Dhe, nëse ndjeni se dashuroni me dashuri të vërtetë, ta dini se ajo është dashuria më e vërtetë dhe më e fuqishme në botë! Dhe, mos kërkoni prova, mos kërkoni dëshmi. Nuk do të gjeni as ujë më të ftohtë se 1 gradë C°, as dashuri më të sinqertë, më të lartësuar dhe më të madhe se dashuria juaj! Qetësoni shpirtrat tuaj skeptikë nga dyshimi në gjërat për të cilat nuk ka nevojë për kurrfarë dëshmish, sepse në ato gjëra nuk ka mundësi të dyshohet! Bëhuni absolutisht të sigurt së paku në gjërat më të patjetërsueshme dhe më të rëndësishme, siç janë Zoti, ekzistenca objektive e botës, dashuria juaj dhe uji i kroit më të ftohtë në botë! – Ferid Muhiq – SHENJA.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Koha! si Shenjë Paralajmëruese ndën rranjët e Betimit Hyjnor – me fisnikërinë e përkorë hedhur supesh të përforcuara prej Brishtësisë së Faljes – gjithnjë ka dëftuar vogëlsinë e patjetërsueshme të qenies, sikundër edhe hiç-in brenda egove që degdisen në hapësirën e dhuruar prej Frymës së KryeFillimit.
Koha! si zbulesë, rrëfen përsosmërisht varësinë ontologjike të secilit prej nesh. Pra, ekzistenca jonë e dhuntisun me sekretet burimore që kullojnë në damarë e frymime mbart edhe peshoren e pagabueshme ku rëndojnë rrokjet e Shpirtit mbi Tokë.
Koha! ose Amaneti që u rrokullis n’krahnorin e të parit dhe të mramit – nuk është thjesht një rrjedhë e heshtur çastesh që përpëliten, pa gjurmë. Ajo shfaqet edhe si një Shenjë Vazhdimësie – prej këtu drejt Përhershmërisë, duke e tejkaluar përkohëshmërinë dhe vetminë.
Dëshmitarja e pagabueshme Kohë! doemos, një ditë, ka për t’kallzu për çdo pulitje sysh që mbi qitape qenë tuj kërku… Dëshmon Koha – për andrrimtarët e pandreqshëm, që në pamundësi për ta ndrru gjendjen, u strukën nën hije kandilash, me kalem n’kërkim Fjalesh e Faljesh.
Koha në absolutshmërinë e saj parapërcaktuese tashmë ka skalitur n’fletë të beztë, emnat e kërkonjësve të paepun të urtnisë: Ismaili, Afrimi, Zeqirijai, Taxhudini, Erduani. Dhe shumë të tjerë – që heshturazi u dhanë dritë shkronjave endacake… dhe bashkuan shqiptarët – ata që askush tjetër mbi këtë dhe nuk mundi t’i mbledhë, për be.
SHENJA.
Në Shenjën e dhjetorit të vitit 2015, prof. Abdi Baleta, në shkrimin “Pësimet Nga Diplomacia e Tutelës Dhe Turjelës”, ndër tjerash shkruante ‘Shqiptarët i bëjnë shpesh njëri-tjetrit pyetjen dëshpëruese: nga na vijnë të këqijat? Përgjigjja e rëndomtë është më dëshpëruese sesa pyetja: e keqja e madhe e shqiptarëve janë vetë shqiptarët (!). Disa mendojnë se e keqja u vjen më shumë nga fati i mbrapshtë, pasi kombi shqiptar nuk ka pasur një vëlla gjaku e gjuhe ose një mik të sinqertë, por gjithmonë është rrethuar nga dashakeqë dhe është sulmuar nga armiq të fortë. Më pranë të vërtetës qëndron gjykimi se shqiptarët i kanë fajet vetë dhe të huajt fajet e tyre për pësimet e dhimbshme të shqiptarëve, sidomos gjatë 150 viteve të fundit.”
Aniqë njeriu rëndom priret ta shfajësojë veten përballë dështimeve kronike apo sistematike, ai, herët a vonë, përballet me një të vërtetë të panegociueshme: mosfunksionaliteti i familjes, i shoqërisë, i institucioneve dhe i aparatit shtetëror në tërësi është, mbi të gjitha, pasojë e dështimit individual dhe kolektiv, për të tejkaluar ngushticat gjarpëruese të paditurisë, pangopësisë, egoizmit dhe individualizmit… si dhe, faturë e shpërfilljes flagrante dhe tëhuajësimit të njerëzores.
Në këtë prizëm, përgjegjësia nuk mund të trajtohet si një nocion abstrakt apo si një kategori thjesht retorike, ngase ajo duhet të marrë trajtën e një vetëdijeje të brendshme dhe të një praktike të qëndrueshme shoqërore. Refuzimi për ta përbrendësuar këtë përgjegjësi prodhon një rreth të mbyllur justifikimesh dhe viktimizimesh, në të cilin faktorët e jashtëm përdoren si alibi për të maskuar mangësitë e brendshme, si në planin strukturor ashtu edhe në atë etik. Një qasje e tillë jo vetëm që pengon reflektimin kritik, por edhe e dobëson aftësinë e shoqërisë për vetëkorrigjim dhe përparim.
SHENJA – ç’kusur ka në këtë lebeti, me shumë mundësi shekullore, mes shqiptarësh?
