loader image
April 12, 2026

Shenja identitare në arealin mbarëshqiptar

Jashtëzakonisht ishin me interes pikëpamjet e një tiranasi, prishtinasi, shkupjani, preshevari, korçari, prizrenasi, tetovari ose kumanovari për një figurë ose temë të caktuar, meqë ndarjet administrative të kombit tonë për mëse një shekull, domosdoshmërisht kanë krijuar edhe koncepte të ndryshme perceptimi edhe për vlerat e përbashkëta kulturore dhe identitare. Kështu, duke shkruar secili nga vendi i vetë i origjinës, ata njëkohësisht plotësonin arealin kombëtar të shqiptarëve dhe mozaikun e përgjithshëm trashëgimor të amzës sonë kulturore. 

Sevdail DEMIRI, Kumanovë  

Në kohën kur shtypi tradicional filloi të shuhej gjithandej, duke u transformuar në platformat e reja digjitale (online), 15 vjet më parë në Shkup nisi botimin një revistë premtuese, e cila la shenja të dukshme në opinionin mbarëkombëtar. “Shenja”, një revistë e begatshme mujore me taban të fortë identitar, duke u botuar në të njëjtën kohë në tri kryeqendrat tona ballkanike –  Shkup, Prishtinë e Tiranë – e bashkoi mendimin politik, ekonomik dhe kulturor në mbarë hapësirën shqiptare.  

Revista “Shenja” u etablua në tregun medial shqiptar jo si një imponim rasti për interesa të ngushta personale të drejtuesve të saj, siç rëndom ndodhi me shumë projekte të tilla eksperimentale, por si një projekt serioz botues, i cili kishte për qëllim të japë një mendim të ri në opinionin publik. Ky mendim nuk kishte të bënte me promovimin e konjukturave të caktuara politike a ekonomike, por me promovimin e koncepteve të pavarura të shqiptarëve në mbarë hapësirën ballkanike. Ky mendim, i papërfaqësuar deri në këtë kohë në një platformë të tillë të vetme, solli një dimension të ri në artikulimin e temave që për shumëkë ishin tejkohe ose jashtë konteksteve të modernitetit, por që, në të vërtetë, ato ishin tema dhe ide për të cilat shqiptarët kishin më së shumti nevojë t’i artikulonin publikisht, pa ekuivoke.  

Serioziteti ishte tipari kryesor i gjithë trajektores së saj punuese me përkushtim të veçantë. Dhe, ky seriozitet nuk kishte të bënte vetëm se me rregullshmërinë e daljes në treg të revistës, me cilësinë e letrës ose të dizajnit, por para së gjithash me seriozitetin e temave të shtjelluara. Këtyre temave iu qasën emra të njohur të publicistikës, kulturës e shkencës shqiptare dhe jo vetëm, duke u dhënë dimensione të reja problemeve aktuale me të cilën ballafaqohej(t) shoqëria jonë. Ata e hapën horizontin e dijes dhe kërkimit të ideve të reja origjinale, kreative dhe alternative për ngjarje, fenomene dhe aktualitete shoqërore, duke nxitur një debat të mirëfilltë intelektual.  

Viteve të fundit, revista mori një karakter të ri përmbajtjesor, duke trajtuar nga një temë të veçantë në çdo edicion të saj mujor, ku dhjetëra autorë të njohur shtjellonin një problematikë të caktuar aktuale. Pra, shumë pikëpamje për një çështje të vetme. Kështu, me shumë interes për opinionin publik ishin temat e trajtuara për figura të mëdha historike ose kulturore, si Skënderbeu, Sami Frashëri, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha ose Adem Jashari. Jashtëzakonisht ishin me interes pikëpamjet e një tiranasi, prishtinasi, shkupjani, preshevari, korçari, prizrenasi, tetovari ose kumanovari për një figurë ose temë të caktuar, meqë ndarjet administrative të kombit tonë për mëse një shekull, domosdoshmërisht kanë krijuar edhe koncepte të ndryshme perceptimi edhe për vlerat e përbashkëta kulturore dhe identitare. Kështu, duke shkruar secili nga vendi i vetë i origjinës, ata njëkohësisht plotësonin arealin kombëtar të shqiptarëve dhe mozaikun e përgjithshëm trashëgimor të amzës sonë kulturore.  

Pra, revista “Shenja” ka pasur kujdes të veçantë, madje dhe prioritar, në trajtimin e temave që lidhen me identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe vlerat e trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Qasja, shpeshherë konservatore, ndaj tipareve dalluese të kombit tonë shekuj me radhë, si dhe afirmiteti ndaj atyre vlerave identitare, pa mëdyshje e bëjnë këtë revistë të dallohet nga të gjitha mediat e tjera shqiptare. Në këtë mënyrë, “Shenja” ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ruajtjen e traditës dhe kujtesës kolektive të shqiptarëve, ashtu siç kanë qenë dhe ashtu siç duhet ruajtur përgjithmonë këto asete të madha të identitetit tonë, mbrujtur në shekuj të tërë të mbijetesës historike. 

Gjatë 15 viteve të kaluara, “Shenja” ka plotësuar një boshllëk të madh të këtij spektri informativ, duke kontribuuar shumë në pasurimin e mendimit intelektual me peshë kombëtare. Prandaj vazhdimi i këtij misioni, në këtë formë ose tjetër, do të ishte i një rëndësie të madhe.  

Për në fund, si njëri nga kontributorët modest në artikulimin e temave dhe ideve të ndryshme në këtë revistë gjatë viteve të kaluara, kam nderin që të shpreh falënderimet dhe urimet më të sinqerta ndaj lexuesve besnikë dhe në veçanti editorëve të saj për suksesin e pamatshëm! Shpresoj dhe uroj që kjo frymë do të lë shenja të dukshme edhe në shumë përvjetorë të tjerë!    

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X