Ahmet Zogu është, pa më të voglën mëdyshje burrështeti më i shquar i shqiptarëve, që hodhi themele të shëndosha të shtetit kombëtar shqiptar; ishte personi kyç për ndërtimin e shtetit shqiptar qysh në hapat e parë dhe deri në çastin fatal kur në prill të vitit 1939 ekzistenca e tij u ndërpre pas pushtimit nga Italia fashiste. Këtë e realizoi me shkathtësi e mjeshtëri në një periudhë të vështirë të brendshme dhe tepër komplekse të jashtme.
Abdi BALETA, Tiranë
Për Ahmet Zogun, si figurë politike, historike dhe drejtues i shtetit shqiptar, kam shkruar gjerësisht në publicistikën time nga fillimi i viteve 1990 e deri më sot. Kam shkruar si artikuj shtjellues, ashtu edhe artikuj polemizues, me politikanë të të gjithë krahëve politikë, ndaj akuzave dhe tezave të pabaza e me pasoja antikombëtare të ndërtuara nga kundërshtarët e Zogut, por veçanërisht nga regjimi komunist e gjatë periudhës së pas ‘90-tës, që e meriton të pagëzohet si regjimi-bisht i komunizmit. Këta artikuj lexuesi i gjen në kolanën 36-vëllimëshe të titulluar “Kronikë Kohe”, botuar në vitin 2024. Në këtë shkrim gjej me vend të mos i përsëris nga e para këto argumente, por të jap në mënyrë telegrafike aspektet qendrore të tyre.
Është me vend të ritheksoj se figura e Ahmet Zogut ende nuk është eksploruar dhe studiuar plotësisht për shkak të kompleksitetit të tij individual, por edhe për shkak të kohërave intensive e ngjarjeve tepër të ngatërruara në të cilat ai jetoi dhe drejtoi shtetin shqiptar, e veçanërisht për shkak të trajtimit errësues dhe denigrues pas viteve ’44 e që vijon edhe në ditët e sotme.
E përgëzoj revistën “Shenja” që në këtë numër ka zgjedhur një temë që rikthen në vëmendje Ahmet Zogun dhe rolin e tij në historinë e Shqipërisë. Shpresoj që shkrimet që do të sjellin autorët të jenë të çliruara nga komplekset antizogiste. Shqiptarët mbeten ende nën ndikimin e asaj literature propagandistike shpërfytyruese të realitetit që është prodhuar pa ndërprerje nga kundërshtarët e veprimtarisë së Zogut, shumë syresh në shërbim të të huajve. Por, për fatin tonë të mirë, si dhe në shumë fusha të tjera, ka një numër të konsiderueshëm autorësh dhe studiuesish të huaj që kanë shkruar dhe vënë në pah aftësitë e kësaj figure dhe rolin e padiskutueshëm të tij në dobi të Shqipërisë.
Ngritja e shtetit shqiptar
Ahmet Zogu është, pa më të voglën mëdyshje burrështeti më i shquar i shqiptarëve, që hodhi themele të shëndosha të shtetit kombëtar shqiptar; ishte personi kyç për ndërtimin e shtetit shqiptar qysh në hapat e parë dhe deri në çastin fatal kur në prill të vitit 1939 ekzistenca e tij u ndërpre pas pushtimit nga Italia fashiste. Këtë e realizoi me shkathtësi e mjeshtëri në një periudhë të vështirë të brendshme dhe tepër komplekse të jashtme. Shteti shqiptar që ai mori në dorë shtrihej në një territor që pak vite më parë e kishte fituar pavarësinë nga Perandoria Otomane, të përgjysmuar nga hapësira etnike, që ishte në varfëri dhe prapambetje të theksuar, në një luftë të vazhdueshme intrigash e komplotesh të krahëve politikë të brendshëm, më së shumti me nxitje të të huajve, ende nën sulmin grabitqar për territore nga vendet fqinje dhe nën presionin për sfera influence nga fuqi të tjera. Megjithatë, ai ia doli ta fuste vendin nën hullinë e një shteti të konsoliduar e me baza të shtetit modern – nëse historia do kishte dashur që ai stil drejtimi shtetëror të ishte më jetëgjatë.
