loader image
March 11, 2025

Adem Demaçi nën thjerrëzën e ish-shërbimit sekret jugosllav

Adem Demaçi është figura më autentike dhe më identifikuese e të gjitha lëvizjeve kombëtare shqiptare me primesa antijugosllave që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ai ishte ideologu i rezistencës shqiptare që e sakrifikoi gjysmën e jetës nëpër burgjet jugosllave, duke e jetësuar dhe himnizuar idenë dhe të drejtën e padiskutueshme të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Adem Demaçi ka hyrë në analet e historisë së kombit shqiptar si simbol i lirisë, demokracisë, qëndresës dhe vetëflijimit. Por, figura e tij shëmbëllen përtej kufijve etnikë të shqiptarëve, duke e renditur atë si një nga emrat më të mëdhenj të qytetërimit europian dhe botëror, për shkak të sakrificës së tij sublime për fjalën dhe mendimin e lirë, që iu mohua nga regjimi komunist jugosllav.

Adem Demaçi është figura më autentike dhe më identifikuese e të gjitha lëvizjeve kombëtare shqiptare me primesa antijugosllave që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia. Ai ishte ideologu i rezistencës shqiptare që e sakrifikoi gjysmën e jetës nëpër burgjet jugosllave, duke e jetësuar dhe himnizuar idenë dhe të drejtën e padiskutueshme të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar.

Figura e Demaçit deri më tani është trajtuar në forma të ndryshme nga gazetarë, letrarë, historianë e veprimtarë të ndryshëm. Për të është shkruar edhe në mjaft vepra, sado që, për njohurinë tonë, ende nuk kemi një monografi të plotë shkencore që do ta ndriçonte veprimtarinë e tij shumëdimensionale, që nga roli i shkrimtarit, ideologut, qëndresëtarit, e deri te ai i zëdhënësit të luftës së armatosur për liri.

Duke pasur parasysh faktin se ai i kaloi afër tre dekada nëpër burgjet e rënda jugosllave, pa dyshim që veprimtaria e tij është ndjekur hap pas hapi nga ana e ish-sigurimit shtetëror jugosllav. Gjatë kësaj periudhe janë përgatitur me qindra e mijëra informata e raporte me shkrim, duke e bërë dosjen e tij nga më voluminozet në operativën e Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë me seli në Beograd. Në këtë tekst do të ndalemi vetëm te një pjesë e dokumenteve analitike që kanë të bëjnë me figurën e Demaçit, parë në dioptrinë e ish-shërbimit sekret jugosllav.

Demaçi në dokumentet analitike ish-jugosllave

Gjatë vitit 2023, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup i botoi dy vëllime me dokumente analitike të Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë të viteve 1980-1988, të hulumtuara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb. Vëllimet me titull “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”, përgatitur për botim nga Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai dhe Besnik Rameti, nxorën në pah figura, ngjarje dhe rrethana jo fort të njohura për opinionin publik. Shumica e atyre dokumenteve e dosjeve politike, si edhe disa që po i prezantojmë në këtë punim për revistën “Shenja”, atëherë dhe deri vonë, kanë qenë ‘top sekret shtetëror’, me të cilat janë shërbyer vetëm organet e sigurimit famëkeq jugosllav. Me publikimin e tyre ofrohet mundësia që opinioni shkencor dhe ai publik, në përgjithësi, të njihet me politikat shtetërore jugosllave kundrejt shqiptarëve, me planet e tyre për thyerjen e rezistencës kombëtare shqiptare, përmes goditjeve direkte ndaj udhëheqësve të lëvizjes antijugosllave, e cila identifikohej me emrin e madh të kombit tonë – Adem Demaçi.

Që në hyrje të analizës (Rishikimi analitik, nr. 53, Sekretariati Federativ i Punëve Të Brendshme, Beograd, 1988), vihet re se, sipas tyre: “Veprimtaria nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar në territorin e Kosovës dhe më gjerë, është zhvilluar në vazhdimësi që nga çlirimi i vendit. Karakteristika kryesore e saj është veprimtaria e thellë ilegale, subversive dhe aktiviteti i organizuar me idenë kryesore përhapjen e nacionalizmit dhe shovinizmit, duke theksuar në vazhdimësi në mënyrë të hapur apo të fshehtë, nevojën për të luftuar për bashkimin e të gjitha trevave të banuara me shqiptarë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë nënë”.

