loader image
September 5, 2025

Ahmet Zogu, një histori që na përsëritet

Cili mund të jetë konkludimi më kredibil që mund të nxjerrim për rolin e Mbretit Zog në historinë shqiptare? Një politikan tipik shqiptarë, një histori që na përsëritet. Nëse më shumë i njihen meritat sesa mëkatet Ramushit, Thaçin, Ramës, pse një qëndrim të tillë të mos e kemi edhe për të? Por, nëse historia na përsëritet, duhet të dimë pse ndodh kjo? A e bënë këta njerëz historinë apo historia i bëri ata? Këtë do ta dimë nëse gjejmë përgjigje në pyetjet shtesë; si ndodhi që të gjithë këta u nisën në luftë për realizimin e kauzave të mëdha, siç është bashkimi kombëtar, por në ecje e sipër atë e tjetërsojnë, si: bashkimi i shqiptarëve në Italinë e Madhe, në Europën e Bashkuar, në Ballkanin e Hapur?

Rizvan SULEJMANI, Shkup

Ahmet Zogu, një figurë që sa të impresionon aq të dëshpëron, mbi të gjitha të inkurajon të mundohesh ta kuptosh profilin e tij psikik, që pothuajse gjithmonë shfaqet në dy role në të njëjtën kohë: si kombëtar, por edhe si “tradhtar”, ushtarak e diplomat, burrështetas e karrierist. Kjo simbiozë, jo krejt e natyrshme e karakterit, duket të ketë qenë përparësia që i ka mundësuar t’i arrijë qëllimet e tij politike, por mendimtarët të cilët merren me studimin e tij, por jo vetëm, i ndan në dy taborë, në pro dhe kundër. Të impresionon guximi i djaloshit që në moshën 13-vjeçare merr drejtimin e një fisi me nam e nishan dhe vetëm me shtatëmbëdhjetë vjeç të jetë i ftuar në promovimin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pasi do të marrë vesh se Shkodra është sulmuar, ndërron rrugë për t’iu vënë në mbrojtje. Nuk të lqnë pa mbresa as aftësia e tij që në moshë të re të mobilizojë dhe organizojë malësorët që ta sigurojnë Kongresin e Lushnjës dhe, më vonë, si pushtetarë ta bëjë zap një popull pa shumë traditë shteti për të vënë rend dhe për ta centralizuar pushtetin, nëse duhet edhe me mjete jo krejt demokratike. Por, të dëshpëron kur lexon historinë, qoftë edhe të kontaminuar me premisa ideologjike, se për t’u rikthyer në pushtet “do të nënshkruajë” marrëveshje me një përfaqësues serb, Nikolla Pashiq, për koncesione territoriale dhe për të qenë mëkëmbësi i mbretit jugosllav në Shqipëri në rolin e mercenarit (Kristo Frashëri. 2013, artikulli i katërt).

Kjo pasqyrë e dhënë në stilin bardh e zi, e shpalos dikotominë e natyrës njerëzore, e mira kundrejt të keqes, e ndritura kundrejt të errëtës, egoizmi kundrejt altruizmit, heroizmi kundrejt tradhtisë, që në rastin e Zogut e plotësojnë njëra-tjetrën. Sigurisht se një shpjegim i tillë është i mangët, ngase në rastin më të mirë mund të krahasohet me diagnozën që do t’ia jepte një mjek pacientit vetëm përmes soditjes së jashtme, pa bërë asnjë kontroll më të thellë biokimik e rëntgenologjik. Qasja e tillë në studim, edhe nëse keni përdorur metoda relevante studimi, pa dyshim të sjellë në përfundime të gabuara, në rastin më të mirë jo të plota.

