loader image
September 7, 2024

Aspektet ligjore dhe konteksti social i gjenocidit në Srebrenicë

Gjenocidi në Srebrenicë u vërtetua me aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, që sipas të dhënave të Rrjetit Ballkanik të Hulumtimeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Tribunalit të Hagës (ICTY), Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe gjykatave në Serbi dhe Kroaci, deri më tani janë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg dhe janë shqiptuar katër dënime të përjetshme për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. 

Shkruan: Edina ZEÇIROVIQ FAZLAGIQ, Shkup* 

Atëherë kur, para 29 viteve, në zemër të Europës, në mënyrë të organizuar (nuk po e shkruaj se ndodhi me qëllim), u krye gjenocid kundër boshnjakëve në Srebrenicë, Bosnjë dhe Hercegovinë, në një “zonë të mbrojtur” nga Kombet e Bashkuara, botës iu desh shumë kohë për ta kuptuar se krimi më i madh dhe më i tmerrshëm në historinë moderne njerëzore është kryer në mënyrë të organizuar! Ushtria e atëhershme e Republikës Srpska-s dhe njësitë paraushtarake serbe më 11 korrik të vitit 1995 vranë 8.374 civilë boshnjakë.

Sot, pothuajse tre dekada pas gjenocidit të Srebrenicës, kur ende nuk i kemi shëruar plagët dhe kur pjesët e trupit dhe eshtrat e të vrarëve ende po kërkohen, para syve të botës sërish po ndodh gjenocid. Nëse para 29 viteve gjenocidi ndodhi me boshnjakët, me Bosnje e Hercegovinën, gjegjësisht me Srebrenicën, sot gjenocid po kryhet ndaj palestinezëve në enklavën palestineze në Gazë, gjë të cilën e bën Izraeli.

Në kohën kur edhe në territorin e Europës bëhet luftë, pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022, si dhe kur po ndodhin vrasjet masive të palestinezëve në Gazë nga forcat izraelite që nga tetori i vitit të kaluar, ia vlen që përmes fakteve t’i shikojmë aspektet juridike dhe kontekstin social të gjenocidit në Srebrenicë.

Gjenocidi si term

Së pari ta përkufizojmë nocionin gjenocid. Rafael Lemkin, një avokat me origjinë polake, është bërë i njohur për shpikjen e nocionit “gjenocid” dhe iniciator i Konventës së Gjenocidit pranë Kombeve të Bashkuara. Nocionin gjenocid Lemkini e “formuloi” në vitin 1943/1944 nga fjala greke genos, që do të thotë familje, fis ose racë dhe acidre, që në gjuhën latine do të thotë “të mbysësh”. Me nocionin “gjenocid” nënkuptohet zhdukja ose shfarosja e një populli ose një grupi etnik. Ashtu synohet të realizohet një plan i koordinuar i veprimeve të ndryshme për ta shkatërruar ose shfarosur një popull.

Fakt është se në diskursin e gjerë publik është aktual diskutimi nëse ka ndodhur gjenocid, pavarësisht asaj se gjenocidi në Srebrenicë është konfirmuar nga aktgjykimet e shumta të gjykatave ndërkombëtare, si dhe nga gjykatat relevante në rajon. Por, përveç debateve politike ditore, nga pikëpamja juridike është absurde të diskutohet nëse gjenocidi i gjykuar ishte në të vërtetë gjenocid apo jo! Në esencë, gjenocidi në Srebrenicë është fakt që nuk mund të përgënjeshtrohet. Është e vërtetë e pamohueshme dhe tërësisht e mbështetur në fakte/dokumente materiale relevante, në dëshmi dhe në prova të ekspertëve, se gjenocidi në Srebrenicë është verifikuar si krimi më i rëndë i kryer në truallin europian pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjenocidi i konfirmuar nga aktvendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Gjenocidi në Srebrenicë u vërtetua me aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, që sipas të dhënave të Rrjetit Ballkanik të Hulumtimeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Tribunalit të Hagës (ICTY), Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe gjykatave në Serbi dhe Kroaci, deri më tani janë dënuar gjithsej 47 persona me më shumë se 700 vjet burg dhe janë shqiptuar katër dënime të përjetshme për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.

Shumicën e aktgjykimeve për Srebrenicën i shqiptoi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës, duke dënuar gjithsej 25 persona. Në Hagë u dënuan 14 ish pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Republikës Srpska, gjykata serbe i dënoi pesë persona për krime në Srebrenicë, ndërsa në Kroaci janë dënuar dy ish anëtarë të njësitit “Skorpioni”.

