Shumë demokraci nominale kanë rrëshqitur drejt autokracisë, duke ruajtur pamjen e jashtme të demokracisë përmes zgjedhjeve, por pa të drejtat dhe institucionet që janë aspekte po aq të rëndësishme të një sistemi demokratik funksional. Kështu ndikimi politik është venitur. Anëtarësimi në parti po bie në të gjithë botën e zhvilluar: vetëm 1 për qind e britanikëve janë tani anëtarë të partive politike krahasuar me 20 për qind në vitin 1950.
Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork
Presidenti i dytë i SHBA-së, John Adams (1735-1826), dikur kishte thënë se: “demokracia nuk zgjat kurrë, shpejt humbet, lodhet dhe vret veten… nuk ka pasur ende një demokraci që nuk ka kryer vetëvrasje” [Isenberg & Burstein: 2019]! Winston Churchill-i (1874-1965) njihet për thënien e famshme: “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes… me përjashtim të të gjitha të tjerave që janë provuar”. Ai e konsideroi si një formë e rrëmujshme, shpesh e pavendosur, shpesh e dobët, e ngadaltë për t’u përgjigjur, lehtësisht e ndenjur, e prirur ndaj propagandës, zakonisht e korruptuar dhe e rrezikshme. Edhe presidenti i 28-të, Woodrow Wilson (1856-1924), në mesazhin e tij drejtuar Kongresit më 2 prill 1917, para se të shpallte luftën kundër Austro-Hungarisë, tha se: “Bota duhet të sigurohet për demokracinë.”, me idenë që Amerika nuk po hynte në luftë për shkaqe ekonomiko-sociale, por për “promovimin e demokrasisë”, që t’u ndihmonte shtet-kombeve të vogla kundër perandorive të mëdha, të eliminonte militarizmin, imperializmin dhe bolshevizmin, që ishte “qëllimi primar i luftës” [Perlmutter: 1997]. Me këtë, së paku në dukje, ai pretendonte të rregullonte tri çështje: që njerëzit të kenë të drejtën për ta zgjedhur përkatësinë sovrane për vetëvendosje; të kenë respekt të barabartë për të drejtat sovrane si për shtete të forta ashtu edhe për ato të dobëtat; dhe që çdo popull të ketë të drejtën e ekzistencës paqësore [Gelfand: 1963]!
Natyrisht, demokracia nuk ka filluar as me Adams-in dhe as me Wilson-in! Thuhet se si koncept u paraqit në shekullin e pestë para erës sonë në Athinën antike dhe përbëhej nga dy fjalët greke “demos” (që nënkuptonte “njerëz”) dhe “kratos” (që nënkuptonte “rregull”). Ishte një kontrast i sundimit të aristokracisë që bazohej në sundimin e klasës elitare, kur pushteti përqendrohej në dorën e një individi ose mbahej nga një grup i vogël njerëzish. Skeptikët thonë se grekët nuk e themeluan demokracinë e parë, se tek ata pakica sundonte shumicën, kurse skllevërit dhe femrat nuk kishin asnjë të drejtë! Sidoqoftë, në kohët e lashta nuk pati ndonjë domethënie të dukshme, deri kur hyri në arenën politike, me revolocionin amerikan dhe francez dhe zgjerimin e së drejtës së votës në shekullin XIX [Drucker:1994, f. 53-80]. Sipas shumë këndvështrimeve, kjo qe koha kur filloi çrregullimi i botës, kur fisnikët u shkelën dhe njerëzit e nivelit të ulët zunë vendin e tyre! Në këtë kontekst, një studim që meriton vëmendje është “Democracy’s Meaning – How the Public Understands Democracy and Why it Matters” [Kuptimi i demokracisë – Si e kupton publiku demokracinë dhe pse ajo ka rëndësi] me autorë N.T. Davis, K. Goidel dhe K. Gaddie [University of Michigan Press 2022].
