loader image
December 2, 2025

Alija Izetbegoviqi, njeriu që la gjurmë

Shkruan: Ismail SINANI

Ka njerëz që, kur vijnë në këtë botë, lënë prapa gjurmë të pashlyeshme, njësoj si lumenjtë që, edhe pasi shterojnë, mbajnë në shtrat kujtimin e rrjedhës së dikurshme. Ata kalojnë pranë nesh, japin çfarë kanë për të dhënë dhe ikin përgjithmonë, duke lënë prapa gjurmë që s’i fshin dot askush. Prapa, aty ku kalonin dikur, mbetet shtrati i tharë, gurët e praruar, thirrja për ta hulumtuar thesarin e tyre të brendshëm. Lënë shtratin e tharë si dëshmi se njëherë e një kohë, këtu ka kaluar dikush, një dikush që në pamje mund të ketë qenë si të tjerët, por në thelb ishte krejt ndryshe.

I tillë ishte Alija Izetbegoviq, një kolos i lindur një shekull më parë, i cili nderoi vendin, popullin e tij, rajonin dhe mbarë njerëzimin. Ai erdhi i heshtur dhe shkoi në heshtje. Por, ndryshe nga shumë të tjerë, ai veproi, ndërtoi idealin, konceptin, filozofinë, teozofinë… ndërtoi paqen. Nuk e ndërtoi vetëm guximin, sepse guximi nuk ndërtohet, atë ose e ke ose s’e ke.

Erdhi në një kohë kur rajoni po transformohej me “shpejtësinë e dritës” dhe Ballkani ishte një fushë e mprehtë e përplasjeve nacionaliste, e anti islame…

E ai, si një djalë i ri, i lindur në vitin 1925, ishte rebeluar, ishte rebeluar aq shumë, saqë në moshën 21 vjeçe, menjëherë pas themelimit të Jugosllavisë, kur po ndërtohej idili për jetë të lumtur “bashkim vëllazërimi” komunist, lumturi i thënçin, u arrestua dhe u burgos. Por, ai nuk ishte rebel i britmave boshe, ai nuk ishte nga ata rebelë që bëjnë tifozeri e lëshojnë britma vetëm sa për të thënë diçka, që “të dëgjohej” zëri i tij. Ai ndërtonte një koncept të tërë që sfidonte klikën komuniste. Dhe, nuk përfundoi vetëm me kaq. Zëri i tij kërkonte të dëgjohej përtej Sarajevës, madje edhe në Shkup, që aso kohe ishte epiqendër e shumë dinjitarëve dhe proceseve të rëndësishme. Ai komunikoi me njerëz të rëndësishëm si këta për të ngritur zërin e arsyes. Por, kjo nuk qe e mjaftueshme. Shërbimi sekret jugosllav u kishte rënë pas dhe i ndoqi hap pas hapi. Dhe, pastaj dihet, filluan arrestimet, persekutimet, vrasjet…

Sot, një shekull pas lindjes së tij dhe më shumë se dy dekada pas largimit në amshim, mund të flasim e të diskutojmë shumë për të. Vepra e tij enciklopedike, ajo e shkruara dhe aq më tepër ajo superenciklopedike, e pashkruara, e përjetuara, mbetet një thesar për të gjithë ata që duan të mësojnë se si ndërtohet diçka nga hiçi, si u bëhet ballë stuhive politike, si zgjidhet rruga e vështirë, por e drejtë, edhe kur gjithë bota ecë në kah të kundërt, se si njeriu mund ta zgjedhë dhe trasojë rrugën e vet të mundimshme – të drejtë.

Ai nuk pyeti kurrë për çmimin e sakrificës, sepse e dinte se ashtu nuk do të mund të bënte asnjë hap. E nisi me idealin më hyjnor dhe e përmbylli me falënderim hyjnor. Ai nuk e besoi kurrë vdekjen në kuptimin fizik. Jeta e tij udhëhiqej nga termat metafizikë, sepse që në moshë të re e kishte ndjerë thellë në shpirt se ç’është “eternalja”. Zaten, si mund të veprojë ndryshe një idealist i tillë?