SHENJA, prej një dekade e gjysmë thuajse në mënyrë të qëndrueshme (nëse jo krejtësisht të pandërprerë), ka kontribuar në zhvendosjen e gurëve që kanë vështirësuar kapërcimin e kësaj gjendjeje ndër shqiptarët e të gjitha trojeve. Duke nxitur një transformim të thellë kulturor dhe politik, që nis me rivlerësimin e rolit të individit si bartës i përgjegjësive private dhe publike, SHENJA ka synuar dhe ka frymëzuar ndërtimin e një botëkuptimi intelektual funksional, brenda të cilit normat dhe vlerat nuk mbeten vetëm në nivel deklarativ, por operacionalizohen si parime udhëheqëse të veprimit kolektiv.
E qendërzuar ndërmjet Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës, SHENJA rikthente në vëmendje vlerën sipërore të mendimit kritik dhe të urtësisë, si dhe rëndësinë e kërkimit dhe vrojtimit sistematik. Në këtë drejtim, ajo artikulonte qartë se ndryshimet sociale, politike, ekonomike, diplomatike dhe kulturore ndër shqiptarët, për sa kohë trajtohen në mënyrë sipërfaqësore, janë të destinuara të riprodhojnë modele dështimi, tranzicione pa tranzit dhe cikle zhgënjimi.
Gjithashtu, është e domosdoshme të theksohet se SHENJA ka përfaqësuar zërin e atyre që nuk janë dëgjuar; një sofër mikpritëse për të mërguarit dhe konaku shpirtnor për shtegtarët e përmalluar.
Shenjat shënjuese të Shenjës
prej Dashnisë tana shkronjat i kena msue.
sot asht vakti,
prej Dashnisë,
veten tonë, na me ndrrue.
Sapo isha kthyer prej Stambollit, kur u gjenda përballë një gjendjeje krejt të panjohur, që më rëndonte krahnorin çdo ditë e më shumë. Ishte një përplasje e heshtur mes asaj që mendova se e kuptoja dhe asaj që realisht (mund të) ekzistonte. Në ato çaste kuptova se mendimi dhe perceptimi ynë janë gjithmonë të pjesshme, ndërsa ndjenja mund ta tejkalonte qelinë shqisore përmes pranimit dhe dëgjimit; dhe se çdo përvojë e jetuar, qoftë edhe vrikthi, në ato qytete me sexhade shafrani, hapte horizonte nga jeta Matanë.
Megjithatë, ngarkesat emocionale të paemërueshme ishin shenjë e pafuqisë sime për të përballuar “të panjohurën”, që në thelb nuk ishte gjë tjetër, veçse një dijeni e mbuluar nga pluhuri i harresës fill mbas ezelit. Teksa po përpëlitesha për t’u vettakuar, rinisa të shkruaja – larg politikës dhe përditshmërisë. Shkruaja copëza që m’dukeshin si kohnat e një jete tjetër. Jetë që lehtë më përcolli për tek SHENJA – përmes kujtimeve të Stambollit ose udhës, që sikur shënjoi fatin e shkarravitjeve. Kur SHENJA ishte plot bojë, mbaj mend se frymëzimi im gjallërohej prej vetmisë në mes të zhurmës. Në autobusët e motmoteve parapandemike, në furgonët e avionët që ndryshoja, vazhdimisht e gjeja veten duke u shtruar në gatitjet fare modeste për një sofër ku fisnikrohej Fjala.
Kjo sofër, për mua, veçanërisht në vitet e para të studimeve, ishte një hapje e pamatë drejt qiejve të harruar të së bukurës … në mos, qe i vetmi “qoshk” ku lexoja menjen e bukur të Ferid Muhiqit dhe bojnat krejt të acikume të Ervin Hatibit. Më pas, Lindjen do ta lexoja edhe përmes lenteve të Gerta Zaimit, ndërsa paralelisht gërmoja në arkiva bashkë me shkrimet e Qerim Litës. Në përpjekje për të depërtuar në të shkuarën, kërkoja përqasjet e Rizvan Sulejmanit, ndërkohë prof. Abdi Baleta, si gur i randë në vendin e vet, më kthente shpesh te leximi i Enis Sulstarovës. Kështu, leximet nga rinia e hershme po bëheshin gjithnjë e më laramane nga shtysa që kjo Kopshtnajë shkronjash më falte gjithë nge.
Por, siç do të thoshin urtakët e anëve tona, njeriu duhet ta humbasë dashninë për t’ia njohur asaj begatinë. Në vitet e udhëtimeve dhe kërkimeve pa shumë zahmet, SHENJËN e gjeta dhe e lashë mes ngjyrash e fotografish… ndërsa, në kthim, pasi kisha humbur Parajsën time mbi Tokë, teksa po msohesha me amanetin e mëmësisë, SHENJËN e gjeta si një melhem të dalë prej sekreteve të urtësisë.
Frymëzimet nuk ndërkalleshin më prej veçimit, ngase në krahnor Zakaria më ishte përgjegjësi me kurorë; ndaj, për më shumë se dy vite, SHENJA u kthye në laboratorin e munguar – një lumnim i parefuzueshëm për kërkim, kritikë, thellim, dyshim, lexim dhe maturi. Një përgjegjësi që i shpluhnosi frikënat e shtresëzuara prej fillit të mëmësisë – në mungesë të nënës. SHENJA ishte shtëpiza që mungonte dhe që nuk do m’kthehej më – por forcohej përmes besatimit dhe durimit, në kërkim të Ditunisë … SHENJA ishte Palestina ime e mungume dhe andrrimi i zashëm. SHENJA ishte SHQIPNIA e andrrës së paraluftës. Ajo, ishte NA: shqiptarët që u zhveshën prej egove e zilisë. Një SHQIPNI prej Fjalësh e tana pa kufi.
Ne, nuk naltësuam vetet duke shkruar;
veçse përpjekjet tona u naltësuan nga Dashnia
për t’i ba hyzmet Dashnisë.
Prill. 2026









