loader image
March 31, 2026

Metafora e lirisë

Sot Prekazi është vend pelegrinazhi kombëtar. Shqiptarët e vizitojnë kullën e Jasharajve, sepse e respektojnë veprën e tyre. Roli i familjes Jashari është edhe simbolik e kulturor, sepse e mishëron idenë e qëndresës së një kombi në kohë robërie. Kjo familje është vlerë e shenjtëruar dhe institucion moral e kombëtar, që qëndron përmbi partitë dhe përtej ngjarjeve kalimtare të përditshmërisë politike. 

Salajdin SALIHU, Tetovë

Në eposin shqiptar shënohen akte vetëflijimi për fisin, dheun ose nderin. Rozafa vetëflijohet që të ndërtohet kalaja, e cila shërben si mbrojtje nga armiqtë. Gjergj Elez Alia është i gatshëm të vetëflijohet për mbrojtjen e nderit, duke luftuar me bajlozin, pra armikun që vjen nga jashtë. Heronjtë e eposit shqiptar shpesh u ngjanë heronjve të epeve antike, ashtu siç i paraqet Homeri. Ata edhe kur e dinë se do të kenë fund tragjik, nuk i shmangen luftës, sepse, sikurse në tragjeditë e Kornejit dhe Rasinit, e vlerësojnë më shumë nderin e lavdinë e përjetshme, sesa jetën dhe të mirat e përkohshme.

Flijimi për shkak të dashurisë ndaj atdheut është temë që i ka frymëzuar shumë autorë. Është e njohur shprehja e Horacit: “Është e ëmbël dhe e hijshme të vdesësh për atdhe”. 

Edhe historia jonë dëshmon për flijime të shumta për liri e pavarësi kombëtare.

Megjithatë, sakrifica e familjes së Adem Jasharit është unike, jo vetëm në historinë shqiptare. Ajo është sakrificë epike. Familja e Jasharajve u sakrifikua për një kauzë madhore kombëtare, prandaj për shqiptarët është vlerë e shenjtëruar dhe metaforë lirie.

Një komb me njerëz të gatshëm që të vetëflijohen për lirinë e tij, edhe nëse është i robëruar së jashtmi, mbetet i lirë së brendshmi. Një komb që është i lirë së brendshmi, herët a vonë, do ta fitojë lirinë.

Ajo që ndodhi në Prekaz është ndër ngjarjet më tragjike, por edhe më të rëndësishme në historinë shqiptare, sepse shënoi kthesë historike. Ajo e ndryshoi botëshikimin e shqiptarëve dhe i trazoi kancelaritë ndërkombëtare për të ndërhyrë në mbrojtje të një populli të rrezikuar me zhdukje fizike.

Adem Jashari sot është hero i Kosovës, sepse luftoi për lirinë e saj. Fjala hero do të thotë “të mbrosh, të shërbesh”. Ai ishte në mbrojtje dhe në shërbim të kombit të vet.

Sipas Rexhep Qosjes, Adem Jasharin e bën figurë historike forca e vullnetit, karakteri heroik, burrëria legjendare, bëma e pazakonshme, në të cilën njeriu e ka kaluar masën e njeriut.

“Adem Jashari nuk ka kryer fakultet të historisë, por historinë e ka kuptuar më mirë se shumë nga vijuesit e fakulteteve të tilla. Historinë e ka mësuar aty ku gjithmonë më së miri është kuptuar historia: në dhembjet e popullit, në këngën, në kallëzimin, në traditën e popullit”, shkroi Qosja.

Sot Prekazi është vend pelegrinazhi kombëtar. Shqiptarët e vizitojnë kullën e Jasharajve, sepse e respektojnë veprën e tyre. Roli i familjes Jashari është edhe simbolik e kulturor, sepse e mishëron idenë e qëndresës së një kombi në kohë robërie.

Kjo familje është vlerë e shenjtëruar dhe institucion moral e kombëtar, që qëndron përmbi partitë dhe përtej ngjarjeve kalimtare të përditshmërisë politike.

Kjo familje nuk u bë pjesë e politikës ditore dhe ky qëndrim e shton madhështinë dhe vlerën që ajo ka në historinë e Kosovës.

Duke qëndruar përmbi partitë politike, ajo nuk është apolitike. Si mund të jetë e tillë një familje që ka sakrifikuar më shumë se kushdo tjetër për lirinë e Kosovës?

Duke e mbajtur këtë qëndrim, kjo familje shërben si një mburojë e përhershme sa herë politika mund të marrë për ters dhe të bëjë gjëra të mbrapshta, të dëmshme dhe të rrezikshme për kombin.

Çdo shoqërie i duhen modele morale. Familja e Jasharajve është modeli që na mëson se si duhet atdheu, kombi dhe liria. Ajo na mëson se atdheu, ai hyjnori dhe i pavdekshmi, është edhe dhembje, siç thuhet në një varg të Fatos Arapit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X