Duke vepruar mes Lindjes dhe Perëndimit, si dy nocionet më të rëndësishme të historisë moderne të njerëzimit, ai diti të bëjë detektimet e nevojshme.

Sot kur i lexojmë konceptet dhe nocionet e tij filozofike, pa dyshim se mund t’i diskutojmë, kritikojmë, miratojmë…, por mund edhe t’i kundërshtojmë. Madje, mund edhe t’i flakim ca si të pasakta. Në të ardhmen, këto analiza mund të bëhen edhe më të thella edhe më kritike. Por, askush nuk mund ta mohojë një fakt – se ai vinte nga një vend relativisht i vogël, shumë i parëndësishëm në “hartën intelektuale” dhe arriti “t’i kapte” ca detaje që kanë mundur t’i prekin vetëm mendje si ajo e Eduard Saidit, Hantingtonit, Fukujamas, Nasrit e filozofë që i kanë dhënë kahe zhvillimit njerëzor.

E kur e përmendim emrin e tij në grupin e kësaj “plejade filozofësh”, kjo e bën atë njeri, sikurse gjithë të tjerët. E bën edhe të gabueshëm, por jo të parëndësishëm. Egzegjeza e tij intelektuale e ngrit atë shumë lart, në maje…, prej nga e shihte horizontin.

Janë dy vepra që e vulosin atë si intelektual, si njeri i guximshëm e mendjemprehtë: “Deklarata islame” (1970) dhe “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” (1984).

Pse pikërisht këto? Ata që janë të ngarkuar me islamofobi, për fatin e tyre të keq, arrijnë “ta trajtojnë” vetëm “mesazhin islam” të “Deklaratës…”. Për syrin e tyre miop, të lavdërosh një vepër të tillë të bën islamist, madje edhe fundamentalist. Analiza e tyre përfundon te kritika ndaj apeleve të Izetbegoviqit për unitet islam… dhe, kjo “analizë” në këtë dimension mund të stërzgjatet jashtë mase shumë, me shpikje të lloj-lloj argumenteve. Por, duhet parë edhe analizuar kontekstin kohor. Fundja ç’kuptim do të kishte analiza nëse nuk shikohen edhe elementet rrethanore. Kjo proklamatë ishte shkruar në kohën kur komunizmi (ateizmi) po lulëzonte, kur Tito me shpurën e tij ishte jashtë mase i fuqishëm, kur bota e ashtuquajtur islame nuk ishte më shumë sesa një llum nga Maroku deri në Indonezi, kur Bashkimi Sovjetik – komunist e stalinist, e kontrollonte gjysmën e botës, kur Perëndimi kishte nisur hapat gjigantë të zhvillimit ekonomik e, paralelisht, në emër të lirisë kishte filluar edhe shthurja, sepse idetë liberale tashmë e kishin prekur celulën bazë të shoqërisë – familjen, kur pornografia e bixhozi kishin marrë hov, kur televizioni, si mjeti më i fuqishëm propagandistik, kishte prekur çdo cep, e shumë e shumë… E vjen një i ri, në mes të dyzetave të tij, që paraprakisht “ka fjetur” në burg e del u tregon njerëzve se e keni humbur rrugën. Ai, me takatin e tij, i fton në rrugë të drejtë. Merr rolin e profetit Musa për t’i dalë në ballë Faraonit, kurse në dorë ka vetëmse një laps e nuk ka as vëlla, një Harun për t’i qëndruar në krah. Të shkruaje një deklaratë “aq antikomuniste” dhe “aq antiperëndimore” në atë kohë, nuk mjaftonte të jesh vetëmse një intelektual dhe erudit, por duhej të ishe diçka më tepër se aq. E pastaj e pagoi “çmimin e përbotshëm”, u dënua me 14 vjet burg.

Paralelisht, ai mbante në zemër edhe një gur tjetër që e sëmbonte vazhdimisht. Prej viteve të ’60-ta, kishte filluar ta shkruante veprën më emblematike “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, që e kuptimëson edhe sot, dhe me siguri edhe në të ardhmen, jetën dhe veprën e këtij gjigandi.

