Republikë Srpska si një Bosnjë në veri të Kosovës, kur një gjë e tillë është e pamundur!

Oferta “Borrell” për “kriminelët shqiptarë”!

“Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” ishte ky alarmi që e ngriti Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Josep Borrell, pasi Policia e Kosovës e arrestoi një kriminel serb që i kishte sulmuar ushtarët e KFOR-it!

Meqë kjo dhunë e kriminelëve serbë ishte transparente për shkak të pranisë së mediave kosovare, pas shumë presioneve që iu bënë Albin Kurtit në emër të qetësimit të serbëve në veri, më në fund u kuptua se si europiani Borrell, ashtu dhe amerikani Escobar, nuk i shohin ato që nuk duan t’i shohin ndonëse krimet u bënë edhe në sy të botës!

Sqarimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shefin e diplomacisë europiane se arrestimi i një serbi më 23 qershor, që kishte alarmuar Borrell-in, është bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor për sulmin e kryer mbi ushtarët e KFOR-it në Zveçan në 29 maj, ashtu si edhe stërvitjen e Regjimentit III të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, i cili ishte një aktivitet rutinë i përvitshëm, për të cilin KFOR-i ishte i informuar se 215 ushtarë do të shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër, ishte humbje kohe, sepse pas këtij alarmi të pafytyrë nga Zyra e Politikës dhe Sigurisë së BE-së mjaftonte togfjalëshi i parë i Albin Kurtit: “Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme veç sa ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato!”.

Gjithsesi, ky alarm i Borrell-it, i cili përveçse mbështetje për kriminelët serbë dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte një ofertë për “kriminelët shqiptarë”, të cilët nëse e kanë ndarë mendjen të bëjnë krime në Kosovë edhe mund t’i bëjnë, por le të konvertohen në serbë, pasi çdo arrestim në këtë realitet të ndryshuar do të konsiderohet nga Brukseli zyrtar si i paligjshëm! Ndërkohë kazani i BE-së dhe SHBA-së vazhdon e vlon vetëm me një përbërës –  Asociacionin e Komunave Serbe me Shumicë Serbe ose, thënë ndryshe, një super Republikë Srpska në Kosovë, pra shumë më të avancuar se ajo në Bosnjë e Hercegovinë!

Opozita kosovare dhe Edi Rama

 Duel padija n’krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t’urtit jashtë Kuvendit.
Duel me faqe t’bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.

Fliste kështu At Gjergj Fishta një vit pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që sot në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, gjëma ngjan si dy pika loti!

Opozita e Kosovës, në pritje të rrëzimit të Albin Kurtit, dhe Kryeministri Edi Rama, si tellalli i Beogradit, vazhdojnë e thonë me zë se nuk do të ketë Republikë Srpska si në Bosnjë e Hercegovinë në veri të Kosovës, kur kjo është e qartë jo pse e thonë Borrell-i dhe Escobar-i!  Nuk ka nevojë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të thonë diçka që çdo shqiptar i Kosovës me mendje në kokë e di se të drejtat që serbët i kanë në Kosovë, sipas Kushtetutës, nuk i gëzojnë ata në Bosnjë e Hercegovinë!

Serbët në Bosnjë kanë Republika Srpska, por për t’u zgjedhur deputet i këtij shteti duhet të votohen dhe nuk kanë vende të rezervuara si serbët në Kosovë! Serbët në Bosnjë kanë Republika Srpska, por në Kushtetutën e BeH-së, përveçse nuk i kanë 10 vende të rezervuara në parlament, nuk thuhet se me vetëm 7 vota mund të kontestojnë çdo ligj në Gjykatën Kushtetuese! Por, serbët në Kosovë e kanë këtë të drejtë edhe sot kur nuk kanë Republika Srpska dhe mund ta bllokojnë jo vetëm Gjykatën Kushtetuese me kontestimin e mijëra ligjeve që ka Kushtetuta, por dhe zbatimin e ligjshmërisë në shtetin e Kosovës pa kriminelë serbë dhe pa mbështetjen e Borrell-it!