E kam shprehur dhe më parë, shtetar i parë i shqiptarëve duhet të quhet ai që ka bërë faktikisht shtet, që ka ngritur e ndërtuar pushtet, madje pushtet me dinjitet, që i ka qeverisur si duhet popullin dhe vendin e vet. Të tilla gjëra në shekullin XX arriti t’i bënte me efikasitet dhe seriozitet më mirë se gjithkush Ahmet Zogu. Atij i ra ky fat i vështirë historik, atij i mbeti të parit mbi supe barra e rëndë titanike dhe ai e tregoi veten më realisti, më i shkathëti, më i vendosuri, më praktiku e më pragmatiku në përmbushjen e këtij misioni dhe mbetet deri tani më i suksesshmi.
Ahmet Zogu d ka fatin e mirë dhe të keq që kundërshtarët e tij të kohës në mungesë të argumentit përdornin bejtet dhe vjershat për të shprehur inatet e tyre dhe për të denigruar figurën e tij. Edhe historiografia komuniste vijoi në të njëjtën linjë duke bërë argumente historike metaforat dhe hiperbolat letrare dhe la në errësirë ngjarjet historike. Më poshtë do të rendis disa nga akuzat më të përfolura ndaj tij duke dhënë telegrafikisht argumentin tim. E theksoj se për argumente më të zgjeruara kam një sërë shkrimesh të publikuara, ka dhe një numër autorësh të huaj e disa vendas që kanë hedhur mjaftueshëm dritë sqaruese. E rëndësishme është që kush kërkon të vërtetën të ketë vullnetin lexojë, jo vetëm të mësojë papagallçe akuzat e historiografisë komuniste.
Akuza e eliminimit të kundërshtarëve
Një ndër akuzat më të përmendura nga historianët është mungesa e atdhetarisë së Zogut për shkak të vrasjes së disa personaliteteve politike të asaj kohe, ku më së shumti përmenden Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e Avni Rustemi. Çështja nëse Zogu ka qenë apo jo atdhetar nuk mund të zgjidhet vetëm duke u nisur nga fakti i vrasjes së disa personaliteteve politike në një kohë kur jeta politike në Shqipëri ka qenë shumë e acaruar, kur ishin shtruar për t’u zgjidhur detyra të ngutshme e të vështira për të krijuar e mëkëmbur shtetin shqiptar, për të shpëtuar Shqipërinë nga ndonjë copëtim i ri, për ta drejtuar politikën shqiptare në detin e tallazeve të forta të politikës ballkanike e europiane, në një kohë kur botën e industrializuar e trondisnin kriza të forta dhe përgatitje të ethshme për luftë botërore.
Likuidimet midis kundërshtarëve politikë mbas shumë dekadash kërkojnë analiza më të qeta sesa pasionet që mund të kenë ngjallur atëherë kur kanë ndodhur. Vlerësimi i rolit të Ahmet Zogut duhet të bëhet duke u nisur së pari nga efektet që pati për shtetin dhe kombin shqiptar gjithë veprimtaria e tij shumëvjeçare dhe vepra e tij komplekse si ushtarak, politikan, qeveritar, parlamentar, kryeministër, president dhe mbret, pra në të gjitha fushat e jetës shtetërore e politike shqiptare. Likuidimet fizike të kundërshtarëve politikë janë të papranueshme e të dënueshme në shoqërinë moderne. Por, shtjellimi i rrethanave të vrasjeve të tyre apo të të tjerëve në fakt nxjerrin në dritë detaje e fakte të tjera, përveç akuzës se Zogu ishte gjakësi.
Edhe nëse e pranoj për një moment, për hir të argumentit, se gjakësi ka qenë Zogu, duhet thënë se këto dukuri negative nuk kanë ndodhur vetëm në kohën e Ahmet Zogut në Shqipëri, as vetëm në Shqipërinë e kohës së Ahmet Zogut dhe as janë një dukuri që mund të lidhen vetëm me emrin e Ahmet Zogut. Kundërshtarët e tij po ashtu kanë planifikuar shumë dhe kanë kryer disa atentate kundër tij, si dhe kanë nxitur e shpërthyer disa kryengritje të armatosura kundër rendit kushtetues gjatë kohës që ai qe në fuqi.
