Fjalë e mbajtur në akademinë solemne-përkujtimore për 25-vjetorin e UÇK-së në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI
Bota është plot koincidenca, që ne synojmë t’i lexojmë. Ato herë i kuptojmë dhe mrekullohemi prej tyre, e herë nuk i kuptojmë, por vetëm i përjetojmë. Kështu ne vazhdojmë ta besojmë dhe interpretojmë si shkencore rastësinë kur një shtytje aksidentale bëri që materia inorganike filloi të evoluojë në materie organike. Madje, edhe kur besimtarët kësaj rastësie i japin interpretime të ndërhyrjes së botës metafizike në botën fizike dhe shkenca vazhdon të këmbëngulë në shpjegimin e saj “rastësor”, megjithatë ne mrekullohemi se pas asaj “rastësie” ka lindur gjithë kjo botë e gjallë me kaq larmi dhe kaq e bukur. Kjo magjepsje e jona, bile, tashmë sillet shpërfillshëm ndaj rastësisë që e ka prodhuar atë.
Një koincidencë të tillë e synon ta lexojë dhe interpretojë edhe kumtesa e shtruar më poshtë.
Prolog
Para shumë viteve, madje para se të ndodhte epopeja e madhe në Prekaz të Epërm, e kisha lexuar një ese nga filozofi gjerman me origjinë hebraike, Erih From, që tash – më shumë se 25 vjet më vonë – më erdhi në mendje për ta zbuluar një nga këto koincidenca të bukura, nga të cilat mrekullohemi edhe nëse nuk i kuptojmë se si dhe pse ndodhin ato.
Fromi është një filozof gjerman me origjinë hebraike i shkollës së Frankfurtit, i cili për nga përcaktimi ideologjik ishte një psikanalist dhe, njëherazi, një i majtë, por që meqë vinte nga një familje rabinësh hebraikë, do t’u referohej shpesh në veprën e tij teksteve religjioze të Hebraizmit, për të ndërtuar teza interesante në shpjegimet e fenomeneve shoqërore e psikologjike. Pavarësisht qëndrimit që mund të kemi ndaj bindjeve të tij ideologjike e religjioze, arsyeja që sot po i referohemi atij është një ese që është përfshirë në librin “Për padëgjueshmërinë dhe ese të tjera” (librin e kam pasur në maqedonisht – „За непослушноста и други есеи“), të cilin e kam lexuar në maqedonisht dhe, madje, nuk di a është përkthyer në gjuhën shqipe. Edhe pse te shqiptarët Fromi ka qenë i njohur më shumë me librin “Ikje nga liria”, që në përkthimin e ri të Tiranës ka ardhur me titull edhe më të mirë – “Arratisje nga liria”, libri për të cilin po flasim ka pasur edhe ese të tjera, por kjo ese, me të cilën e fillon librin, është shtylla jo vetëm e librit në fjalë, por ajo paraqet një ide që flet përbotshëm për historinë tonë si njerëz, e të cilën ne e kemi përkthyer edhe në historinë tonë më të re kombëtare.
“Për padëgjueshmërinë”
Eseja e Fromit fillon me tezën se a është padëgjueshmëria ves dhe dëgjueshmëria virtyt, për të shpjeguar se, në të vërtetë, “historia njerëzore ka filluar me aktin e padëgjueshmërisë dhe nuk është për t’u habitur nëse do të përfundojë me aktin e dëgjueshmërisë”[1]. Për ta shpjeguar këtë, ai i referohet legjendës biblike të Adamit dhe Evës, të cilët ishin krijuar dhe jetonin në parajsë. Ky shpjegim është, pak a shumë, edhe në Kuran. Dhe, duke jetuar në një botë edenike, Adami e Eva (në versionin islamik Ademi dhe Hava), ishin dy qenie që për Fromin “ishin njerëz, por njëherazi ende nuk ishin njerëz”[2]. Shpjegimi i tij është se Adami e kalonte jetën krejt në korniza të një lumturie që ai nuk e njihte e as nuk e përjetonte, sepse ai nuk njihte botë tjetër. Mirëpo, qëndrimi i tij në atë vend e kishte një peng për ata të dy – Perëndia u kishte thënë se “ju mund të hani çfarë të doni, pos një peme të kopshtit”. Kështu përshkruhet edhe në librin e Zanafillës të Dhiatës së Vjetër, por edhe në kaptinën “Bekare” të Kuranit. Dhe, këtu do të ndodhë historia.