Më tej, bëhet e ditur se “në periudhën e përgjithshme të pasluftës janë zbuluar më shumë se 200 organizata dhe grupe ilegale që kanë vepruar nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar me platforma politike dhe përcaktime programore, pak a shumë të modifikuara, të përshtatura kushteve dhe kohës”.

Në veprimtarinë atdhetare, një vend të rëndësishëm ka pasur paraqitja e organizatës ilegale “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, të cilën në vitin 1963 e ka formuar Adem Demaçi. Kjo organizatë është zbuluar në vitin 1964. Ajo i kishte rreth 300 anëtarë dhe vepronte praktikisht në të gjithë territorin e Kosovës. Anëtarët e saj, pas vuajtjes së dënimeve, lidheshin përsëri me personat e pazbuluar dhe me bashkëmendimtarë të tjerë, kështu që organizata e vazhdoi veprimtarinë e saj praktikisht deri në çlirimin e vendit nga Serbia.

Veprimtaria e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” të Demaçit dhe e organizatave tjera ilegale, me nxitje dhe mbështetje edhe nga Shqipëria, e përgatitën terrenin për demonstratat popullore të vitit 1968, kur për herë të parë filloi artikulimi i hapur i kërkesës për Kosovën Republikë.

Në vazhdim po japin pjesë të shkëputura të dokumentit analitik që ka të bëjë përkitazi me Adem Demaçin, rolin e tij në ato procese, si dhe zbulimin e strukturave ilegale.

Pjesë nga dokumentet analitike jugosllave:

“Organizatorët kryesorë të veprimtarisë së përgjithshme armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar: ADEM DEMAÇI, KADRI OSMANI, REXHEP MALAJ, AGIM SYLEJMANI, XHABIR MORINA dhe një sërë nacionalistësh të tjerë të dënuar, pas daljes nga burgjet përsëri i organizuan grupet dhe organizatat ilegale, për çka janë dënuar sërish….

ADEM DEMAÇI dhe KADRI OSMANI përfaqësojnë organizatorët e veprimtarisë së përgjithshme armiqësore të nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë në Kosovë. Në periudhën para vitit 1964, ADEM DEMAÇI ka mbledhur një numër të madh të bashkëmendimtarëve dhe ka formuar organizatën armiqësore “Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve”. Organizata ka pasur programin dhe statutin e saj, kurse anëtarët e saj punuan në masovizimin e mëtejshëm me anëtarësime në të gjithë zonën e KSA të Kosovës. Vetëm disa muaj pas arrestimit të organizatorit dhe të një sërë aktivistëve të organizatës së sipërpërmendur, që u krye në qershor dhe korrik 1964, u zbuluan pothuajse grupe dhe organizata të reja ilegale, si dhe anëtarë të pazbuluar të kësaj “lëvizjeje” gati se në të gjithë territorin e KS të Kosovës. Vetëm gjatë vitit 1965 janë zbuluar 11 grupe dhe organizata në të cilat u identifikuan mbi 120 anëtarë aktivë.

ADEM DEMAÇI gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burg në SHNK të Pozharevcit ka pasur aktivitete armiqësore. Ka mbajtur kontakte dhe ka orientuar veprimtarinë dhe sjelljen e një numri të caktuar të organizatorëve të dënuar për demonstratat e vitit 1968, si dhe anëtarëve të organizatës së tij nga viti 1964. Me daljen e tyre në liri, Demaçi ka insistuar që ata të lidheshin me organizatorët e demonstratave që janë në liri dhe të vazhdonin punën e tyre për të mos e humbur kontinuitetin.

Ai ka kërkuar që personat e ekspozuar në veprimtari armiqësore të angazhohen në jetën shoqëroro- politike për të fituar besimin e shoqërisë me qëllim për të depërtuar në Lidhjen Komuniste dhe në forume të ndryshme, për të qenë në rrjedhën e ngjarjeve shoqërore dhe të mund të ndjekin qëndrimet, vendimet, konkluzionet dhe masat që ndërmerr PKJ-ja dhe forcat e organet shoqëroro-politike, veçanërisht në kundërshtimin e veprimtarisë armiqësore të nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë në Krahinë.