Është edhe më ironike që këtë akuzë e thekson me forcë historiografia komuniste, kur në kohën e Zogut janë bërë shumë më pak vrasje e likuidime personalitetesh politike se në kohën e diktaturës komuniste dhe kur nuk ka pasur fare fushata persekutimi njerëzish të pafajshëm, as burgime e internime në masë. Madje edhe familjarët e atyre që ndëshkoheshin nuk pësonin as cenimin më të vogël të nderit, pasurisë e kushteve të jetesës. Edhe periudha pas viteve ’90-të nuk shpëtoi pa eliminime të tilla dhe akuza që shpeshherë politikanët që kanë qenë në krye të shtetit shqiptar ia kanë zbuluar njëri-tjetrit.
Tragjedia e kombit tonë është se burra të tillë shpesh u vunë ashpërsisht kundër njëri-tjetrit. Veçanërisht fatale për Shqipërinë ka qenë grindja midis A. Zogut e H. Prishtinës. Pikërisht të tilla kundërvënie të ashpra mbetet detyrim t’i analizojnë dhe t’i shpjegojnë mirë historianët e vendit tonë, e jo të bëjnë klasifikime në dy grupe sipas teorisë së luftës së klasave.
Akuza e shitjes së Shqipërisë te Italia
Pushtimi nga Italia fashiste ishte një ngjarje fatkeqe, pasi ndërpreu zhvillimin e natyrshëm dhe në rrugë të mbarë që kishte marrë shteti shqiptar. Do të kishim dashur që Italia, si shtet më i madh e më i fuqishëm, të sillej më denjësisht ndaj fqinjit të vogël përtej Adriatikut dhe ta respektonte pavarësinë e mezifituar të Shqipërisë. Por, historia mes shteteve të mëdhenj e të vegjël nuk është e tillë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore këtë fat nuk e pësoi vetëm Shqipëria, por plot shtete europiane shumë më të vjetra e më të organizuara. Pushtimi nga Italia erdhi edhe si nevojë e përmbushjes së egos së politikës fashiste që e drejtonte Italinë në atë kohë, por edhe i mbështetur e i lehtësuar nga një pjesë e figurave politike shqiptare në mërgim ose në Shqipëri, që kishin preferuar bashkëpunimin me të huajin kundër shtetit të vet. Ndërsa vetë Zogu për shumë gjëra ishte i detyruar të mbështetej tek Italia, sepse pjesa tjetër e Europës nuk i kishte lënë shteg daljeje tjetër. Nga ana tjetër, shteti italian kishte punuar së tepërmi për të minuar pushtetin e Ahmet Zogut dhe dobësuar shtetin shqiptar, që më tej pushtimi të ishte një akt formal. Kjo sepse politikat e Zogut binin në kundërshtim me interesat e Italisë. Në librin e titulluar “Italia dhe Shqipëria: marrëdhëniet financiare gjatë 20-vjeçarit fashist”, të Alesandro Roseli (1986), thuhet: “Nga fundi i viteve njëzetë në Italinë fashiste kishin këtë vizion për Shqipërinë: Mbreti Zog e ka treguar veten jo vetëm si një patriot i flaktë, por një shërbyes i përkushtuar i tokës së tij, një temperament i ndriçuar në qeverisje, një i denjë për të mbajtur kurorën.” (kapitulli VII).
Turpi u mbetet atyre që u kthyen në Shqipëri së bashku me pushtuesit, bashkëpunuan me ta dhe ia dërguan kurorën e Skënderbeut një mbreti të huaj. Por, në asnjë rrethanë organizimi i rezistencës kundër pushtimit italian nuk do të kishte patur sukses për shkak të zhbalancimit të forcave. Për këtë arsye, Zogu u tregua i kujdesshëm të organizonte me ushtrinë e tij (krejt ndryshe nga sa ka gënjyer historiografia komuniste) një rezistencë simbolike që të mos shënohej në histori se Shqipëria u dorëzua pa kushte dhe njëherësh të shmangej gjakderdhja. Ai çdo gjë e bëri me një dinjitet kombëtar e shtetëror të shkëlqyer.