Adami, sipas shpjegimeve biblike e kuranore, i cytur prej djallit, i cili i thoshte se ajo pemë do të bëjë ty të përjetshëm, vendosi ta thyejë urdhrin e Zotit dhe, bashkë me bashkëshorten e tij, e hëngri atë pemë. Kështu, vetëm pasi Ademi e bëri këtë shkelje, ai u bë njeri. Fromi do të thotë se “’mëkati i parë’ nuk e shkatërroi njeriun, por e çliroi; ky ishte fillimi i historisë”[3]. Nëse nuk do të ndodhte ky mëkat, Adami do të vazhdonte të jetonte në atë botë dhe nuk do të kishte fare histori. Ndonëse në egzegjeza të ndryshme, emrat “pemë” dhe “mëkat” kanë shpjegimet e tyre simbolike, pa dashur të bëjmë më shumë hermeneutikë, sepse edhe ashtu nuk është synimi i këtij shkrimi në ato interpretime, do të themi se njeriu u bë njeri vetëm pasi që e bëri mëkatin e parë. Ndërkaq mëkati i parë ishte pikërisht padëgjueshmëria. Kjo do të thotë se krejt jeta jonë si qenie e gjallë i detyrohet padëgjueshmërisë se Ademit ndaj Zotit. Duke “mëkatuar”, nëse mund ta quajmë ashtu veprimin e Adamit, ai praktikisht e fitoi lirinë për të vendosur se çfarë dëshiron ai. Pra, padëgjueshmëria e lindi njeriun e lirë ose vetë lirinë.
Një veprim të tillë e gjejmë edhe në mitologjinë greke, ku Prometheu e vodhi zjarrin nga bota hyjnore dhe ua dha njerëzve, për çka u ndëshkua. E kur duhej ta merrte dënimin, ai do të thoshte: “Më i lumtur jam të gozhdohem në këtë shkëmb sesa të bëhem skllav i nënshtruar”. Te grekët lashtë e kemi edhe tragjedinë e Sofokliut, “Antigona”, ku motra e varros vëllain e saj në kundërshtim me vendimin e Mbretit, duke e vendosur etikën familjare mbi ligjet shtetërore, një veprim që asaj i kushton jetë.
Padëgjueshmëria, kur është e shtyrë nga vlera të larta etike, është përsëritja e veprimi të Babait të Njerëzimit, i cili vetëm duke shprehur padëgjueshmëri u bë i lirë.
Koincidenca e bukur e kësaj hyrjeje është se nëse historia e jonë si njerëz koincidon me padëgjueshmërinë e njeriut të parë, Ademit, edhe historia jonë më e re si komb koincidon me padëgjueshmërinë e ademëve tanë. Ashtu si Ademi i parë, që më shumë se emër i përveçëm i njeriut të parë në botë, ishte emër i përgjithshëm i njeriut të dashuruar për lirinë, edhe emrat e ademëve tanë më shumë se emra të përveçëm të personave Adem Demaçi e Adem Jashari, janë emrat të përgjithshëm dhe sinonime të njeriut të lirë shqiptar, që flijohet për liri.
Demaçi – Ademi i parë Lirisë
Adem Demaçi është i lindur më 1936 dhe ka vdekur më 2018. Qysh si i ri e kishte ndjerë në shpirt presionin dhe dhunën serbe mbi shqiptarët dhe kjo e kishte ndezur tek ai zjarrin e lirisë, me të cilin do të jetojë gjithë jetën. Për shkak të veprimtarisë së tij kundër sistemit shtypës të ish Jugosllavisë, ai do të burgoset tri herë, duke qëndruar në burg 28 vjet të plota. Për nga numri i viteve të kaluara në burg, ai njësohet me Nelson Mandelën e Afrikës së Jugut, ndërsa dallimi i vetëm është se Mandela ka qëndruar në burg të pandërprerë, ndërsa Demaçi ka pasur ndërprerje. Sidoqoftë, Adem Demaçi, që nga viti 1958 kur dënohet për herë të parë e deri më 1990, deri kur del nga burgu i fundit, ka qenë frymëzimi më i lartë intelektual dhe moral i rezistencës shqiptare ndaj regjimit të Beogradit.