Pas lirimit nga vuajtja e dënimit (1974) deri në heqjen e sërishme të lirisë, DEMAÇI ka qenë vazhdimisht në lëvizje me qëllim të organizimit dhe rekrutimit të njerëzve për veprimtari armiqësore. Ai ka vizituar të gjitha viset e KSA të Kosovës dhe disa vende në RS të Maqedonisë, gjë që ka rezultuar në krijimin e një numri më të madh të bashkëmendimtarëve dhe mbështetësve të platformës së përfaqësuar nga DEMAÇI…

Organizata “Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”, e themeluar në vitin 1974 dhe e realizuar në vitin 1975, paraqet ripërtëritjen e organizatës ilegale të vitit 1964 “Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve”. Organizatorët kryesorë të LNÇKVSHJ kanë qenë personat që janë zbuluar në organizatën armiqësore të ADEM DEMAÇIT, siç janë: SABRI NOVOSELLA, SHEFQET JASHARI, JUSUF GËRVALA e të tjerë. Udhëheqës ideologjik i LNÇKVSHJ-së ishte JUSUF GËRVALA.

Shërbimi, duke ndjekur veprimtarinë armiqësore të JUSUF GËRVALLËS dhe pasuesve të tij, veçanërisht pas demonstratave kundërrevolucionare të vitit 1981, ka marrë vesh se LNÇKVSHJ-ja ende është aktive në Kosovë. Janë zbuluar dy “Komitete Lokale” (Deçan dhe Gllogoc) dhe disa lidhje individuale të JUSUF GËRVALLËS në vende të ndryshme të KSA Kosovës.

Iniciator për formimin e “Komitetit Lokal” në Deçan ishte ISMAIL HARADINAJ, mësues në Gllogjan, Komuna e Deçanit… Në vitin 1981, Haradinaj u dënua me 14 vjet burg.

Lidhjet më të rëndësishme të Adem Demaçit:

“Kah fundi i vitit 1958, është ndërprerë veprimtaria e organizatës nacionaliste, të cilën në vitin 1975 në Gjilan e ka formuar METUSH KRASNIQI. Si organizator i kësaj organizate, Krasniqi është dënuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan me 18 vjet burgim të rëndë. Gjykata Supreme Federale këtë dënim e ka ndryshuar në 8 vjet. Si një separatist i papërmirësueshëm, Metush Krasniqi ka vazhduar me veprimtarinë e tij armiqësore, si gjatë kohës së vuajtjes të dënimit, ashtu edhe pas daljes në liri. Ai ka qenë një nga organizatorët dhe nxitësit e demonstratave në Prishtinë të vitit 1968. Ka qenë gjithmonë në lëvizje nëpër KSA të Kosovë dhe në kontakt me të dënuar dhe persona të tjerë të ekspozuar, të cilët i ka inkurajuar në organizimin e veprimtarisë së mëtejme armiqësore. Ai ka vepruar si mbështetës i aneksimit me forcë të Kosovës ndaj RSP të Shqipërisë. Metush Krasniqi ka vdekur në vitin 1986.

Me grupin e ADEM DEMAÇIT ishte i lidhur edhe RAMADAN HAZIRI, i cili u arrestua dhe u lirua për mungesë të provave. Më vonë, ai shumë herë e ka kontaktuar Adem Demaçin. Është arrestuar, por nuk është dënuar. Haziri i përkiste rrethit të ngushtë të udhëheqjes së organizatës “Marksistë-Leninistët e Kosovës”, e themeluar në fillim të vitit 1986. Ai është dënuar me 11 vite burg.

RAMADAN SHALA, i lindur më 15.01.1935 në Pejë. Pas ADEM DEMAÇIT, njëri nga anëtarët më aktivë të “udhëheqësisë qendrore” të organizatës “Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve”. Shala e ka themeluar grupin armiqësor në Pejë. Pas zbulimit të organizatës së DEMAÇIT, RAMADAN SHALA është dënuar me 12 vjet burg, por dënimi iu zvogëlua në 7 vjet. Hetimi ndaj anëtarëve të MLK-së, 1985/86, në veçanti ka treguar rolin e rëndësishëm që ka pasur ish i dënuari politik R. Shala, i cili ka qëndruar në prapavijë në ilegalitet të thellë. Ai ka qenë udhëheqësi ideologjik dhe frymëzuesi i zhvillimit të ilegales dhe ka pasur ndikim të rëndësishëm tek një numër i veçantë i bashkëmendimtarëve, veçanërisht tek Milaim Zeka.