Që të kuptohet sadopak veprimtaria e Zogut në ngritjen dhe ruajtjen e shtetit shqiptar si patriot ose si tradhtar, jashtë simbolikës, rasti duhet të vendoset në kontekstin e kohës kur jetoi e veproi, si dhe kushtet socio-ekonomike e politike të vendit ku u ngrit si personalitet, të cilin më vonë e drejtoi. Një observim më i kompletuar i situatës të bie ndërmend se njësoj si sot, edhe atëherë ishte koha ku bota ndahej përgjysmë në dy ideologjitë ekstreme totalitare: komunizmi në Rusi (1917) dhe fashizmi në ngritje në Itali (1919). Shteti shqiptar vuante nga ethet e një shoqërie agrare, që duhej të bënte transformimin e madh nga një monarki e pasuksesshme në republikë ku populli do të mund të ushtronte pushtet përmes demokracisë dhe pluralizmit politik. Jeta politike zhvillohej në antagonizma të thellë të grupimeve politike deri në hasmëri, sa për dallime ideologjike, por shumë më tepër nga ndikimet e qendrave të jashtme dhe për dallime në orientimin strategjik. Një Shqipëri e tillë e pavarur, që ishte në proces të konsolidimit shtetëror, rrethohej me fqinjë grabitqarë, kurse në prapavijë ishin shtetet e Perëndimit skeptike në kapacitetet e saja për mëvetësi. Italia dhe Mbretëria Serbo Kroate Sllovene (MSKS), dy shtetet fqinje, pretendonin njëra daljen në det dhe tjetra kontrollin e plotë të ngushticës së Otrantos. Për shkak të pozitës delikate të Shqipërisë, midis dy rivalëve shumë më të fuqishëm, të cilët mund të provokonin lehtësisht një konflikt, diplomati britanik Charles Augustus Eyres, propozoi neutralitet. Këtë duhej ta garantonin bashkërisht ose individualisht Italia, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene dhe Greqia, si dhe vendet e interesuara, Britania e Madhe dhe Franca, si të vetmet Fuqi të Mëdha në Europë. (Emirjola Yzeiraj, FO 371/ 10654, 9 January 1925). Italia dhe Mbretëria SKS e shihnin një Shqipëri të dobët si provokim në vetvete për aneksim e pushtim. Të bindur në këto fakte, ata patën një përpjekje për ndarje në zona interesi. Mbreti Aleksandër shkoi në Paris në janar 1925, u takua me ambasadorin italian dhe i sugjeroi ndarjen e mundshme të sferave të interesit në Shqipëri, por u refuzua (M. Paskal, 2013).

Sikur kjo të mos mjaftonte, në prapaskenë, shqiptarët e mbetur në Mbretërinë SKS përjetonin të zitë e ullirit nën presionin e dëbimit për në Turqi, përmes të ashtuquajturës Reformë Agrare (1919/30). Këtë kohë historia gojore e prindërve dhe të afërmit e mi, që kisha nderin t’i njoh, e përshkruanin përmes një fraze të njohur: “llovi ribi, rani deca, ako ne, eve ti Azija”, (gjuaj peshq, ruaj fëmijët; nëse jo, ja ku e ke Azinë), një përgjigje që au jepnin kolonët banorëve kur ata ankoheshin se do t’u mbeteshin fëmijët pa bukë pasi t’ua merrnin tokën. Një njeri që pretendonte fronin mbretëror jo vetëm mbi Shqipërinë, por mbi të gjithë shqiptarët, këtë fakt nuk mund ta injoronte. Këta borgjezë agrarë shqiptarë, si të parët e mi, të manipuluar ose vullnetarisht, sipas Kristo Frashërit, ishin ata që i garantuan 1000 luftëtarë nga trojet e Dibrës, Kërçovës Tetovës e Gostivari. Me këta dhe me 500 matjanë e 800 kundërrevolucionarët rusë të tetorit rus të vitet 1917, të njohur si “Vagner”, si dhe me ndihmën financiare të Mbretërisë SKS, Zogu do ta rrëzojnë qeverinë e Revolucionit të Qershorit të 1924-tës të Fan Nolit. (Kristo Frashëri. 2013, artikulli i katërt), nga edhe do të nisë rrugëtimi i tij drejt fronit mbretëror. Rrugëtimi i tij dhe mënyra e qeverisjes do të jetë objekt i observimit dhe kritikës nga shumë studiues, por edhe kureshtarë si rasti ynë.

