loader image
April 13, 2026

Rrugët janë bërë duke ecur

Si bashkudhëtar i “Shenjës” qysh prej vitit të parë të botimit të saj, duhet të them se “Shenja” dhe unë i mbushëm 15 vjet. Një përvjetor që në botën njerëzore simbolizon një pikë kalimi drejt përgjegjësive më të mëdha, drejt sfidave të reja, drejt horizonteve të reja. Ndërkohë që “Shenja” rritet dhe ne, bashkudhëtarët e saj mbetemi gjithmonë të rinj, edhe pse po na rrallohen e thinjen flokët, shërbimi ndaj së mirës, ndaj së drejtës dhe përmirësimit të shoqërisë, të vendit dhe kombit që i përkasim mbetet gjithmonë detyrë.  

Nuredin NAZARKO, Korçë  

“Udhëtar”, thotë një proverb spanjoll, “rrugë nuk ka”. “Rrugët janë bërë duke ecur.” (Kissinger, Henry. (1999) Diplomacia. Tiranë: ShBLSh, faqe 835) 

Shenja nisi një rrugëtim që pakkush mund ta besonte se do të shndërrohej në tribunë mbarëkombëtare. Një ide e mbjellë në tokë paksa të ashpër për sa i përket raportit me leximin, e megjithatë fara dha frute. Bima e re u harlis. Rrënjët shkuan thellë në truallin mbarëkombëtar e ndërsa trungu rritet në Shkup, degët shkojnë në Tiranë e Prishtinë.  

“Shenja”, ashtu si çdo organ shtypi, nuk e ka pasur të lehtë rrugën, të shtruar me petale e gjethe dafinash. Kur ka vullnet për të bërë vepra të mira dhe njerëz që e duan të mirën, horizontet çelen dhe kthjellohen. Njerëzit i bashkojnë idetë, por kjo nuk do të thotë që të gjithë do të mendojnë njësoj. Njerëzit ulen me të ngjashmit e tyre, po kjo nuk do të thotë se në tryezë do të ketë vetëm një linjë idesh. “Shenja” u bë shtëpia e përbashkët e të gjithë atyre që me penën e tyre sollën në faqet e saj punë që i shërbejnë së mirës, së drejtës dhe përhapjes së tyre në shoqëri.  

Në rrugëtimin e revistës secili ka lënë gjurmët e veta. Disa me prezencë të shkurtër në numrat e saj, e disa qysh nga themelimi e deri më sot. Vlera e kësaj shtëpie të përbashkët qëndron tek fakti se shkrimet nuk janë diktuar asnjëherë nga drejtuesit e revistës. Lirshmëria është thelbi i krijimtarisë dhe secili ka shkruar atë që ka menduar se qëndron më afër së vërtetës dhe që i shërben më mirë mendimit dhe përçimit të ideve në hapësirën mbarëshqiptare. Kësisoj “Shenja” u bë një mozaik kulture, duke reflektuar ngjyra të ndryshme të të njëjtit realitet.  

Si bashkudhëtar i “Shenjës” qysh prej vitit të parë të botimit të saj, duhet të them se “Shenja” dhe unë i mbushëm 15 vjet. Një përvjetor që në botën njerëzore simbolizon një pikë kalimi drejt përgjegjësive më të mëdha, drejt sfidave të reja, drejt horizonteve të reja. Ndërkohë që “Shenja” rritet dhe ne bashkudhëtarët e saj mbetemi gjithmonë të rinj, edhe pse po na rrallohen e thinjen flokët, shërbimi ndaj së mirës, ndaj së drejtës dhe përmirësimit të shoqërisë, të vendit dhe kombit që i përkasim mbetet gjithmonë detyrë. Është detyrë ndaj së cilës nuk mund të shmangemi edhe pse nuk jetojmë me standardet normale, për të mos thënë mes një morie vështirësish që jo rrallëherë të lodhin dhe sfidojnë të menduarin, përsiatjen.  

“Shenja” dhe bashkudhëtarët e saj i kanë shërbyer kësaj detyre dhe do të vazhdojnë t’i shërbejnë, sepse kjo lidhje është ngërthim që vetëm është rritur dhe burrëruar ndër vite. Këndvështrimet e ndryshme për realitetin ku jetojmë, për ngjarje dhe figura të ndryshme të historisë, politikës, kulturës, artit, fesë, vetëm e kanë pasuruar mozaikun e “Shenjës”, duke dëshmuar frymë tejet pozitive. Ne kemi vuajtur nën diktatin e metodës së realizmit socialist dhe e dimë çdo të thotë të mos shkruash atë që ndjen, atë që zbulon nga hulumtimi, nga diskutimet mbi sfidat dhe problemet që kemi si qenie njerëzore, si shoqëri e si komb dhe, më keq akoma, ta deformosh e ta sjellësh ndryshe realitetin, duke ua përshtatur shijeve të politikës së ditës për interesa meskinë. “Shenja” ka shërbyer si antipod i kësaj fryme dhe do të vazhdojë të shërbejë si e tillë, sepse puna ashtu si niset ashtu dhe bitiset. 

Tek “Shenja” e kemi gjetur gjithmonë konakun e mikpritjes, respektit e nderimit jo për emrin, njohjen dhe miqësinë, por për punën që kemi kryer. Kjo na shton jo vetëm kënaqësinë, por edhe përgjegjësinë. Na shton kënaqësinë, sepse e shohim që një organ shtypi nuk të dikton. Na shton përgjegjësinë, sepse t’i shërbesh të mirës, të drejtës, kombit, është gjithmonë vlerë që nuk mund të anashkalohet e të lihet jashtë vëmendjes ose të konsiderohet e parëndësishme.  

“Shenja” ka shërbyer si tribuna nga ku zëri i editorialeve, analizave, kritikave, opinioneve, eseve, hulumtimeve historike e kulturore ka shkuar në të gjithë hapësirën shqiptare e me mundësitë e sotme të komunikimit edhe përtej saj. Misioni i zërit të “Shenjës” është të mbërrijë në zemrat e sa më shumë shqiptarëve që e duan vendin, kombin, njëritjetrin dhe, mbi të gjitha, njeriun brenda tyre, duke pasqyruar në faqet e saj hallet, shqetësimet, problemet, gëzimet dhe hidhërimet që, përtej dallimeve, mes shqiptarëve mbeten gjithmonë sfida jonë e përbashkët.  

“Shenja” duhet të vazhdojë të lërë shenjë në hapësirën shqiptare. Shërbimi ndaj kombit dhe shqiptarëve, duke analizuar sfidat e përditshmërisë, duke theksuar punën e pastër e pa hile për zhvillimin kulturor së pari dhe më pas atë material, do të duhet të vazhdojnë të jenë binarët mbi të cilët ecë rruga e çelur deri tani. E kaluara, si lëndë kryesore e hulumtimit, dhe e tashmja si sfidë drejt së ardhmes, nuk duhet të jenë vetëm çështje në shqyrtim teorik e akademik. Ato duhet të jenë të lidhura fort me sfidat e jetës reale që njeriu dhe shoqëria shqiptare të mund të gjejnë kandila ndriçues në faqet e “Shenjës”, që në këto kohë zhvillimesh të vrullshme e turbullirash ideore janë më se të nevojshëm për të ecur të sigurt në rrugën e drejtësisë dhe mirësisë.  

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X