‘ …shumë erna kanë kalu, po lisit rrajtë s’kanë mujtë me ja shkul!’ Adem Jashari
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Janar 2026.
Daullet po bien rrufeshëm rreth konakut … por kësaj here nuk e çajnë qiellin për luftë. Jehojnë daullet dhe tingulli i tyre është dëshmi se jeta, sado e përgjakur të ketë qenë, nuk ka arritur kurrë ta shuajë frymën e kësaj dere. Në oborrin e Jasharajve historia nuk përkujtohet. Ajo përjetohet. Historia është vetëdija se koha nuk i zhduk gjurmët, por veçse i thellon ato.
Në datën që dikur u vulos me zjarr triumfi i dytë i familjes legjendare sonte lidhet një fejesë. Hamza i ri po hedh hapin drejt jetës, pikërisht aty, në sofrën e mësuesit Shaban – ku ca vite më parë tre breza e hodhën hapin drejt flijimit. Dhe, kjo s’ka si të jetë rastësi kalendarike! Doemos është Lutje e Heshtun me të cilën Ekzistenca mblidhet kruspull mes humbjes, durimit dhe vazhdimësisë.
Aty ku mbarimi dukej i prerë, koha ka hapur një shteg të ri.
Mes kujtimesh që nuk treten dhe mallit që nuk zbehet, i Pari nga të gjallët, baca Rifat, mbi supet e të cilit rëndon e tanë historia si etikë që kërkon qëndrueshmëri, syujshëm por krenar, ballëhapun e durimtar, vëzhgon paqtueshëm Amanetin që “besa-besë” iu fal’ atij. Bac Rifati, sot e përgjithnji, është ura mes dy botëve – mes atyre që u kthyen tek Fillimi dhe atyre që po rriten në kohna çlirimi.
Në mejdanin e gëzimit, krahëhapun e me përunjësi, Lulzimi i balit Adem, djali i nanë Adiles, po i mbledh krejt vitet e shkume larg Prekazit të tij. Ai nuk përpiqet ta trashëgojë heroizmin si mit; ai përpiqet ta përkthejë amanetin në detyrim e përgjegjësi. Dhe, ndoshta kjo është forma më e vështirë e besnikërisë.
Bekimi rri disi mënjanë. Në frymëmarrjen e tij bartet mungesa e babushit – një boshllëk që as festa nuk e mbush dot, anise në një farë mënyre çdo mungesë në Kullë dëftohet si formë pranie.
Ndërsa gjeneral Bashkim Jashari nuk e fsheh gëzimin që i gufon në krahnor; ai hidhet në valle vendçe. Kjo është kremte për fitoret dhe filizat e ri të vazhdimësisë. Besa, të festosh pas tragjedisë, qenka akt guximi!
Prej kangës që ia thonë Jasharajt, tingujt puqen me Tokën si për ta zgjuar kujtesën e për të rikthyer në truall gjithçka që lufta kishte shpërndarë. Në vallen e dëshmitarëve të Lirisë, lëvizja nuk është thjesht rit ceremonial. Ajo, si pohim i qenies, është kallxues se ata që qëndruan, që falën shumë dhe s’u dorëzuan, sot nuk kërcejnë vetëm për të festuar, por për të dëshmuar se ekzistenca e tyre është vetë vazhdimi i asaj sakrifice.
Qatëherë kur ju kanë ra, dikush thojke: “O u pshtu Hamza, o u pshtu Ademi.” Unë e dijsha që s’u pshtu kërkush, se ata nuk e kanë nis për me pshtu, por me shliru venin e vet. (Motra e Ademit)
Mes grave, malli dhe krenaria e përkorë jetojnë më thellë se dhimbja, por koha ka një tjetër ritëm. Halla e Hamzait dhëndër, Besarta e Feridesë, nuk mungon askund. Në vështrimin e saj – bujtëse është një qetësi fisnike; jo si harresë, por si përplotësim i brendshëm dhe përmendje. Besarta ose Dëshmia kurrë e venitun, në ecejaket gjithë merak, ruan jo vetëm kujtimin e të rënëve, por edhe kuptimin e sakrificës së tyre. Dhe, kuptimi, ndryshe nga dhimbja, nuk vdes kurrë. Bija e Hamzës thellë në krahnor e ruan edhe pakëz ujë Blerine, sa për ta vaditun rrjedhën e pashterur të ndërgjegjës kombëtare.