Sigurisht se pyetja më sfiduese është se si arriti Ahmet Zogu të gjejë aq përkrahje tek shqiptarët jashtë vendit? A ishin ata aq antikombëtarë e të ligë apo revolta nga presioni serb bënte që ta shihni atë si shpëtimtar? Këto hamendësime më bëjnë të mundohem të imagjinoj se sa kishin kapacitet këta shqiptarë të mbetur nën Serbi t’i dallonin revolucion “reformist” e “demokratik” prej revolucionit “komunist”. Për ta, qeveria e Nolit do të jetë identifikuar me komunizmin, ndërsa Zogu nuk ishte veçse një antikomunist, por edhe një shpresë. Për më tepër, pasi qeveria Noli vendosi marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik (1924), Zogu dhe përkrahësit e tij do ta etiketojnë si qeveri e majtë, kurse vetë atë si bolshevik. Sipas K. Krisafit, përfaqësues të shteteve përreth, që i trembeshin përhapjes së komunizmit në Ballkan, vendimin e konsideruan si “njollosje” të vendit me “bolshevizëm”. Për më tepër, po sipas tij, Shqipëria filloi të shihet si rrezik që mund të shndërrohej në vatër infektive komuniste në rajon. (Ksenofon Krisafi, DITA, 4 dhjetor 2023). Kjo do të kishte qenë e mjaftueshme që të gjejë përkrahje nga shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë, ndërsa për Beogradin argument që ndërhyrjen ta arsyetojë me motive ideologjike.

Pas kësaj përkrahjeje nga shqiptarët jashtë kufijve, mëkati më i madh që i përshkruhej Mbretit Zog, nga këta të njëjtit, bazuar në historinë gojore, ishte se “ai e vuri këllëçin pa i kërkuar kufijtë”. Mendohej për shpalljen e tij për mbret pa kërkuar bashkimin e trojeve shqiptare. Nga ana tjetër, historianët brenda kufijve shtetërorë si mëkat kryesor mbretit Zog ia përshkruajnë “shitjen”, “dorëzimin” ose heqjen dorë prej Shën Naumit (25 hektarë) me të ashtuquajturën marrëveshje Zogu-Pashiq të 14 gushtit 1924, por jo edhe gjithaq mbetjen jashtë kufijve të pjesës dërmuese të tokave shqiptare. Këto raste do të mundohemi t’i shqyrtojmë më në detaje, për të tërhequr paralele me rastet e fundit me kufijtë e Kosovës. Bëhet fjalë Kodra Furën (viti 2001, 2500-2600 hektarë) që iu dha Maqedonisë, Çakorin që iu dha Malit të Zi (spekulohej për 8000 hektarë) dhe, së fundi, përpjekja për “ndërrim territori”, “demarkacion” të Mitrovicës së Veriut dhe Luginës së Preshevës, pse jo edhe “shitjen”, “dhurimin” e Sazanit “Tramp juniorëve”.

Që të mund të nxjerrim një korrelacion mes Zogut si konstrukt mental dhe faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në veprimtarinë e tij politike, do të na duhet ta sqarojmë formulimin e drejtë të aktit “shitje”, “dhurim” ose “këmbim territoresh”, fjalë që qarkullojnë për këtë veprim si në vokabularin gojor, ashtu edhe në atë akademik, përmes pyetjeve: A kishte marrëveshje Zogu-Pashiq dhe nëse po, në çfarë rrethana dhe për çfarë motive u bë?; Pse studiues të caktuar e vënë në dyshim origjinalitetin e një dokumenti të tillë dhe cila është rëndësia e tij?; dhe, në fund, çka kanë të përbashkët rasti Zogu me rastet e dhënies, humbjes, të territoreve në shekullin tonë?