Largimi i tij ishte po ashtu një akt tjetër politik që tregonte se nuk pranoi të binte në dorë të pushtuesit dhe për më tepër të një pushtuesi që në vite kishte investuar për ta denigruar figurën e tij dhe që është e pritshme se do ta trajtonin po në mënyrë denigruese. Zogu nuk ishte i vetmi kryetar shteti apo mbret i Europës që veproi kështu. Ky është një tjetër fakt krejt i kundërt nga sa guxoi të gënjejë paturpësisht një përfaqësues i denjë i historiografisë komuniste para disa muajsh në një emision televiziv. “Historiani” shpalli se asnjë mbret në Europë nuk u largua, por i qëndroi pushtimit. Nuk e di nëse janë injorantë apo të pacipë deri në këtë shkallë, sidomos në kohën e sotme kur me një kërkim të thjeshtë në internet të renditen plot fakte historike. Mjafton vetëm ky element për të kuptuar se mali i akuzave ndaj Zogut bazohet në mashtrime e gënjeshtra për të errësuar jo vetëm atë, por edhe një nga periudhat më të mira të Shqipërisë, kur shteti u ngrit dhe po forcohej.
Mbas largimit të detyruar nga Shqipëria, ai edhe në mërgim bëri gjithçka që të kryente misionin e tij, t’i shërbente shpëtimit e rivendosjes së shtetit shqiptar të pavarur e demokratik kur të mbaronte lufta, ndonëse u ndesh me gjithfarë pengesash të armiqve të Shqipërisë e të atyre që diktonin në politikën europiane.
Akuzat se Zogu ia shiti Shqipërinë Italisë në njëfarë mënyre janë përpjekje që bëhen që për pushtimin e Shqipërisë të mos shpallen fajtorë pushtuesit dhe ata politikanët opozitarë antizogistë që erdhën nga azili politik bashkë me ushtrinë pushtuese italiane. Mjafton të shohim se si heshtin sot këta historianë e politikanë “mendjendritur” për një nga aktet më denigruese ndaj shtetit shqiptar të kryer nga kryeministrja e Italisë, Meloni, në bashkëpunim me kryeministrin e Shqipërisë, që një territor të vendit tonë ta lënë si “kosh mbeturinash” për emigrantët që Italia nuk i hedh dot në det, por preferon t’i hedhë në Shqipëri, një marrëveshje që së fundmi u rrëzua dhe nga Gjykata e Drejtësisë Europiane. Dhe, e gjitha kjo shitje e dinjitetit të vendit sot bëhet thjesht për të fituar një kallaj lavdërimi kryeministri ynë në Itali. Ky është vetëm një detaj, pa përmendur morinë e detajeve të tjera të pushtetarëve shqiptarë që e kanë kthyer Shqipërinë në shesh ku kullosin interesa të të huajve, veçanërisht të dy fqinjëve armiqësore: Serbi e Greqi. Në kohën e Ahmet Zogut nuk mund të vinte në Shqipëri një kryeshovinist grek si Nikolas Gejxh e të tallej e të tërhiqte për hundësh pushtetarët dhe shtetin shqiptar ose një grek tjetër avokat i Millosheviqit, kasapit të shqiptarëve, e të hartonte kushtetutën e Shqipërisë, tashmë të kthyer në rreckë, siç ka ndodhur pas 90-tës. Trimëritë që ia kërkojnë Zogut shtetarët shqiptarë kanë patur rastin t’i tregonin në pranverën e vitit 1997 që të ndalonin invazionin grek të Shqipërisë dhe rrënimin e shtetit shqiptar ose të paktën të dilnin kundër projekteve për shkëputjen e Jugut të Shqipërisë me kryeqendër Vlorën. Pikërisht kjo është një arsye tjetër pse ende synohet të denigrohet figura e Ahmet Zogut. Me këtë pushtetarët e pas ’44-tës, por sidomos ata të pas ’90-tës, kërkojnë ta thyejnë pasqyrën historike të shtetarit serioz që të mos duket shëmtimi i tyre.