Kur e lexon biografinë e Adem Demaçit, të mrekullon qëndrueshmëria e tij. Ai është i gatshëm të vdesë për idealin e tij. “Kur vendosa ta formoja organizatën ilegale, u përshëndeta nga të gjithë sentimentalizmat. U përgatita të ndahesha edhe nga nana, gruaja, fëmijët. Kështu, as arrestimi e as vetë burgu nuk më janë dukë si diçka e rëndë, sepse kur njëherë vendos se nuk je më, atëherë, të gjitha gjërat që mund të të ndodhin i pranon në mënyrë krejt të qetë. Natyrisht, ishte vështirë me e marrë një vendim të tillë.”[4], do të shkruante vite më vonë ai. Në këtë deklarim shprehet qartë se për Adem Demaçin vdekja nuk ishte kurrfarë lajmi i rëndësishëm dhe ai e perceptonte atë pa asnjë fije frike. Në gjuhën e teksteve mistike kjo quhet “vdekje para vdekjes”. Për këtë arsye ai edhe torturën në burgjet jugosllave e shihte si ngjizje të lirisë. Prandaj do të thoshte: “Ky dënim ishte i mirëseardhur për mua, duke e pasë parasysh faktin se kam qenë i përcjellë në mënyrë aq rigoroze, sa as me ikë nuk mundesha. Mirëpo, isha aq i mençëm sa as nuk tentoja fare me ikë. Isha i bindur se dënimi im do t’i nxiste të tjerët për kryengritje. Kështu edhe ndodhi. Pikërisht siç e kisha dëshiruar. Me arrestimin tim, pushteti jugosllav më shumë ka humbë sesa ka fituar.”[5]
Adem Demaçi mendonte se duke qëndruar në burg, duke i përjetuar vuajtjet fizike, kjo për shkak të prirjes së tij për liri dhe padëgjueshmërisë së tij ndaj pushtetit serb, vetëm e shumëzonte prirjen e shqiptarëve për liri. Një Adem vuante në burg, që ashtu të prodhonte shumë ademë në liri. Zaten, nëse njeriu nuk është gati që çdo ditë të vdesë për idealin në të cilin beson, ai ose nuk ka ideal ose nuk beson në atë. Adem Demaçi e kishte idealin e lirisë së shqiptarit dhe besonte aq fuqishëm në të, sa ishte i gatshëm të vdesë çdo çast për të. E kur njeriu arrin në këtë shkallë, gjuha e tij flet fjalë që për të janë më të rëndomta, ndërsa për historinë lexohen si profetike. “Prej këtu ku jam po ju them edhe një herë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Sërbi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Sërbia ka për t’u bërë shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq.”[6], do të deklaronte Adem Demaçi para trupit gjykues në burgun e tij të parë më 1958. Atëbotë, trupi gjykues mund të ketë qeshur me një djalosh 22-vjeçar që po flet “gjepura”, por sot, 65 vjet më vonë, deklarimi i tij është realizuar – Jugosllavia është shpartalluar, ndërsa Kosova është bërë shtet i pavarur. Unë jam i bindur se as vetë ai nuk ka qenë i vetëdijshëm se po thotë një fjali që ne sot e quajmë profetike, por besojmë thellë se kur shpirti çlirohet nga frika dhe dhimbja e vdekjes, ai flet fjali që nuk mund t’i thotë një njeri ordiner.