SHEFQET JASHARI, i lindur më 1944 në fshatin Strofcë, Komuna e Vushtrrisë. Ishte përkthyes në Kombinatin e “Obiliqit”, i dënuar në vitin 1964 si anëtar i “Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve”. Në vitin 1980 përsëri është gjykuar si udhëheqës i një grupi ilegal në Prishtinë, që vepronte në kuadër të organizatës “Lëvizja për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”. Tani gjendet në vuajtjen e dënimit me burg…

JUSUF GËRVALLA, ka qenë simpatizant i “Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve” e formuar nga ADEM DEMAÇI. Gjithashtu ka qenë edhe anëtar i “Komitetit qendror” të “Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”. Në vitin 1970 ka emigruar ilegalisht në RF të Gjermanisë, ku shumë shpejt u shfaq si “ideolog” i organizatës “Fronti i Kuq Popullor” dhe si redaktor i buletinit të organizatës, gazetës “Zëri i Kosovës”. Së bashku me vëllain e tij, Bardhin dhe KADRI ZEKËN, gazetari dhe organizatori i veprimtarive armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar në Zvicër, Gërvalla u vra në një përballje në mes emigrantëve më 17 janar 1982.

SABRI NOVOSELA, i lindur më 1943 në Vushtrri, me profesion rrobaqepës. Në vitin 1964 u zbulua si anëtar i organizatës së ADEM DEMAÇIT: “Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve”. Dy herë i dënuar. Gjatë vuajtjes së dënimit të tij në Goli Otok, ka vepruar armiqësisht. Ka punuar për të afruar sa më shumë ithtarë, bashkëmendimtarë për platformën e shkëputjes së Kosovës nga RSFJ dhe aneksimit të saj Shqipërisë. Pas daljes nga burgu, një kohë u fsheh në ilegalitet. Ka bashkëpunuar me Jusuf Gërvallën dhe Xhafer Shatrin. Si një nga organizatorët dhe anëtar i KQ të “Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar të Kosovës”, në vitin 1979, Novosela u dënua me 6 vjet burg. Në të njëjtin vit 1979, ai ka arritur të arratiset në Turqi – Ada Pazar. Atje, në krye të degës së LNÇKVSHJ-së, u bë një nga iniciatorët e veprimtarisë së përgjithshme armiqësore të organizimit të përgjithshëm në Europën Perëndimore. Në korrik të vitit 1984, NOVOSELLA u largua nga Turqia dhe nëpërmjet Austrisë dhe Zvicrës u zhvendos në RF të Gjermanisë, ku menjëherë në mënyrë aktive u përfshi në aktivitetet e anëtarëve të organizatës LPRK. Në vitin 1984, NOVOSELA u largua nga RF e Gjermanisë për të udhëtuar në Suedi…

Si përfundim

Është një listë e gjatë e personave që janë evidentuar si bashkëpunëtorë të Adem Demaçit, përkatësisht pjesë e lidhjeve të tij ideologjike. Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë kishte vënë në veprim një rrjet të madh të informatorëve, të cilët me ose pa para (pra vullnetarisht) i jepnin shokët e tyre, të cilët binin në burg njëri pas tjetrit.

Një e dhënë tjetër me interes në dokumentin e lartcekur analitik thotë se: “Prej vitit 1981 deri në fund të vitit 1986, janë dënuar 1.257 nacionalistë shqiptarë. Mbi 600 nga këta persona janë kthyer nga vuajtja e dënimit dhe shumica e tyre kanë ngelur në pozicionet armiqësore”.

Pra, kemi të bëjmë me një numër jashtëzakonisht të madh të shqiptarëve të cilët kaluan prapa grilave të aparatit pushtues jugosllav. Në kondita të tilla, lirisht mund të thuhet se gati gjysma e familjeve shqiptare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi kanë qenë pjesë e përpjekjeve politike dhe rezistencës aktive për ndryshimin e gjendjes diskriminuese të shqiptarëve. Të gjitha ato përpjekje masovike qëndresëtare identifikoheshin me figurën emblematike kombëtare të Adem Demaçit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X