Pikërisht për këtë arsye është e paimagjinueshme të diskutohet për diçka që tanimë është zgjidhur dhe vërtetuar me një aktgjykim dhe e vetmja e vërtetë që është e rëndësishme në raste të tilla është e vërteta procedurale e verifikuar përmes vendimeve të sipërpërmendura të Tribunalit të Hagës dhe aktgjykimet e gjykatave në vendet e rajonit. Prandaj janë të rëndësishme këto fakte juridike, e jo perceptimet subjektive ose ndjenjat e individëve apo popujve.

Është shumë e rëndësishme të dihet se gjenocidi nuk “ndodh” nga sot për nesër, por ai ndodh në më shumë etapa për të cilat nevojitet periudhë e caktuar kohore.

Gjenocidi përmes fazave

Kryetari organizatës “Genocid Watch”, Gregori Stanton, në vitin 1996 deklaroi se gjenocidi zhvillohet në tetë faza, për çka raportoi “Al Jazeera Balkans”. Ato nuk janë zhvilluar në mënyrë të përpiktë në kronologjinë e përmendur, por është e rëndësishme të theksohen dhe shpjegohen për shkak se janë vërtetuar realisht dhe paraqesin një mënyrë të dobishme për ta kuptuar gjenocidin në kontekstin më të gjerë shoqëror dhe juridik.

FAZA E PARË: KLASIFIKIMI

Njerëzit ndahen në “ne dhe ata”. Sipas racës, fesë, origjinës etnike ose sipas përkatësisë nacionale.

FAZA E DYTË: SHËNIMET

Grupeve të cilat janë klasifikuar më parë u jepen emra dhe shënohen. Urrejtja imponon simbolizimin. Shembulli tipik do të ishte urdhri për joserbët në Prijedor, që në duar të mbanin shirita të bardhë dhe shtëpitë e tyre t’i dallonin me çarçafë të bardhë. Shembulli nga Srebrenica vërteton se urrejtja e lartpërmendur nuk është e re.

FAZA E TRETË: DEHUMANIZIMI

Njëri grup mohon humanitetin e grupit tjetër. Anëtarët e tij barazohen me kafshët, insektet ose sëmundjet.

FAZA E KATËRT: ORGANIZIMI

Gjenocidi gjithmonë është i organizuar. Njësitë e veçanta speciale luftarake, paraushtarake ose njësitë policore shpeshherë stërviten dhe armatosen. Njësitë paraushtarake kanë për qëllim që t’i fshehin përgjegjësitë e shtetit.

FAZA E PESTË: POLARIZIMI

Grupet të cilat përhapin urrejtjen, emitojnë propagandë polarizuese. Ata mund të jenë ekstremistët, por edhe autoritetet.

FAZA E GJASHTË: IDENTIFIKIMI

Viktimat identifikohen dhe veçohen për shkak të përkatësisë së tyre etnike ose fetare. Getoizohen në kampet e përqendrimit, siç ishte Prijedori, ose në enklava, siç ishte Srebrenica.

FAZA E SHTATË: SHFAROSJA

Faza kryesore e vrasjeve. Për vrasësit kjo është shfarosja, sepse ata nuk i konsiderojnë viktimat e tyre si njerëz. Në shembullin e Srebrenicës kjo fazë zgjati disa ditë para dhe pas 11 korrikut; vrasjet ishin masive dhe individuale në disa fushëbeteja.

FAZA E TETË: MOHIMI

Faza e fundit është mohimi i gjenocidit. Kryerësit e gjenocidit hapin varreza masive, duke tentuar t’i fshehin dëshmitë, të organizuara sikurse në fazat e mëparshme. Në shembullin e Srebrenicës trupat janë fshehur në varreza, e pastaj – në mënyrë të organizuar – janë transferuar në varreza të tjera sekondare dhe terciare. Gjenocidi i Srebrenicës mohohet në nivelin e politikës dhe deklaratave politike, në nivelin e arsimit, literaturës, si dhe duke themeluar komisione për ta hetuar atë që tashmë është vërtetuar…

Mohimi i gjenocidit si tregues i gjenocideve të ardhshme

Autori i kësaj ndarjeje të krimit të gjenocidit në faza thotë se kjo fazë është një nga tregueset më të sigurta të masakrave të ardhshme gjenocidale. Është shumë e rëndësishme në situata të këtilla që gjithmonë të ndërmerren veprime ligjore, siç janë kallëzimet ose paditë penale, madje edhe të procedohen akuzat, të gjitha me synimin për ta ndërgjegjësuar opinionin se një sjellje e atillë është e ndaluar.

Është shumë e rëndësishme që çdo qytetar t’i njohë të drejtat e tij dhe t’i përdor ato, sepse nga kjo përfiton jo vetëm individi ose individët, të cilët janë palë në procedurë, por edhe shoqëria në tërësi.

