loader image
January 7, 2026

Andërrthyesit

Mësuesja e mëhallës i njihte mirë hilet e sistemit të atij vakti, por megjithatë s’pranonte assesi që shqiptarët me mbetë të izolum. Duke qenë vetë n’brendi të shkollës, ajo i premtoi Hamdiut kujdes të epërm për çikat e tij, si edhe për tana çikat e tjera që po merrte në klasë. Ndërkaq, nga minderi përballë, Emine hanëmi i kishte thanë efendisë, se do përpiqej ditë-natë që të bijat, veç shkollës, të hujdisnin edhe shpirtnoren. Dy gra, nji Za = dhe nji premtim a zotim për me çplu dijen e për me trembë hijen e zvetnimit.

Fjolla SPANCA, Mitrovicë

N’zhguall t’viteve ‘70, fill mbasi qe rehatuar në shtëpinë e re, mu diku aty te Tjegullorja, bacë Hamdiut nisën me iu degdisë rrotull kreje do mendime t’idhta. Po i avitej koha me i nxjerrë çikat e para në bangat e shkollës, por gdhendësi i drunit dhe kërkonjësi i dijes, qibar, ishte lëkundë fort prej themeleve të tija. Nga njena anë, luftonte me dhambë frignat e veta, se mos dro vallë çikat, që i kish pritun hasret mes motesh, do rrëshqisnin prej çiltërsie nëpër andrrallat e stuhitë që sistemi i kishte rranjosë prej vitesh tashma. Ai, e njihte si ‘parenë e kuqe’ dhelpninë e fotografit mbas shkrepjes së përkryeme ku s’dalloheshin as rrudhat e plakut as mjegulla e natës. E megjithatë, Hamdi efendiu nji knonjës i Fjalës dhe kërkonjës i së Vërtetës, s’mund t’ia falte vetes murgninë e çikave mbrena katër mureve t’sapo zbardhueme. I gjendun mes nji sokaku qorr, priste për nji nishan që t’ia çelte udhën pikëpyetjeve t’randa e t’ia soste drojën prej dyshimeve që jeta po ia hidhte përpara.

Aso kohe, mëhalla njihihej për bujarinë e afrinë mes komshinjsh. Ajo harmoni zgjanohej me Lirinë, për me dhanë e me marrë ma t’mirën prej njani-tjetrit. Kështu, nji masdite, kur efendiu sapo që kthye prej fabrikës ku punonte me orar të plotë, mësuesja Sadet, grue me urtni sa nji det, i ra derës përskaj sokakut. Mbasi u përshnoshën e u sajdisën n’çaj, me qetësi e butësi, Sadeti i fol Hamdiut si motra vëllait për shkollimin e çikave.

Mësuesja e mëhallës i njihte mirë hilet e sistemit të atij vakti, por megjithatë s’pranonte assesi që shqiptarët me mbetë të izolum. Duke qenë vetë n’brendi të shkollës, ajo i premtoi Hamdiut kujdes të epërm për çikat e tij, si edhe për tana çikat e tjera që po merrte në klasë. Ndërkaq, nga minderi përballë, Emine hanëmi i kishte thanë efendisë, se do përpiqej ditë-natë që të bijat, veç shkollës, të hujdisnin edhe shpirtnoren. Dy gra, nji Za = dhe nji premtim a zotim për me çplu dijen e për me trembë hijen e zvetnimit.

*          *          *

Për hakun e së vërtetës, më duhet me pranue se kaherë mendoja që gjysh Hamdiu ishte fanatik i mendjes së vet, disi i mbetun mrapa në mendime e paksa i ngurtë në hamendësime. Autoriteti suprem që derdhej mbi supet e atij burri shtatshkurt e syqjellë nuk me trembte kurrë, se fundja, ai ishte streha ma e sigurtë në ditë me vetëtima e bubullima, por, sidoqoftë, më ngjallte nji soj kërshërie të pashërueshme, plot me PSE! PSE të serta – që s’morën kurrë përgjjgje prej gojës se tij; ngase në luftë s’patëm aq kohë sa me folë shtrut’ ngase në konakun e tij u strehua e tanë mëhalla, e ai ishte burri i vetëm që kurrë se kapërceu pragun për me shpëtu kokën. Por, mu kur ia behu Liria, zemra e tij, u dobësua aq sa Fjalët iu mblodhën n’krahnor, ku u daravitën mes akujsh përgjjthnji ose për aq vite sa jetoi i paralizuem, por krejt i realizuem në synimet e veta. 