Në këtë gëzim të qelibartë për Jasharajt, e shkuara nuk endet si hije mbi prag. Ajo qëndron mes tyre, e lehtë si dora e Babës mbi sup; e paqtë si Lutja e Nanës n’thellësitë e natës. E kaluara është prani e gjallë, një busull e heshtur që mban drejtimin e jetës. Koha e djeshme dhe gëzimi i sotëm nuk përplasen por bashkëjetojnë, si dy rrahje të së njëjtës zemër.
“Besa-besë”
Ky betim i trashëguar sikur është shndërruar në përgjegjësi të të gjallëve ndaj Kohës dhe Kosovës – një lidhje kjo e pashkëputshme mes atyre që ecin ende mbi Tokën e Lirë dhe Atyre që ranë për Liri; derisa një ditë të takohen sërish, në Kopshtanjet e Premtume të Përtjetnisë.
Të rënët e gjallë
… tanë renë, ka pak i kom vizitu, mirë ishin. T’fala u kanë ba kush t’vesin. Janë këmbëngulës n’ato parimet që jemi marrë vesh. Besa – besë! Vetëm një vdekje se tjetër s’ka n’këtë jetë… dhe një fjalë e mirë.
Kemi thanë që çka t’ndodhë, tanë së bashku do te dhamë jetën. Dhe vetëm besë – besë edhe një vdekje.
Tjetër s’ka.
Adem Jashari
Mars, 1998.
Aga Jusuf me djemtë, vllaznitë, kushërinjtë e miqtë, u nis nga Akrashtica për në Prekaz, zemërplasun e gjithë maraz. Tuj kalue përmes Pantinës, Oshlanit e Lubovecit, iu afruan Kullave të nusnume me gjak njomëzak.
Kujtoj se, shpeshherë, Aga thoshte se bijtë e Shabanit ishin të pavdekshëm dhe se gratë e fëmijët e asaj dere fisnike ishin rritun me tamël Lirie! Por, tani që erdhi Ora me pranue Largimin, me vajin e fshehun ndën këmishën e bardhë, gjysh Jusufi e lëshoi veten ca; dhe, donte të rënëve, që për të ishin gjallë, me ua përcjellun në afri lutjet e qëndisuna pa za, veç me Dashni.
….……
Pasi përcolli djemtë e Jusuf efendiut, zoja e shpisë bani vend në nji cep të minderit. Pritja e saj atë ditë ishte një qëndresë më vete; yrnek i rrallë. Me sytë e mbërthyem në tavan, hanëm Havushi po përshnoshej me Zahiden e krejt Kosovës. ‘Lum lokja për shpirt t’vetin,’ pëshpëriste lehtë. ‘Zahes, kurrë s’i ka ba zemra vërr prej tutës t’shkaut!
Edepsëz, pa din e iman. Dushman ma, dushman!’
Me të rënë perdja e muzgut, burrat u kthyen në Akrashticë. Në frymëmarrjen e tyre të rënduar bartnin gjëmën e madhe dhe pafuqinë; heshtjen buçitëse dhe mërzinë. Nuk folën. Bëbëzat e syve po u digjeshin. Atë natë, fëmijët hyn në gjumë me frigna të pashpjegueshme, ndërsa gratë e çikat nisën me e ba gati qilarin – sepse koha i kishte mësuar se dushmani i paudhë mund të sillte gjithçka.
… tanë renë nga pak i kom vizitu… mirë ishin. T’fala u kanë ba kush t’vesin.
Janë kambëngulës n’ato parimet që jemi marrë vesh. Besa – besë! Vetëm një vdekje se tjetër s’ka n’këtë jetë … dhe një fjalë e mirë.
Kemi thanë që çka t’ndodhë, tanë së bashku do te dhamë jetën. Dhe vetëm besa – besë edhe një vdekje.