Adem Demaçi është Ademi i parë i rezistencës intelektuale shqiptare, i cili ishte i bindur se “Për lirinë asnjë çmim nuk është i lartë, sepse liria nuk ka çmim.”[7] Vetëm dikush që jetonte me këto bindje e përmasa ishte bërë i pathyeshëm dhe i pamposhtur. Madje, edhe gjatë ditëve të bombardimeve, kur ai ecte nëpër Prishtinë dhe policia e ndalonte, ai shkruan se nuk ndjente fare frikë dhe se madje dëshironte ta vrisnin, sepse besonte se vrasja e tij i tij i ndihmonte lirisë së kombit të tij: “Doja që të më vrisnin, i bindur se po të më vrisnin, atëherë, do të kuptohej edhe më mirë natyra gjakatare e regjimit jugosllav.”[8]
Ademi Demaçi, gjatë gjithë viteve të ish Jugosllavisë, duke i shkaktuar dhimbje trupit të tij, do ta ushqente pandalshëm padëgjueshmërinë ndaj pushtetit represiv serbo-jugosllav dhe, nga ana tjetër, do të ishte frymëzimi i shumë brezave se vdekja reale nuk është dhënia e shpirtit dhe varrimi i trupit, por dorëzimi i njeriut para presionit dhe heqja dorë nga ideali. Ishte kjo arsyeja që breza të tërë shqiptarësh ta kenë pasur atë model dhe matricë të angazhimit të tyre, ashtu që sa më shumë që Serbia e burgoste dhe e torturonte, kjo aq më shumë e rriste dashurinë dhe bindjen e atdhetarëve shqiptarë se liria ishte afër. Prandaj ata nuk e kishin më problem që të binin në burg. Burgu, në fakt, ishte bërë rruga nëpër të cilën kalonte liria. Sipas një shënimi të Selatin Novosellës, vetëm në periudhën e viteve 1981-1990, pra vetëm për 9 vjet, shqiptarët e Kosovës, në emër të këtij ideali, kanë vuajtur 250 shekuj burg[9]. Natyrisht, simboli i shqiptarit të burgosur dhe liridashësit absolut, artikuluesit të padëgjueshmërisë ademike dhe simbolit të rezistencës intelektuale, do të ishte Adem Demaçi.
Prof. Ukshin Hoti, po ashtu një shqiptar i burgosur që nuk u kthye nga burgu, do të deklaronte për të: “Figura e tij e rëndomtë në mënyrë gati të padiskutueshme kaloi në legjendë; u tret në shpirtin e gjallë të popullit dhe u mishërua me ëndrrën e tij shekullore; Demaçi dhe populli u bënë një. Nuk ishte më tutje vetëm një bir i denjë i popullit, por gati vetë populli.”[10]
Adem Jashari i padëgjueshmërisë militare
Duke qenë të frymëzuar me sakrificën gati 30-vjeçare nëpër burgjet serbe të Adem Demaçit, në Kosovë ky frymëzim kishte ushqyer edhe trajtat e rezistencës militare. Pasi që pushteti serb e suprimoi autonominë më 1989, shqiptarët dolën nga sistemi shtetëror, ndërsa presioni u rrit në përmasa të paimagjinueshme, sakrifica e Adem Jasharit u përkthye në gatishmëri për luftë të armatosur.
Në vitet e ’80-ta në fshatin Prekaz të Skenderajt jetonte në mirëqenie të mirë ekonomike familja e madhe e Shaban Jasharit. Por, të pakënaqur me gjendjen e skllavërisë, djemtë e Shabanit, Ademi dhe Hamza, që nga viti 1991 kishin vendosur të bëjnë aksione të armatosura kundër pushtuesit serb. E kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë publikisht (28 nëntor 1997) dhe ishte deklaruar për luftë kundër Serbisë, makineria ushtarake-policore e ish Jugosllavisë, e përvetësuar tashmë nga Serbia, do të instalohej në Kosovë për ta realizuar misionin e saj vrastar, që do të kulminojë me qindra masakra, me më shumë se 12 mijë civilë të vrarë, diku 20 mijë gra të dhunuara, disa mijëra fëmijë të vrarë, e deri në pastrimin etnik të rreth 1 milion shqiptarëve që do të dëbohen nga Kosova në Shqipëri, respektivisht në Maqedoni. Në vlugun e kësaj lufte, Adem Jashari – qëmoti në ilegalitet – vazhdonte të organizojë aksione ushtarake kundër forcave policore, ushtarake e paralamilitare serbe që e torturonin popullatën civile. Për këtë arsye pushteti serb e kishte dënuar atë me burg 20-vjeçar në mungesë.
