Lirisht mund të themi se një nga kontributet themelore të revistës “Shenja” është guximi intelektual i redaksisë për të trajtuar tema pa tabu, të palëvruara për shkak të pengesave ideologjike, konjukutrave politike, orientimeve gjeostrategjike, autoriteteve shkencore e kuazishkencore, demitizimi i figurave dhe ngjarjeve historike, shenjtërive profane e religjioze etj.
Shkruan: Nexhmedin ADEMI, Preshevë
Gazetaria e shkruar në epokën e digjitalizimit të botimeve online pothuajse është zbehur dukshëm. Në të kaluarën ajo u nënshtrohej redaksive të profesionalizuara, të cilat i vlerësonin me rigorozitet standardet e kërkuara të shkrimit analitik dhe akademik. Shkrimi ishte përvojë e lëvruar me finesa të rezonimit të thellë të dalura nga elitat e intelektualëve. Këto elita dalloheshin me kulturë të thellë të leximit, përsiatje për interpretimin e fakteve dhe aftësi për zhvillimin e mendimit kritik, i cili dallonte e faktin nga opinioni, argumentin nga emocioni me aftësi për të shpjeguar dukuritë shoqërore në mënyrë të pavarur dhe racionale. Sot kemi kaluar nga leximi përmbajtësor, kërkimor e analitik drejt skanimit të thjeshtë, sa për lexim dhe informacion ditor. Kjo nuk do të thotë se do të zhduket gazetaria e shkruar, por ajo rrezikon të tkurret seriozisht, të mbetet periferike si gazetari elitare, analitike e arkivore ose edhe si produkt simbolik e kulturor.
Revista kombëtare “Shenja”, e cila botohet në Shkup, e ka arritur numrin 180-të të botimit. Natyrisht, është një jubile që meriton respekt dhe vlerësim të madh. Përkundër gjithë kësaj, kjo revistë arriti të mbijetojë në një ambient ku fatin e gazetarisë së shkruar po e vendosnin zhvillime të tjera si pasojë e asaj që gazetaria e shkruar është vendosur nën presion të asaj që quhet “kultura e ekranizimit”, e cila po e dikton edhe mënyrën e të menduarit, etikës, komunikimit etj. Jodomosdoshmërisht për nga cilësia, por për nga sasia është bërë shumë më tërheqës komunikimi përmes ekranit sesa përmes shkrimit. Kur sasia prevalon mbi cilësinë, humbet thellësia e kuptimit, manipulohet vëmendja, normalizohet mediokriteti, dobësohet mendimi kritik etj. Pikërisht një nga kontributet e kësaj reviste dhe stafit të saj të respektuar është kontributi i saj në botën e mendimit për të ruajtur dhe kultivuar vlerat që e ruajnë standardin e komunikimit medial me opinionin publik.
Shoqëria shqiptare ende po e vuan ideologjizimin e mendimit shkencor, si pasojë e periudhës komuniste, e cila synonte ta krijonte “e njeriun e ri socialist”, ku bindja shpërblehej, ndërsa morali dëshmohej me lojalitet ideologjik. Madje, ky proces synonte të shndërrohej në inxhinieri shoqërore që dallohej me dhunë simbolike dhe institucionale ndaj çdo trajte të mendimit ndryshe nga qëndrimi zyrtar i institucioneve dhe shtetit. Nëse marrim thënien e Bufonit se “Stili është vetë njeriu”, atëherë revistës “Shenja” do t’i takonte piketimi se është një stil në vetvete, meqë sjell një mënyrë krejt të veçantë të trajtimit të temave, tematikës e diskurseve, të patrajtuara më parë, qoftë në revistat lokale ose ato akademike. Stili i kësaj reviste është mënyrë e saktë e konceptimit të përfaqësimit të gjuhës, që ruan norma të larta të kodifikimit e përfaqësimit. Lirisht mund të themi se një nga kontributet themelore të revistës “Shenja” është guximi intelektual i redaksisë për të trajtuar tema pa tabu, të palëvruara për shkak të pengesave ideologjike, konjukutrave politike, orientimeve gjeostrategjike, autoriteteve shkencore e kuazishkencore, demitizimi i figurave dhe ngjarjeve historike, shenjtërive profane e religjioze etj. “Shenja” ka ndriçuar figura të glorifikuara e të anatemuara nga historiografia zyrtare, të shpallura heronj të afërta me ideologjinë zyrtare nga perspektiva e djeshme, ndërsa nga perspektiva një të vërtete të paideologjizuar, të njëjtit sot interpretohen ndryshe. Kjo nuk është bërë për shkak të dëshirës për rehabilitim, por më shumë për shkak të dashurisë ndaj të vërtetës shkencore, e cila ndihmon në ndriçimin e të kaluarës për ta ndërtuar të ardhmen bazuar në kritikë të shëndosh dhe qasje shkencore të paideologjizuar.