Akuza e vetëshpalljes mbret
Kjo është një ndër akuzat më qesharake që i vishen atij dhe që ende ta thonë nëpër muzeumet e Shqipërisë ciceronët trushpëlarë. Me këtë akuzë rreshtohen urryesit më injorantë ose më të çekuilibruar të Ahmet Zogut. Të gjitha ata që e përsërisin një akuzë të tillë, pranojnë madje ta nxjerrin veten edhe injorantë të shkencës së dijes meqenëse pranojnë që mbretërit nuk vetëshpallen, por kanë origjinë hyjnore e mbretërojnë popujt me vullnet të Zotit. Kur e gjithë historia njerëzore është e mbushur me mbretër të vetëshpallur, uzurpues, pushtues dhe rrëmbyes të fronit të të tjerëve apo persona që në momente të caktuara historike treguan vendosmërinë, dinakërinë dhe vitalitetin e nevojshëm për të dalë në krye të një grupi dhe të shndërroheshin në mbretër. Më tej historia njeh mbretër e mbretërime jetëgjata, por edhe mjaft jetëshkurtra. Edhe Zogu ishte një ndër ta, që me shkathtësi meritoi vendin e të parit, por që historia i caktoi fatin e mbretërimit jetëshkurtër. Edhe më qesharake shfaqet kjo akuzë kur pushtetarët e mëpasëm e kanë mbajtur pushtetin me dhunë, vrasje, vjedhje e korrupsion e deri me vjedhje votash, me një përqendrim absolut pushteti që kapërcen edhe absolutizmin monarkik.
Akuza e shitjes së Shën Naumit dhe bashkëpunimit me serbët
Zogu është akuzuar se erdhi në pushtet pas grushtit të shtetit të qershorit 1924 me ndihmën e serbëve, se ka bërë marrëveshje me Pashiqin ose se për interesat e tij personale i ka dhënë mbretërisë së Jugosllavisë një pjesë të territorit shqiptar, si Shën Naumin dhe Vermoshin, dhe se me këto veprime ia ktheu Serbisë nderin që ata i bënë duke e sjellë në pushtet.
Të vërtetat janë krejt ndryshe. Konferenca e Londrës e vitit 1913 i caktoi kufijtë e padrejtë të shtetit shqiptar vetëm në parim, duke kryer vetëm atë fazë që në të drejtën ndërkombëtare quhet “delimitacion”. Pastaj vjen faza e dytë që quhet “demarkacion”, pra përcaktimi i vijës së kufirit në terren e shënimi i saj në harta të hollësishme topografike. Në vitin 1925, kur pretendohet se u shit Shën Naumi, midis Shqipërisë e Serbisë (Mbretërisë SKS) bëhej demarkacioni e jo delimitacioni i kufirit dhe Konferenca e Londrës kishte marrë fund. Madje, edhe akademiku pronolist Arben Puto ka pranuar se: “nga pikëpamja juridike marrëveshja mes Zogut dhe Pashiqit që ia dha Serbisë Shën Naumin është e pakontestueshme” dhe se kjo ishte miratuar edhe nga parlamentet përkatëse!
Por, para se të bëhej marrëveshja ende nuk kishte marrë fund ligjërisht faza e demarkacionit të kufirit dhe serbët e mbanin të pushtuar me ushtri Shën Naumin. Me gjithë debatet e kundërta që janë bërë, nuk ka asnjë provë të pakundërshtueshme se ishte fiksuar përfundimisht që Shën Naumi i mbetej Shqipërisë. Për bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Shën Naumit Zogu ngarkoi një nga diplomatët e politikanët më të shquar shqiptarë, Mehdi Frashërin, dhe miratoi marrëveshjen sipas propozimit të tij dhe të Myfit bej Libohovës. Frashëri, duke përdorur edhe termat frëngjisht të marrëveshjes së Londrës, që nuk kishte bërë “hartë topografike për përcaktimin e kufirit Shqipëri-Serbi” ka sqaruar se teksti thoshte që kufiri nëpër liqenin e Ohrit shkon “nga një pikë midis fshatrave Rodohozhdë e Lin deri në Shën Naum, pra nuk thotë përfshi Shën Naumin”. Vetëm një interpretim austriak e linte Shën Naumin për Shqipërinë. Pra, deri në këtë pikë nuk shtrohej çështja për të marrë e për të dhënë, por për të saktësuar vijën e kufirit në terren. Mehdi Frashëri, në relacionin e tij për Zogun, ka sqaruar se duke e lënë kishën e manastirin e Shën Naumit majë një kodre brenda territorit jugosllav u arrit që të përfshiheshin brenda territorit shqiptar kullotat në Vermosh e Mal i Thatë, fshati shqiptar ortodoks Peshkëpi pranë Shën Naumit, duke i mbrojtur banorët nga trysnia asimiluese sllave, dhe fusha e fshatit Çërravë dhe kështu u shty vija e kufirit shumë më larg nga rruga automobilistike që lidh Pogradecin me Korçën.