Ai aty arrin të zbërthejë gjëra të cilat në kohën e tij, “të pasionuarit pas sistemit” nuk kanë mundur t’i kuptojnë. U janë dukur absurde, pa taban metodologjik dhe shkencor. Ashtu është kur njeriu bëhet supermendjemadh dhe përpiqet që në çdo analizë ta fusë racion. E po të ishte ashtu, ne si shqiptarë nuk do ta kishim nderin e kombit Adem Jasharin me familje. Në bazë të parametrave shkencorë, psikologjikë dhe socialë, ai nuk është dashur të veprojë ashtu dhe ta sakrifikojë krejt qenien e vet. Por, këta “shkencëtarë” kurrë nuk do të arrijnë ta shohin atë që e ka parë syri i tij dhe e ka ndjerë zemra e tij, sepse ajo është metafizike, jashtë ligjeve tokësore. Ndaj, sakrifica e tij solli sot Kosovën e lirë.

Ashtu shihte Izetbegoviqi, bazën e kishte empirike, ndërsa reflektimin metafizik. Ai ishte një mendimtar që u mor me politikë, por që nuk u njollos. Ishte një artist, por që nuk u ngjit në skenë asnjëherë, ishte një pacifist, por që nuk iu shmang luftës. Ishte një intelektual, por nuk u ngjit në katedër. Farkëtoi identitetin boshnjak të zhdukur në analet e historisë, por nuk ishte nacioanalist. Ishte komandant, por jo hakmarrës. Ishte njeri, njeri që nuk e deshi famën, njeri që e deshi drejtësinë e, si shpërblim “nga lart”, i erdhi fama.

Dhe, nuk do të ishte korrekte që ky editorial të përmbyllej pa disa amanete të tij, sidomos për politikën, por pse jo edhe për mbarë njerëzimin dhe individin. Ai thotë (nuk po e përdorim trajtën “thoshte”, sepse librat e tij janë këtu mes nesh) se: “grupi udhëheqës është vullneti dhe mendimi, kurse populli është zemra dhe gjaku i çdo lëvizjeje të thellë. Pa pjesëmarrjen, ose së paku pa pajtimin e njeriut të rëndomtë, çdo aksion mbetet në sipërfaqe dhe pa forcën e vërtetë shtytëse”.

Dhe, gjithsesi njëri ndër amanetet që do ta ruajë vlerën e vet sa të rrojë njerëzimi: “Mbështetja në ndihmën e huaj është forma e dytë e besëtytnisë… Kur ta kuptojmë përnjëmend, se nuk ka as miq të vërtetë e as armiq të vërtetë dhe kur për vështirësitë tona ta fajësojmë më tepër veten, e më pak ‘planet djallëzore të armikut’, kjo do të jetë shenjë se ka filluar pjekuria jonë dhe se vjen epoka me më pak vështirësi e dëshpërim”.

Dhe, krejt në fund: “Kush ia dëshiron të mirën bashkësisë sonë, nuk duhet ta kursejë atë nga orvatjet, rreziqet dhe skamjet. Përkundrazi, ai duhet bërë çmos që ajo bashkësi sa më parë t’i përdorë forcat e veta, t’i vërë në provim të gjitha mundësitë e saja, të marrë përsipër rrezikun, dhe me një fjalë – të mos flejë, por të jetojë. Vetëm e zgjuar dhe aktive, bashkësia mund ta gjejë veten dhe rrugën e saj.”

Revista “Shenja”, përmes këtij numri, është përpjekur ta lë një gjurmë të vogël në rrugëtimin e Alija Izetbegoviqit. Ai ishte këtu, disa prej nesh mund të lavdërohen(mi) se jetuan apo jetuam në kohën e tij, disa do ta mbajnë mend si politikan, por pa dyshim se historia do ta mbajë mend si erudit, një njeri me vlera shumë të larta e të përndritura.

(Editoriali i revistës “Shenja”)

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X