loader image
July 17, 2024

Aparteidi digjital: Shadowbanning vs. algospeak

Ndalimi në hije është vetëm një nga mënyrat e shumta në të cilat e kemi parë përmbajtjen palestineze të heshtur dhe censuruar gjatë kohës së fundit. Ky ka qenë një trend i Metës në kohë krize dhe pamë një rritje të konsiderueshme të ankesave palestinezëve dhe aleatëve që raportuan shtrirje të kufizuar dhe gabime me përmbajtjen që ata postuan në lidhje me krizën e vazhdueshme në Palestinë.

Festim RIZANAJ, Prshtinë

Në vitin 1984, intelektuali palestinez amerikan dhe profesor i Universitetit të Kolumbisë, Edward Said, argumentoi në mënyrë të qartë se palestinezëve u mohohet “leja për të treguar”. Mjerisht, megjithatë, kjo status quo jo vetëm që ka mbetur e pandryshuar qëkur Saidi e vuri atë në qendër të vëmendjes, por ajo është përkeqësuar. Diskutimi medial për hapësirën e zërave të të dobëtëve mbetet nën hijen interesave politike, gjeopolitike dhe civilizimeve. Përkundër faktit, që kjo hapësirë mediale mbetet shumë e reduktuar për të dobëtit, ata janë orientuar drejt mediave sociale si mundësi për ta publikuar zërin e tyre.

Vitet e fundit, mediat sociale u bënë një mjet shpëtimi për shumë njerëz që duan të rrisin ndërgjegjësimin për shkaqet dhe betejat e injoruara ose të minuara nga mediat kryesore. Megjithatë, kompanitë e teknologjisë tani po punojnë në mënyrë aktive për të përjashtuar zërat palestinezë nga platformat e tyre, duke zgjeruar kështu fshirjen dhe heshtjen e llogaritur të palestinezëve në mediat sociale.

Shadowbanning – ndalimi nën hije

Thomas Maddens, një regjisor dhe aktivist me qendër në Belgjikë, pasi e postoj një video për Palestinën në TikTok me fjalën ‘gjenocid’ papritmas pushoi përhapja e përmbajtjes në platformë pas një rritjeje fillestare. Maddens-i është një nga qindra përdoruesit e mediave sociale që po akuzon platformat më të mëdha të mediave sociale në botë – Facebook, Instagram, X, YouTube dhe TikTok – për censurim të llogarive ose reduktim aktiv të shtrirjes së përmbajtjeve propalestineze, një praktikë e njohur si ‘shadowbanning’.

Autorët, aktivistët, gazetarët dhe përdoruesit e rregullt në mbarë botën kanë thënë se postimet që përmbajnë hashtags si “Palestinë e lirë” dhe “IStandWithPalestine”, si dhe mesazhe që shprehin mbështetje për palestinezët civilë të vrarë nga forcat izraelite janë fshehur nga platformat.

Disa përdorues kanë akuzuar gjithashtu Instagramin, në pronësi të Metës, për heqjen arbitrare të postimeve që përmendin thjesht Palestinën për shkelje të “udhëzimeve të komunitetit”. Të tjerë thanë se përmbajtjet e tyre në Instagram ishin fshehur për ndarjen e informacionit në lidhje me protestat në mbështetje të Palestinës në Los Anxhelos dhe San Francisko. Disa gjithashtu thuhet se u ankuan për fjalën “terrorist” që shfaqej pranë biografive të tyre në Instagram.

Ndalimi në hije (shadowbanning) është një formë e censurimit që funksionon duke mos ua shfaqur përmbajtjen të tjerëve pa e hequr atë nga platforma ose pa e zvogëluar qëllimisht shfaqjen e saj. Me fjalë të tjera, është një proces që vazhdon pa e kuptuar as ju. Dyshimet si për ndalimin nën hije ashtu edhe për censurën e plotë janë mjaft të dukshme.

Përdoruesit e Instagram-it po e akuzojnë rrjetin social për censurimin e qëllimshëm të postimeve në mbështetje të Palestinës, duke nënvizuar shqetësimet e kahershme për moderimin e padrejtë. Ndalimi në hije është vetëm një nga mënyrat e shumta në të cilat kemi parë përmbajtjen palestineze të heshtur dhe censuruar gjatë kohës së fundit. Ky ka qenë një trend i Metës në kohë krize dhe ne pamë një rritje të konsiderueshme të ankesave palestinezëve dhe aleatëve që raportuan shtrirje të kufizuar dhe gabime me përmbajtjen që ata postuan në lidhje me krizën e vazhdueshme në Palestinë.

Meta tha se nuk është kurrë qëllimi i tyre të shtypin një komunitet apo këndvështrim të caktuar, por se për shkak të vëllimeve më të larta të përmbajtjes që raportohen rreth konfliktit, përmbajtja mund të hiqet gabimisht”. Kompania gjithashtu ia atribuoi disa çështje defekteve në sistemin e saj të moderimit algoritmik që zvogëluan shtrirjen e postimeve “në mënyrë të barabartë në mbarë globin”, pavarësisht nga tema.

