Revistat pasqyrojnë trashëgiminë intelektuale të një shoqërie. Numri i tyre, jetëgjatësia dhe larmia e autorëve, tregojnë lidhjen që një popull ka me mendimin, debatin dhe reflektimin publik. Kur një revistë arrin të mbijetojë për shumë vite dhe ta ruajë vazhdimësinë e saj, ky është një tregues se ajo ka arritur të krijojë një hapësirë të qëndrueshme për ide, analiza dhe diskutim.
Flora HAJDARMATAJ, Prishtinë
Në historinë e mendimit shqiptar, roli i revistave ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me përpjekjet për formimin kulturor dhe intelektual të shoqërisë. Një nga figurat që e ka kuptuar më herët këtë rol ishte Branko Merxhani. Duke reflektuar mbi rëndësinë e revistave në jetën kulturore shqiptare, ai shkruante se qëllimi i revistës “Përpjekja Shqiptare” ishte “një përgatitje e thellë me durim dhe me sistem”. Sipas tij, puna që duhej bërë për shoqërinë shqiptare ishte para së gjithash një punë studimi dhe formimi mendor. Kjo ishte një përpjekje që nuk mund të realizohej pa një kulturë të gjallë revistash.
Merxhani theksonte se vetëm përmes revistave mund të ndërtohej një sistem i mendimit kritik dhe i formimit intelektual. Sipas tij, shoqërisë shqiptare i duheshin revista që të synonin një adaptim mendor dhe një mendim pozitiv-radikal, revista që të ishin njëkohësisht krijuese dhe sintetizuese. Ai mendonte se sistemi arsimor i kohës nuk ishte i mjaftueshëm për të prodhuar një transformim të thellë intelektual, sepse përpjekja për të luftuar vetëm analfabetizmin nuk e zgjidhte problemin themelor të shoqërisë shqiptare; përkundrazi, në disa raste, e komplikonte edhe më tej atë.
Në këtë traditë të gjatë të kulturës së revistave shqiptare mund të shihet edhe rrugëtimi i revistës “Shenja”, e cila në këto pesëmbëdhjetë vite ka synuar të krijojë një hapësirë reflektimi për çështje kulturore, shoqërore dhe politike që prekin botën shqiptare. Në një kohë kur diskursi publik shpesh fragmentohet dhe banalizohet, revista të tilla përpiqen ta vazhdojnë atë mision, që intelektualë si Merxhani e shihnin si thelbësor: ndërtimin e një kulture të mendimit kritik dhe të debatit të argumentuar.
Shkrimtari i njohur turk Xhemil Meriç ka thënë se “revistat duan të jenë kështjella të mendimit të lirë”. Megjithatë, këtë shprehje mund ta gjejmë sot disi të mangët. Të jesh një kështjellë e mendimit do të thotë ta mbrosh atë me mure të forta dhe të mos lejosh ndërhyrje nga jashtë. Në shekullin XX kjo ndoshta ishte një ndjeshmëri e rëndësishme. Por, sot gjërat kanë ndryshuar. Revistat nuk janë më vetëm kështjella të mendimit të lirë; ato janë bërë edhe qendra ku takohen mendime të ndryshme. Me dobësimin e lidhjes mes lexuesit dhe autorit dhe me përhapjen e hegjemonisë digjitale në pothuajse çdo fushë të jetës, ndjeshmëritë klasike të gazetarisë së revistave kanë filluar të ndryshojnë.
Revistat pasqyrojnë trashëgiminë intelektuale të një shoqërie. Numri i tyre, jetëgjatësia dhe larmia e autorëve tregojnë lidhjen që një popull ka me mendimin, debatin dhe reflektimin publik. Kur një revistë arrin të mbijetojë për shumë vite dhe ta ruajë vazhdimësinë e saj, ky është një tregues se ajo ka arritur të krijojë një hapësirë të qëndrueshme për ide, analiza dhe diskutim. Prandaj ato në thelb, janë si organizma të gjallë: kanë periudhat e tyre të vështira, por edhe momentet kur arrijnë të krijojnë ndikim në jetën intelektuale të një shoqërie. Në këto pesëmbëdhjetë vite, “Shenja” është përpjekur të jetë më shumë se një platformë informuese. Ajo ka synuar të jetë një hapësirë reflektimi për çështje kulturore, shoqërore dhe politike që prekin botën shqiptare. Nëpërmjet dosjeve tematike, analizave dhe debateve të saj, revista ka kontribuar në zhvillimin e një diskursi kritik dhe në thellimin e debatit publik.
Në këtë rrugëtim, “Shenja” ka synuar të mbajë një vijë mendimore që e trajton realitetin shqiptar me seriozitet dhe përgjegjësi. Në një kohë kur diskursi publik shpesh fragmentohet dhe banalizohet, revista është përpjekur ta ruajë një hapësirë ku argumenti dhe analiza të mbeten në qendër të diskutimit. Arritja e numrit të 180-të nuk është vetëm një moment simbolik, por edhe një mundësi për vetëreflektim dhe vlerësim.