Të gjithë të barabartë, por disa më të barabartë se të tjerët

Në dekadën pasuese, ndonëse rrethanat dukeshin se po hynin gradualisht në një fazë normalizimi, disi, por skeptikët mbetën skeptikë, përgjithnji. Edhe pse fëmijët e këtyre familjeve ndoqën arsimin formal dhe shumica vazhdoi edhe studimet e larta, dyshimi strukturor vazhdoi të qarkullojë pothuajse kudo, ndërsa vigjilenca nuk reshti së funksionuari si mekanizëm mbrojtës.

Ditaret dhe kujtimet personale dëshmojnë se shqiptarët që morën pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare pothuajse asnjëherë nuk u integruan plotësisht dhe as nuk u pranuan pa rezerva në qarqet politike e shoqërore jugosllave. Kjo vlen edhe për rastet kur ata iu bashkuan Partisë Komuniste me shpresa të sinqerta ose kur u përfshinë që në rini në proceset politike që nisën prej viteve ’40.

Me ç’kujtojnë edhe figurat që dolën në ballë të përpjekjeve për emancipimin e shoqërisë shqiptare, atëbotë kryesisht analfabete, përmes nismave për arsimim dhe ‘çrrënjosje të praktikave patriarkale’ si fjala bie, çvelosja a grisja e qarqafeve veçanërisht nga radhët e grave shqiptare prej Frontit Antifashist të Grave të Jugosllavisë – në përballjet e para me strukturat qendrore jugosllave, sapo u vu në pah, ndër tjerash, njohja jo e përkryer e gjuhës serbe nga folësit ëndërrimtar, refuzimi kategorik i elitave dominuese për t’u barazuar e “vëllazëruar” me joserbët nën kornizën e Jugosllavisë e trandi naivitetin politik të ‘emancipuesve’ – duke ua gjymtuar thellësisht pritshmëritë dhe shpresat.

Megjithatë, do të ishte metodologjikisht e pasaktë dhe normativisht e padrejtë, të vendosej një barazim i përgjithshëm mes atyre që u përfshinë në Partinë Komuniste Jugosllave. Për hir të së vërtetës, në radhët e saj kishte burra e gra që angazhimin e konceptuan si një strategji për tejkalimin e kufizimeve strukturore dhe si një mjet për ndjekjen e objektivave më të gjera politike, të orientuara drejt përmirësimit të pozitës kolektive të shqiptarëve në Kosovë.

“A me durue dhunën si fat” 

Diskriminimi i vazhdueshëm ndaj shqiptarëve, veçanërisht gjatë viteve ’90-të, i shoqëruar me dhunë sistematike, nënshtrim dhe poshtërim të institucionalizuar, si dhe me tortura të zgjatura ndër vite, përbën një cikël represioni që kulmoi me luftën e përgjakshme në 1998–1999. Këto zhvillime përfaqësojnë goditjet më thelbësore ndaj çdo hamendësimi se, nën diktatin e Serbisë, do të ishte e mundur ndonjë formë bashkëjetese relativisht normale.

Edhe pse disa qarqe nostalgjike mund të kenë ushqyer iluzione për një përfundim më pak të dhimbshëm të projektit politik për të cilin kishin investuar përpjekje dhe shpresa, shpesh edhe familjarisht, e madje mund edhe të kenë shprehur keqardhje që viti 1999 i ndërpreu përfundimisht të gjitha ndërveprimet reale e imagjinare me Jugosllavinë; do të ishte politikisht dhe moralisht e papranueshme që, në emër të ëndrrës së një “elite kosmopolite” të relativizoheshin ose zbeheshin (qoftë dhe sa një grimcë) masakrat me karakter gjenocidal të ushtruara ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Mbase, kjo mund të jetë arsyeja pse edhe sot, akoma, përmenden figura si Shaban Polluzha, në dritën e historisë së rezistencës, që përtej kërcënimit kurrë nuk pranuan t’i nënshtroheshin një rendi të imponuar me dhunë, anise vinin nga krahina me analfabetizëm të theksuar.

