loader image
May 31, 2025

Amos Oz dhe Mahmud Darwish: Në kërkim të një vetëdije humane

Në funksion të arritjes së paqes mbeten edhe refleksionet e dy krijuesve, të cilët mbi të gjitha ruajnë brenda vetes humanitetin dhe frymën e njohjes së tjetrit si “i ndryshëm”, me të cilin mund të hyhet në dialog për të siguruar një paqe të qëndrueshme me të gjitha veçantitë historike të dy popujve. Sigurisht, pas gjithë kësaj që ndodh në Gaza, rruga e paqes mbetet shumë e vështirë, por ashtu siç beson gjithnjë në shpresën Mahmud Darwish dhe ashtu siç mbetet gjithnjë racional dhe njerëzor Amos Os, një zgjidhje e mbështetur në këtë urtësi krijuese gjithnjë mbetet e mundur. Janë dimensionet e krijimtarisë së tyre thellësisht njerëzore, që vijnë si një mesazh paqeje për të parandaluar tmerret njerëzore, ato pamje të llahtarshme të mijëra viktimave civile që prekin thellë në ndërgjegjen njerëzore.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Për sa kohë që, kudo në botë, vriten njerëz të pafajshëm, mbetet imperativ njerëzor që të reagohet, të dënohet mizoria që kërkon të asgjësojë qenien njerëzore. Vrasja e njerëzve të pafajshëm gjithnjë mbetet njollë turpi për ndërgjegjen njerëzore, sidomos në kohët moderne, kur me shumë konventa ndërkombëtare sanksionohet çdo vrasje e njerëzve të pafajshëm.

Gaza, pa diskutim, mbetet një ndër tragjeditë më të mëdha njerëzore të kohëve të fundit, ku tashmë për më tepër se dy vite po vriten fëmijë dhe njerëz të pafajshëm nga forcat ushtarake izraelite. Pavarësisht se tashmë të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare dhe opinioni përgjithësisht i dënon aktet makabre të vrasjes së civilëve, deri më tani, përkundër përpjekjeve të fundit, nuk ka një fund për këtë llahtari njerëzore, që gjëmon me shumë dhimbje për gjithë ata viktima të pafajshme, të pambrojtura deri në fund nga mizoritë e aksioneve ushtarake, pavarësisht nga justifikimet që mund të artikulohen politikisht. Vrasja e njerëzve të pafajshëm nuk mund të ketë asnjë justifikim, sidomos kur kjo bëhet në mënyrë sistematike dhe shndërrohet në tragjedi të madhe njerëzore, në një gjëmë dhe llahtari, që e vë tërësisht në sprovë të llahtarshme gjithë ndërgjegjen njerëzore, gjithë kuptimin e ekzistencës së institucioneve ndërkombëtare që përfshijnë të drejtat e njeriut, dinjitetin, në veçanti të drejtën për të jetuar.

Lajmet dhe pamjet nga Gaza janë të tmerrshme dhe lëndojnë çdo zemër njerëzore. Mes këtyre tmerreve që përjetojnë njerëzit e pafajshëm përpëlitet ndërgjegjja e njerëzimit, humaniteti dhe gjithë ai korpus i ideve të paqes që duket se zhbëhet brenda qerthullit të mizorive politike.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare, si OKB, organizata humanitare dhe shumë qeveri, tashmë kanë bërë thirrje për një armëpushim humanitar dhe ndihmë emergjente për popullsinë.

Sigurisht, pa u futur në dimensionet historike, politike, që mbeten thellësisht të komplikuara mes popullit izraelit dhe palestinez, si një konflikt i vjetër legjitimitetesh historike, normaliteti njerëzor duhet të shohë pasojat e këtij konflikti, viktimat e pafajshme, zëri i të cilëve jehon plot dhimbje për të parandaluar tragjedinë njerëzore me përmasa të llahtarshme.

Duhet kërkuar gjithnjë një rrugë që çon në një situatë paqeje, si e vetmja mënyrë për të hyrë në një fazë tjetër, në fazën e shpëtimit të njerëzve të pafajshëm, të cilët e kanë të drejtën e plotë të jetojnë në paqe në tokën e tyre, në tokën, që poeti palestinez Mahmud Darwish, për të shpërfaqur lashtësinë e popullit palestinez, në një poezi këndon kësisoj “ishim këtu përpara ullinjve”.

Në kërkim të një kuptimi për gjithë atë që ndodh historikisht, por edhe për gjithë fushëpamjen tjetër që kërkon një zgjidhje paqësore dhe humane për këtë konflikt me pasoja të tmerrshme për jetën e njerëzve, po sjellim refleksionet letrare, intelektuale dhe thellësisht njerëzore të dy krijuesve dhe intelektualëve, krijuesit izraelit, Amos Oz dhe atij palestinez, Mahmud Darwish. Dy mendje brilante thellësisht humane, që kërkojnë paqen, humanitetin dhe gjithë atë që përfaqëson urtësia krijuese dhe njerëzore, gjithë atë që përfaqësojnë mendjet e hapura dhe rezistente ndaj dhunës njerëzore, zgjidhjeve të dhunshme, që krijojnë varreza të pafundme shpirtrash të pafajshëm.

Amos Oz dhe Mahoumud Darwish është në thelb një raport, një krahasim mes dy vetëdijesh intelektuale që përfaqësojnë anët e kundërta të një konflikti, por që shpesh janë takuar në një fushë të përbashkët, në fushën e humanizmit dhe reflektimi të dhimbjes kolektive.

