Revista “Shenja” pa asnjë dyshim, me përgjegjësi profesionale, ka sjellë në hapësirën mediale shqiptare koordinatat e një debati përmbajtësor të mendimit shqiptar, duke kultivuar që nga nisja e saj një koncept të hapur editorial, një qasje plurale për një sërë temash që mbeten kruciale për politikën dhe kulturën shqiptare, për letërsinë, filozofinë, për çështjet e identitetit shqiptar në kontekstin historik, në kontekstin e trajektores shqiptare, gjithnjë të trajtuara përmes shkrimeve kreative, që bazohen në dije të verifikuar.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Për një shoqëri që përvijohet me shumë mundime dhe me shumë anomali politike, shoqërore dhe kulturore në rrugëtimin e sikletshëm dhe të stërzgjatur të tranzicionit, hapësira mediale për një mendim më intelektual, për një mendim, që tejkalon refleksionet e aktualitetit të pastër, mbetet jetike.
Globalizimi, gjegjësisht “fshati global”, siç definohet zakonisht bota e internetit, përveç mundësisë së komunikimit, si një vlerë progresi ka shpërfaqur edhe një lloj fragmentarizimi të skajshëm, një lloj ngarendjeje pas përmbajtjeve sipërfaqësore, pas kiç përmbajtjeve mediale, që vijnë si një flluskë kotësie në hapësirën publike, pa etikën më minimale të funksionimit.
Ne tashmë gjatë kohë po e përjetojmë këtë krisje të madhe shoqërore që po shfytyron çdo esencë të mirëqenë, çdo sistem vlerash të bazuar në dije.
Në gjithë këtë kontekst dekompozimesh të shumanshme, shpejtësie informacioni, shfaqjesh nganjëherë morbide të mediokritetit, realiteti, e vërteta, shpesh dëbohet brutalisht nga hapësira e debatit publik, sepse në simulacrën e gjithëpranisë së dukjes, trajtimi me vërtetësi dijeje i realiteteve të thella shoqërore, kuptohet si diçka demode, e padobishme dhe tërësisht e panevojshme.
Pikërisht, brenda këtyre lëvizjeve tektonike shoqërore, në këtë kontekst kohor, në hapësirën mediale shqiptare u shfaq revista “Shenja”, e cila, në kohën kur gazetat tashmë po jepnin shpirt, po vinte përpara lexuesit me një koncept që shkonte përtej banalitetit të përditshëm, përtej nxitimit sipërfaqësor, përtej përmbajtjeve gazetareske bjerrakohëse.
Revista “Shenja” pa asnjë dyshim, me përgjegjësi profesionale, ka sjellë në hapësirën mediale shqiptare koordinatat e një debati përmbajtësor të mendimit shqiptar, duke kultivuar që nga nisja e saj një koncept të hapur editorial, një qasje plurale për një sërë temash që mbeten kruciale për politikën dhe kulturën shqiptare, për letërsinë, filozofinë, për çështjet e identitetit shqiptar në kontekstin historik, në kontekstin e trajektores shqiptare, gjithnjë të trajtuara përmes shkrimeve kreative, që bazohen në dije të verifikuar.
Për më tepër, revista ” Shenja” i ka dhënë debatit publik thellësinë e mendimit, të trajtimit dhe interpretimit, në një kohë kur hapësira mediale shqiptare ka vuajtur nga amatorizmi dhe ngarendja pa fund pas titujve sensacionalë.
Shoqëria, realitetet shoqërore, por edhe ato politike, gjithnjë duhet të problematizohen dhe interpretohen, mundësisht përmes një qasjeje sa më të thellë shoqërore dhe kreative, për të krijuar kështu një vetëdije tjetër mbi realitetet.
Revista “Shenja”, brenda këtyre viteve, ka qenë një vektor mendimi, duke sjellë autorë të shumtë në sheshin e debatit shqiptar dhe duke hapur një horizont tjetër trajtimesh dhe receptimi, aq i domosdoshëm për mbrothësinë e shoqërisë shqiptare në gjithë tanësinë e vet.
Ajo e ka konsoliduar ndër vite një kredo profesionale të hapur, plurale dhe thellësisht progresiste, duke reflektuar kështu mbi qenësinë shqiptare, mbi plagët e panumërta, gjithnjë të trajtuara përmes teorive dhe dijeve moderne, përmes një qasjeje që gjithnjë ka synuar edhe zgjidhjet racionale.
“Shenja” mbetet një revistë thellësisht e veçantë në një kohë krize mendimi, në një kohë të mungesës së jashtëzakonshme të debatit mbi shumë tema qenësore që prekin rrojtjen tonë kolektive. Mbetet thellësisht origjinale në afishimin e këtyre temave dhe në ofrimin e hapësirës për një qasje plurale mendimtare, gjithnjë të mbarështruara në nivel konceptesh, reflektimesh dhe paradigmash të reja.
Nga numri në numër, revista “Shenja” e ka konsoliduar përmbajtjen e vet, duke e mbindërtuar dhe strukturuar një koncept editorial në sinkron me realitetin dhe problematikat shqiptare, në sinkron me horizontin e pritjeve të shoqërisë shqiptare.
Në këtë kontekst, revista “Shenja” tashmë ka një vend të padiskutueshëm në historinë e shtypit shqiptar, në gjithë atë që nënkupton sistem referencial vlerash.
Ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në debatin gjithëshqiptar, ndërkohë që mbetet një përvojë unikate në rrafshin e mendimit shqiptar, me një qasje profesionale, të hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Revista “Shenja” mbetet sinonim i mendimit intelektual në hapësirën shqiptare, sinonim i një protagonizmi shoqëror, politik dhe kulturor, me denjësi të plotë ndër vitet e ekzistencës së saj dhe kohëve që do të vijnë.