Të tjerët thonë se demokracia zuri fill me pavarësimin e SHBA-së në vitin 1776, por dihet se deri vonë aty zotëronte gjuetia në vendasit e vjetër (indianët), skllevërit dhe femrat pa asnjë të drejtë, kur edhe njeriu i bardhë pa pasuri nuk kishte të drejtë vote [Masud: 2000]! Britania përshkruhet si një “demokraci e plotë”, megjithëse funksionimi i fundit i demokracisë së saj ka zbuluar disa të meta, të dukshme për këdo që nuk është i brendshëm. Kanadaja është një “demokraci e plotë”, një vend ku aborigjenët nuk kishin të drejtë vote deri në vitin 1960. Në Indi, pas shpalljes së kushtetutës, zgjedhjet e para kombëtare u mbajtën në 1951-1952. Sipas EIU, gjithashtu, Australia është një “demokraci e plotë”. Megjithatë, ishte vetëm në vitin 1962 kur australianët indigjenë u lejuan të votonin. Një vend tjetër, i klasifikuar si “demokracia e plotë” është Zvicra, ku deri në vitin 1971 gratë nuk mund të votonin në zgjedhjet kombëtare.
Si gjithçka tjetër, edhe “demokracia është një ide njerëzore që përfaqëson një mjet dhe mund të përdoret dhe keqpërdoret” [Zurkolic: 2012, f. 240]. E thoshte Konica edhe se fjala “demokrat” është aq elastike, sa ka ngjarë që shpesh “të merret për flamur mbulonjës për reaksionarët më të tërbuar” [Konica: 2007]. Sidoqoftë, ajo ka avantazhet (përparësitë) dhe disavantazhet (prapësitë)! Zyrtarisht, njihet si formë e sistemit politik që përfshin përfaqësimin e njerëzve në qeveri, të zgjedhur lirshëm në bazë të vullnetit të popullit, promovon barazinë, stabilitetin, vendimmarrjen, paqen, etj. Bazohet në parimin e barazisë për njerëzit e të gjitha kastave, besimeve, feve, gjinive, racës ose pronës në mënyrë të barabartë, pa u diskriminuar nga shteti. Ajo njeh ndarjen e pushtetit midis autoriteteve dhe asnjë monopol nuk qëndron në një dorë të vetme dhe kështu bën të mundur parandalimin e diskriminimin ndaj kujtdo. Shpesh krahasohet me oksigjenin, i cili vlerësohet vetëm kur mungon! Konsiderohet gjerësisht se “Demokracia është një gur themeli i dinjitetit njerëzor dhe shoqërisë së mirë. Një publik duhet të formësojë fatin e tij, edhe nëse disa mund të dyshojnë në mençurinë e disa vendimeve të marra demokratike. Një shoqëri që nuk po përpiqet për demokraci, priret të jetë një vend më pak i denjë dhe gjithashtu më i rrezikshëm” [Scholte: 2005]. Këtu, fama e demokracisë është më e rëndësishme se vetë demokracia!
Megjithatë, demokracia ka pasur gjithmonë kritikët e saj, por tani dyshimet e vjetra po trajtohen me respekt të ri, pasi dobësitë e demokracisë në fortesat e saj perëndimore dhe brishtësia e ndikimit të saj gjetkë janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Pjesë e po kësaj demokracie janë paaftësia, barazia e panatyrshme, keqpërdorimi i burimeve, korrupsioni, konflikti i zgjedhjeve, mospjesëmarrja në zgjedhje, promovimi i keqpërdorimeve, etj. Derisa partia e shumicës kontrollon qeverinë, njerëzit që janë joefektivë dhe të korruptuar bëhen të zgjedhur! Atyre u mungon intelekti, vizioni dhe karakteri i nevojshëm për të drejtuar “anijen” e shtetit drejt destinacioneve të synuara, ndërkohë që mjafton një vrimë e vogël për ta fundosur një anije të madhe! Një demokraci është më e suksesshme me drejtues të arsimuar, largpamës e të mirorientuar.
Nga e drejta e zgjedhjes së “të mençurit” (me vota), manipulatorët dhe të paarsimuarit kanë mundësi të bëhen politikanë, të mbledhin votat e duhura dhe të marrin me sukses “autoritet demokratik”. Sipas Arthur Shopenhauer-it (1788-1860): “politikanët janë tregtar votash” [“The Wisdom of Life”, London 1897]. Ne sot kemi njerëz me shkollë e pa mend, kuadro shkencorë gjysmanalfabetë të diplomuar, që luftojnë për tituj e diploma dhe jo për dituri. Duke qenë të paaftë, bëhet krejtësisht e papërshtatshme për të avancuar njohuritë dhe për të ndjekur faktet shkencore. Eshtë e frikshme kur njeriu i keq zë pozitë të mirë! John Locke (1632–1704) i referohet kësaj si praktikë e njerëzve të paarsimuar që administrojnë qeverinë, sepse historikisht vetëm pak njerëz janë të zgjuar [Locke: 1884]!