Serbët në Bosnjë kanë Republika Srpska, por nuk mund ta ndalojnë me Kushtetutë shtetin e BeH-së që të ndërtojë një muze që ndërtohet pranë Kishës Ortodokse! Jo, aty respektohet prona, por jo dhe në Kosovë, kur edhe për muzeun e heroit kombëtar Isa Boletini në tokën e Boletinëve u desh ndërhyrja e gjithë botës për të ndërtuar një muze simbolik, sepse sipas Kushtetutës futej brenda këtij eks territori magjik të Kishës Ortodokse e cila e kundërshtoi deri në momentin e fundit!

Serbët në Bosnjë kanë Republika Srpska, por ata nuk duhet të pyesin as kisha dhe as xhamia kur ndërtojnë rrugë pranë tyre! Ndryshe nga Kosova, kur serbëve u duhet një rrugë më e shkurtër për të shkuar te çetnikët e Andrijevicës në Mal të Zi, ata mund ta bllokojnë këtë projekt, sepse kjo rrugë i çon shqiptarët në Plavë! E Prishtina zyrtare, ndryshe nga Sarajeva zyrtare, duhet ta shikojë së pari horoskopin e Atit Sava dhe pastaj ta çojë projektin për miratim në Parlamentin e Kosovës, sepse është eks territori i Kishës Ortodokse, sipas Planit Ahtisari, që ia jep çekiçin e drejtësisë Atit Sava, por jo edhe Gjykatës!

Serbët në Bosnjë kanë Republika Srpska, por ata nuk ndërtojnë kishë ku t’ju dojë kokrra e qejfit. Ose, edhe kanë ndërtuar, por të gjithë ishim dëshmitarë të para ca ditëve kur Kisha Ortodokse e Serbisë u detyrua ta shembë një kishë të ndërtuar pas vitit 1991 në një pronë të një myslimani, pas të drejtës që e fitoi në Gjykatën e Strasburgut! Ndryshe, serbët edhe sot kur nuk kanë Republika Srpska, e kanë kishën e ndërtuar në tokën e Universitetit të Prishtinës, që nuk ka bir borrelli e as birë escobari që e shemb! Dhe, jo vetëm kaq! As Universiteti i Prishtinës, bazuar në Planin e Ahtisarit, nuk e konteston dot në Gjykatën e Strasburgut, ndonëse ajo kishë e papërfunduar filloi të ndërtohet pas vitit 1991!

Serbët në Bosnje kanë Republika Srpska, por dhe jo tokë legjitime që ua ka falur Radovan Karraxhiqi e Ratko Mlladiqi si në rastin e Manastirit të Deçanit! Sot, Komuna e Deçanit nuk e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa gjyqtari i Kushtetueses akuzohet që “ia ka falur” këtë tokë! Por, kjo nuk është e vërtetë, edhe pse në vendim mund të ketë ndikuar lidhja me bazën etnike, dhe, me keqardhje, duhet thënë se atë vendim nuk e rrëzon asnjë gjykatë në botë, meqë kjo tokë e falur nga krimineli Sllobodan Millosheviq është tokë Kosove dhe quhet e regjistruar në kadastër sipas Planit Ahtisarit! Anomali, por e vërtetë – nuk bëhet fjalë për tokë boshnjake në Republikën Srpska para vitit 1991, që nuk ka Karaxhiq, Mlladiq e Vuçiq, që mund ta ndryshojë pronarin!

Në fund, pa u futur edhe në shumë detaje të tjera që u japin të drejta serbëve në Kosovë me Planin e Ahtisarit, serbët në Bosnje e kanë Republikën Srpska dhe Presidentin e Bosnjës mund ta kenë serbë vetëm me rotacion! Ndryshe nga Kosova, ku nga klima e krijuar nga Abdixhiku, Memli, Ramushi dhe Edi Rama, që na qetësojnë se nuk do të ketë Republika Srpska në veri të Kosovës dhe shfaqin një zell të paparë kundër institucionit të Presidentit të Republikës sepse bashkëpunon me Albin Kurtin, sikur të kenë votat në parlament, elektorati i tyre i mirëpërgatitur nuk do ta kundërshtonte një President si Radoiçiqi përballë Vjosa Osmanit. Aq më shumë, kur mbështetje e madhe pa diskutim se do t’u vijë edhe nga shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell!

Pra, kur t’i kenë votat në parlament, dhe, nëse ndodhë,  LDK-ja, PDK -ja e AAK-ja do të jenë në pushtet dhe do ta kurorëzojnë një super Repubika Srpska, është e sigurt që ajo do jetë “zot shpie” si në veri të lumit Ibër, ashtu dhe në jug!