Pikësëpari, marrëveshjet, që të mund të ketë vlerën e marrëveshjes ndërkombëtare, i nënshkruajnë dy shtete dhe jo individë, qofshin ata udhëheqës partiakë dhe më së paku kur ata janë në opozitë – Zogu emigrant në Beograd, kurse Pashiqi si parti opozitare. Së dyti, për këtë dokument, të njohur si marrëveshje sekrete, Zogu-Pashiq, sipas E. Yzeirajt, nuk ekzistojnë të dhëna relevante që e vërtetojnë autenticitetin dhe origjinalitetin, andaj ai e konteston me argumente serioze (Emirjola Yzeiraj, 2021, f. 115-117). Së treti, territoret Shën Naumi dhe Vermoshi formalisht nga faktori ndërkombëtarë pranohej të mbeteshin me Shqipërinë, si nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris, Gjykata e Përhershme e Drejtësisë Ndërkombëtare (PCIJ) në Hagë, Këshilli i Lidhjes së Kombeve dhe vendimi i përsëritur i Konferencës së Ambasadorëve (Skender Lutfiu, Mentor Hasani, 2024, f. 258), por në një moment ata u tërhoqën nga ky qëndrim ose nuk këmbëngulën deri në fund. Së katërti, si arsye për kontestim e territorit të Shën Naumit pala serbe e merr vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913, e cila i definoi kufijtë, por me një fjalë paksa dykuptimëshme, “deri te”, që lejonte të shtrohej pyetja se çka nënkuptonte “deri te”: a është edhe “përfshi” manastirin? Së pesti, ky manastir, edhe pse de jure i njohur si i Shqipërisë, de fakto atë shteti shqiptar kurrë nuk e kishte pasur në zotërim (Emirjola Yzeiraj, 2021, f. 118). Së gjashti, për këtë ndryshim qëndrimi të faktorit ndërkombëtar mund të ishte shkak letra drejtuar të ngarkuarit me punë të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në Tiranë më 21 shkurt 1925, pasi Zogu erdhi në pushtet, me të cilën e informoi se po e shqyrtonte çështjen e Shën Naumit dhe Vermoshit me propozim shkëmbim territoresh, por epilogu kulmoi me kompromis të propozuar prej Konferencës së Ambasadorëve. Shën Naumi iu cedua Mbretërisë SKS në “këmbim” të fshatit të Peshkopisë me 60 shtëpi dhe 300 banorë, si dhe për disa koncesione të tjera të vogla (5 tetor 1925) (Po aty f. 119). Së shtati, vetë Mbreti Zog kurrë nuk e nënshkroi një marrëveshje për dorëzim, por më 16 korrik 1925 kërkoi nga dy Dhomat Legjislative bashkërisht ta ngarkonin qeverinë shqiptare të hynte në bisedime dypalëshe për rregullimin e kufirit me palën jugosllave. Së teti, pas tri ditë debatesh, Asambleja Legjislative e miratoi vendimin me të cilin “e porosiste” qeverinë shqiptare ta rregullonte kufirin me Jugosllavinë me bisedime dypalëshe, “,,, , në parim ad referendum një shkëmbim toke midis dy shteteve .. … në përputhje me interesat e shtetit dhe të popullit shqiptar”. (K. Naska, Shën Naumi dhe diplomacia e kohës, Tiranë 2012, f. 612). Së nënti, më e rëndësishmja, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ndodhi nënshkrimi i Traktatit të Parë të Tiranës, marrëveshja italo-shqiptare e 27 nëntorit 1926, e cila u negociua në rrethana tejet sekrete dhe të fshehta, veçanërisht ndaj Jugosllavisë. Shqetësimi i Mbretërisë SKS nga kjo marrëveshje shihet nga një qarkore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dërguar përfaqësive të saj diplomatike në kryeqytetet europiane, ku thuhet; “… për shkak të situatës së krijuar, duhet të na mbani të informuar çdo ditë për çdo përgatitje që mund të bëhet kundër vendit tonë. …, .. Pakti i Tiranës është i rrezikshëm për Ballkanin .. “. (Skender Lutfiu, Mentor Hasani, 2024, f. 267) Së fundmi, “dhënia”, “dhurimi” ose “shitja “ e manastirit zyrtarisht u regjistrua si “shkëmbim”, ndoshta si një teknikë diplomatike e njohur si “ruajtja e fytyrës”, që e kanë bërë edhe fuqitë e mëdha. Të kujtojmë se Alaska, si vendtakim i Trampit dhe Putinit, iu “shit” Amerikës në vitin 1867 për 7.2 milionë jo për arsye ekonomike ose edhe ndonjë motiv tjetër, përveçse nga frika se Britania e Madhe mund ta pushtonte, kurse Rusia Cariste nuk kishte kapacitet ta mbronte. Për të dalë prej kësaj situatë, ajo zgjodhi ta shiste e paturpëruar në vend ta mbronte si e turpëruar.

