loader image
April 17, 2026

“Shenja”, kombëtare në formë dhe përmbajtje

Revista “Shenja” është revistë kombëtare në qëllim dhe në përmbajtje. Autorët që shkruajnë për “Shenjën” përfaqësojnë gjithë trevat shqiptare në Ballkan, gjithë spektrin politik shqiptar – të djathtë, të majtë, të qendrës. Temat e trajtuara në të kanë qenë të larmishme, pa kufizime dhe, përgjithësisht, të lidhura me identitetin kombëtar të shqiptarëve. Sigurisht, nuk ka qenë një revistë etnocentrike, por pluraliste dhe gjithëpërfshirëse.

Çelo HOXHA, Tiranë

Në Shqipëri përdoret rëndom koncepti “kombëtar” për mediet: televizion kombëtar, gazetë kombëtare, etj. Në këtë kontekst ky koncept përdoret me kuptimin që mediet përkatëse kanë shtrirje në gjithë territorin shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
Për rastin e shqiptarëve, të cilët janë shpërndarë në pesë shtete të Ballkanit, përdorimi i konceptit kombëtar në kuptimin e mësipërm nuk është i saktë. Shtetërorja dhe kombëtarja për shqiptarët nuk janë e njëjta gjë.
Që prej 1913, kur u zyrtarizua copëzimi i trojeve shqiptare në Ballkan, asnjë nga gazetat e revistat që është botuar në Shqipëri nuk ka pasur përhapje kombëtare. Shtrirja e tyre ka qenë veç shtetërore.
Në dekadat e fundit ndoshta ky trend ka ndryshuar. Falë teknologjisë, një numër televizionesh të Shqipërisë, Kosovës dhe më pak të Maqedonisë së Veriut, kanë arritur të kenë shtrirje në territorin e të tre shteve, por dhe në Mal të Zi dhe në pjesën e Serbisë, ku jetojnë shqiptarët.
Sigurisht, një shtrirje e tillë e medieve ndihmon në komunkimin e brendshëm kombëtar, pavarësisht se në origjinën e kësaj nisme qëndrojnë ambiciet ekonomike të pronarëve të medieve. Motivi është fitimi, kryesisht privat.
Këto televizione, edhe pse e kanë rritur audiencën, vazhdojnë t’i përcjellin në publik të njëjtat vlera, të cilat janë kryesisht imitime të kulturës materialiste dhe tejet të seksualizuar perëndimore: reklama sendesh konsumi dhe imazhe vajzash gjysmëlakuriqe.
Natyra kombëtare e mediave të tilla është kombëtare veç në aspektin gjeografik; dimensioni kulturor i kombëtares së tyre është tejet i kufizuar.
Për mediet e shkruara – gazeta, revista, etj. – panorama është e zymtë. Gazetat dhe revistat kanë pasur e kanë shtrirje të kufizuar brenda kufijve shtetërorë, ndërsa në përmbajtje ato kanë qenë të kufizuara nga përmbajtja e tyre ideologjike, kryesisht e majtë, e cila në bërthamën e saj të pastër është antikombëtare (internacionaliste/globaliste). Në dekadën e fundit ato janë margjinaliuar për shkak të rrjeteve sociale.
Gazetarët e këtyre medieve shqiptare në përgjithësi janë stenografë të politikës, ndërsa politika shqiptare përfaqëson çdo lloj agjende, përveç asaj kombëtare.
Prej 80 vjetësh, Shqipëria ka pasur veç klika politike, të interesuara për pushtetin e ngushtë të anëtarëve të tyre. Klika të pashpirta, të cilat, për mbijetesë politike, kanë vrarë edhe njëri-tjetrin.
Dallimi mes klikës komuniste dhe asaj post komuniste është veç në instrumentet që përdoren për kontrollin e masave. Në komunizëm, instrumenti dominues i kontrollit të shoqërisë ishte dhuna (burg, ekzekutim, internim), në postkomunizëm është paraja. Dikur, kundërshtarët vriteshin, tani blihen. Dikur, ata që nuk vriteshin burgoseshin ose internoheshin, ndërsa sot ata që nuk shiten, detyrohen të heshtin ose të emigrojnë.
Në këtë panoramë të zymtë për patriotët shqiptarë, 15 vjet më parë u shfaq një projekt i ri botimi, revista që keni në dorë. Unë jam krenar që jam bashkëpunëtor i revistës “Shenja” që nga fillimi, me shumë pak mungesa, të gjitha për arsye objektive.
Revista “Shenja” është revistë kombëtare në qëllim dhe në përmbajtje. Autorët që shkruajnë për “Shenjën” përfaqësojnë gjithë trevat shqiptare në Ballkan, gjithë spektrin politik shqiptar – të djathtë, të majtë, të qendrës. Temat e trajtuara në kanë qenë të larmishme, pa kufizime dhe, përgjithësisht, të lidhura me identitetin kombëtar të shqiptarëve. Sigurisht, nuk ka qenë një revistë etnocentrike, por pluraliste dhe gjithëpërfshirëse.
Referuar historisë së revistave shqiptare, botimi për 15 vjet rresht, një herë në muaj, dymbëdhjetë herë në vit, është një qëndrueshmëri e admirueshme në tregun e brishtë mediatik.
Përveç kontributit në mendimin e sotëm shqiptar, fondi i “Shenjës” në biblioteka do të jetë një burim idesh dhe informacioni në të ardhmen.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X