Zgjidhja, pa Ahtisarin dhe Kurtin! Pra…

Në rrethanat aktuale politike dhe gjeostrategjike, kur BE-ja dhe SHBA-ja kërcënojnë Kryeministrin Albin Kurti, por nuk kanë një gur shantazhi në dorë si në rastin e firmosjes së Marrëveshjes për Asociacionin me Hashim Thaçin e Isa Mustafën, ndërsa me Abdixhikun, Memlin e Edi Ramën po propagandojnë zhdukjen e shtetit të Kosovës nga faqja e dheut, pa pikë turpi marrin 36 zgjidhje të praktikuara në botë dhe ia lënë Kryeministrit Kurti në tavolinë me vendimin e prerë se Asociacioni do të themelohet!

Super Republika Srpska ose Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe edhe mund të krijohet jo vetëm pse në politikë “kurrë mos thuaj kurrë”, por edhe sepse Kosova, për fat të keq, ka një lidership opozitar që e akuzon Albin Kurtin dhe jo Aleksandar Vuçiqin për situatën e krijuar në veri!

Zgjidhje ka, por vetëm ato që i ofron Josep Borrel-i dhe Gabirel Escobar-i nuk janë zgjidhje!

Pa Planin e Ahtisarit, zgjidhja do të ishte më e mirë, por konflikti nga veriu i Kosovës do të zhvendosej në Beograd, aty ku Kisha Ortodokse e bën ligjin!

Pa Albin Kurtin, zgjidhja do të ishte më e shpejtë, por konflikti nga veriu i Kosovës do të zhvendosej në jugun e Kosovës, aty ku vota bën ligjin!

Zgjidhja e vetme dhe e qëndrueshme ka ngelur një dhe e vetme, pa presion nga Borrell-i dhe Escobar-i, si për Qeverinë e Kosovës, ashtu dhe për serbët që jetojnë në Kosovë!

Domosdoshmërisht duhet të kthehemi përsëri te Serbët në Bosnjë, që kanë Republikën Srpska dhe janë të pakënaqur edhe pas 28 viteve në “bashkëjetesën” që krijuan “borellët”, jo me firmën e përfaqësuesit të tyre, por të Serbisë, pra Sllobodan Millosheviqit!

Ky është dhe çelësi i zgjidhjes!

Sot lideri i “Listës Srpska”, Goran Rakiq, është zhvendosur të jetojë në Novi Sad të Serbisë, sepse misioni që i është dhënë nga Aleksandar Vuçiqi është realizuar, ndërkohë që në Veri kanë shpërthyer pakënaqësitë!

Josep Borrell-i e fajëson Albin Kurtin, por fajtorin e gjen vetëm nëse del para pasqyrës! Nëse ai merr mundimin dhe i takon përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, do ta ketë të qartë se ata jo vetëm që nuk e kanë idenë se çfarë të drejtash kanë sipas Planit të Ahtisarit, por as ato që figurojnë në draftin serb të Asociacionit. Këtë gjë Albin Kurti e ka të qartë dhe kjo është arsyeja pse ai është i gatshëm të ulet dhe ta kornizojë marrëveshjen si me Aleksandar Vuçiqin, ashtu dhe me serbët e Kosovës, ndonëse e preferon rastin e dytë. Aq më shumë që është i pashantazhueshëm për shumë arsye, pavarësisht njeriut ose shtetit që ekziston në këtë botë! Pra, jo “zgjedh e merr”, por një marrëveshje për shuarjen e konfliktit në veri dhe ekzistimin e një shteti stabil të Kosovës jo me Presidentin e Serbisë, por me serbët e Kosovës!

Nëse vërtetë Aleksandar Vuçiqi ka oreks për luftë, si Josep Borrell-i, dhe kërcënon me ushtrinë që ka në kufi me Kosovën, duke na e kujtuar preambulën e Kushtetutës së Serbisë, “Kosova është pjesë e Serbisë”, meqë toka kosovare është tokë e përjetshme e NATO-s e dakordësimin e çdo kosovari, situata zgjidhet vetëm me një seancë plenare të Parlamentit të Kosovës, duke i shtuar Kushtetutës së Kosovës preambulën “Serbia është pjesë e Kosovës”!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X