Shkrimtar izraelit, Amos Oz, mbetet një nga zërat më të rëndësishëm të krahut të majtë në Izrael, një mbështetës i zgjidhjes me dy shtete dhe një kritik i ashpër i politikave nacionaliste izraelite. Identiteti i tij krijues dhe intelektual formësohet përmes përvojës hebraike, por i ndërtuar me dimensionin e vetëkritikës dhe dëshirës për dialog.

Mahoumud Darwish mbetet poeti kombëtar i Palestinës, zëri më i fuqishëm poetik i dhimbjes palestineze. Ai përfaqësonte identitetin palestinez të rrënjosur në përjetimin e humbjes, mërgimit dhe dëshirës për rikthim. Darwish-i mbetet një një “zë i popullit të zhdukur”, por pa rënë në asnjë rast në propagandë të hapur.

Sipas shumë studiuesve, të dy janë dy ndërgjegje morale të kohëve të tyre, njëri duke kërkuar zgjidhje përmes arsyes, tjetri duke ruajtur kujtesën përmes vargut. Ata nuk janë të barabartë në tonalitet, por janë të bashkuar në synimin për të humanizuar përvojën dhe për të sfiduar dehumanizimin që sjell lufta.

Në një studim “Konfigurimi i kujtesës kombëtare: Mahmud Darwishi i Palestinës dhe Amos Oz i Izraelit”, autori Abdel Karim Mohammad eksploron gjerësisht mbi botëkuptimet krijuese dhe intelektuale të dy autorëve. Fokusi i tij është kryesisht në politikën e tyre, poetikën dhe kritikën sociale. Ai i zgjedh për t’i interpretuar, për shkak se këta autorë janë të gatshëm të marrin parasysh dialogun me “tjetrin”, ata mund të bëhen të dobishëm. Sipas tij, shkrimtarët nuk përshkruajnë thjesht natyrën e argumenteve në secilin moment historik, ata gjithashtu përballen me kufijtë e kulturës kombëtare në raport me vetveten dhe tjetrin. “Në pika të caktuara të zhvillimit të tyre, të dy shkrimtarët ndalen për të reflektuar mbi rëndësinë shoqërore dhe politike të veprës së tyre krijuese, si për ta në mënyrë individuale, ashtu edhe për popullin e tyre në mënyrë kolektive. Kështu, veprat e tyre nuk janë thjesht përshkruese të situatës. Ato synojnë të ndërhyjnë në debatin kulturor dhe të nxisin ndryshime të rëndësishme shoqërore dhe politike”, thekson Abdel Karim Mohammad

Sipas tij, Mahmud Darwish-i është një nga shkrimtarët më me ndikim bashkëkohorë në botën arabe dhe poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë evropiane. “Darwish-i përfaqëson një përvojë unike palestineze të mërgimit dhe kthimit të përsëritur”.

Po sipas këtij autori, leximi i Oz-it dhe Darwish-it krah për krah i shton një dimension kulturor kërkimit të pasigurt për një zgjidhje paqësore. “Nga të dyja anët, rindërtimi i identitetit kombëtar në vitet 1990-të përballet me narrativat e mëhershme që janë formuluar në një moment të caktuar të së kaluarës së secilit komb”, thekson Abdel Karim Mohammad

Sipas tij, të dyja këto narrativa janë të pandashme nga peizazhi në këtë fazë të hershme, të dyja shoqëritë ushqejnë identitete kolektive të mbajtura gjallë përmes kundërvënieve kulturore dhe, në pretendimet e tyre mbi kujtesën kombëtare, secila palë mohon legjitimitetin përfaqësues të tjetrës.

Siç mund të shihet, ky është një konflikt mes dy narrativave, që bazohen në legjitimitetin historik, por që njëkohësisht në krijimtarinë e të dy autorëve performohet nëpërmjet kujtesës dhe një thellësie humane.

Nga krijimtaria dhe publicistika e tyre mund të thuhet se Dervishi e ngre zërin për të shpëtuar nga fshirja, për të thënë “jam këtu, jam njeri”, ndërsa Ozi na kujton se pa i parë të dy anët, biesh në padrejtësi. Janë të ndryshëm në stil e kontekst, por flasin në të njëjtën gjuhë njerëzore. Të dy janë të përfshirë në fatin e popujve të tyre, por gjithmonë e ruajnë individualitetin, dyshimin dhe fuqinë e fjalës së menduar thellë.

Ajo që ndodh aktualisht në Gaza mbetet një tragjedi e përmasave të mëdha njerëzore që kërkon një impenjim shumë më të madh të bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar tmerrin njerëzor. Në funksion të arritjes së paqes mbeten edhe këto refleksione të dy krijuesve, të cilët mbi të gjitha ruajnë brenda vetes humanitetin dhe frymën e dialogut me tjetrin, njohjen e tjetrit si “i ndryshëm”, me të cilin mund të hyhet në dialog për të siguruar një paqe të qëndrueshme me të gjitha veçantitë historike të dy popujve.

Sigurisht, pas gjithë kësaj që ndodh në Gaza, rruga e paqes mbetet shumë e vështirë, por – ashtu siç beson gjithnjë në shpresën Mahmud Darwish-i dhe ashtu siç mbetet gjithnjë racional dhe njerëzor Amos Oz-i – një zgjidhje e mbështetur në këtë urtësi krijuese gjithnjë mbetet e mundur. Janë dimensionet e krijimtarisë së tyre thellësisht njerëzore, që vijnë si një mesazh paqeje për të parandaluar tmerret njerëzore, ato pamje të llahtarshme viktimash civile që prekin thellë në ndërgjegjen e njerëzimit.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X