Në muajin prill, lajmi se Republika e Maqedonisë së Veriut është bashkësponsore e Rezolutës së Kombeve të Bashkuara “Dita Ndërkombëtare për Reflektim dhe Përkujtim të Gjenocidit në Srebrenicë 1995”, me të cilën një nga pikat kryesore ishte përcaktimi i 11 korrikut si ditë e shënimit të gjenocidit në Srebrenicë, bëri jehonë rajonale dhe globale. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi këtë Rezolutë më 23 maj. Për atë votuan 84 vende anëtare, kundër ishin 19, ndërsa abstenuan 68 vende anëtare.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën, duke e emërtuar si Dita Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe të Shënimit të Gjenocidit të Kryer në Srebrenicë në vitin 1995, duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, me ç’rast thekson se përgjegjësia penale për gjenocid është individualizuar.

Serbia e kundërshtoi rezolutën dhe loboi kundër miratimit të saj, por megjithatë opinioni ndërkombëtar gjeti forcë dhe e miratoi re­zo­lu­tën.

Retorika e mohimit të gjenocidit dhe talljes me viktimat e shqetësoi edhe njëherë opinionin në rajon dhe më gjerë. Kështu, kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veriut dhe deputet në Kuvendin e RMV, Ivan Stojiljkoviq, duke e komentuar në rrjetet so­ci­ale vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut për të bashkësponsorizuar rezolutën për Srebrenicën, gjenocidin në Srebrenicë e quajti “Diznilendi nekrofil”, ku nekrofilia do të thotë kënaqësi seksuale me njerëzit e vdekur, ndërsa Diznilendi është parku më i madh i fëmijëve në botë dhe nocion për argëtimin e fëmijëve!

Gjithashtu, Stojiljkoviqi nxit urrejtje ndaj popullit shqiptar, duke përdorur një retorikë të njëanshme dhe nxitëse, duke theksuar se ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili është shqiptar etnik, ka iniciuar dhe zbatuar vendimin për bashkësponsorizimin e rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

Duke pasur parasysh se ky lloj i gjuhës së urrejtjes është i papranueshëm dhe fyes për të gjithë qytetarët dhe, veçanërisht, për boshnjakët, si përfaqësues ligjor i Lidhjes Demokratike Boshnjake (BDS) dhe Këshillit Kombëtar Boshnjak, kam ngritur kallëzim penal kundër Stojiljkoviqit, për shkak të mohimit të gjenocidit të Srebrenicës, por edhe për talljen e tmerrshme me viktimat e gjenocidit.

Kallëzimi i parë penal për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Kallëzimin penal kundër Ivan Stojiljkoviqit e kam ngritur për veprën penale Miratim ose justifikim të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës, neni 407, paragrafi 2 dhe paragrafi 4, ndërsa v.v. 403 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të parandalimit të përhapjes së urrejtjes dhe mohimit të veprimeve, siç është gjenocidi, pres një përgjigje pozitive në drejtim të shkrimit të praktikës gjyqësore në këtë drejtim.

Gjithashtu, dëshiroj të përmend se edhe në Maqedoninë e Veriut ky është kallëzimi i parë penal për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Shpresoj që personi i denoncuar të sanksionohet në përputhje me ligjin, si dhe ky të jetë një paralajmërim për të gjithë të tjerët që të përmbahen nga deklaratat e këtilla dhe të ngjashme me to, përmes të cilave përhapin urrejtje në shoqëri dhe krijojnë një mjedis të pasigurt.

Në këtë kontekst do të theksoj se më 4 shkurt të vitit 2010, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, e miratoi Deklaratën për Mbështetjen e Rezolutës së Parlamentit Europian për Srebrenicën nga 15 janari i vitit 2009.

“Asgjë nuk na ndihmoi ajo që kishim harruar gjithçka”

Në fund, si sublimim i të gjitha kësaj që u theksua më lart, do të doja të përkujtoj vetëm një mendim të një intelektuali të shquar, i njohur edhe si mbreti i urtësisë, presidentit të parë të Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, i cili dikur deklaroi: “Atë histori për harresën e kishim dëgjuar me tepër se 40 vjet. Atë film e kemi parë. Dhe, cili ishte rezultati, çfarë pasoi? PASOI GJENOCIDI! Asgjë nuk na ndihmoi ajo që kishim harruar gjithçka, edhe të kaluarën tonë, edhe fenë tonë, madje edhe emrin tonë; të dënuar me vetëshkatërrimin tonë. Atë gabim më nuk do ta përsërisim.”

* Autorja është avokate

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X