loader image
April 17, 2026

Shenja”, revistë mbarëkombëtare

Fillimisht ishin të paktë ata të cilët besonin në kohëgjatësinë e saj, madje një pjesë e “intelektualëve të vetëshpallur” zhvilluan një fushatë të paparë kundër saj, duke e etiketuar atë si një “pamflet” të një “partie me ideologji të huaj”, e disa të tjerë e quajtën “kanceri i shqiptarëve”. Mirëpo, përkundër këtyre shpifjeve, por edhe vështirësive tjera që u shfaqën kohë pas kohe gjatë rrugëtimit të saj pesëmbëdhjetëvjeçar, revista “Shenja”, falë politikës redaktuese, arriti jo vetëm të qëndrojë në këmbë, por të shndërrohet në një revistë të vetme mbarëkombëtare.

Qerim LITA, Shkup

Në fillim të muajit mars të vitit 2011, miku im Zeqirija Ibrahimi më njoftoi se nga muaji i ardhshëm (prill) në Shkup do të fillojë të botohet revista mujore në gjuhën shqipe “Shenja”, e cila do të trajtojë tema më të ndryshme mbarëkombëtare, kryesisht të karakterit politik, kulturor, historik dhe ekonomik, për çka kërkoi nga unë që ta mbuloj rubrikën e historisë.
Ashtu siç edhe u paralajmërua, më 1 prill 2011 doli nga shtypi numri i parë i revistës në fjalë, në faqet e së cilës u botuan shkrime të autorëve me bindje dhe qëndrime të ndryshme politike nga Shkupi, Prishtina, Tirana, Tetova, Prizreni, Mitrovica, Korça, Shkodra, Kumanova, Gostivari dhe nga qendrat e tjera të hapësirës shqiptare dhe diaspora. Më kujtohet si sot se në këtë numër të parë e botova shkrimin me titull “Organizata Kombëtare Shqiptare ‘Liria’ 1946-1952”, e cila qe themeluar nga mësuesit shqiptarë, të cilëve u printe Sadudin Gjura, menjëherë pas zbulimit dhe burgosjes së krerëve më të lartë të Organizatës “Nacional Demokratike Shqiptare”.
Është me interes të theksohet fakti se, fillimisht ishin të paktë ata të cilët besonin në kohëgjatësinë e saj, madje një pjesë e “intelektualëve të vetëshpallur” zhvilluan një fushatë të paparë kundër saj, duke e etiketuar atë si një “pamflet” të një “partie me ideologji të huaj”, e disa të tjerë e quajtën “kanceri i shqiptarëve”. Mirëpo, përkundër këtyre shpifjeve, por edhe vështirësive tjera që u shfaqën kohë pas kohe gjatë rrugëtimit të saj pesëmbëdhjetëvjeçar, revista “Shenja”, falë politikës redaktuese, arriti jo vetëm të qëndrojë në këmbë, por të shndërrohet në një revistë të vetme mbarëkombëtare. Se kjo është kështu, mjafton të shfletohen faqet e saj nga numri i parë e deri tek i fundit (179), në të cilat janë trajtuar tema dhe ngjarje të shumta me karakter kombëtar, politik, arsimor e kulturor në mbarë hapësirën shqiptare. Veçmas duhet përmendur shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet veta, një projekt i hartuar nga qarqet pushtuese serbomadhe, i mbështetur më vonë edhe nga qarqet komuniste jugosllave-maqedonase, pastaj për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rezistencën heroike treditore të Adem Jasharit dhe familjes se tij kundër forcave pushtuese ushtarako-policore serbe, por edhe temat e veçanta, në të cilat është bërë përpjekje për t’u zbardhur jeta dhe veprimtaria e figurave dhe burrështetasve shqiptarë, duke filluar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për të vazhduar me Ismail Qemalin, Ahmet Zogun, Fan Nolin, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin etj.
Pra, falë kësaj politike të mirëfilltë kombëtare, që e udhëhoqi stafi redaktues gjatë tërë kësaj periudhe pesëmbëdhjetëvjeçare, sot revista “Shenja” u bë aq e dashur dhe e kërkuar nga një numër shumë i madh i shqiptarëve jo vetëm nga hapësirat etnike shqiptare, por edhe në shtetet e Bashkimit Europian, në SHBA, Turqi dhe në vende të tjera ku jeton dhe vepron mërgata shqiptare, në mënyrë të veçantë nga shtresa intelektuale e saj.
Në përmbyllje të paraqitjes sime të shkurtër kushtuar 15-vjetorit të daljes së kësaj reviste mbarëkombëtare, përkatësisht numrit të saj të 180-të, uroj që e njëjta të vazhdojë të trajtojë tema dhe ngjarje, të cilat – përveçse hedhin dritë mbi të kaluarën tonë kombëtare – në të njëjtën kohë çojnë drejt një perspektive dhe ardhmërie më të mirë për gjeneratën e re.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X