Bazuar në rrethanat që i theksuam, përvojat diplomatike të “ruajtjes së fytyrës”, procesin e negociatave dhe epilogun përfundimtar, përfundimi më i shëndoshë është se roli i Mbretit Zog nuk mund të trajtohet vetëm si një karrierist, egoist, diktator, siç paraqitet në historinë ideologjike. Për një përfundim më përmbajtësor duhet vënë edhe nën dritën e një burrështetasi real politik, që luajti rolin e një dhelpërie diplomatike, të luanit që arrin t’i shtypë rivalët politikë, kurse popullin e egër ta nënshtrojë deri në pozitën e miut. Atributer që ia veshëm Zogut ndoshta edhe nuk ka shpatulla për t’i mbajtur, pasi i përshkruheshin Bizmarkut, i cili e unifikoi popullin e egër gjerman në një komb, por ia vlen edhe nën këtë dioptri të shihet roli i tij në ngritjen e shtetit shqiptar. Fundja, fakti se Mbretëria SKS ishte e trishtuar nga pakti italo-shqiptar, bën të mendosh se një “këmbim” i tillë nuk mund të ishte vetëm përmbushja e një nga 16 pikave (pika 10) e marrëveshje Zogu-Pashiq, por një qëllim më i madh – shmangia e kërcënimit që vinte nga Mbretëria SKS përmes aleancës me Italinë. Apo, një dalje pa poshtërim, që mund t’i ndodhte Shqipërisë, nëse do të mundohej me forcë ta kthente sovranitetin mbi manastirin për të cilën nuk kishte kapacitet.

Por, edhe sikur të gjejmë arsyet më bindëse për të mbrojtur një veprimi të tillë, pyetja e parë që na shkon ndërmend është: a janë të gjithë shqiptarët Ahmet Zoga apo naiviteti politik në kombinim me rrethanat historike na imponojnë të gjendemi para zgjedhjesh të tilla të vështira, jo të plota, apo edhe diskutabile? Cili është emëruesi i përbashkët i Ahmet Zogut me Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin e Edi Ramën, që “japin”, “shesin” apo “këmbejnë” territore shqiptare?

E përbashkëta e parë është se të gjithë këta kanë një hyrje të furishme politike, impresive e mbresëlënëse, por fundi lë shumë për të debatuar. Ramush Haradinaj u shfaq në skenën politike si luftëtarë i lirisë, që si familje i dha shumë Kosovës. Në fillim e kundërshtoi fuqishëm nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi nga qeveria e Isa Mustafës, të nënshkruar prej Hashim Thaçi si ministër i Punëve të Jashtme dhe Skender Hyseni si ministër i Punëve të Brendshme (2015). Por, po ai, si kryetar i qeverisë nuk e ndaloi ratifikimin e saj (2018), me arsyetimin se me te do të hapet rruga për liberalizim të vizave me Bashkimin Europian.

Hashim Thaçi, përfaqësuesi politik dhe udhëheqësi i UÇK-së, që padyshim i takojnë meritat si për luftën, ashtu për shpalljen e Kosovës si shtet i pavarur, akuzohet për tentim “dorëzimi” të Mitrovicës së Veriut, Serbisë, edhe pse ai kurrë nuk do ta pranojë këtë, por do të flasë për demarkacion, këmbim territoresh e korrigjim kufijsh.

Të dy këta, po sikur Zogu, mund të arsyetohen me qëllime madhore, shmangien e rrezikut nga Serbia përmes orientimit kah Perëndimi, në rrethanat aktuale kah NATO dhe Bashkimi Europian. Miqtë tanë aktualë ndërkombëtarë, po si atëherë, edhe sot, i pranojnë kufijtë, por nuk do të hezitojnë të mbyllin një sy sikur këto në marrëveshje bilaterale të gjejnë zgjedhje duke “falë” toka, të kamufluar me fjalor diplomatik si demarkacion, korrigjim ose edhe këmbim territoresh. Prapë, njësoj sikur në rastin e Zogut, arsyetimi është i njëjtë: Kosova nuk ka kapacitete të futet në një operacion të mbrojtjes ose ruajtjes së kufijve, meqë fuqia e saj ushtarake e diplomatike është komplet asimetrike visavi Serbisë. Në koluare, bile, flitet se një nga shtetet më të zëshme në këtë drejtim është Mbretëria e Bashkuar mu sikur në kohën e Zogut kur kundërshtonte një operacion të tillë të Zogut me Mbretërinë SKS (Emirjola Yzeiraj, 2021, f. 119).