*          *          *

Thyerja epistemike post 99’ që diferencon rrënjësisht jetën para dhe pas Luftës së Kosovës përqendrohet tek diskursi politik rreth figurave kryesore të rezistencës kundër Serbisë, realitet që shpesh, sipas narrativave jugonostalgjike, përshkruhet si një “homogjenizim i diskursit publik përmes kulteve.” Kjo periudhë shënon një moment historik ku, përveç përplasjeve ideologjike, duket sikur kacafyten edhe dy botë krejt të kundërta: pra, ata/ato që ishin shkolluar në katedrat më të mira të kohës dhe dikur besonin se socializmi ishte e vetmja formulë për bashkëjetesë, tani ishin në kërkim të njohjes së kontributit dhe përpjekjeve personale dhe familjare, përballë atyre që morën armët për të mbrojtur atdheun; heroizmi i të cilëve ishte dhënë pa kursim për çlirimin e Kosovës ndaj sakrifica e tyre duhej të vlerësohej dhe shpërblehej me ardhjen e Lirisë sa në dimensionin personal aq dhe familjar.

Luftëtarët e vërtetë?

Për ironi të fatit, shumë prej luftëtarëve të vërtetë nuk jetonin më për ta parë këtë liri. Heronjtë pushonin Matanë, ndërsa mes të gjallëve, lufta për pozita dhe merita, me kalimin e muajve, u bë gjithnjë më e dukshme dhe më e ashpër. Ky kontrast i hidhur mes sakrificës së pavdekshme dhe ambicies së gjallë shpërfaqte jo vetëm pasojat e një shoku traumatik, por edhe tensionet e kujtesës kolektive dhe mënyrës se si historia e emancipimit dhe rezistencës shpesh sfidohet nga interesat e kohës.

*          *          *

Ndërkaq, “fitimtarët” mes të gjallëve nën trysninë e traumave dhe pritshmërive, të ndikuar nga rrymimet sociale e politike, u rrokën pas bustesh e medaljesh. Me shpejtësinë e erës, barazia u bë një koncept thuajse i panjohur, ndërsa vëllazëria, e komercializuar dhe e instrumentalizuar, po shndërrohej në armiqësi.

*          *          *

I kthehem edhe njëherë konakut prej ku e nisëm udhëtimin. Emine hanëmin e pyes se për kë votonin fill mbas luftës. Gruaja që përcolli gjashtë vajza e dy djem në shkollë, duke u përpjekur me mish e shpirt që fëmijëve t’ia bënte të dashur edhe një a dy zanate veç shkollës, se helbete, mund t’ju duheshin për ditë të vështira, akoma i kujton mes lotësh vitet kur nxënësit helmoheshin; frikën nga bodrumet me lagështi dhe pritjen e gjatë që fëmijët t’i ktheheshin shëndosh e mirë në shtëpi. Hanëmi, ndonëse nuk lexon as shkruan dot, ka një kujtesë të pamatshme. Zonja Emine ka mësuar shumë përmes dëgjimit! Pra, ajo është një degjonjëse e paepun. Evlatëve, ua ka përcjellun edhe përunjësinë dhe sekretin e dorëzimit, vetëm tek Ai. ‘Mas lufte, me pasë kanë hala Adem Jashari, veç për ta kisha me votue. Adem Demaçin nuk e gjejsha në fletat e votimit. Por boll ishte që Rugova kishte metë gjallë. E kam çmue edhe Bajram Rexhepin. Evlat, ti je kanë e vogël kur minatorët qenë ngujue n’minierë, e Bajramin e mbaj mend kur shkojke me i ndihmue burrat e ngratë që ishin smue. Doktor i mirë, plus mitrovicali! (i diftohet pak krenari mes rrudhave të ballit). Po, tanaj, se di pse, ndrruen kta që i dashtëm. Kadal dal, u shtuen emnat e politikanëve prej kahmos. Po kush i njihte ma? Shkoj vakti jonë. Erdh nji vakt i ri. M’duket që fituen fëmijët e atyne që kishin rrnue mirë nën Serbi … ama s’mbetën mbrapa as do-do që kishin luftue për Liri. Po ç’e do se tanë u ban’ njisoj. Tahma e pushtet, secili veç për veten e vet. U harrue gjaku. U shkel më kambë dinjiteti. Dro në këtë vend s’don me metë më asnji i ri. Tanë po ikin. S’ka ma andrra për m’u ba Shqipni.’ – thotë Emine hanëmi më mërzi n’sy.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X