Ky lloj “demokracie” u përshtatet më së shumti kapitalistëve, të cilët duke kontrolluar mediat, paratë e tyre i përdorin në fushata elektorale, ndikojnë opinionin publik në favor të tyre, sepse gjithë procesi drejtohet nga fuqia ekonomike, fuqi kjo që e ka ndarë botën në milionerë të paktë dhe në të varfër të shumtë! Pasoja përfundimtare është plutokracia e maskuar si demokraci, thënë ndryshe demokraci në emër dhe formë dhe plutokraci në praktikë [Krasow: 2020]! Është si lojë shahu, ku për t’iu shmangur pozitës mat, është në gjendje të sakrifikojë të gjith piunat! Brenda së njëjtës demokraci, dikush prodhon me shumicë armë bërthamore, mban të pushtuar për dekada vendet që nuk i takojnë dhe nuk e respekton Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e të tjerët jo. Dikush nën akuza të rrejshme mund të sulmojë vende kurdo dhe këdo, ndërsa të tjerët që rezistojnë shpallen “terroristë”!
Koncepti i zgjedhjes demokratike është kthyer vetëm në joshjen e masave, kontestimin në zgjedhje dhe fitimin e zgjedhjeve me çdo mjet. Njerëzit, në vend të manifestimit, besojnë në fuqinë e muskujve, paratë dhe ndonjëherë edhe detyrimin e votuesit. Teknologjia digjitale përdoret për të fyer dhe për të prishur imazhin e kandidati të ndershëm, çka shpesh sjell hezitimin popullor për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Janë parë raste keqpërdorimi të pushtetit të tyre si zyrtarë për interesa personale duke lënë anash synimin për t’u shërbyer qytetarëve. Nga periudha antike greke e deri në kohën e qytetërimit perëndimor demokracia është perceptuar si “liri e zotëruesve të pasurisë”, kurse “demokratizimi” si verifikim i sundimit të parasë [Davutogllu: 2005, f. 57]. Njerëzit në pushtet përfundojnë duke përdorur fuqinë e tyre për të marrë përfitime, si gjenerimi i pasurisë dhe për t’u përfshirë në praktika korruptive. Këtu, për të drejtat qytetare, për demokracinë, për të drejtat njerëzore, etj., flasin njëlloj si ata që bëjnë luftën, ashtu edhe ata që bëjnë paqen [Feraj: 2011, f. 134]! Kjo është ana e errët e demokracisë, kur i jep personit të mirë e inteligjent dhe personit të keq e injorant të njëjtën mundësi [El-Këbrisi: 2017, f. 186]!
Politika ndërkombëtare, si të gjitha politikat, është përpjekje për pushtet. Me këtë sigurohet liria dhe prosperiteti në llogari të palës synuese. Partia opozitare, derisa nuk është në pushtet kritikon për gjithcka, klithë për parime, vlera e drejtësi dhe posa të arrijë në pushtet ndjek të njëjtën rrugë kundër elitës që fliste më parë. I lodhur nga premtimet boshe, populli ia jep votën opozitës me shpresë se do të bëhet më mirë. Partia që u shndërrua në opozitë, fillon ulërimat, me të njëjtat kërkesa! Kështu fushata elektorale nuk është gjë tjetër, pos zinxhir i mashtruesve dhe të mashtruarve.
