loader image
April 11, 2026

“Shenja” si tribunë e mendimit të lirë dhe pluralist

Shenja nuk merret me buçimat dhe marrëzitë e ditës. Aty botohen analiza për fenomenet shoqërore, që shikohen brenda një konteksti më të gjerë; ndërlidhen çështjet lokale me zhvillimet rajonale e globale; promovohen vlerat nga historia, kultura, arti, letërsia ose tradita dhe, më e rëndësishmja, respektohen standardet profesionale, etika gazetareske dhe i kushtohet rëndësi gjuhës.  

Salajdin SALIHU, Tetovë  

Në kohën kur mungonin institucionet arsimore, kulturore e publike, shtypi luajti rol vendimtar në krijimin e ndërgjegjes kombëtare, ruajtjen e kultivimin e kulturës dhe të gjuhës shqipe, si dhe për informimin e lexuesve mbi ngjarjet e rëndësishme kombëtare, rajonale e ndërkombëtare.  

Nga viti 1848, kur Jeronim de Rada botoi L’Albanese d’Italia, gazetën e parë në shtypin shqiptar, e deri më 1912, kur u shpall pavarësia, u botuan dhjetëra gazeta dhe të përkohshme politike e kulturore, që përhapën idetë e Rilindjes Kombëtare dhe ndikuan në emancipimin kulturor e politik të shqiptarëve. Mund ta veçojmë Albanian e Faik Konicës, një revistë e rëndësishme për zhvillimin e mendimit kritik dhe për afirmimin e kulturës kombëtare.  

Lumo Skendo, që botoi revistat Kalendari Kombiar, Lirija dhe Dituria, shkroi se shtypi duhej të ishte “kopshti i një jete morale, shkolla e së vërtetave politike dhe shoqënore, predikimi për zhvillimin mendor dhe shpirtënor, e një disipline vullnetare e një rregulle të inspiruarë prej amorit dhe dashurisë, duke kupëtuarë drejt dhe vërtet interesin tënë”.  

Sipas tij, shtypi nuk duhej të ishte pasqyra e kafeneve dhe vendi i fjalimeve të zbrazëta, por të drejtohej nga njerëz të zotë, profesionistë dhe me virtyte të larta.  

Revistat kalimtare dhe të domosdoshme  

Edhe gjatë viteve 30-ta të shekullit XX u botuan shumë gazeta e revista, që trajtonin probleme sociokulturore e politike.  

Branko Merxhani, botuesi i Përpjekjes Shqiptare dalloi “revistat që shkojnë” dhe “revistat që na duhen” 

Të parat botonin gjithçka, kurse të dytat mbronin një ide, një kuptim dhe ishin organe të grupimeve (“pareje”), që grumbulloheshin rreth një ideologjie.  

Të parat çorientojnë, kurse të dytat informojnë. Të parat “zbulojnë” gjëra të parëndësishme, kurse të dytat trajtojnë probleme të rëndësishme shoqërore. Të parat merren me njerëz e ngjarje dhe lexohen për ta humbur kohën ose për t’u argëtuar, kurse të dytat merren me ide e fenomene dhe na shtyjnë të mendojmë.  

Sot kudo mbizotërojnë mediat që merren me buçimat e ditës dhe vendosin si prioritete ceremonitë e gëzimit dhe të frustrimit. Ka media që udhëhiqen nga “daktilografistë” të autoriteteve të ndryshme, që shënojnë atë që u thuhet. Këtyre mediave u shkojnë vargjet: “Na fshehin gjithçka dhe nuk na thonë asgjë”, siç këndonte francezi Jacques Dutronc. 

Fatmirësisht, ka edhe media që na duhen. Ato informojnë me paanësi dhe ofrojnë formula si të dalim nga gropa ku gjendemi. Këto revista përgatiten nga njerëz me kulturë, me qëllim dhe me ndjenjë për jetën e përbashkët.  

Një revistë që nuk merret me buçimat e ditës  

Revista Shenja është njëra prej revistave që na duhen. Ajo dallohet për shkrimet cilësore që boton dhe është një tribunë që i kushton rëndësi pluralitetit të mendimeve dhe të botëshikimeve për tema të caktuara. Ky pluralitet është respekt për lexuesin.  

Revistat që na duhen sjellin opinione të ndryshme, sepse lexuesin e konsiderojnë si qenie që di të mendojë e të gjykojë dhe jo si qenie pasive që duhet të udhëhiqet.  

Revistën Shenja duhet ta lexojmë dhe ta ruajmë në bibliotekat tona, sepse aty botohen shkrime që mund t’u rikthehemi herë pas here. 

Shenja nuk merret me buçimat dhe marrëzitë e ditës. Aty botohen analiza për fenomenet shoqërore, që shikohen brenda një konteksti më të gjerë; ndërlidhen çështjet lokale me zhvillimet rajonale e globale; promovohen vlerat nga historia, kultura, arti, letërsia ose tradita dhe, më e rëndësishmja, respektohen standardet profesionale, etika gazetareske dhe i kushtohet rëndësi gjuhës. Këto vlera e bëjnë Shenjën një revistë profesionale dhe të besueshme.  

Jam mirënjohës ndaj drejtuesve të revistës Shenja, sepse më kanë dhënë mundësinë të shpreh opinionet e mia për tema të ndryshme sociokulturore dhe politike.  

Shkrimet e mia janë botuar pa ndërhyrje ose “sugjerime” nga redaksia. Ky respekt dhe trajtim korrekt më ka bërë më të përgjegjshëm për atë që dua të them nëpërmjet faqeve të kësaj reviste. 

I përkas brezit të autorëve që filluan të shkruajnë për media të shtypura, që sot, fatkeqësisht, po shuhen. Të shkruash për gazetë ose revistë është vështirë, sepse gabimet s’mund të përmirësohen menjëherë. Duhet të presësh botimin e numrit të ardhshëm që të kërkosh ndjesë ose për sqarime shtesë. Deri atëherë duhet të kalosh net pa gjumë. 

Me të njëjtën përgjegjësi e disiplinë shkruaj për revistën Shenja, por pa pretendimin se jam i pagabueshëm. Hannah Arendt-i ka thënë: “E vërteta i takon Zotit, kurse njerëzit japin vetëm opinione”. 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X