Tjetër s’ka. Adem Jashari
Në qëndresën e hekurt të familjes Jashari, ku sakrifica sublime ishte amanet i ngjizur që në sythin e parë të jetës, artikulohet në mënyrë të qartë trupëzimi i pakompromistë i idealeve të Lirisë, si një aspiratë jo thjesht politike, por thellësisht ekzistenciale. Vetëmohimi deri në flijim, si zgjedhje e vetëdijshme në rrethana historike të skajshme, ishte njëkohësisht përmbushje e një detyrimi moral dhe përgjigje ndaj një domosdoshmërie të imponuar nga Koha.
Ademi, sikurse edhe i vëllai Hamza, të frymëzuar nga një dashni e paepun për atdheun, e cila dukej se burimin e gjallnisë e kishte po aq organik sa edhe dimensionin e naltë moral që përkthehej në Besim tek e Përtejmja – duke e mos njohur frikën nga “humbja”, ishin mësuar të rrokeshin pas së Vërtetës, në plotni. Qëndrimi i tyre nuk buronte nga romantizmi i rezistencës, por nga bindja e thellë se dinjiteti kolektiv nuk mund të negociohet.
Natyrisht, gjithçka që pati ngjarë në atë copëz Toke, që shumëkush e emnonte si Drenica rebele, kishte lënë shenjë të pashlyeshme në kujtesën e familjes së Shaban Jasharit dhe jo vetëm. Ndaj, nuk është as e vështirë e as e pamundur të kuptohet nevoja e panegociueshme e shqiptarëve, për t’i dhënë fund, një orë e më parë, zullumit gjenocidial të Serbisë
… kjo Tokë se duron tjetërkon vec kamën e shqiptarit. Hamëz Jashari
Drenica, ndonëse në pamje të parë “e largët” nga sallonet mondane të Prishtinës, përjetonte një realitet krejt tjetër nga kryeqyteti ose qytetet përreth. Përvoja e saj historike ishte më e ashpër, më e drejtpërdrejtë dhe më e zhveshur nga iluzionet e kompromisit. Përherë e margjinalizuar në diskursin institucional, megjithatë kjo trevë kishte kultivuar ndër dekada një vetëdije të qëndrueshme kundërshtimi ndaj nënshtrimit.
Për rrjedhojë, përpjekjet për ta neutralizuar ose izoluar Drenicën e Adem Jasharit – ku ishte shpalosur hapur motoja “Liri a vdekje” – ishin të destinuara për të dështuar. Përtej retorikës së zbutur dhe kalkulimeve politike të pacifistëve, Prekazi, i shënjestruar ditë e natë dhe i izoluar qëllimshëm, refuzonte kategorikisht ta dorëzonte armatimin ose t’i përulej pushtetit dushmanit.
….…..
Po, po mirë o. Punët po vijnë tuj u hujdisë. Shumë jonë ikë, jonë dalë jashtë, po jonë metë edhe mrena boll. Qita sa jena mrena, boll i dalim, veç s’i ka ardhë dakiku hala këtij farë dushmani. Se boll e kemi duru! Hamëz Jashari
Epopeja e Jasharajve shënon një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës. Ajo mobilizoi energjitë e fjetura të shoqërisë shqiptare, forcoi kohezionin kombëtar dhe përshpejtoi proceset që çuan drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Në planin politik, rezistenca e tyre i minoi narrativat hegjemoniste dhe delegjitimoi projektet ekspansioniste që synonin rikonfigurimin e hapësirës shqiptare.
Qëndresa e Jasharajve nuk përfaqëson vetëm një akt të lartë rezistence, por themelin e një vetëdijeje të re historike mbi kombin. Ajo shënon momentin kur sakrifica individuale shndërrohet në kapital moral kolektiv. Në atë vatër përballjeje, historia mori një drejtim të pakthyeshëm, duke u shkruar jo me retorikë, por me çmimin më të lartë që mund ta paguajë një popull për lirinë e vet. Në atë momentum historik, rrjedha e ngjarjeve mori një drejtim të pakthyeshëm dhe fryma e Jasharajve u bë udhërrëfyesja e atdhedashnisë për brezat që po vinin.
Epopeja në syrin tjetër
Në esenë e saj “Motivimi i luftës së Jasharajve përmes tregimit të ngjarjes”, Anna Di Lellio shkruan se të gjitha masakrat janë, në një kuptim, “masakra të zakonshme”, ashtu siç historianët i kanë cilësuar masakrat e kryera nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të shpeshtësisë së tyre dhe faktit se ato kryheshin pa një shkak të drejtpërdrejtë, si pjesë e një strategjie të terrorit shtetëror. Megjithatë, në Kosovë, masakrat e tejkalonin këtë “zakonshmëri”, pasi ato kishin për qëllim edhe spastrimin etnik.