Këtu grupet kriminale kanë mundësi t’i instrumentalizojnë zgjedhjet për të pastruar fondet e paligjshme dhe për të mbështetur politikanët që do t’i lejojnë ata të vazhdojnë të veprojnë pa u ndëshkuar. Në Amerikën Qendrore, për shembull, këto “para të pista” në financimin e fushatës njihen si një problem endemik që rezulton në një “martesë” të krimit të organizuar dhe politikës që është e vështirë të zbulohet. Veç kësaj, interesat e huaja i kalojnë paratë përtej kufijve dhe në fushata politike. Aleanca për Sigurimin e Demokracisë ka dokumentuar gjerësisht efektin ndotës të parasë së pistë në 33 vende vetëm në dekadën e kaluar. Siç ka vërejtur më parë IFES-i, Konventa e OKB-së Kundër Korrupsionit në mënyrë eksplicite nuk i njeh rreziqet specifike që vijnë nga sjellja korruptive e lidhur me zgjedhjet. Nëse zgjedhjet janë thjesht një monedhë për të manipuluar sipas dëshirës, ky themel shembet. Bill Browder-i vuri në dukje se “çdo gjë rreth kleptokracisë dhe korrupsionit” çon në dhunë dhe shtypje të tmerrshme.
Çështja primare këtu është pushteti, pavarësisht mënyrës dhe qëllimit që fshihet pas saj! Kryqtarët donin t’i çlironin vendet nga infidelët, Woodrow Willson-i donte të bënte botën demokratike, nazistët donin ta hapnin Europën Lindore për kolonizimin gjerman për të dominuar në Europë dhe për të kontrolluar botën [Robbins: 1939, f. 63; Morgenthau: 1967, f. 25]. Musolini i kishte thënë Cianos se: “Kishte njëmijë e një arsye për mos t’u besuar demokracive perëndimore” dhe se po synonte të lidhte pakte me Hitlerin; të dy erdhën në pushtet përmes sistemit demokratik! Ciano sapo ishte kthyer nga vizita në Shqipëri, ku kishte marrë pjesë në martesën e mbretit Zog, ndërsa me Musolinin po shqyrtonin mundësinë për aneksimin “demokratik” të Shqipërisë, që e realizuan një vit më pas [Taylor: 1980, f.385]!
Problem të veçantë paraqet globalizimi “demokratik”, një proces kompleks dhe i diskutueshëm që ka ndryshuar botën në shumë mënyra. Disa pretendime të studiuesve të shquar e mbrojnë idenë se globalizimi ka përhapur demokracinë në mbarë botën; ajo ka bashkuar disa vende [Crockett: 2011]. Reduktimi i informacionit dhe kostove të udhëtimit do të thotë që njerëzit kanë akses në shumë më tepër informacion jo vetëm nga qeveria e tyre, por nga e gjithë bota. Kjo do të thotë se demokracitë tani mund t’i promovojnë “vlerat” dhe “idealet” e tyre në vendet autokratike shumë më lirisht, pasi autokracitë kanë kontroll të zvogëluar mbi informacionin [Hanen: 1990]. Në mënyrë që bizneset të përparojnë, duhet të vendoset paqe dhe stabilitet në të gjitha vendet e mundshme investuese. Përparësi të tjera të globalizimit që reduktojnë kufijtë është se forcon shpërndarjen e vlerave demokratike mbi kufijtë. Sa më shumë demokraci të kufizohen me vendet jodemokratike, aq më shumë janë shanset që ai vend të bëhet demokratik. Ndërkohë, shumë njerëz nuk mund të përfitojnë nga avantazhet e globalizimit, kompanitë e vogla të cilat nuk janë në gjendje të konkurrojnë në shkallë ndërkombëtare, humbasin nga hapja më e madhe ekonomike. Pasojat e kësaj humbjeje shkaktojnë një dobësim të demokracisë së vendit. Prandaj, globalizimi e ka transformuar qytetarin e thjeshtë në një individ që është shumë më i gatshëm të ndjekë interesat e veta ekonomike sesa të merret me përmbajtjen e politikave publike.