Pra, nuk ka pasur as falje, as dhurim, as shitje, por thjesht një rregullim fare të pjesshëm në vijën e kufirit. Është tejet e pandershme dhe provokuese që një marrëveshje për saktësimin e vijës së kufirit në një pikë të caktuar nëpërmjet edhe një shkëmbimi territoresh përpiqen ta paraqesin si një dhurim të territorit shqiptar nga Ahmet Zogu për Serbinë. Marrëveshja u bë sipas të gjitha rregullave të praktikës e të së drejtës ndërkombëtare, midis shtetit shqiptar e atij SKS dhe nuk ka qenë “marrëveshje midis Zogut e Pashiqit”, sikurse përpiqet ta paraqesë historiografia e pas ’44-ës.
Sikur gjysmën e këtyre rrëkeve lotësh për Shën Naumin këta vajtues e vajtojca ta kishin derdhur për trojet shqiptare që mbetën nën Jugosllavi, për monumentet e vërteta historike e kulturore shqiptare në Manastir, Shkup, Kosovë e deri në Nish, për perlat historike, kulturore, ekonomike e turistike të Çamërisë që mbetën nën Greqinë, për trojet e mbetura në Mal të Zi, për Preshevën e Bujanovcin! Por jo, ata qajnë e vajtojnë me kuje, mallkojnë e shajnë Ahmet Zogun vetëm për Shën Naumin dhe nuk kanë thënë një fjalë të vetme për Kosovën e bukur e Çamërinë e mrekullueshme, as nuk fajësojnë ndonjë politikan shqiptar që fliste në emër të kombit, kur u copëtua Shqipëria. Edhe sot Kosova është nën presion për të dorëzuar territor dhe pushtetarët shqiptarë, së bashku me lukuninë e historianëve përfaqësues të historiografisë komuniste, nuk i dalin në mbrojtje Kosovës. Përkundrazi, pamë se si u rreshtuan me agresivitet kundër Kosovës dhe trumbetuan me të madhe Ballkanin e hapur që de facto ishte një rikthim i një Jugosllavie të re. Pa përmendur se si po dobësohet e po zhbëhet shteti shqiptar në atë pjesë të Jugut të Shqipërisë që pretendohet nga grekët dhe të mallkojnë në breza nëse flet e shkruan për bashkimin e territoreve etnike shqiptare në një shtet të vetëm.
Antizogizmi është shpërthim atavizmash krahiniste
Komunizmi, duke u mbështetur edhe në linjën e formuar nga kundërshtarët e Zogut, ka ngritur dhe farkëtuar përballjen në trajtë llogoresh: nolizmi kundër zogizmit. Pikëpamja ime është se nolizmi është përdorur e përdoret si justifikim i krahinizmit politik jugor që, për fat të keq, ka qenë dhe është mjaft i përhapur ende në shumë mjedise e shtresa pavarësisht nga përkatësitë partiake e politike gjatë periudhës së komunizmit, por që vijon edhe sot. Nolin, si personifikim të një krahinizmi politik jugor në Shqipëri, e ka përshkruar edhe studiuesi i tij kanadez, por, ashtu siç ngre krye ky krahinizëm në lëvdatat për Nolin, ngre krye edhe në çdo fushatë denigruese për Ahmet Zogun dhe si derivate e fushata denigruese ndaj veriut, malokëve e, më ngushtësisht, Matit e matjanëve.