Si një studiues modest i hulumtimeve mbi identitetin religjioz, mund të them se revista kombëtare “Shenja” meriton respekt për trajtimin me kompetencë që ka analizuar marrëdhënien e religjionit me shoqërinë, mënyrën e ndërtimit të diskursit religjioz në shoqërinë shqiptare, ndarjen e hapësirës publike religjioze në raport me laiken dhe sekularen, rrezikun e nga stigmatizimi i komunitetit mysliman shqiptar si pasojë e islamofobisë, e cila e nxit logjikën e diferencimit dhe përjashtimit të tjetrit, që – bazuar në teorinë e Edward Said–it mbi orientalizmin – do të quhej “orientalizëm i brendshëm”.
Nëse i bëjmë një analizë të thjesht qasjes së përmendur më lart, do të vërejmë se tekstet që në këtë revistë e kanë trajtuar raportin e komuniteteve religjioze në raport me shtetin dhe shoqërinë shqiptare, me përgjegjësi morale dhe nacionale i kanë kontribuar kohezionit dhe unitetit kombëtar: Pikërisht kur po tentohej që debati mbi identitetin religjioz islam ndër shqiptarët të vendosej në pozicion konfliktualiteti me identitetin nacional shqiptar; Tendenca që ky identitet të trajtohet i padobishëm si orientim kulturor dhe gjostrategjik në planin integrues europian sipas logjikës eurocentrike; Interpretime që e kanë shpjeguar përkatësinë fetare islame të shqiptarit si prurje e gabuar “aksidentale” historike; Vlerësime gjeneralizuese mbi origjinën e dhunës dhe ekstremizmit islamik gjoja të lindura në shtratin ideologjik të islamit; paraqitja e projekteve antikombëtare të lëvizjeve që bëjnë thirrje për konvertime masive.
Ja disa qasje përgjithësuese që revista “Shenja” ka kontribuar me anë të aktivitetit shkencor e medial të saj në dekonstruktimin e gjuhës dhe qëndrimeve fragmentarizuese në opinionin publik, që rrezikojnë unitetin social dhe projektet kombëtare që promovojnë integrimin brenda kombëtar. Shteti i Kosovës dhe Shqipërisë nominalisht janë laike, por si shoqëri uniformalisht nuk janë të tilla. Shoqëria laike dhe sekulare nuk është apriori shoqëri ateiste, por shoqëri që i rregullon marrëdhënien ndërmjet religjionit dhe shtetit. Në kohën kur shqiptarët nuk kishin të drejtë të përdorimit të simboleve kombëtare, gjuhës, realizimit të të drejtave politike, hapësirës publike të xhamive, identitetin fetar islam e përdornin për legjitimim të identitetit kombëtar. Është analizuar trajtimi i hapësirës mediatike të komuniteteve religjioze në diskursin publik shqiptar. Në momente të caktuara ajo është bërë zëri i ndërgjegjes humane, duke denoncuar gjenocidin e fashizmit cionist ndaj popullit të Gazës në Palestinë. Një nga gjërat me rëndësi që është trajtuar me shumë pozitivitet pa dyshim është analiza e përdorimit të religjionit për nevoja shpirtërore si faktor i rëndësishëm në ruajtjen e rendit shoqëror dhe ndërtimit të shtetit, duke i analizuar qasjet e dëmshme për përdorimin e religjionit për legjitimitet të pushtetit ose edhe për orientim gjeokulturor dhe strategjik etj.
Kontributi gazetaresk i revistës “Shenja” mbetet angazhimi me përgjegjësi morale dhe integritet intelektual për të kontribuar në forcimin e unitetit dhe kohezionit brenda kombit shqiptar. Ndërkaq dallimet kulturore, identitetet regjionale, pikëpamjet ideologjike dhe shumësinë fetare ka arritur t’i kthejë në energji pozitive, me qëllim të hapjes së perspektivave konkurruese krahas kombeve dhe shoqërive të zhvilluara.
Deri tani “Shenja” ka goditur në shenjë! Respekt për të gjithë ata njerëz që rrugëtimin me “Shenjën” e patën dhe do ta kenë mision për iluminimin e shoqërisë. Uroj që të kemi edhe shumë numra jubilarë në të ardhmen.