Por, po ajo demokraci globale i ka larguar shumë vende [Crockett: 2011]! Studiuesi Jens Bartelson në “Becoming International” (2023) thotë se “globalizimi përbën një kërcënim për shtetin demokratik në vend që të ndihmojë në zgjerimin e tij. Besohet se ai minon kërkesat thelbësore të autonomisë shtetërore, patriotizmit dhe identitetit kombëtar”. Në këtë kontekst globalizimi politik mund të jetë një kontradiktë në terma, ku: “një qeveri autoritare pajtohet me një regjim global për të përfituar përfitime të një lloji, por është e detyruar të pranojë pasojat politike që pasojnë.” [Dalpino: 2001]. Varësia nga zinxhirët e furnizimit global, flukset e migracionit dhe rreziqet globale mjedisore dhe shëndetësore çojnë në pasiguri. Dhjetë vjet më parë, shkencëtari politik amerikan Dani Rodrik e identifikoi një “trilemë globalizimi”. Në një botë të globalizuar, shtetet nuk mund të optimizojnë njëkohësisht demokracinë, sovranitetin kombëtar dhe integrimin ekonomik; njëri punon gjithmonë në kurriz të tjetrit. Prandaj, ne duhet të vendosim rast pas rasti se ku duhet të vendosen prioritetet ndërmjet këtyre qëllimeve konfliktuale.
Teoria antiglobaliste e sheh demokracinë si shkaktare për rënien e shtetit kombëtar, pasi qeveritë nuk kanë më kontroll mbi ekonominë, tregtinë dhe kufijtë e tyre. Në këtë mënyrë globalizimi zvogëlon fuqinë e demokracisë dhe të shtetit, duke rezultuar në demokraci të zbrazët. Veprimet e tilla e intensifikojnë pabarazinë sociale dhe e minojnë progresin demokratik [Robertson: 1992]. Sipas studiuesit Peter Drucker (1909-2005), globalizimi i gjymton më shumë “të pafatët” që nuk janë në gjendje të konkurrojnë në shkallë ndërkombëtare, ndërkohë që – si pasojë – dobësohet demokracia e vendit [Atlantic Monthly, nëntor 1994, f.53-80]. Në organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, dëshmohet rëndom se vendet e pasura elitare e kanë gjithmonë fjalën e fundit në çështjet e rëndësishme që diskutohen, gjë që përfundon duke e lëkundur politikën e brendshme të vendeve më pak të zhvilluara në favor të tyre [Samir:1996].
Bashkimi Europian nuk është shembull ideal i demokracisë. Vendimi për futjen e euros në vitin 1999 u mor kryesisht nga teknokratët. Vetëm Danimarka dhe Suedia mbajtën referendume për këtë çështje dhe të dyja i thanë “jo”! Përpjekjet për ta fituar miratimin e popullit për Traktatin e Lisbonës, i cili e konsolidoi pushtetin në Bruksel, u braktisën kur njerëzit filluan të votonin në mënyrë të gabuar. Gjatë ditëve më të errëta të krizës së euros, euro-elita e detyroi Italinë dhe Greqinë që t’i zëvendësonin liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike me teknokratë. Nga ana tjetër, rritja e ndikimit të Kinës ka shkaktuar ngërç për Amerikën dhe Europën, që kanë humbur joshjen e tyre si model për përhapjen e demokracisë. Përparimet mahnitëse të Kinës fshehin probleme më të thella. Elita po shndërrohet në një klikë vetëpërjetësuese dhe vetëshërbyese. 50 anëtarët më të pasur të Kongresit Popullor Kombëtar të Kinës kanë vlerë kolektive 94.7 miliardë dollarë, 60 herë më shumë se 50 anëtarët më të pasur të Kongresit Amerikan. Norma e rritjes së Kinës është ngadalësuar nga 10 për qind në nën 8 për qind dhe pritet të bjerë më tej – një sfidë e madhe për një regjim, legjitimiteti i të cilit varet nga aftësia e tij për të ofruar rritje të qëndrueshme.
Pas zgjerimit të madh të demokracisë, që filloi në vitet 1980-të dhe mori vrull pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, nivelet globale të demokracisë kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme që nga mesi i viteve 2000, kur sipas institutit amerikan “Freedom House”, 120 vende ose 63 për qind të totalit botëror konsideroheshin si demokraci. Edhe pse rreth 40 për qind e popullsisë së botës, më shumë njerëz se kurrë më parë, jetojnë në vende që do të mbajnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përparimi global i demokracisë është ngulfatur dhe ka stagnuar! “Freedom House” ka vlerësuar se problemet e demokracisë janë më të thella. Shumë demokraci nominale kanë rrëshqitur drejt autokracisë, duke ruajtur pamjen e jashtme të demokracisë përmes zgjedhjeve, por pa të drejtat dhe institucionet që janë aspekte po aq të rëndësishme të një sistemi demokratik funksional. Kështu ndikimi politik është venitur. Anëtarësimi në parti po bie në të gjithë botën e zhvilluar: vetëm 1 për qind e britanikëve janë tani anëtarë të partive politike krahasuar me 20 për qind në vitin 1950. Pjesëmarrja e votuesve po bie gjithashtu: një studim i 49 demokracive zbuloi se kishte rënë me 10 për qind midis viteve 1980 – 1984 dhe 2007 – 2013. Një studim i shtatë vendeve europiane në vitin 2012 zbuloi se më shumë se gjysma e votuesve “nuk kishin asnjë besim te qeveria”. Një sondazh i opinionit i “YouGov” me votues britanikë, në të njëjtin vit, zbuloi se 62 për qind e të anketuarve ranë dakord që “politikanët thonë gënjeshtra gjatë gjithë kohës”.
