loader image
November 21, 2024

Asociacion do të ketë, por jo si “Sërspka”

Kohëve të fundit është folur mjaft edhe rreth faktit që ndërmjetësuesi europian ose përpiluesit e planit franko-gjerman, janë në anën e Serbisë. Kjo gjë ka qenë kështu që nga fillimi i bisedimeve, por duket se disa e kanë vërejtur tashti së voni. Në realitet, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit kanë filluar me qëllim që Serbia dhe serbët në Kosovë të nxjerrin koncesione nga shteti i sapoformuar i Kosovës.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Është vështirë të gjendet ndonjë sqarim i plotë në media që ofrojnë analistët dhe politikanët shqiptarë në lidhje me gjërat që janë duke ndodhur rreth bisedimeve për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. I tërë debati është reduktuar në banalitetin e pakuptimtë: “e nënshkruan apo nuk e nënshkruan Albin Kurti Zajednicën?”. Por, ajo që dihet është fakti se ky është një proces i gjatë, që ka filluar më herët se para një dekade dhe nuk përfundon aq shpejt siç është paralajmëruar muajve të fundit nga ndërmjetësuesi (Bashkimi Europian), që është duke u konsideruar edhe si palë e tretë në këto bisedime. Stërgjatja e këtyre bisedimeve është duke ndodhur tërësisht për shkak të dështimit të Bashkimit Europian në përdorimin e metodës së “karotës dhe shkopit” ndaj palëve në kontest.

Kohëve të fundit është folur mjaft edhe rreth faktit që ndërmjetësuesi europian ose përpiluesit e planit franko-gjerman janë në anën e Serbisë. Kjo gjë ka qenë kështu që nga fillimi i bisedimeve, por duket se disa e kanë vërejtur tashti së voni. Në realitet, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit kanë filluar me qëllim që Serbia dhe serbët në Kosovë të nxjerrin koncesione nga shteti i sapoformuar i Kosovës. Këtu nuk ka qenë fjala për ndonjë përfitim politik të shqiptarëve. Përfitimi i vetëm në rastin e dhënies së koncesioneve, çfarëdo qofshin ato, është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, që do të vinte si kusuritje. Por, kjo nuk duket se do të ndodhë. Jo vetëm për shkak se është duke e refuzuar Serbia, por këtë nuk është duke imponuar as ndërmjetësuesi ose pala e tretë. Nëse bisedimet përfundojnë me marrëveshje dhe nëse implementohen, gjëja më e mirë që mund të ndodhë është njohja ‘de facto’ e Kosovës nga Serbia.

Asociacioni do të bëhet gjithsesi, pasi që palët në parim e kanë pranuar themelimin e kësaj strukture të qeverisjes lokale. Por, Kosova dhe Serbia refuzojnë të bëjnë kompromise në problemin që doli nga marrëveshja e vitit 2015 dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila e zhvlerësoi esencën e marrëveshjes, duke e cilësuar si jokushtetuese.

Pyetja shtesë që parashtrohet ka të bëje me detajet ende të papërfunduara të formës së Asociacionit. Nga disponimi i palës kosovare, por edhe nga detajet e negociatave të fundit, shihet se asociacioni në fjalë nuk do të ketë fuqi juridike e as politike, sikur ai i Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, i cili vend po mbahet i kërcënuar nga serbët dhe pa ndonjë shpresë të përparimit. Ky është qëllimi i Beogradit, i cili insiston se kjo punë është kryer me marrëveshjet e nënshkruara më 2013 dhe 2015, por Prishtina me ngulm ka bërë me dije se një gjë të tillë nuk e pranon. Në Ohër dihet që Albin Kurti ka ofruar mënyrën e tij të zbatimit të marrëveshjes, gjegjësisht të krijimit të Asociacionit, të cilën presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë. Arsyeja e tij për refuzim ka qenë se Serbia nuk nënshkruan marrëveshje për shkak se nuk e pranon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Por, ky nuk është arsyetim aspak, sepse Serbia ka nënshkruar disa herë marrëveshje të këtilla me Kosovën. Sidoqoftë, pranimi i formës së marrëveshjes që e kërkon Vuçiqi, pra asociacion me kompetenca ekzekutive, krijon fushë të minuar me potencial shpërthyes që e zhbën sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Pas çdo përfundimi të ndonjë faze të bisedimeve, siç ndodhi edhe herën e fundit në Ohër, të dy palët dalin me deklarata që e nxjerrin veten fituese. Pala kosovare nuk është fituese assesi, por “çorba” që është duke u zier dhe për t’u servuar në marrëveshje finale duhet të jetë e gëlltitshme për klasën politike dhe popullin e të dyja palëve. Varet edhe nga mënyra se si Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqi ia “shesin” këtë “çorbë” popullit, pasi që edhe në këtë “Pazar” kërkohet një lloj aftësie. Duhet të mbulohen gabimet e kuzhinierit nëse ato janë dukshme që nga pamja.