Por, janë disa çaste të historisë së re shqiptare deri te martirizimi i plotë i familjes Jashari. Së pari është sulmi i parë kundër tyre më 30 dhjetor 1991, kur ndaj kësaj familjeje u ushtrua një sulm me të gjitha mjetet e luftës, e që e mori përgjigjen e armatosur nga Adem Jashari dhe shokët e tij, ndërsa përfundoi me plagosjen e ushtarëve të Komandantit Legjendar. Sulmi i dytë është më 22 janar 1998. Pas përgjigjes së fuqishme të Adem Jasharit, forcat serbe u tërhoqën, duke lënë të plagosura dy vajza të familjes. Tashmë ishte e qartë se Serbia kishte vendosur që ushtarakisht t’i qërojë hesapet me rezistencën që e kishte organizuar ndër vite Adem Jashari. Ndërkohë, më 28 shkurt e 1 mars 1998 ndodhë masakra në fshatrat Qirez e Likoshan të Drenicës, duke vrarë 24 shqiptarë, kryesisht civilë. Dhe, skena ishte e qartë. Pritej dita kur do të sulmohej edhe Prekazi i Adem Jasharit. Është raportuar në media se gjatë atyre ditëve dikush ka shkuar dhe i ka kërkuar Adem Jasharit që të tërhiqet, sepse Serbia do ta sulmonte me gjithë arsenalin e saj luftarak dhe se ishte e pamundur të shpëtohet nga ai sulm. Këtu vjen përgjigjja legjendare e Komandantit Legjendar: “Çfarë na duhet jeta pa liri?”. Ndonëse për ata që e kanë dëgjuar, kjo mund të ishte një përgjigje e rëndomtë e një luftëtari, por ditët e 5, 6 dhe 7 marsit kanë dëshmuar se ai e kishte me gjithë mend dhe se ai kishte ardhur në fund. Siç thotë Arbër Xhaferi: “Vetëm njeriu i lirë (nga vetja) mund të shkojë deri në fund, vetëm ata që shkojnë deri në fund hapin shtigje të reja për realizim të idealeve për barazi dhe jetë dinjitoze. Këtë gatishmëri për të shkuar deri në fund, në planin ideologjik, e përuroi z. Demaçi, ndërkaq në plane të tjera e vazhduan theomahët e tjerë me në krye Adem Jasharin: dy Adema, dy të parët e historisë moderne shqiptare.”[11]
Ditët e 5, 6 dhe 7 marsit e gjejnë Adem Jasharin në shtëpi me gjithë familjen e tij, me babën e tij, Shaban Jasharin, me vëllain Hamzën, si dhe me gratë e fëmijët, njësoj si në çdo ditë të rëndomtë të jetës së tyre familjare. Ai po sillej sikur nuk ndodhte asgjë, duke u folur me këtë veprim familjarëve të tij se “ne jemi në shtëpinë tonë, në pragun tonë dhe të gatshëm të vdesim deri në anëtarin e fundit për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, sepse çfarë kuptimi ka jeta nëse ikim nga shtëpia jonë?!”. Besarta Jashari – si e vetmja e mbijetuar e kësaj storjeje – rrëfen se derisa ai përgatitej që ta presë sulmin e fundit, “vazhdimisht këndonte”, duke i inkurajuar familjarët se asgjë nuk ishte vdekja kur të gjithë e dinin se po ashtu po shkriheshin në altarin e lirisë. Është pak a shumë si ngjarja e filmit “Samuraji i fundit”, kur samuraji e di se cili është fundi i tij, por ai ecë drejt atij fundi me krenari dhe mburrje, duke e bërë betejën deri në frymën e fundit. Përveçse një mrekulli e veçantë në kuptimin militar dhe moral, më shumë se kaq magjepsëse është qëndrimi që kanë familjarët e tjerë. Ata po e shihnin se vdekja u kishte ardhur në prag, por askush nuk kërkonte të gjejë rrugë për të ikur e për të shpëtuar, porse të gjithë – përfshirë edhe fëmijët – qëndruan aty. Gjatë këtyre viteve, shumëkush e ka shtruar çështjen se pse Adem Jashari i la edhe fëmijët të flijohen kur ata as nuk mund ta ndihmonin në luftë. Mesazhi është shumë sublim dhe i përtejshëm – nëse nuk janë të lirë, as fëmijët nuk duhet të jetojnë. Nuk ka kuptim e vlerë ekzistenca pa liri. Për Adem Jasharin, liria ishte më e rëndësishme se familja, se bashkëshortja dhe fëmijët. Ne e dimë se ai nuk ishte filozof që kështu t’ia shpjegojë familjes së tij, por jeta dhe qëndrimi i tij i kishte bindur të gjithë në kullën e tij në këtë ideal të lartë.