Vetë Zogu gjatë gjithë kohës që ka drejtuar punët e Shqipërisë është mbështetur shumë në elementin jugor. Këtë mund ta dëshmojë fare mirë libri i Teki Selenicës, të paktën për kohën deri në vitin 1927, apo shkrimi “Veriu dhe Jugu” i publicistit Fatos Baxhaku (“Panorama”, 17 korrik 2003) ku ka vërejtur se: “Në kohën e Zogut bashkësia mes të dyjave krahinave, Veriut e Jugut, erdhi dhe më duke u thelluar, falë interesit të përbashkët, në të parin shtet të vërtetë shqiptar. … Një njohës i mirë por tinzar, i historisë dhe i mentalitetit të shqiptarëve, Enver Hoxha, përdori të tjera mjete për të realizuar atë që nuk e kishin bërë paraardhësit e tij: dhunën. Veriu kryesisht katolik dhe antikomunist u mbyt në gjak. Kanuni i Lekës, ligji kryesor i këtyre anëve nuk funksionoi më”. Në këtë thënie të Baxhakut del qartë që diskriminimin e dhunshëm krahinor e futi komunizmi i Enver Hoxhës.
Nolizmi dhe enverizmi vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot si themele ideore të krahinizmit jugor në Shqipëri. Theksimi i nolizmit nga pushtetarët shqiptarë sot (se nuk kanë guxim të shprehen publikisht pro Enverit) nuk bëhet thjesht për intelektualizëm apo për shpirt demokratik. Bëhet pikërisht sepse nga Noli pëlqejnë marrjen përsipër të rolit të përmbysjes së shtetit të ligjshëm me grusht shteti apo kryengritje të armatosur (ngjarje që nuk i munguan Shqipërisë pas viteve ’90), themelin krahinarist të bërjes së politikës në Shqipëri (e theksuar në ekstrem në periudhën e regjimit komunist, por që vijon edhe sot) e veçanërisht papërgjegjshmërinë ndaj vendit e punëve të shtetit në momentin kur merret pushteti (si dy pika uji me sjelljen pushtetore të pas viteve ‘90).
Nuk po zgjatem në akuzën e vjedhjes së floririt shqiptar për banalitetin e kësaj akuze dhe për faktin se çdo shifër ka dalë nga dokumente të institucioneve shqiptare të nënshkruara dhe të ruajtura rregullshmërisht siç veprohej në shtetin e Ahmet Zogut. Edhe më banale ngjan akuza kur e krahason me shtetet shqiptare pas ‘44-tëës dhe sidomos pas ‘90-tës, të ndërtuara në rrumpallhanë institucionale, të zhytura në korrupsion e vjedhje masive, aq sa e katandisën vendin që lufta kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi për të ndëshkuar pushtetarët hajdutë të jenë kryefjalë e medias dhe raporteve botërore.
Përmbledhje e shkurtër vlerësuese për të zënë vend në kujtesë
Ahmet Zogu u shqua qysh në moshë të njomë për cilësitë e tij të mëdha si ushtarak, si prijës popullor, si politikan dhe u bë shpejt një burrë shteti i vërtetë. Ai i bëri popullit, shtetit e kombit shërbime të shkëlqyera si komandant ushtarak, si ministër i Brendshëm, si kryeministër, si president dhe, pastaj, si mbret. Nën drejtimin e tij dhe në saje të vendosmërisë, zgjuarsisë e maturisë së tij, u përmbush misioni më i rëndësishëm historik mbas shpalljes së pavarësisë kombëtare: ndërtimi i një shteti shqiptar të organizuar e të aftë për t’u pranuar nga bota. Me drejtimin e Ahmet Zogut u krye një detyrë parësore, historike, në një periudhë të shkurtër e shumë të vështirë midis dy luftërave botërore. Askush tjetër nuk u tregua i vullnetshëm, i aftë dhe i përkushtuar për t’i vënë shpatullat përmbushjes së kësaj detyre, sikurse e bëri politikani i ri Ahmet Zogu. Ai, me mjeshtëri, diti dhe arriti t’u siguronte shqiptarëve maksimumin e të mirave dhe të dobive që sjell një jetë e rregullt dhe e stabilizuar shtetërore në periudha të ngarkuara me shumë vështirësi e rreziqe, siç ishin ato në atë kohë në Shqipëri, Ballkan dhe Europë.