Nga vetë fakti që këtu është duke u biseduar për krijimin e një territori, çfarëdo qoftë ai, brenda territorit të Kosovës, gjërat nuk janë mirë. Si shtesë, për ta rritur dyshimin, kjo “krijesë” nuk është nevojë e brendshme, por është presion i jashtëm. Në mënyrë ideale, nuk do të duhej të kishte bisedime fare për këtë çështje. Por, ja që ato tani janë të paevitueshme dhe të gjithë e dinë se kjo gjë ka ndodhur kryesisht për shkak të paaftësisë së klasës politike shqiptare të Kosovës.

Kohëve të fundit janë lajmëruar idetë për krijimin e asociacioneve të këtilla (shqiptare), në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Këtë ide në Shkup e ka theksuar Zeqirija Ibrahimi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Alternativa, kurse në Serbi Këshilli Kombëtar Shqiptar, si edhe disa parti politike boshnjake në Sanxhak. Madje, udhëheqësit e këtyre organizatave politike janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për koordinim të një presioni ndaj Serbisë në lidhje me inicimin e kësaj çështjeje në Serbi, ku numri i shqiptarëve dhe boshnjakëve është më i madh se i serbëve në Kosovë. Pra, nëse serbët në Kosovë duan asociacion, pse këtë të mos e kërkojnë edhe shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi?

Megjithatë, kjo duket se është një lëvizje pak si e vonuar dhe për këtë arsye vështirë se krijon ndonjë presion serioz, edhe pse në mediat e Serbisë dhe në mesin e partive politike maqedonase kjo inicativë ka shkaktuar shqetësim. Natyrisht që kjo do të duhej të ndodhte, por do të duhej të kishte filluar në momentin kur Kosova kushtëzohej me krijimin e asociacionit serb. Këto kërkesa do të duhej të ishin paraqitur si masa reciprociteti dhe nga kjo do të dilte iniciativa e krijimit të këtyre asociacioneve në këto vende ose do të ndalej kërkesa për atë serbe në Kosovë. Kjo është logjika e zhvillimit të ngjarjeve politike që prapa kanë kushtëzimet. Fakti tjetër që paraqet një çudi të veçantë është roli neutral i Shqipërisë. Ajo do të duhej të lajmërohej e para me kundëreagim. Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur. Madje, pozita e heshtjes së kryeministrit Edi Rama e ka dobësuar në masë të madhe pozicionin e Kosovës në tavolinën e negociatave me Serbinë.

Megjithatë, nëse mund të koordinohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe ata në Serbi, së bashku me boshnjakët dhe të mbështetur nga Shqipëria, presioni do të ishte real dhe do të prodhonte pasojat e situatës faktike. Logjikisht, nuk do të kishte mundësi të refuzohej kjo ide nëse fuqizohet politikisht përkundër faktit se ekziston frika se kjo gjë shpie në federalizimin e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare nuk do të kishte mundësi të refuzonte diçka për shqiptarët dhe të tjerët nëse po të njëjtën gjë e lejon për serbët.

Kjo punë kërkon angazhim të madh, i cili, në situatën reale, nuk zbatohet, kjo është për shkak se klasa politike shqiptare, duke e qenë e ndarë në shumë shtete, nuk ka arritur një vetëdije e as ndjenjë kaq të lartë kombëtare. Duke mos e arritur këtë nivel të domosdoshëm, elita shqiptare bën me dije se është duke jetuar me frikën e prishjes së marrëdhënieve me Europën, sidomos me SHBA-në, e cila konsiderohet “aleat i përhershëm”. Pasi që ne e dimë këtë gjë, me siguri e di edhe bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, kjo bashkësi, e cila tashti është duke e luajtur rolin e ndërmjetësuesit, zbaton standarde të dyfishta. Pra, ekziston mundësia e luajtjes së këtij roli, pasi që dihet se shqiptarët vetëm mund ta vonojnë zbatimin, por jo edhe ta refuzojnë përfundimisht. Prandaj, në këtë rast ledhatohen serbët, kurse shqiptarëve u bëhet presion që të bëjnë koncesione.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X