Adem Jashari e kishte kuptuar se, pavarësisht sa e fuqishme ishte Serbia (Armata e Jugosllavisë llogaritej si e gjashta në nivel të Europës), ajo nuk ishte më e fuqishme se prirja e tij për liri. Ndonëse gjasat që ai ta mundte Serbinë në kuptimin luftarak ishin të barabarta me zero, kjo nuk ishte arsye që ai të dorëzohej. Edhe Adem Jashari, njësoj si Adem Demaçi, besonte se padëgjueshmëria deri në fund ndaj atij pushteti aq të fuqishëm, ishte mënyra e vetme se si të replikohej e shumëzohej rezistenca e shqiptarëve të Kosovës kundrejt Serbisë.
Kështu, kur më 7 mars 1998, pra 25 vjet më parë, në kullën e Jasharajve në Prekaz ishin radhitur 58 dëshmorët e atyre tre ditëve të betejës, prej të cilëve ishin 18 gra dhe 10 fëmijë të moshës nën 16-vjeçare, ata – më shumë se kufoma të martirëve – ishin lule të lirisë. Dita e 8 marsit 1998 në Prekaz ishte si skena e filmit “Samuraji i fundit”, kur fituesi e sheh se e ka fituar betejën, por e ka humbur luftën. Duke rënë në altarin e lirisë, bashkë me krejt familjen e tij, duke dhënë porosinë se “krejt çka pata e flijova për liri”, Ademi i familjes Jashari u bë emri i përgjithshëm i secilit shqiptar në botë që do të frymëzohej me këtë pasion të lirisë. Pas kësaj asnjë shqiptar nuk mbeti më indiferent. Ademi i Jasharajve e vrau frikën e shqiptarëve nga vdekja. Atë frymëzim që ai e kishte marrë nga Ademi i parë i rezistencës intelektuale, Ademi i Jasharajve e reprizoi si në shirit filmik përmes flijimit.
Për njerëzit që fenomenet i kundrojnë me qasje racionale, shtrohet pyetja se çfarë përjeton njeriu që i dorëzohet vdekjes në emër të një ideali? Kur njeriu vdes, pse duhet t’i bëhet vonë se çfarë do të flitet pas tij dhe a do ta shpallin martir? Është intriguese se cili është perceptimi i botës nga njerëzit e profilit të Adem Jasharit. Në të vërtetë, ata janë njerëz që para së gjithash e kanë vrarë frikën nga vdekja. Së dyti, ata janë njerëz që kur u duhet të zgjedhin mes jetës nën robëri dhe lirisë në amshueshmëri, ata e zgjedhin të dytën. Pasioni i tyre për liri shkon përtej kufijve fizikë. Për ta bëhet e padurueshme bota fizike dhe prandaj ata janë të gatshëm ta paguajnë çmimin e purgatorit që i shpie matanë në botën metafizike. Ndërkaq se si e arrin këtë ta bëjë dikush në mënyrë kolektive, me gjithë familjen e tij, kjo është mrekulli në vete.