E përbashkëta shtesë është se të gjithë këta, në mënyrë direke ose indirekte, kanë nga një lidhje, “marrëveshje” me ndonjë serb, si për shembull Rama ma Vuçiqin, Ramushi me Radoiçiqin, Hashimi me Stanishiqin. Këto lidhje nuk janë faktuar, janë spekulime dhe akuza që ia bëjnë njeri-tjetrit aktorët politikë në luftën e përditshme për pushtet, por një ditë kur dikush do ta shkruajë historinë bazuar në shkrimet, publikimet e debatet politike të kohës, do të gjegjë argumente për të arsyetuar pse dështuan politikat e liderëve shqiptarë.

Çka mund të konstatojmë? Nëse këmbimin e Shën Naumit me Peshkopinë e cilësojmë si marrëveshje turpi apo tradhtie, për qëllime egoiste e pushtet, pse dikush të mos mund ta cilësojë si marrëveshje “pajtim për pushtet” pajtimin e Ramushit për ratifikim të marrëveshjes nga pozicioni i kryeministrit? Apo, tendencën e Hashim Thaçit për këmbim territoresh si marrëveshje “këmbim për shpëtim” – shpëtim nga përndjekja e Gjykatës së Hagës? Në të njëjtën kallëp mund të futet edhe ideja e Ballkanit të Hapur ose edhe “dhënia” ose shitja e Sazanit (570 hektarë) familjes Tramp të riut, si “shitje për SPAK” – shpëtim nga përndjekja për krim e korrupsion nga SPAK-u. Sigurisht se akuzat e tilla nuk janë krejt pa përmbajtje, megjithatë kjo qasje është tejet e thjeshtëzuar dhe e mangët. Paraqitja e politikanëve shqiptarë në dy role, hero e tradhtarë, patriotë e hajna, edhe mund të jetë pjesë e vokabularit të politikës ditore në luftën për pushtet, por nuk jep shumë për historinë dhe, më së paku, për shkencën. Neve na duhet një qasje më komplekse, përmes së cilës do të mund t’i identifikojmë, përveç karaktereve personale, edhe rrethanat, kontekstet e parakushtet në të cilat veprohet politikisht në kondidat shqiptare dhe në regjion.

Nisur nga këto realitete, cili mund të jetë konkludimi më kredibil që mund të nxjerrim për rolin e Mbretit Zog në historinë shqiptare? Një politikan tipik shqiptarë, një histori që na përsëritet. Nëse më shumë i njihen meritat sesa mëkatet Ramushit, Thaçin, Ramës, pse një qëndrim të tillë të mos e kemi edhe për të? Por, nëse historia na përsëritet, duhet të dimë pse ndodh kjo? A e bënë këta njerëz historinë apo historia i bëri ata? Këtë do ta dimë nëse gjejmë përgjigje në pyetjet shtesë; si ndodhi që të gjithë këta u nisën në luftë për realizimin e kauzave të mëdha, siç është bashkimi kombëtar, por në ecje e sipër atë e tjetërsojnë, si: bashkimi i shqiptarëve në Italinë e Madhe, në Europën e Bashkuar, në Ballkanin e Hapur? Pse nuk u realizuan këto kauza? A nuk mundën, a nuk ditën apo i “tradhtuan”? Më e keqja, askush nuk i akuzon për “tradhti” të kauzës, por vetëm për disa hektarë tokë kufitare. Për pyetjen e parë, pse “nuk mundën”, përgjigjen mund ta japin vetë ata, por me një çmim: kërkimfalje, heqje dorë nga gjitha privilegjet, meritat, mbi gjitha nga politika. Zogu nuk e bëri ose historia nuk e shpjegoi sa duhet rolin e tij, prandaj ai e mban mëkatin e lënies së shqiptareve jashtë kufijve, së paku nga të parët e mi. Këta të sotmit janë larg një vendimi të tillë. Se si do të jetë fati i tyre historik, kjo varet nga përgjigja e dy pyetjeve të tjera: “pse nuk ditën?” dhe “si duhej ta bënin?”, që duhet të shpjegohen nga ata që do ta shkruajnë historinë. Vetëm pasi do t’i dimë përgjigjet e këtyre pyetjeve do të dimë nëse bënë histori apo historia i bëri ata. Në të kundërtën, episode të tilla do të na përsëriten.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X