Sipas Di Lellio-s, masakra e Prekazit mbetet e jashtëzakonshme, sepse Prekazi është vendi ku u ndërtuan dhe u artikuluan shumë rrëfime. Interpretimi i parë thekson se rrëfimi për Jasharajt, të lindur dhe të rritur në rajonin kryengritës të Drenicës, nuk fillon në mars të vitit 1998, pasi ata janë hallka e fundit në një vazhdë të gjatë heronjsh lokalë. Së dyti, as vdekja dhe shkatërrimi i shtëpive të tyre nuk përbëjnë përfundimin e këtij rrëfimi, sepse menjëherë pas masakrës lufta u intensifikua dhe nisi një fushatë e gjerë në media, letërsi, art, historiografi dhe në ceremonitë publike, me qëllim prodhimin e kuptimit dhe kujtesës së masakrës si simbol i çlirimit kombëtar shqiptar.
Di Lellio, më tej, thekson se për studiuesit vendorë dhe ndërkombëtarë, fenomeni i Prekazit është veçanërisht domethënës, pasi ofron një mundësi për ta studiuar nacionalizmin nga “perspektiva e ngjarjes” (eventfulness of nationalism). Masakra e Prekazit, në këtë kuptim, shërben si një rast studimor për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet kujtesës, historisë dhe kombit, ashtu siç ajo përjetohet dhe negociohet në diskursin publik.
Ky fenomen, sipas autores, dëshmon rëndësinë e tregimit dhe të traditës në mobilizimin e njerëzve për luftë, duke theksuar lidhjen e ngushtë ndërmjet këtyre dy elementeve. Jasharajt u masakruan, por – edhe pse mes tyre kishte fëmijë – ata nuk paraqiten si viktima në narrativën kolektive. Përkundrazi, ata konsiderohen heronj që refuzojnë dorëzimin, dëshmorë të kombit në kuptimin burimor të “dëshmisë së kauzës”, kuptim i pranishëm në traditat teologjike të krishtera dhe islame: përmes martirizimit të tyre, ata dëshmojnë ekzistencën e kombit. Figura e komandantit legjendar merr përmasa mitike, pasi i lidh brezat e kaluar me ata të ardhshëm në një vijimësi simbolike kombëtare.
Në hulumtimet e saj mbi historinë e Jasharajve, Di Lellio vëren se edhe gratë e familjes nuk paraqiten si viktima, por si luftëtare. Ajo thekson: “E mësova se Adilja, gruaja e komandantit, ishte e para që vdiq, derisa po u sillte municion luftëtarëve.”
Në përmbyllje, leximi që i bën Di Lellio fenomenit të Prekazit na fton ta kuptojmë këtë ngjarje jo vetëm si episod masakre, por si moment vendimtar në ndërtimin e kuptimit mbi kombin. Përmes ndërthurjes së historisë, kujtesës dhe rrëfimit, masakra shndërrohet në pikë referimi ku përjetimi individual dhe familjar merr dimension kombëtar, ndërsa humbja përkthehet në domethënie morale dhe politike.
Kjo qasje nxjerr në pah mënyrën se si përvoja e dhimbjes, sakrificës dhe qëndresës përpunohet në diskursin publik për t’u bërë pjesë e identitetit kolektiv. Kësisoj, rrëfimi i Jasharajve nuk mbetet vetëm historia e një familjeje, por shndërrohet në një strukturë simbolike përmes së cilës artikulohet ideja e kombit, qëndresës dhe çlirimit.
Në kujtim, të të gjitha grave dhe vajzave shqiptare, anembanë Kosovës.
Atyre që fëmijërinë, rritjen e amësinë ia falën mëmëdheut.
Në kujtim të grave dhe vajzave që sot, mes nesh, nuk janë,
por në secilën zemër jetojnë.
Në kujtim të grave, që edhe sot veten mohojnë:
Liria ka Emnin Tuaj!