Sidoqoftë, 40 vitet e mbjelljes së rezistencës së Ademit të parë do të jenë të mjaftueshme për ta lindur Ademin e dytë, i cili – për dallim nga i pari, që përmes burgut, e krijoi flakën prometheane të lirisë – i dyti, duke u shuar në fushëbetejë – i bindi shqiptarët e shekullit të ri se ka pasur të drejtë Ademi i parë kur thoshte se “Liria nuk ka çmim”. Adem Jashari është ana tjetër e rezistencës së Adem Demaçit, ndërsa të dy ata janë bij të Ademit të parë të historisë, që jetën e qenies sonë e garantoi duke ia dhuruar padëgjueshmërisë për liri.
Përfundim – Ademët si paradigma të lirisë
“Një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrnjiherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta.[12]”, shkruan prof. Ukshin Hoti në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare”.
Është e vërtetë se asnjë popull nuk e do luftën, por asnjë popull nuk çlirohet nëse nuk lufton. Shqiptarët në ish Jugosllavi, duke qenë populli i tretë për nga numri, ndërsa i fundit për nga të drejtat, ishin të detyruar të luftojnë për lirinë e tyre. Përveç kësaj, ishte shtytja e represionit serb detyrimi që nuk u linte shteg tjetër. Ky ishte shtrati që e lindi Adem Demaçin dhe Adem Jasharin.
Nga gjithë kjo që e thamë më sipër mund të konkludojmë se ne shqiptarët si komb e kemi dhënë provimin tonë historik. Duke i ndjekur gjurmët e Ademit të parë në histori, ne kemi dëshmuar se jemi ademë, që kur u desh të përdëftohet prirja jonë për liri, ne ishim të gatshëm ta bëjmë atë. Fromi thotë se pikërisht aftësia për dyshim, kritikë dhe padëgjueshmëri është gjëja e vetme që qëndron mes së ardhmes së njerëzimit dhe fundit të civilizimit. Përkthyer në kontekst të kumtesës sonë, mund të themi se një popull që i ka këto virtyte, ka të ardhme.
Ademët tanë, njësoj si Ademi i Parë ose si Prometheu, e kryen detyrën e tyre. Ata e sollën lirinë dhe na e falën zjarrin e lirisë. Tash mbetet në dorën tonë që mos të arratisemi nga liria, përsëri sipas Fromit, por këtë liri ta ruajmë e ta kthejmë në mirëqenie.
E kur i kthehemi Fromit dhe esenë e tij e lexojmë nën objektivin e ademëve tanë, do të thoshim se mësimi që e kanë marrë ademët tanë nga Ademi i parë është se për t’u bërë njeri, por jo vetëm njeri, por njeri i lirë, duhet të jesh Adem.
Krejt në fund do të themi se nëse intenca e njerëzimit është që të bëhen ademë, sipas Adamit të parë, intenca shqiptare është e dyfishtë – ne jemi ademë për shkak të Ademit të parë dhe ne jemi ademë për shkak të dy ademëve mbi të cilët është ndërtuar historia jonë më e re si komb dhe të cilët janë kandilat që ndriçojnë në rrugën tonë drejt lirisë. Adem Demaçi dhe Adem Jashari nuk janë vetëm emrat e përveçëm të personave që e kishin këtë emër. Madje, mund nuk janë as vetëm emrat e përgjithshëm të atyre që flijuan gjithçka për popullin e tyre. Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë emri i paradigmës së lirisë shqiptare.
[1] Ерих Фром, За непослушноста и други есеи, „Комунист“, Скопје, 1989, 7-13 стр. E marrë nga vegëza: https://www.marxists.org/makedonski/from/1963/neposlusnost.htm (01.03.2023)
[2] Po aty.
[3] Po aty.
[4] Shkëlzen Gashi, Adem Demaçi – biografi e paautorizuar, “Rrokullia”, Prishtinë, 2010, fq. 49
[5] Po aty, fq. 69
[6] Po aty, fq. 27
[7] Po aty, fq. 168
[8] Po aty, fq. 178
[9] Selatin Novosella, Demaçi – Procesi i Prishtinës, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Prishtinë, 2012, fq. 15.
[10] Selatin Novosella, Demaçi – Metaforë lirie, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Prishtinë, 2012, fq. 52.
[11] S. Novosella, Demaçi – Metaforë lirie…., fq. 46-47.
[12] Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, “Zenit”, Tiranë, 2019, fq. 326