Më tej mund të themi pa hezitim se në përpjekjet për konsolidimin e shtetit shqiptar në baza moderne ai ka kontribut si shtetar në legjislacionin e përparuar që adoptoi, në fillimin e ndërtimit të qyteteve me arkitekturë të këndshme dhe urbanistikë efikase, kontributin në ngritjen e albanalogjisë, edukimin e nacionalizmit, forcimin e cilësisë së sistemit arsimor dhe kombëtarizimin e shkollave shqiptare, të ushtrisë e xhandarmërisë, përpjekjet për të përhapur dije, kulturë dhe shëndetësi, vendosjen e rendit e qetësisë dhe shtrirjen e autoritetit shtetëror në territorin e vendit, mbështetjen dhe luftën politike për kurorëzimin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, strategjinë e menduar (por të pazbatuar për shkak të mosbashkëpunimit të bejlerëve shqiptarë) për ruajtjen e integritetit territorial në zonat që sot pretendohen minoritare, ngritjen e plejadës së artistëve, shkrimtarëve, inxhinierëve etj. dhe në tërësi emancipimin e shoqërisë. Sigurisht që nuk ka qenë një regjim pa të meta, por Zogu arriti që në vorbullën e kompleksitetit të ngjarjeve dhe vështirësive të bëjë më të mirën maksimale për vendin dhe shtetin. Pas tij asnjë drejtues shqiptar, në mënyrë më absolute, nuk ka pasur rezultat të tillë historik dhe kombëtar. Përkundrazi, trajektorja e vlerës së drejtuesve të shtetit shqiptar ka ardhur progresivisht në rënie, megjithëse kanë drejtuar në periudha më të qeta dhe shumë më të favorshme për ta individualisht, por edhe për Shqipërinë.
Duhen mbajtur mend fjalët e një historiani që ka thënë se Ahmet Zogu atje ku kishte vetëm anarki vuri rregull, atje ku kishte vetëm milet bëri shtet. Ahmet Zogu në fakt do të duhej të ishte shembulli që duhej të ndiqnin pushtetarët shqiptarë të mëvonshëm, sidomos ata të ditëve të sotme kur trashëgojmë shoqëri pa shtet, shtet pa pushtet dhe pushtet pa seriozitet. Veçanërisht do t’i nevojitej Shqipërisë një figurë si Ahmet Zogu në ditët e sotme kur praktikisht Shqipëria ka të instaluar një regjim absurd, Shqipëria po përjeton një situatë anarkie e shpartallimi të vendosur me dhunën e partisë politike në pushtet. Por, për fatin e keq, në një vend me përmasat dhe aftësitë e Shqipërisë do të duhet shumë kohë të riformohet një potencial i tillë politik e drejtues si Ahmet Zogu.
Ahmet Zogun janë munduar ta denigrojnë kundërshtarët e tij politikë të pasuksesshëm, të cilët për vete përfunduan në shumicën e rasteve në shërbim të të huajve, të komunizmit ose të fashizmit, shovinizmit grek apo serb. Ahmet Zogun, për gjysmëshekulli, e ka sulmuar me qëllime denigruese propaganda dhe pseudoshkenca politiko-historike e regjimit komunist të Enver Hoxhës, por edhe pushtetarët e kohës së demokracisë. Por, ai ka qenë dhe do të mbetet i nderuar nga shqiptarët atdhetarë e nacionalistë, nga ata që i njohin shërbimet e tij ndaj atdheut e kombit dhe që e respektojnë historinë e vërtetë.
Ahmet Zogu do të shënojë gjithnjë pikë kulmore të ndritur në historinë shqiptare. Ai do të jetë gjithnjë shembull shërbimi ndaj kombit dhe shtetit. Veprat e tij janë model veprimi për ata që duan të punojnë për një shtet shqiptar të fortë, demokratik e juridik dhe për Shqipërinë Etnike. Porosia dhe amaneti i tij “Atdheu mbi të gjitha” sot tingëllon më aktuale së kurrë.