Megjithëse më shumë se 88 për qind e vendeve kanë ndaluar blerjen e votave, ndjekja penale e shkelësve ka mbetur e pazakontë. Arsyet janë të shumëfishta: ndjeshmëria e fortë rreth akuzave “politike”, standardi i lartë i provave që kërkohen për dënimin dhe afati i gjatë i procedimeve penale. Si rezultat, sjellja e korruptuar mbetet e pandëshkuar dhe demokracia vuan. Brenda po kësaj ”demokracie” fokusi politik qëndron me të majtën kundrejt së djathtës, me “liberalët” kundrejt “konservatorëve”, me demokratët kundër republikanëve, me populistët kundër antipopulistëve, me elitat kundër njerëzve të mjerueshëm, me rubinet e palara kundrejt të rafinuarve dhe të arsimuarve, me mbështetjen e ekspertëve kundrejt gabimeve të autoritetit dhe me frikën e humbjes së kontrollit kundrejt të qenit i kontrolluar [Landes:2011, f.229].
BIBLIOGRAFIA
Nancy Isenberg & Andrew Burstein: “The Problem of Democracy – The Presidents Adams Confront the Cult of Personality”, Viking 2019.
Amos Perlmutter: “Making the World Safe for Democracy – A Century of Wilsonianism and itstatlitarian Challengers”, Chapell Hill 1997.
Lawrence Gelfand: “The Inquiry – American Preparations for Peace”, New Haven 1963.
Peter F. Drucker, “The Age of Social Transformation” në Atlantic Monthly, November 1994.
Enver Masud: “The War on Islam”, Arlington 2000.
Muftija Muamer ef. Zurkolic: “Izolacija kriminala – temelj opstanka zajednice”, Novi Pazar 2012, f. 240.
Faik Konica: “Kombi shqiptar po zgjohet”, Shkup, 2007.
Jan Aart Scholte: “Globalization: A Critical Introduction”, New York, USA.: Palgrave Macillan, 2005.
John Locke: “Two treatises on Civil Government”, London 1884.
Perry Krasow: “Democracy for the rest of us: A strategy guide to transform the US plutocracy into a democracy”, BookBaby 2020
Ahmet Davutogllu: “Kriza globale – debati rreth 11 shtatorit”, Shkup 2005, f.57
Hysamedin Feraj: “E pafilozofuara”, Tiranë 2011, f.134
Shejh Nazëm El-Këbrisi: “Oqeanet e Mëshirës”, Alsar – Tiranë 2017, f.186
Lionel Robbins: “The Economic Causes of War”, London 1939
Hans J. Morgenthau: “Politics among Nations”, (edic. IV) New York 1967.
Telfored Taylor: “Munich – the Price of Peace”, New York 1980
Sophie Crockett: “Has Globalization spread Democracy around the world?”, E-International Relations, 27 gusht 2011.
Tatu Van Hanen: “The Process of Democratization: A Comparative Study of 147 States”. New York: Russak Publications, 1990.
Catharin E. Dalpino: “Does Globalization Promote Democracy?: An early assessment.” Brookings.September 2001.
Roland Robertson: “Globalization – Social Theory and Global Culture”, London Sage Publications, 1992.
Amin Samir: “The Challenge of Globalization”, Review of International Political Economy, February 1996. f. 24-46.
R.Landes: “Heaven on Earth: The Varieties of Millennial Experience. New York: Oxford University Press. 2011.