Kompania ombrellë e Facebook,-ut, e quajtur sot “Meta”, në raportin e pavarur të publikuar në vitin  2022, e pranoi se mund të ketë heshtur zërat palestinezë në platformë në vitin 2021 (gjatë goditjes së ashpër dhe sulmeve ajrore ndaj protestuesve gjatë evakuimit të detyruar të familjeve palestineze në Jerusalemin Lindor). Sipas gjetjeve të raportit, përmbajtja arabe për dhunën u fshi shumë më tepër sesa përmbajtja hebraike. Meta tha që kjo nuk ishte e qëllimshme. Por këtu ka edhe një paragjykim sistematik të algoritmit. Inteligjenca artificiale dhe burimet njerëzore të pamjaftueshme të këtyre platformave mund ta kodojnë arabishten si një gjuhë të lidhur drejtpërdrejt me terrorizmin. Këto incidente nxitën një letër reaguese të nënshkruar nga më shumë se 200 punonjës të Meta-s, duke kërkuar që kompania të adresonte mangësi të tilla. Një analizë e mëvonshme e pavarur, e porositur nga Metazbuloi se rrjetet sociale i kishin shkelur të drejtat e njeriut palestinez, duke censuruar përmbajtjen në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza.

Vetëm në periudhën e fundit, Instagram-i kërkoi falje për një gabim që e përktheu biografinë e një përdoruesi palestinez si terrorist palestinez. Gjegjësisht, shprehja “Alhamdulillah”, e shkruar në biografi, është përkthyer si “Falënderuar Zotit terroristët palestinezë po luftojnë për lirinë e tyre”. Ishte një gabim i çuditshëm përkthimi i një shprehjeje të tillë, duke i shtuar shprehje si terroristë, luftë dhe liri.

Algospeak – Mashtrim i algoritmit

Në dritën e këtyre shqetësimeve, përdoruesit po eksperimentojnë me mënyra për të manipuluar algoritmin. Disa prej tyre, që thanë se kanë përjetuar censurë në mediat sociale, kanë gjetur një zgjidhje. Nëse platformat kanë ‘shadowbanning’, përdoruesit gjithashtu kanë ‘algospeak’. ‘Algospeak’ është një gjuhë e zhvilluar për të kundërshtuar këtë ‘shadowbanning’. Është i disponueshëm në të gjitha platformat, por mund të themi se është zhvilluar në TikTok, i cili bazohet në rrjedhën algoritmike.

Për shembull, nëse do të flisni për vdekjen, përdorni fjalë duke përfshirë edhe simbole për fshehur kuptimin dhe jo falën “e vdekur” në mënyrë që algoritmi të mos ju ndalojë në hije. Ka edhe shembuj të tjerë për terme të tjerë. Në fakt, pas një kohe sistemi mëson edhe fjalë të tjera të reja të përdorura në vend të fjalëve të pakëndshme. Fjalë të tjera ‘algospeak’ mund të shpiken mbi këtë.

Për shkak të përvojave të kaluara dhe dyshimeve të mëdha, ata që duan t’i dëgjojnë zërat palestinezë kanë filluar gjithashtu të përdorin ‘algospeak’ për të shmangur ‘shadowbanning’. Fjalët të koduara si “P*les+in1ans dhe t*rr0rist+s” janë ndër të parat që tërheqin vëmendjen.

Një shembull tjetër të kombinimit të shkronjave në mesin e komenteve politike në postime e bëra është ndërrimi i shkronjave – duke përdorur “@” në vend të “a” dhe “3” në vend të “e” – kur shqipton fjalë si “Israel” (Isr@3l ) dhe “Palestine” (P@l3stin3).

Këtu, natyrisht, nuk mund të privilegjohet ‘algospeak’ vetëm si një mjet për të luftuar censurën e padrejtë. Sepse, kjo është një situatë që e prish luftën e platformave kundër përmbajtjeve të dëmshme. Meqenëse shkalla e platformave e mbulon botën dhe përmbajtje të reja shtohen gjatë gjithë kohës, është e pamundur ta luftosh përmbajtjen e dëmshme vetëm me burime njerëzore. Inteligjenca artificiale funksionon gjithashtu në disa fjalë si kjo, ndërsa ‘algospeak’ është një mënyrë për ta kapërcyer atë.

Por, a mund të kapërcehet shadowbanning-u vetëm me metoda të zgjuara si algospeak-u? Së pari, pavarësisht se sa fjalë të reja prodhoni, inteligjenca artificiale mund t’i mësojë dhe censurojë ato pas një kohe. Shqetësimet e censurës dhe ndalimit në hije janë të përhershme në mediat sociale, por aksionet janë shumë më të larta gjatë kohës së luftës, duke i bërë implikimet në botën reale.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X